LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Le ta mposhtim Putinin sipas rregullave të tij të lojës

23 Shtator 2022, 08:35, Opinione CNA

Le ta mposhtim Putinin sipas rregullave të tij të lojës

Ukrainasit kanë bërë (sërish) atë që askush nuk besonte se do të mundnin. Ata e kanë mposhtur (sërish) në fushën e betejës ushtrinë ruse që supozohej se ishte e plotfuqishme, duke treguar në fakt paaftësinë dhe kalbjen morale të sistemit të Putinit.

Ukrainasve iu deshën vetëm gjashtë ditë për të rimarrë pjesë të tëra të territorit në Ukrainës Verilindore, që Rusisë iu deshën 6 muaj për t’i pushtuar. Elitat ushtarake, politike dhe propagandistike ruse po fajësojnë njëra-tjetrën: përçarjet që zakonisht vlonin nën sipërfaqe tani janë të dukshme për të gjithë.

Putini duket i tronditur. Tani është koha që të veprojmë edhe ne në Perëndim. Jo vetëm duke e shtuar ndihmën për Ukrainën në fushën e betejës (që është parësore), por edhe duke avancuar përgjatë fronteve të tjera në këtë konflikt: energjisë, informacionit, financave dhe diplomacisë.

Pavarësisht nëse duam apo jo, fakt është se Vladimir Putini po na sulmon. Kjo nuk është vetëm lufta e Ukrainës. Ne mund t’i ndiejmë çdo ditë armët e Putinit që përdoren kundër nesh. Putini po përdor shantazhin energjitik për të shtura kostot tona të jetesës.

Ai po përpiqet të falimentojë bizneset tona, dhe të dëmtojë segmentet më të cënueshme të shoqërisë. Ai e përdori kërcënimin e bllokimit të eksporteve të grurit të Ukrainës si një mënyrë për të kërcënuar me uri njerëzit më të varfër në botë.

Përdorimi prej tij i sulmeve kibernetike, atentateve, korrupsionit dhe fushatave dezinformuese është i mirë-dokumentuar. Javën e kaluar, të dhënat e reja të inteligjencës amerikane zbuluan se ai ka shpenzuar 300 milionë dollarë për financimin e lëvizjeve politike në Perëndim, kryesisht të së djathtës ekstreme.

Çdo fshat që çliron ushtria ukrainase në Ukrainën Lindore, është gjithashtu një fitore kundër forcave neo-fashiste në atë që dikur njihej si Perëndimi. Putin po e bën këtë, pasi dëshiron një botë të re, ku ai dhe të tjerët si ai të mund të veprojnë pa u ndëshkuar. Por mundësitë janë gjithashtu edhe dobësitë e tij.

Së pari, ai është tepër i varur nga energjia, dhe ka besuar se Evropa do të detyrohet gjithmonë që t’i serviloset sepse ka nevojë për gazin. Ai ishte inkurajuar nga një mori elitash perëndimore, kryesisht gjermane, politike dhe të biznesit, që vazhduan ta thellojnë varësinë energjetike edhe kur Rusia pushtoi një pjesë të Ukrainës në vitin 2014, ndërsa shtypi me dhunë pakicat, kritikët dhe aktivistët e shoqërisë civile në Rusi.

Tek ai ekzistonte gjithnjë një ndjenjë se Rusia ishte fuqi e madhe e pashmangshme, së cilës të tjerët thjesht duhej që t’i nënshtroheshin. Ndërkohë, tani ne duhet ta shohim Rusinë për atë që është në të vërtetë: një vend fqinj abuziv, nga i cili duhet zhbërë çdo lloj varësie.

Njerëzit duhet të sigurohen që qeveritë e tyre të kujdesen si duhet për ta, dhe se sakrificat që bëjnë të gjitha e kanë një shpërblim: lirinë dhe sovranitetin e vërtetë. Ne nuk po bëjmë sakrifica “për Ukrainën”. Por po shkëputemi nga varësia energjetike që kemi nga Rusia sepse kemi nevojë për një siguri energjetike të vërtetë.

