web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Deri ku mund ta ndryshojmë estetikisht veten tonë?!

20 Tetor 2025, 13:55, Opinione Miron Çako

Deri ku mund ta ndryshojmë estetikisht veten tonë?!

Ajo që po vihet re në këtë brez avangardë ose “Kohës së re”, është një tendencë në rritje për t’u marrë shumë më tepër me kujdesin e trupit dhe kurimin e fytyrës, për t’u bërë sa më të përsosur, tërheqës, joshës në publik.
Kaq shumë po fiksohen njerëzit me këtë trend, saqë pamja e jashtme sot po bëhet një standard i vlerës së një individi dhe status shoqëror, domethënë sa më pamje të jashtme të kuruar dhe të përsosur të ketë dikush, aq më shumë është i vlerësuar në shoqëri, pavarësisht vlerave morale, aftësive intelektuale, profesionale apo shoqërore që ka dhe është me të vërtetë.

Pra, sot me pamjen po veprohet si në marketing mallrash, ku reklama shet mallin, pavarësisht përmbajtjes. Sot njerëzit po vlerësojnë më shumë vlerën e jashtme sesa punën dhe vlerën morale të një individi, saqë kjo risi po bëhet një ligj i pashkruar që po i nënshtrohet turmës imituese.
Këtë trend sot e bën të mundur edhe zhvillimi i teknologjisë estetike, që po përhapet gjithandej nëpër botë, aq sa tendenca në rritje për ndërhyrje estetike po kthehet në një epidemi shoqërore, ashtu siç është bërë edhe tatuazhi.
Ndërhyrjet estetike më të përhapura janë:
Rinoplastika – që vazhdon të kryesojë listën e kërkesave, e preferuar nga ata që kërkojnë përmirësime të formës së hundës, por edhe për të ndihmuar frymëmarrjen.
Filler-at – janë një nga trajtimet më të kërkuara për ata që duan të rifitojnë volumin dhe të përmirësojnë konturet e fytyrës pa ndërhyrje kirurgjikale.
Brazilian Butt Lift (BBL) – kjo procedurë përdor dhjamin e trupit të vetë pacientit për të shtuar volum në zonën e vitheve dhe për të krijuar forma të plota, por natyrale.
Liposkulptura – trupi i përsosur është trendi më i ri për të arritur konturimin e trupit në mënyrë të personalizuar.
Mikrodermoabrazioni dhe White Peeling – ndërhyrje për ata që kërkojnë një përmirësim të lehtë në shkëlqimin dhe pastërtinë e lëkurës.

Estetika Gjenitale – për defektet kongjenitale të organeve gjenitale.
Duhet të dimë se që nga lashtësia njerëzit janë marrë me ndërhyrje për estetikën e fytyrës dhe trupit, kuptohet aq sa mund të lejonte edhe mundësia e mjeteve, këto ndërhyrje si për defekte të lindura ose gjymtime aksidentale gjatë jetës; kjo bëhej me ndërhyrje kirurgjikale, proteza, makijazhe, pomada, etj.
Por sot, me zhvillimin e teknologjisë, operacionet dhe ndërhyrjet plastike në masë të madhe e kanë humbur rolin e vet primar si të nevojshëm dhe të domosdoshëm për korrigjimin e defekteve dhe aksidenteve, sepse sot këto ndërhyrje janë shndërruar në një garë ku klientët kërkojnë nga estetistët ndërhyrje nga më të dhimbshmet, të kushtueshme, të rrezikshme, kjo jo për domosdoshmëri funksionale apo nevojshmëri estetike, por thjesht vetëm për dukje, për të tërhequr vëmendjen e turmës lakmiqare dhe xheloze, deri në atë masë sa mbushen me tepri me silikon dhe po ndryshojnë edhe identitetin natyral të pamjes së jashtme duke u bërë njerëz plastikë, apo barbi (kukulla).

Sipas të dhënave statistikore nga Shoqata Internacionale e Kirurgëve Plastikë (ISAPS), vendet më me shumë ndërhyrje estetike janë:
SHBA me 17.9% të popullsisë që ka bërë ndërhyrje estetike
Brazili me 10.7% të popullsisë
Japonia me 4.8%
Italia me 4.1%
Meksika me 3.9%
Por edhe Ballkani nuk mbetet pas, madje turizmi estetik në Ballkan është konsoliduar shumë, sepse ka tarifa më të ulëta se në BE. Edhe në Shqipëri kemi një bum të ndërhyrjeve estetike dhe, duke mos pasur një rregull, por një vakuum ligjor për këto ndërhyrje, Shqipëria është konsideruar nga blogjet italiane si: “Shqipëria, xhungla e ndërhyrjeve estetike”.

Në Shqipëri, çmimi i trajtimeve të vogla estetike si shtimi i volumit të buzës apo edhe i mollëzave kushton rreth 50 euro, kurse në vende të tjera të BE-së, një seancë e vetme kushton nga 300-600 euro; po ashtu nuk mungojnë edhe ofertat promocionale të tipit “Sill 3 shoqe dhe do të kesh zbritje me 30%”.
Artikuj të huaj japin alarmin; "se sallonet e bukurisë në Shqipëri, që nuk kanë ekspertizë dhe mbikëqyrje mjekësore, janë duke ofruar shërbime kozmetike të rrezikshme."
Ata që joshen më shumë nga ky trend dhe industria e estetikës, janë adoleshentë dhe të rinjtë nga 20-30 vjeç, të cilët ndikohen dhe peshkohen nga influencerët dhe blogerët në rrjetet sociale, ose nga figurat publike të 'show-biz'-it dhe reklamës që u bëhet atyre në rrjetet sociale për look-un e tyre me pamje perfekte të rregulluara nga këto ndërhyrje estetike, duke përcaktuar standardet e bukurisë sipas modës sot.
Edhe pse kemi një trend në rritje të ndërhyrjeve estetike, duhet të dimë nga ekspertët dhe mjekët esteticist se përveç benefiteve, kjo epidemi e kohës ka edhe shumë probleme psikologjike, shëndetësore dhe etike, që është mirë të merren parasysh kur vendoset të bëhet një ndërhyrje estetike.
Problemet dhe risqet psikologjike dhe shëndetësore janë shumë më të mëdha se përfitimet në dukje të një look-u perfekt, sidomos kur kemi ndërhyrje në moshat e reja.
Kjo moshë është në zhvillim dhe ndërhyrjet estetike kirurgjikale ndërhyjnë në këtë proces të rritjes, duke sjellë më shumë dëm sesa rezultat, sepse ato pengojnë zhvillimin natyral të shqisave, trupit dhe e drejtojnë drejt anomalive dhe defekteve të pakorrigjueshme.

Kjo situatë e pakëndshme sjell dhe probleme psikologjike, depresion, ankth, aq më shumë kur rezultatet e operacionit nuk janë ato të pritshmërisë; madje klienti kthehet në pacient duke i bërë një dëm, deformim të pariparueshëm vetvetes për gjithë jetën.
Doktorët specialistë janë të drejtpërdrejtë, ata thonë, p.sh.:
“Nëse acidi hialuronik injektohet në enët e gjakut mund të krijojë nekrozë, një zonë të nxirë në lëkurë, që mbetet gjithë jetën.”
“Pasojat më së shumti shkaktohen nga përdorimi i tepruar i filler-it (substancë mbushëse për lëkurën), një pjesë e të cilave janë të ndaluara në vendet e Bashkimit Europian.”
“Mossteriliteti i injeksionit me silikon jep reaksione alergjike në organizëm, granuloma dhe nekrozë të indit, pra shkatërrim të indit ku injektohet, dhe pasojat e një materiali të kontaminuar mund të çojnë deri në marrjen e jetës.”
Një nga problematikat e tjera shëndetësore është dhe shtimi i infektimeve me HIV/AIDS pas ndërhyrjeve estetike.

Prandaj, para se të shkohet te një qendër estetike dhe të paguhen paratë për ndërhyrje, duhen menduar mirë edhe pasojat psikologjike dhe shëndetësore.
Por le të flasim edhe për pasojat etike, sidomos për ata që besojnë në ekzistencën e një Zoti, Krijues dhe Gjykatësi.
Duhet të dimë se njeriu është krijesa më e veçantë që dallon nga çdo lloj gjallese jo vetëm nga inteligjenca e spikatur, por edhe nga statura e trupit dhe bukuria e fytyrës që i jep autoritet, individualitet të papërsëritshëm.
Kjo performancë fizike e njeriut nuk është thjesht një rastësi e teorisë utopike të evolucionit nga majmuni te njeriu, por është krijesa e Perëndisë, ashtu siç na zbulon Bibla:
“Pastaj Perëndia tha: Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi rrëshqanorët që zvarriten mbi dhé.

Kështu Perëndia krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën.” (1 Zanafilla 26-27)
Prandaj njeriu si një qenie psiko-somatike është një shëmbëlltyrë e krijuar e Perëndisë Trinitare së Pakrijuar. Ai është i tillë jo vetëm në botën e tij shpirtërore, si mendje, fjalë dhe shpirt, ose në intelektin, lirinë dhe pavdekësinë e shpirtit, por edhe në staturën e tij të jashtme, si në fytyrën dhe trupin e tij, sepse ai duhet të reflektojë Perëndinë jo vetëm shpirtërisht, por edhe në një botë fizike dhe materiale me trupin e tij.
Sipas Etërve të Shenjtë, edhe trupi i njeriut, i cili me shpirtin e krijuar sipas ikonës së Perëndisë, formon një njeri të plotë, nuk mund të përjashtohet krejtësisht nga shëmbëlltyra e Zotit, sepse dhe në trup pasqyrohet deri në njëfarë pike karakteri i shpirtit të krijuar sipas ikonës.

Sipas Shën Grigorit të Nisës: “Është e gjithë natyra njerëzore që përbën ikonën e Perëndisë te njeriu, ikonë që nuk gjendet në asnjë pjesë të tij të veçantë, por në tërësinë e tij (shpirt dhe trup).”
Aq më shumë trupi njerëzor u krijua i tillë, sepse ai do të mbante vetë Perëndinë, Birin dhe Fjalën e Perëndisë të mishëruar në Bir-Njeriun, ashtu siç e profetizoi Danieli:
“Unë po shikoja kështu në vegimin e natës: kur qe, në retë e qiellit, po vinte dikush si Biri i njeriut! Arriti deri tek i Tejetlashti i motit dhe qe paraqitur para tij. Ai i dha pushtetin, nderin e mbretërinë. Të gjithë popujt, fiset e gjuhët u shtruan nën shërbimin e tij: pushteti i tij, pushteti i amshuar që kurrë s'do të merret, mbretëria e tij kurrë nuk do të prishet.” (Danieli 7:13-14)
Po ashtu, si e dëshmon Apostull Joan Ungjillori për Zotin Jisu Krishtin:
“Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.” (Joani 1:14)
Apostull Pavli sqaron misterin e Perëndisë-njeriut:
“Tek ai banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë.” (Korintasve 2:10)
Njeriu u krijua sipas modelit të Perëndisë Triadik: Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, d.m.th. një nga esenca, por në shumë persona, hipostaza.

Prandaj njerëzit janë të krijuar nga Krijuesi të dallueshëm jo vetëm në intelektin, ndjenjat, virtytet dhe dhuratat shpirtërore që krijojnë personalitetin e tyre të papërsëritshëm para Perëndisë dhe njëri-tjetrit, por ata ndryshojnë edhe në pamjen e fytyrës dhe të staturës trupore, si mashkull dhe femër.
Ata kanë dallime individuale fizike dhe gjinore të veçanta dhe të papërsëritshme, që i dallojnë nga njëri-tjetri, prandaj çdo tipar i yni nuk është i rastësishëm apo thjesht rrjedhojë gjentike, por një krijim i veçantë i Zotit për secilin prej nesh, një kryevepër e personalizuar e Mjeshtrit të Madh.
Kjo është arsyeja që psalmisti na shkruan:
“Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë; më jep zgjuarsi që të mund të mësoj urdhërimet e tua.” (Psalmet 119:73)
Por një pyetje ndoshta na shqetëson:
“Pse në botë lindin njerëz me gjymtime apo me tipare të deformuara, mos janë vepra të dështuara të Zotit?!”
Jo, aspak, nuk mund të jetë aspak dështimi apo "mall skarco" një njeri, sepse Ati është një mjeshtër i përsosur dhe asgjë nuk mund të dalë e deformuar, e shëmtuar apo e pavlerë nga duart e Tij, të Birit dhe Shpirtit të Shenjtë.

Në qoftë se Ai do të dështonte së bëri shpirtra dhe trupa të përsosur, atëherë nuk do ishte një Perëndi absolut dhe i përsosur, edhe kur krijon me anë Birit dhe Frymës së Shenjtë.
Ajo që ne e shohim sot në botë si të deformuar ose edhe të shëmtuar në krijim, është rrjedhojë e mëkatit, që u bë në zanafillë në Eden (Zanafilla 3:6-7), e mëkatit stërgjyshor, e njerëzve të parë të krijuar; mëkat që me pasojat e tij trashëgohet te të gjithë njerëzimi si një virus, por edhe atij prindëror, që trashëgohet te fëmijët deri në brezin e katërt, ashtu siç thotë edhe psalmisti:
“Në mëkat më lindi nëna ime.” (Psalmi 50)
Zoti Perëndi njerëzit e parë që i krijoi me vetë duart e tij, si Adamin (Zanafilla 2:2-7) dhe Evën (Zanafilla 2:21-22), i krijoi të përsosur pa asnjë të met në shpirt dhe në trup, si kurora e krijimit material, një miniaturë e përsosur e Zotit, por fëmijët e Adamit dhe Evës u krijuan pas mëkatit, nga Krijuesi në bashkëpunimin me njerëzit, ashtu si Eva tha për lindjen e Kainit djalit të parë: "Fitova një burrë nga Zoti" (Zanafilla 4:1).
Këtu fillon deformimi shpirtëror dhe trupor i njeriut, sepse pasojat e mëkatit transmetohen shpirtërisht në pasione dhe gjenetikisht në deformime. Prandaj sa më i madh të jetë mëkati prindëror, aq më pak lejohet Perëndia të ndërhyjë në krijimin e një njeriu të ri, dhe për shkak të mëkatit, fëmijët lindin si ikona të deformuara të Perëndisë.

Njerëzit e kanë dëshirë përsosmërinë sepse ata janë krijuar të tillë, që të pasqyrojnë si ikona përsosmërinë e Zotit, aq sa mund të bëhen të ngjashëm me Zotin në aspektin shpirtëror dhe moral, por edhe në aspektin fizik në botën fizike, sepse njeriu është një qënie shpirt-trup.
Njerëzimi, i cili vdiq shpirtërisht si pasoja e mëkatit fillestar, se u rebelua (Zanafilla 2:16-17), ai e humbi orientimin moral dhe për virtyt, për të qenë ikonë dhe i ngjashëm me Zotin; kështu pra, thirrja e brendshme e qënit ikonë me potencial që të bëhet i ngjashëm me Zotin (Zanafilla 1:26) tek njeriu, ai filloi ta shikoj dhe kërkoj thjesht në botën e jashtme, në botën materiale dhe fizikun e tij.
Aq shumë u dha pas trupit, sa e ktheu trupin në një idhull, ku masa e vlerës dhe statusit shoqëror mes paganëve u bë trupi i përsosur dhe fuqia fizike, dhe jo morali dhe virtyti që burojnë nga shpirti, zemra dhe mendja.
Kështu grekët e lashtë, për ta hyjnizuar trupin, krijuan perënditë e Olimpit me një pamje humane të përsosur, por edhe me pasionet që i shkonin për shtat paganëve, d.m.th. natyrës së rënë njerëzore, që ishte bërë vetëm mish. (Zanafilla 6:3).

Ata fantazuan filozofitë dhe mitet klasike, sikur njerëzit janë krijuar nga perënditë dhe duhet t’u ngjajnë sa më shumë atyre në pamje dhe në dëshira, prandaj morali në Greqinë e lashtë shkonte paralelisht me bukurinë dhe kujdesin për trupin, fytyrën, flokët dhe ushtrimin lirisht të kënaqësive trupore, si një përngjasim i pamjes dhe kënaqësive të perëndive të Olimpit.
Kështu në atë kohë pagane, një sinonim i të qenit qytetar i denjë dhe me status ishte të kishe një trup të paraqitshëm të depiluar dhe të trajnuar mirë, një fytyrë të bardhë, ashtu siç e shikojmë edhe në shëmbëlltyrat artistike të perëndive me pamje njerëzore si, skulptura, piktura të kohës, që cilësohet si arti klasik.
Kështu edhe sot, në një botë të rënë moralisht dhe shpirtërisht, pa vlera morale, virtyte dhe ideale të shenjta, njerëzit po i kthehen vetëm pamjes dhe fizikut të jashtëm si e “perëndive”.
Ky është një tundim për krenari, rivalitet, pasion, joshje dhe status në dhe se jemi në një shoqëri neopagane.
Prandaj gjithmonë, edhe sot në këtë botë anti-Zot, të prishur moralisht dhe estetikisht, dhe të mallkuar për prishje me vdekje dhe asgjësim mbas mëkatit (Zanafilla 3:18), bukuria dhe përsosmëria jo vetëm që nuk arrihen përfundimisht , por më shumë janë një problem se sa mirëqënie për njeriun, si për ata që e kanë të lindur duke i rrëzuar në krenari dhe tundim për të tjerët, ashtu edhe për ata që e dëshirojnë në lakmi, por edhe për ata që u mungon zili dhe kanë armiqësi.

Kështu kjo botë mëkatare dhe e prishur, e dalë jashtë planit Hyjnor fillestar të parajsës tokësore (Zanafilla 2:8), ku mbizotëron me tepri egoizmi, lakmia, zilia, armiqësia dhe që shkon pashmangshmërisht drejt dekadencës përfundimtare, Ekonomia Hyjnore nuk i jep shumë rëndësi bukurisë së jashtme të trupit që do të vdesë dhe prishet në varr, por i jep rëndësi botës së brendshme të njeriut, të ringjalljes shpirtërore nëpërmjet besimit në Krishtin e ngjallur, me Misteret e Kishës Apostolike dhe zbukurimin e shpirtit njerëzor me dritën dhe virtytet e Shpirtit të Shenjtë, si:“Dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli.” (Galatasve 5:22)
Bota e rënë shpesh fokusohet te pamja jonë e jashtme, por Perëndia në këtë jetë shikon zemrën tonë, ashtu siç thotë profeti Samuel, kur kërkonte mbret për Izraelin:"Mos ia shiko as pamjen as shtatgjatësinë, sepse unë e kam refuzuar, sepse Zoti nuk shikon si shikon njeriu; njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën." (1 Samuel 16:7)

Perëndia si Mjeshtër i Madh, patjetër që nuk ka hequr dorë edhe nga trupi njerëzor, por e përsërisim: në këtë jetë të përkohshme ku vdekja do të asgjësojë të gjithë bukurinë e trupit, e rëndësishme për Krijuesin është ringjallja dhe zbukurimi i shpirtit, që duhet t’i paraprijë ngjalljes së trupave të të vdekurve, ngjarje eskatologjike që do të ndodhë në Ardhjen e Dytë të Krishtit, “I Cili do të vijë përsëri me lavdi të gjykojë të gjallë dhe të vdekur” (Zbulesa 20:11-13).
Kështu kur Krishti të vijë për herë të dytë i shoqëruar nga engjëjt : 'me fuqi edhe lavdi të madhe " ( Mateu 24-30), ata shpirtra që do gjenden të bashkuar dhe të shpëtuar shpirtërisht në Zotin Jisu Krisht, si bij të adoptuar të Perëndisë (Romakëve 8:14) dhe vëllezër e motra të Krishtit (Mattheu 12:50), Perëndia do t’i ngjall trupërisht dhe do të restaurojë përfundimisht në ata kryevepërën e tij njerëzore shpirt-trup të ngjallur, të lavdëruar, të hyjnizuar, sipas hirit të Shpirtit të Shenjtë, ashtu siç tani e shohim tek Krishti i ngjallur dhe që psalmisti Shën David na e përshkruan me profeci:
“Ti je i bukur, më i pashmi ndër bijtë e njerëzve, u zbraz hiri në buzët e tua, prandaj Perëndia të bekoi për amshim.” (Psalmi 45:2)

Ndërsa për besnikët e ngjallur të Perëndisë, vetë Zoti Jisu Krisht profetizon:
“Atëherë të drejtët do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre. Kush ka veshë për të dëgjuar, të dëgjojë!” (Mattheu 13:43)
Kurse Apostull Joani na shkruan për ata që presin me besim dhe shpresë (të krishterët orthodhoksë) kur të ngjallen trupërisht në Krishtin:“Shikoni ç’dashuri të madhe na dha Ati, që të quhemi bij të Perëndisë. Prandaj bota nuk na njeh, sepse nuk e ka njohur atë. Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, por ende nuk është shfaqur ç’do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet Ai, do të jemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim se si është Ai.” (1 Joanit 3:1-2)
Prandaj etika e krishter për mbarvajtjen e fizikut të përkoshë është e përkorë e përmajtur dhe jo qëllim në vetëvete , sepse sipas Krishtit : "Fryma i jep jetë mishit, mishi nuk vlen azgjë" dhe : "të lumtur janë ata që marin pjesë në ngjalljen e parë ( shpirtëroren)"( Zbulesa 20-6)
Edhe Kisha Katholike, Apostolike, Orthodhokse ka një qëndrim kritik-etik për atë se deri ku duhet të shkohet në ndërhyrjet estetike në këtë trup të përkohshëm.

Sipas Apostull Pavlit:
“Trupi i njeriut është tempulli i Zotit, është një kishë e gjallë, si një tempull i Shpirtit të Shenjtë” (1 Korintasve 6:19), si një dhuratë e shenjtë e Zotit që duhet ruajtur dhe respektuar, jo ndryshuar, zhgaravitur apo rimodeluar sipas modës apo egoizmit tonë.
Prandaj Kisha lejon, bekon dhe lutet për suksesin edhe për ndërhyrjet estetike për të korrigjuar defekte të lindura apo nga aksidente përgjatë jetës, sepse kjo nuk bëhet nga egoizmi, por nga kujdesi dhe mirëqenia e trupit, që ai të funksionojë, që të jetë sa më efikas në shërbim të shpirtit dhe të mos kompleksojë psikologjikisht personin njerëzor.

Këtë e shohim edhe tek veprat shëruese të Zotit Jisu Krisht, që me fuqinë hyjnore ndërhyri sipas dhembshurisë së Tij dhe besimit njerëzor të rregullojë gjymtime të shqisave, deformime dhe gjymtime të trupit njerëzor, p.sh. krijimi i syve të atij që kishte lindur i verbër (Joani 9:6-8), drejtimi i gruas së kërrusur prej 18 vitesh (Luka 13:11-13), ose shërimi i njeriut me dorë të tharë (Marku 3:5), etj.
Vërtetë, mjekësia është një dhuratë e Perëndisë për përkujdesjen njerëzore, këtu bën pjesë edhe mjekësia estetike, që duhet, ashtu siç u krijua në fillim nga njerrëzit, për korrigjimin sa më të mundshëm të defekteve të lindura apo të dëmtuara gjatë jetës, por Kisha e Krishtit është kundër tendencës së kohës, ku njeriu i sotëm, i mbushur me pabesi, imoralitet, egoizëm, është i tunduar gjithnjë e më shumë për t’u bërë nga ana e jashtme sa më i përsosur, për të tërhequr vëmendje, për joshje dhe mburrje, duke e bërë veten një idhull modern.
Kjo është arsyeja që kanonet kishtare ndalonin tek të pagëzaurit që të mos merreshin shumë me veten së jashtmi, por të ishin sa më natyralë.

Kanoni i Sinodit të 6 Ekumenik thotë:
“Ata ose ato që janë pagëzuar dhe përsëri kujdesen për flokët duke i bërë gërshet dhe duke i dredhur, duhet një pendese atërore, sepse një gjë e tillë është e gabuar përderisa josh të tjerët dhe sepse nuk duhet të zbukurohemi së jashtmi, por të zbukurohemi me virtyte së brendëshmi. Kushdo që shkel këtë kanon duhet të aforizohet.”(Kanoni 6.96)
Ky kanon është e bazuar në fjalën e Apostujve:
“Zbukurohuni, jo vetëm nga jashtë, duke gërshetuar flokët dhe duke vënë stoli ari, por nga brenda, me një frymë të butë dhe të qetë, që është e çmuar para Perëndisë.” (1 Pjetrit 3:3)
Kuptuhet kur lexojmë kanonin nuk duhet të shkojmë në ekstrem në në i interpretim dhe implementim, sikur ne nuk duhet të merremi fare me kujdesin dhe kurimin e vetes si njerëz që paraqiten në publik. Psh në traditën judaike lyerja e flokëve me vaji aromatik ishte një traditë që Krishti nuk e ndaloj madje e kritikon Simon fariseun që kur e priti Krishtin në shtëpi nuk ja levi Jisuit flokët me vaji sipas traditës së milpritjes , por e nëvlerësoj , ndryshe na laviraja e penduar po ja lyente këmbët me miro . ( Luka 7 -46)
Fjalët e Apostullit dhe Kanonit Kishtar kanë si qëllim të parandalojnë tendencën për teprime të panevojshme të mbarëvajtjes dhe zbukurimit të vetes, tendencë dhe praktikë pagane e theksuar në ato kohë për mburrje dhe joshje në publik të grave të përdala që nuk mbanin shami por rinin kokë zbuluar dhe me flokë gësheta me ar për joshje .

Kjo tendenë është edhe sot në kohën neopagane.
Shumë shenjtorë kanë folur për tundimin e bukurisë së jashtme, si me makijazhe, bizhu, por këtu futen edhe ndërhyrjet estetike jo të nevojshme apo të domosdoshme, por vetëm për t’u dukur ose për të joshur.
“Zbukurimi i jashtëm është shenjë e varfërisë së brendshme. Ai që zbukuron trupin shpesh harron shpirtin”, “Zoti të ka dhënë fytyrën tënde — mos e ndrysho me duar njerëzish, por zbukuroje me virtyt.” (Shën Joan Gojarti, Krisostomi, shekulli 4)
“Njerëzit sot kujdesen për trupin, jo për shpirtin. Rregullojnë fytyrën, por jo zemrën. Dhe pastaj pyesin pse nuk kanë paqe”, “Nëse njeriu dashuron Krishtin, bukuria e brendshme e dritës hyjnore shndrit edhe në fytyrë.” (Shën Paisi i Athosit)
“Kur zemra është e qetë dhe plot dashuri, atëherë edhe fytyra ndriçon. Paqja shpirtërore është kozmetika më e përsosur.”
“Mos kërko ta ndryshosh pamjen që Zoti të dha, por lutu që Ai të ndryshojë zemrën tënde.” (Shën Porfir Kavsokaliviti)
“Kur njeriu përpiqet të ndryshojë fytyrën e tij për t’u pëlqyer të tjerëve, ai dëshmon se nuk e ka kuptuar se është bërë në shëmbëlltyrën e Zotit.” (Shën Theofani i Mbyllur)
Në këtë thënie të shenjtorit ndodhet thelbi i antropologjisë orthodhokse: ne jemi shëmbëlltyra e Zotit (Zbulesa 1:26).

Prandaj tendenca sot për të ndryshuar fytyrën pa një domosdoshmëri nuk është vetëm një gabim moral dhe etik, por edhe një fyerje ndaj Providencës Hyjnore që ka lejuar të krijohesh në atë mënyrë që Ai deshi, si një shëmbëlltyrë e papërsëritshme e Zotit.
Prandaj shenjtorët të frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, kritikojnë:
“Mos e fyeni krijimin e Zotit me ndryshime të kota. Zoti nuk gabon në asgjë që krijon.”“Kur kërkojmë të ndryshojmë trupin, shpesh e bëjmë, sepse nuk e kemi pranuar veten si bij e bijat e Zotit.” (Shën Nektari i Egjinës)
“Sa më shumë e do Zotin, aq më shumë dashuri ndjen edhe për trupin që Ai të ka dhënë — jo për ta zbukuruar, por për ta ruajtur si tempull të Tij.” (Shën Siluan Athoniti)
“Dëshiron të dukesh bukur? Jini të kënaqur me tiparet dhe bukurinë që ju ka dhënë Krijuesi dhe mos doni të ndërhyni në të, sepse në këtë mënyrë tregoheni gjasme se jeni ju më të përsosur dhe më të mençur se Zoti dhe për këtë arsye dëshironi të korrigjoni krijimin e Tij.” (Shën Nikodhimi i Malit të Shenjtë)
Kisha Orthodhokse nuk gjykon në mënyrë të verbër, ekstremiste, në lidhje me ndërhyrjet estetike si në fytyrë edhe në trup, por Kisha, që është Trupi i Krishtit (Efesianëve 1:23) dhe "Shtylla dhe mburoja e së Vërtetës" (1 Timoteu 3:15), ka mendjen e Krishtit (1 Korintasve 2:16), dhe vetë është spitali i madh për shpirtrat dhe trupat njerëzorë. Duke përdorur medikamente hyjnore që janë Misteret e shenjta, Kisha përshëndet edhe ndihmën mjekësore për shëndetin e njeriut dhe për estetikën.
Kisha është pro ndërhyrjeve mjekësore estetike për korrigjime të nevojshme dhe të domosdoshme, si deformime të lindura apo aksidentale që ndikojnë në cilësinë e jetës dhe psikologjinë e njeriut, por është kundër ndërhyrjeve estetike të panevojshme, për zbukurim nga kotësia, krenaria, joshja ose mungesa e pranimit të vetes ashtu siç janë të krijuara nga Perëndia.

Në rastet e para, ndërhyrja mund të jetë një akt shërimi dhe mirënjohjeje ndaj Zotit dhe mjeksisë si një instrument bamirësie hyjnore për njeriun, ashtu siç thotë urtësia e Sirakut:
“Nderoje mjekun si i takon, se edhe atë e ka krijuar i Tejlarti.” (Sirakidi 38:1)
Por në rastet e dyta, ndërhyrjet estetike si në fytyrë edhe në trup konsiderohen nga Kisha një akt krenarie dhe mosbesimi, një përpjekje për të zëvendësuar dorën e Krijuesit me dorën e njeriut, ose një skandal për tundim dhe joshje seksuale, që meriton gjykim hyjnor, ashtu si e cilëson edhe Shën Isidor Pelusioti:
“Dije edhe këtë: Një grua krenare kur zbukurohet për të joshur ata që e shohin, edhe sikur ajo ende të mos ketë joshur dikë (publikisht), do të konsiderohet sikur ta kishte joshur atë.”
Aq më shumë Kisha është kategorikisht kundër dhe dënon kur me ndërhyrje estetike ndryshohet pamja apo gjinia përkatëse, sepse është një përversion dhe cilësohet mëkat i vdekshëm, kundra natyrës, kundra Zotit.
Në spiritualitetin orthodhoks, bukuria e vërtetë nuk është as simetri, as rinore, por prania e hirit.
Shenjtorët që kanë vuajtur nga gjymtime të lindura ose të marra gjatë jetës, apo pleqëria, por kanë jetuar me përulësi e dashuri, pa ankesa apo përpjekje për korrigjim, shpesh kanë pasur fytyra të ndritshme, të bukura, një ndriçim apo bukuri që nuk vjen nga kozmetika apo estetika, por nga hiri i Zotit, sepse:
“Kush ka Krishtin në zemër, ai është i bukur edhe në pleqëri.” (Thënie Oshënare)

Së fundi, tendenca e sotme për të krijuar me teknologji estetike çdo gjë të përsosur dhe simetrike bie ndesh edhe me ligjet estetike natyrore të bukurisë. Simetria shpesh quhet burim i bukurisë, por simetria absolute nuk është bukuri tërheqëse, shpesh është e mërzitshme dhe e velur.
Asimetria harmonike e bën bukurinë më të veçantë, më të pëlqyer dhe tërheqëse. Këtë e shohim edhe në natyrë, që kurrë nuk është plotësisht simetrike, dhe pikërisht tek papërsosmëritë ose asimetritë qëndron tërheqja dhe bukuria e personalizuar në bukuritë e natyrës, në objekte dhe gjallesa, aq më shumë tek njeriu që është kurora e krijimit.
Prandaj, nëqoftëse nuk kemi nevojë të vërtetë dhe të domosdoshme për ndërhyrje estetike në fytyrë dhe në trupat tanë,të kënaqemi me bukurinë natyrore, ose më mirë, me atë që na ka bërë të veçantë dhe të papërsëritshëm Mjeshtri i Madh, Perëndia, që thotë:“Ja, unë të kam gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të mia!” (Isaia 49:16)





14:35 Opinione Elvi FUNDO

Shënim/ Harbut

"Harbut" përdoret ende sot si sharje ose si përcaktim i sj...

20:10 Opinione Ditmir Bushati

Kurthi i tapetit të kuq

Presidentja e Komisionit Europian përfundoi vizitën e saj ...

16:37 Opinione Ardi Stefa

Të pavarurit e varur!

E veçanta e zgjedhjeve të pjesshme vendore të këtij viti, ...

14:18 Opinione Andi Bejtja

SHYQYR QË JEMI NDRYSHE!

Jo pak kolegë gazetarë që kaluan kufirin me Serbinë, përve...

Lajmet e fundit nga