Por interesat ekonomike që mbështesnin gjithmonë të bërit biznes me Rusinë, do të fillojnë ta “ngrenë” zërin e tyre ndërsa po rriten kostot ekonomike. Tashmë ekziston një klasë e tërë biznesesh që i shohin sanksionet dhe bojkotimet kundër Rusisë si një lojë. Për shembull, dikush ia shet mallrat Turqisë dhe vendeve të tjera ndërmjetëse, të cilat më pas ia shesin Rusisë.

Dhe kjo duhet të ndryshojë. Biznesi dhe elitat politike të korruptuara apo thjesht të dyshimta që vazhdojnë të bëjnë biznes fshehurazi me Rusinë, duhet të mbajnë përgjegjësi. Këtu përfshihen nga avokatët e dyshimtë që përfaqësojnë kompani të dyshimta, deri tek lobet e biznesit dhe udhëheqja e partive politike që kanë punuan për të çimentuar varësinë energjetike nga Rusia.

Ne kemi nevojë për një lëvizje qytetare të pakompromis që të ekspozojë përgjegjësinë e tyre. Kjo mund të përfshijë si presionin ligjor, ashtu edhe kosto në reputacionin e tyre. Ne kemi nevojë për diçka të ngjashme për mbështetësit e fshehjes së parave të Putinit (dhe regjimeve të tjera diktatoriale).

Pastruesit e parave,sabotuesit e sanksioneve, bizneset dhe politikanët e falimentuar moralisht, duhet ta dinë se do të ketë një kosto të madhe për aktivitetin e tyre, si në gjykata po ashtu edhe në gjykatën e opinionit publik. Aktualisht, mbretëron pandëshkueshmëria. Ndërkohë, vetë sanksionet mund të forcohen më tej.

Ekspertët po flasin për nevojën e vendosjes së më shumë sanksioneve dytësore ndaj bizneseve që punojnë me Rusinë. Kështu “Gazprom Bank” mbetet ende pa u sanksionuar. Shkolla e Ekonomisë në Kiev thotë se 1.144 kompani të huaja vazhdojnë ende aktivitetin brenda Rusisë.

Por përveç mbylljes së boshllëqeve të tilla, ajo që i mungon sistematikisht paketës së sanksioneve është pjesa e komunikimit. Ne i kemi dhënë Putinit lirinë për të diktuar perceptimin publik rreth sanksioneve. Dhe kjo është një betejë perceptimi. Vetë ukrainasit nuk janë kaq të pakujdesshëm. Ata e dinë se veprimet e tyre ushtarake, duhet të shoqërohen me fushata informative dhe kibernetike.

Ndërsa sanksionet po e dëmtojnë gjithnjë e më shumë ekonominë ruse, Putini do të vazhdojë të përpiqet të përkëdhelë shtresën e mesme në qytetet e mëdha ruse, të përpiqet t’i mbrojë ata nga pasojat e luftës, e cila është menduar të jetë thjesht një shfaqje e madhe në TV.

Le ta mposhtim Putinin sipas rregullave të tij të lojës

Shumë segmente të shoqërisë ruse besojnë ende se lufta do të mbarojë së shpejti, dhe se gjërat do të kthehen në “normalitet”, se Perëndimi do të bjerë, se nuk ka alternativë ndaj Putinit që mund të garantojë siguri dhe stabilitet.

Ne kemi nevojë për fushata komunikimi, që të paktën të thonë se sanksionet janë afatgjata dhe se nuk ka më “rikthim në normalitet”. Putini dëshiron që të shkatërrojë vlerat themelore që garantojnë një Evropë të të drejtave dhe paqes. Ne duhet të tregojmë se kjo ishte një ide tejet idiote, dhe t’i detyrojmë rusët të shtrojnë pyetjen:A ia vlejti e gjithë kjo luftë? A e di udhëheqja jonë se çfarë është duke bërë?

Shembulli i Afrikës së Jugut, tregon se edhe në shoqëritë më të falimentuara moralisht, njerëzit rebelohen në fund ndaj regjimeve që i kanë izoluar. Në Luftën e Dytë Botërore dhe në Luftën e Ftohtë, kishte institucione që mund të bënin atë që dikur njihej si “lufta politike”. Edhe sot, në një epokë të një ndërvarësie të madhe, do të kemi nevojë për institucione që mund ta bëjnë sërish këtë gjë.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga