web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

10 arsye, përse anëtarët e KPA nuk mund të bëhen gjyqtarë Apeli

8 Prill 2026, 18:42, Opinione Florian Bonjaku

10 arsye, përse anëtarët e KPA nuk mund të bëhen

Nga av. Florian Bonjaku

Ka tekste që, pa pasur nevojë për asnjë kritik të jashtëm, arrijnë ta zbulojnë vetë problemin e tyre, jo aq nga ajo që thonë, sesa nga ajo që përpiqen të fshehin.

Pikërisht i tillë është edhe rasti i letrës së fundit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA), në të cilën anëtarët e tij i kërkojnë Këshillit të Lartë Gjyqësor që, me përfundimin e mandatit, të emërohen në gjykatat e apelit mbi bazën e nenit 166, pika 6, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Në pamje të parë, letra është ndërtuar me të gjithë arsenalin klasik të solemnitetit institucional: citohen dispozita kushtetuese, përmenden opinionet e Komisionit të Venecias, sillet jurisprudenca e Strasburgut dhe krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me një të drejtë të qartë, të vetëkuptueshme dhe të padiskutueshme, e cila thjesht pret të formalizohet nga institucionet shqiptare.

Por, mjafton që letra të lexohet pa entuziazmin ceremonial me të cilin është shkruar dhe kuptohet menjëherë se problemi i saj nuk është mungesa e argumenteve, por fakti se vetë ekzistenca e saj përgënjeshtron pretendimin që përpiqet të mbrojë.

Sepse, nëse e drejta për të cilën flitet do të ishte vërtet kaq e qartë, nuk do të kishte nevojë për një letër të tillë. Nuk do të kishte nevojë për ndërhyrje paraprake, për kërkesë drejtuar KLGJ-së, për mobilizim institucional dhe aq më pak për krijimin e një atmosfere presioni publik e diplomatik.

Një e drejtë që ekziston dhe që del qartë nga ligji nuk ka nevojë të kërkojë garanci. Ajo zbatohet.

“E drejta” që nuk buron nga ligji!

Pikërisht, fakti që anëtarët e KPA-së ndjejnë nevojën t’i drejtohen institucioneve për të kërkuar “zbatimin” e saj, tregon se ata vetë e dinë se nuk kemi të bëjmë me një të drejtë të qartë, por me një pretendim juridik shumë të diskutueshëm.

Kjo e bën edhe më domethënëse zgjedhjen që KPA-ja ka bërë në fund të mandatit të saj. Sepse, në vend që të përdorte muajt e fundit për të bërë një bilanc të veprimtarisë së vet, për të shpjeguar pse për vite me radhë mbajti standarde të ndryshme për raste të ngjashme, për të arsyetuar pse në disa raste një deklarim pasurie, një kontakt, një interpretim procedural apo një dyshim i vetëm mjaftonte për të shkatërruar karrierën e një magjistrati, ndërsa në raste të tjera i njëjti fakt relativizohej, harrohej ose interpretohej ndryshe, KPA ka zgjedhur të merret me diçka krejt tjetër: me të ardhmen e vet.

Do të kishte qenë shumë më e ndershme që KPA-ja të shpjegonte se pse një pjesë e konsiderueshme e vendimeve të saj janë perceptuar si selektive, kontradiktore dhe profesionalisht të pashpjegueshme; pse një numër jo i vogël vendimesh janë zbardhur me muaj e madje me vite vonesë, në kundërshtim flagrant me çdo standard serioz të sigurisë juridike; pse një pjesë e mirë e botës juridike dhe e opinionit publik ka krijuar bindjen se KPA nuk funksionoi gjithmonë si një gjykatë e ftohtë e standardit unik, por shpesh mori pamjen e një lloj komisari politik të veshur me gjuhë juridike.

Por asgjë nga këto nuk gjendet në letrën e saj. Në vend të një reflektimi mbi mënyrën se si e ushtroi pushtetin, kemi një përpjekje për të siguruar se çfarë do të ndodhë me vetë anëtarët e saj pasi pushteti të ketë marrë fund.

Edhe mënyra se si është formuluar letra është domethënëse. Ajo nuk i drejtohet KLGJ-së si një organi që duhet të shqyrtojë, të interpretojë dhe të vendosë. Nuk paraqet një kërkesë juridike në kuptimin klasik të fjalës, ku subjekti thotë: “ja cilat janë argumentet tona dhe kërkojmë që ju t’i vlerësoni”.

Përkundrazi, letra është shkruar me një ton që presupozon se rezultati është i ditur paraprakisht dhe se institucioneve u mbetet vetëm detyra për ta formalizuar atë.

Në këtë kuptim, ajo nuk tingëllon si kërkesë, por si një lloj njoftimi paraprak se çfarë pritet të ndodhë. Dhe ky është gjithmonë një moment alarmi në të drejtën publike, sepse shteti i së drejtës fillon të zbehet pikërisht atëherë kur subjektet nuk i drejtohen më institucioneve për të marrë një vendim, por për t’u kujtuar atyre se cili duhet të jetë vendimi.

Ironia e gjithë kësaj historie është e vështirë të mos vihet re. Për vite me radhë, KPA u tha gjyqtarëve dhe prokurorëve se reforma nuk njeh biografi, nuk njeh sakrifica, nuk njeh pritshmëri personale dhe nuk njeh privilegje. U tha se ekziston vetëm ligji, vetëm standardi dhe vetëm procedura. U tha se askush nuk ka të drejtë të kërkojë garanci për të ardhmen dhe se askush nuk mund të pretendojë një trajtim të posaçëm vetëm sepse ka mbajtur një funksion të rëndësishëm.

Mirëpo, tani që radha ka ardhur te vetë anëtarët e KPA-së, rezulton se standardi nuk mjafton më. Papritur, njerëzit që për vite ua mohuan të tjerëve çdo pritshmëri për të ardhmen, po kërkojnë për veten pikërisht atë që ua mohuan të gjithëve: një regjim të posaçëm, një vend të garantuar në Gjykatën e Apelit dhe një sistem që duhet të organizohet paraprakisht në mënyrë që rezultati të jetë i sigurt.

Kjo bëhet edhe më e qartë po të kujtojmë se letra e fundit nuk është aspak një episod i izoluar. Që në vitin 2022, KPA i është drejtuar KLGJ-së me një kërkesë ku kërkohej shprehimisht që të merreshin masa “me qëllim zbatimin e dispozitës së sipërcituar, për të garantuar që në përfundim të mandatit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, 7 gjyqtarët e tij, të emërohen gjyqtarë në nivel apeli”.

Kjo fjali është ndoshta pjesa më e sinqertë e gjithë kësaj historie, sepse aty nuk flitet më për procedurë, për konkurrim, për vakanca, për meritë apo për vlerësim profesional. Flitet për garanci të rezultatit. Dhe kur një institucion që për vite ka predikuar se nuk ekzistojnë garanci personale, kërkon për veten garanci absolute, atëherë problemi nuk është më vetëm juridik. Bëhet edhe moral e politik.

“Lutje” ambasadave!

Letra e mësipërme e KPA-së, në mënyrë të habitshme, i drejtohet edhe disa përfaqsuesve diplomatikë dhe është ndoshta momenti në të cilin bie përfundimisht e gjithë narrativa e sigurisë juridike që KPA përpiqet të ndërtojë në letrën e saj.

Sepse është e vështirë të kuptohet se përse njerëz, që kanë kaluar vite duke interpretuar Kushtetutën, duke u paraqitur si gjyqtarë me status kushtetues dhe duke pretenduar se kanë ndërtuar standardin më të lartë të reformës në drejtësi, ndjejnë nevojën t’ia dërgojnë kërkesën e tyre edhe përfaqësuesve të ambasadave, të cilat nuk kanë asnjë kompetencë kushtetuese apo ligjore në këtë çështje.

Ambasadat nuk interpretojnë Kushtetutën. Nuk vendosin mbi përputhshmërinë e nenit 166, pika 6, te ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” me nenin C të Aneksit të Kushtetutës. Nuk emërojnë gjyqtarë. Nuk ushtrojnë kompetencat e KLGJ-së dhe as nuk mund të zëvendësojnë Gjykatën Kushtetuese në vlerësimin e një konflikti normativ.

Për këtë arsye, përfshirja e tyre nuk ka asnjë funksion juridik. Ka vetëm një funksion tjetër: të krijojë një sfond presioni publik, moral dhe diplomatik mbi institucionet shqiptare, në mënyrë që këto të ndihen të detyruara të pranojnë një rezultat që ndoshta, në kushte normale, nuk do ta pranonin.

Dhe pikërisht kjo e bën situatën kaq paradoksale. Sepse njerëzit që për vite ndërtuan dhe mbrojtën atë që e quajtën “drejtësia e re”, njerëzit që u thanë të tjerëve se duhet të kenë besim absolut te institucionet dhe te ligji, sot duken sikur nuk kanë më besim as te vetë institucionet që ndihmuan të krijonin.

Nëse do të ishin vërtet të bindur se Kushtetuta dhe ligji ua japin automatikisht këtë të drejtë, do t’i drejtoheshin vetëm organit kompetent dhe do të prisnin vendimin e tij. Nuk do të kishin asnjë arsye të kërkonin praninë e ambasadave në këtë debat.

Pikërisht fakti që është ndjerë nevoja për të ndërtuar këtë lloj mbështetjeje të jashtme tregon se vetë autorët e letrës e dinë shumë mirë se nuk po kërkojnë diçka që buron qartë nga ligji, por diçka që ka nevojë të shtyhet, të mbështetet dhe të imponohet përmes autoritetit politik e diplomatik të të tjerëve. Dhe kjo e bën letrën të ngjajë shumë më tepër me një përpjekje për presion publik sesa me një parashtrim serioz juridik.

Letra e fundit e anëtarëve te KPA-së është problematike jo vetëm për atë që kërkon, por sidomos për mënyrën se si e ndërton pretendimin e saj. Në thelb, ajo sillet sikur ekziston një e drejtë e qartë, e padiskutueshme dhe automatike që anëtarët e Kolegjit, sapo të përfundojnë mandatin, të emërohen në gjykatat e apelit, ndërkohë që i gjithë debati juridik i viteve të fundit ka treguar pikërisht të kundërtën: se baza normative e këtij pretendimi është e paqartë, e diskutueshme dhe në tension të hapur me vetë arkitekturën kushtetuese të sistemit.

Kërkojnë sistem privilegjesh!

Në një shtet normal të së drejtës, kur një subjekt mendon se ka një të drejtë, ai i drejtohet institucionit kompetent që ta shqyrtojë dhe ta vendosë. KPA, përkundrazi, nuk sillet si subjekt që kërkon një interpretim institucional, por si subjekt që e konsideron rezultatin të vendosur paraprakisht dhe që pret nga institucionet vetëm ta formalizojnë atë.

Kjo është arsyeja pse në të gjithë tekstin e letrës mungon çdo reflektim serioz mbi kundërshtimet kushtetuese që janë ngritur ndaj nenit 166, pika 6 te ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë“, mungon çdo përpjekje për të përballur konfliktin që kjo dispozitë krijon me nenin 136/a të Kushtetutës, me nenin C të Aneksit dhe me vetë ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Letra sillet sikur këto probleme nuk ekzistojnë dhe sikur mjafton që një dispozitë të jetë shkruar në një ligj për t’u bërë automatikisht e paprekshme.

Por, pikërisht këtu fillon problemi i vërtetë. Sepse neni 166, pika 6, I ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, nuk është një dispozitë që mund të lexohet e izoluar nga pjesa tjetër e sistemit ligjor. Ai nuk mund të trajtohet si një lloj ishulli juridik, i shkëputur nga Kushtetuta, nga logjika tërësore e ligjit dhe nga mënyra se si vetë reforma në drejtësi ka konceptuar hyrjen dhe rikthimin në sistemin e drejtësisë të magjistratëve.

Përkundrazi, ai duhet të lexohet në harmoni me të gjithë sistemin normative ligjor. Dhe sapo bëhet kjo, bëhet e qartë se pika 6 e nenit 166, e ligjit 96/2016 nuk harmonizohet me pjesën tjetër të ligjit, por përbën një përjashtim të sajuar për një kategori të caktuar personash.

Kjo shihet qartë që në letrën e vitit 2022, ku KPA i kërkonte KLGJ-së të merrte masa që “të garantonte” emërimin e shtatë anëtarëve të saj në nivel apeli. Vetë përdorimi i fjalës “garanci” është jashtëzakonisht domethënës. Në një procedurë normale emërimi nuk ka garanci rezultati. Ka procedurë, ka konkurrim, ka vakanca, ka kritere dhe ka vlerësim. Vetëm në një sistem privilegjesh mund të pretendohet që rezultati të jetë i sigurt përpara se procedura të ketë filluar.

Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse e gjithë kjo histori tingëllon kaq rëndë. Sepse për vite me radhë, KPA ka qenë institucioni që ua ka mohuar të tjerëve çdo pretendim për pritshmëri legjitime, çdo kërkesë për trajtim të veçantë dhe çdo argument të bazuar mbi sakrificën, karrierën apo kontributin.

U tha gjyqtarëve dhe prokurorëve se reforma nuk njeh histori personale dhe se askush nuk mund të kërkojë privilegj. Por tani, në fund të mandatit, i njëjti institucion po kërkon për veten pikërisht atë që ua mohoi të gjithëve të tjerëve: jo vetëm një trajtim të posaçëm, por edhe një rezultat të garantuar.

Anëtarët e KPA-së nuk janë magjistratë!

Problemi kryesor juridik lidhet me faktin se anëtarët e KPA-së nuk janë, në kuptimin kushtetues të termit, magjistratë të zakonshëm. Kushtetuta i ka trajtuar ata si një kategori krejtësisht të veçantë.

Neni C, pika 3, e Aneksit të Kushtetutës parashikon shprehimisht se anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit “gëzojnë statusin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese”. Ky formulim nuk është një zbukurim retorik dhe as një privilegj simbolik. Ai është një zgjedhje e vetë Kushtetutës, e cila ka dashur t’i vendosë këta anëtarë jashtë sistemit të zakonshëm të magjistraturës, pikërisht për shkak të natyrës së posaçme dhe të përkohshme të funksionit të tyre.

Për këtë arsye, është e vështirë të kuptohet se si, pasi Kushtetuta i trajton si subjekte me status të ngjashëm me gjyqtarët kushtetues, ata mund të konsiderohen më pas si magjistratë të zakonshëm që futen automatikisht në Gjykatën e Apelit.

Kjo krijon një kundërthënie që nuk mund të zgjidhet me një interpretim të thjeshtë të nenit 166, pika 6 te ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Përkundrazi, tregon se vetë kjo dispozitë bie në konflikt me logjikën e Kushtetutës.

Ky konflikt bëhet edhe më i dukshëm kur lexohet tërësisht ligji nr. 96/2016. Neni 2, pika “gj”, i këtij ligji përcakton se “magjistrat” është gjyqtari, me përjashtim të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese. Pra, vetë ligji përjashton nga nocioni i magjistratit pikërisht subjektin me të cilin Kushtetuta ka zgjedhur të barazojë anëtarët e KPA-së.

Nëse anëtarët e KPA-së gëzojnë statusin e gjyqtarit kushtetues, dhe nëse gjyqtari kushtetues nuk konsiderohet “magjistrat” në kuptimin e ligjit, atëherë është shumë e vështirë të justifikohet sesi këta subjekte mund të emërohen automatikisht nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) si magjistratë në Gjykatat e Apelit.

Në të njëjtin drejtim shkon edhe neni 86 i ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i cili parashikon se KLGJ-ja emëron, ngre në detyrë dhe transferon gjyqtarët e të gjitha niveleve, “me përjashtim të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese”.

Ky përjashtim është themelor, sepse tregon se vetë sistemi normativ e ndan qartë statusin kushtetues nga statusi i magjistratit të zakonshëm. Për rrjedhojë, neni 166, pika 6 i ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipëris”, në vend që të respektojë këtë dallim, e zhduk atë dhe krijon një kanal të posaçëm, të mbyllur dhe të privilegjuar emërimi vetëm për anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

KPA krijon konflikt kushtetues

Në një analizë serioze kushtetuese, kjo nuk mund të konsiderohet thjesht një mospërputhje teknike. Është një konflikt real normash, sepse nga njëra anë Kushtetuta dhe ligjet organike i trajtojnë anëtarët e KPA-së si subjekte me status të posaçëm, ndërsa nga ana tjetër një dispozitë e vetme përpiqet t’i rikthejë ata në sistem si magjistratë të zakonshëm, pa konkurim, pa procedurë dhe pa kaluar filtrat që vlejnë për të gjithë.

Ndoshta problemi më i madh i nenit 166, pika 6 i ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, nuk është vetëm konflikti me Kushtetutën, por fakti se ai bie ndesh me vetë filozofinë mbi të cilën u ndërtua reforma në drejtësi.

E gjithë reforma u ngrit mbi një ide të vetme, të përsëritur për vite me radhë si një lloj dogme institucionale: askush nuk hyn, nuk qëndron dhe nuk rikthehet në sistem pa kaluar të njëjtat rregulla dhe të njëjtat filtra që vlejnë për të gjithë.

Pikërisht kjo ishte arsyeja pse qindra gjyqtarë e prokurorë u detyruan të kalonin nëpër procedura rivlerësimi, konkurse, verifikime dhe pengesa të shumta ligjore. Ishte po kjo arsyeja pse u tha se nuk ekziston më e drejta e rikthimit automatik, se nuk ekziston më karriera si privilegj i fituar një herë e përgjithmonë dhe se askush nuk mund të kërkojë një vend pune vetëm mbi bazën e funksionit që ka pasur.

Mirëpo, në momentin kur vjen puna te anëtarët e KPA-së, e gjithë kjo filozofi zhduket. Për ta nuk ka më konkurrim, nuk ka më vakanca, nuk ka më vlerësim dhe nuk ka më filtër. Ka vetëm një dispozitë që kërkon t’u garantojë një vend në Gjykaten e Apelit. Kjo e bën nenin 166, pika 6, të ligjit 96/2021 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, jo thjesht një dispozitë problematike, por një përjashtim që rrëzon gjithë logjikën e reformës.

Sepse, nëse për të gjithë të tjerët ekziston standardi, ndërsa për një grup të vogël ekziston privilegji, atëherë problemi nuk është më vetëm juridik. Problemi është se reforma fillon të humbasë legjitimitetin e saj moral. Dhe nuk ka asgjë më të rrezikshme për një reformë sesa momenti kur njerëzit që kanë predikuar për vite me radhë barazinë para ligjit fillojnë të kërkojnë për veten një trajtim që nuk do t’ia kishin pranuar askujt tjetër.

Ngritje në detyrë pa ligj

Ka edhe një element tjetër juridik, ndoshta më të fortin nga të gjithë, i cili e nxjerr qartë nenin 166, pika 6, te ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, jashtë logjikës së Kushtetutës dhe të vetë ligjit nr. 96/2016. Problemi nuk është vetëm se kjo dispozitë bie ndesh me statusin kushtetues të anëtarëve të KPA-së. Problemi është se ajo bie ndesh edhe me mënyrën se si vetë ligji përcakton se si hyn në sistemin gjyqësor dhe ngrihet në detyrë një magjistrat.

Neni 47 i ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në pikën 4 të tij, përcakton se ngritja në detyrë e një magjistrati në një gjykatë më të lartë bëhet vetëm përmes procedurës së ngritjes në detyrë, mbi bazën e kritereve të meritës, vlerësimit profesional, përvojës dhe konkurrimit për vendin vakant.

Logjika e këtij neni është e qartë: askush nuk ngrihet në karrierë automatikisht dhe askujt nuk i rezervohet paraprakisht një pozicion. Ngritja në detyrë nuk është e drejtë personale. Është rezultat i një procedure.

Në të njëjtën linjë janë edhe nenet 35 dhe 36 të po këtij ligji, të cilat, në harmoni me nenin 136/a të Kushtetutës, përcaktojnë se magjistrat mund të emërohet vetëm shtetasi që ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës ose që ka ushtruar më parë funksionin e gjyqtarit apo prokurorit, dhe vetëm “pas kryerjes së procesit të verifikimit paraprak të pasurisë dhe të figurës së tyre, sipas ligjit”.

Vetë neni 136/a i Kushtetutës parashikon se: “Gjyqtarët dhe prokurorët zgjidhen nga shtetasit shqiptarë që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës dhe pas kryerjes së procesit të verifikimit paraprak të pasurisë dhe të figurës së tyre, sipas ligjit”.

Pra, Kushtetuta dhe ligji kanë ndërtuar një parim të qartë: hyrja dhe rikthimi në sistem nuk bëhen automatikisht, por vetëm pas filtrave, verifikimit dhe procedurës. Kjo bëhet edhe më e qartë po të lexohet vetë neni 166 i ligjit nr. 96/2016. Në pjesën tjetër të tij, ky nen parashikon se ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët që duan të rikthehen në sistem duhet t’u nënshtrohen kritereve, afateve dhe, mbi të gjitha, procesit të verifikimit të pasurisë dhe figurës. Pra, edhe për ata që kanë qenë më parë pjesë e sistemit, ligji nuk njeh rikthim automatik.

Përkundrazi, kërkon që ata të kalojnë sërish nëpër filtrat e vettingut. Dhe pikërisht këtu del në pah absurditeti i pikës 6 te nenit 166 te ligjit nr. 96/2016. Sepse ndërsa për çdo ish-gjyqtar dhe ish-prokuror ligji kërkon verifikim, konkurrim dhe procedurë, vetëm për anëtarët e KPA-së parashikohet një rrugë e posaçme, e cila nuk përmend as Shkollën e Magjistraturës, as kriteret e nenit 47, as verifikimin e pasurisë dhe të figurës dhe as filtrat që vetë neni 166 ua imponon të tjerëve.

Me fjalë të tjera, pika 6 nuk është thjesht një përjashtim. Është një dispozitë që e përjashton një kategori të caktuar personash nga rregullat që vlejnë për të gjithë të tjerët. Dhe për këtë arsye ajo nuk mund të harmonizohet as me as me vetë logjikën e nenit 166, as me nenet 35, 36 dhe 47 të ligjit 96/2016 dhe as me nenin 136/a të Kushtetutës.

Kjo e bën të vështirë të besohet se kemi të bëjmë me një dispozitë të menduar seriozisht dhe të ndërtuar në mënyrë koherente me sistemin. Përkundrazi, gjithçka të çon te bindja se pika 6 e nenit 166 e ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, është futur me nxitim, pa u harmonizuar me pjesën tjetër të ligjit dhe ndoshta si rezultat i një premtimi politik të bërë ndaj anëtarëve të KPA-së në momentin e krijimit të institucionit.

Sepse nuk ka shpjegim tjetër racional përse një reformë që u ndërtua mbi idenë se askush nuk hyn në sistem pa kaluar vetingun, pa konkuruar dhe pa iu nënshtruar të njëjtave rregulla, krijon papritur një rrugë të fshehtë vetëm për ata që do të zbatonin vettingun ndaj të tjerëve.

“Pazar” i KPA me maxhorancën politike?

Dhe pikërisht nga kjo premisë fillojnë të marrin kuptim shumë gjëra që deri dje dukeshin vetëm si dyshime: pse u ndërtua një mekanizëm kaq i veçantë për anëtarët e KPA-së; pse për vite me radhë u mbajt e fshehur kjo dispozitë në sfond; dhe pse sot, në fund të mandatit, po kërkohet me kaq ngulm që ajo të zbatohet.

Sepse pika 6 e nenit 166 te ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, jep të gjithë përshtypjen e një norme të futur me nxitim, të paharmonizuar me strukturën e ligjit dhe të vendosur aty jo si rezultat i një logjike juridike, por si një garanci e njëanshme politike për njerëzit që do të ushtronin funksionin më të ashpër dhe më të kontestuar të reformës.

Është e vështirë të gjendet një shpjegim tjetër racional përse, në një sistem që për të gjithë kërkon Shkollën e Magjistraturës, konkurrim, verifikim të figurës, verifikim të pasurisë dhe kalim nëpër filtrat e vettingut, krijohet papritur një përjashtim vetëm për ata që do të vendosnin fatin e të tjerëve.

Kjo është edhe arsyeja pse pika 6 e nenit 166 të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” nuk mund të lexohet thjesht si një dispozitë teknike.

Ajo krijon të paktën pamjen se kemi të bëjmë me një lloj premtimi paraprak: ju kryeni funksionin e vështirë, ju merrni mbi vete barrën politike dhe morale të “spastrimit edhe politik” të sistemit, dhe në fund politika do t’ju garantojë një vend të sigurt në siystemin gjyqesor.

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë bëhen më të kuptueshme edhe shumë nga vendimet e KPA-së që për vite me radhë janë perceptuar nga një pjesë e madhe e botës juridike si të pashpjegueshme, të pabalancuara dhe pa logjikë të lexueshme juridike, vendime që ndërprenë karriera të ndërtuara me dekada pune dhe që shpesh nuk arritën të bindnin as për standardin e provës, as për koherencën e arsyetimit.

Sepse, nëse anëtarëve të KPA-së u është krijuar bindja se e ardhmja e tyre profesionale ishte e garantuar paraprakisht nga maxhoranca politike, atëherë lind natyrshëm pyetja nëse kjo garanci ka ndikuar edhe në mënyrën se si ata ushtruan pushtetin e tyre.

Dhe ky është ndoshta dyshimi më i rëndë që mund të ngrihet ndaj një institucioni që pretendoi se po rindërtonte besimin te drejtësia.

Standardi moral

Mbi të gjitha, ekziston edhe një problem që është më i madh se vetë antikushtetutshmëria: problemi i moralit institucional. Edhe sikur ligji t’ua njihte në mënyrë të padiskutueshme këtë privilegj, do të ishte e vështirë të pranohej se njerëzit që për vite u kërkuan të tjerëve vetting, sakrificë, standard dhe moral, mund të hynin vetë në sistem pa kaluar nëpër të njëjtën provë.

Ka diçka thellësisht ironike në faktin që ata që tundën për vite me radhë armën e vettingut mbi kokën e të tjerëve, sot kërkojnë të përjashtohen prej saj. Sepse për një gjyqtar, ligji është i rëndësishëm, por morali është edhe më i rëndësishëm.

Dhe një gjyqtar që hyn në sistem si rezultat i një favori, i një norme të posaçme apo i një garancie të paracaktuar, nuk hyn më si gjyqtar i lirë. Hyn si dikush që do ta ndjejë gjithmonë peshën e atij favori. Në drejtësi, favoret nuk harrohen kurrë; ato thjesht kthehen një ditë në borxh.

Në letrën e tyre “ultimative”, anëtarët e KPA-së, ndër të tjera, permendin dhe Komisionin e Venecias.

Në të vërtetë, Komisioni i Venecias, në opinionet e tij mbi reformën shqiptare në drejtësi, ka theksuar se anëtarët e institucioneve të vettingut duhet të kenë garanci të mjaftueshme statusi dhe sigurie profesionale pas mandatit, pikërisht për të shmangur rrezikun që ata të ndikohen nga pasiguria për të ardhmen e tyre.

Por problemi është se, nga nevoja për garanci deri tek e drejta për emërim automatik, ekziston një distancë shumë e madhe. Një gjë është të thuash se këta persona nuk duhet të lihen në një vakum profesional pas mandatit; një gjë krejt tjetër është të pretendosh se, për këtë arsye, atyre duhet t’u rezervohet paraprakisht një vend në gjykatat e apelit, pa konkurrim, pa procedurë dhe pa iu nënshtruar filtrave që vlejnë për të gjithë.

Në të vërtetë, po të merret seriozisht logjika e “garancisë së pavarësisë”, ajo të çon në një përfundim krejt tjetër: jo në krijimin e një privilegji të posaçëm, por në ndërtimin e një mekanizmi tranzitor, i cili t’u lejonte anëtarëve të KPA-së të aplikonin në sistem, të konkurronin dhe të vlerësoheshin sipas të njëjtave kritere që vlejnë për të gjithë, duke pasur ndoshta disa garanci procedurale shtesë, por jo një rezultat të garantuar paraprakisht.

Sepse, sapo garancia për pavarësinë kthehet në garanci për një kolltuk, ajo pushon së qeni garanci kushtetuese dhe bëhet privilegj.

Të provojnë filtrat e garës

Dhe këtu lind një paradoks edhe më i rëndë. Vetë anëtarët e KPA-së pretendojnë se gëzojnë statusin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, por kërkojnë një privilegj që vetë gjyqtarët e vërtetë kushtetues nuk e kanë.

Një anëtar i Gjykatës Kushtetuese, pas përfundimit të mandatit, nuk emërohet automatikisht askund. Nuk i sigurohet vendi në Gjykatën e Lartë, nuk i rezervohet një pozicion në apel dhe nuk i garantohet karriera e ardhshme. Përkundrazi, mandati kushtetues mbaron dhe bashkë me të mbaron edhe funksioni. Për këtë arsye, pretendimi që anëtarët e KPA-së duhet të kenë më shumë garanci sesa vetë gjyqtarët kushtetues, në emër të statusit të tyre të ngjashëm me gjyqtarët kushtetues, është një kundërthënie që nuk qëndron.

Kjo bëhet edhe më e rëndë kur kujtohet se vetë procesi përmes të cilit u emëruan anëtarët e KPA-së nuk ka qenë kurrë objekt i të njëjtit standard rigoroz që ata më pas ua imponuan të tjerëve.

Për vite me radhë, KPA dhe institucionet e vettingut i kërkuan gjithë sistemit të drejtësisë transparencë absolute, kontroll të pasurisë, kontroll të figurës, kontroll të aftësive profesionale dhe një lloj “vetingu moral”, që shpesh shkonte përtej vetë tekstit të ligjit.

Por sot mbetet ende një pyetje e parehatshme, së cilës askush nuk i ka dhënë një përgjigje bindëse: a është verifikuar ndonjëherë me të njëjtin rigorozitet mënyra se si vetë anëtarët e KPA-së përmbushën kriteret për t’u emëruar në atë detyrë?

Sepse një pjesë e madhe e opinionit publik dhe e botës juridike nuk është bindur kurrë plotësisht se procesi i përzgjedhjes së tyre ka qenë po aq transparent, po aq rigoroz dhe po aq i pamëshirshëm sa ai që më pas iu imponua gjyqtarëve dhe prokurorëve të zakonshëm.

Hyrje në sistem “nga dritarja”

Dhe kjo e bën edhe më të rëndë faktin që sot, pikërisht këta njerëz, të cilët për vite tundën mbi kokën e të tjerëve armën e vettingut dhe u dhanë leksione morali gjithë sistemit të drejtësisë, po kërkojnë të hyjnë vetë në sistem jo nga dera, por nga dritarja; jo duke kaluar nëpër të njëjtat procedura, filtra dhe konkurse që u kërkuan të gjithëve, por duke kërkuar një rrugë të posaçme, një vend të rezervuar dhe një përjashtim nga rregullat.

Pikërisht këtu qëndron edhe problemi më i madh moral i gjithë kësaj historie. Sepse askush nuk mund të ndërtojë autoritet mbi idenë e standardit unik dhe pastaj, në fund të mandatit, të kërkojë për veten një standard tjetër.

Vetë kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, e ka pranuar publikisht se në procesin e vettingut kanë ekzistuar “standard te ndryshme”. Ky pohim është ndoshta akuza më e rëndë që mund t’i bëhet një procesi që pretendonte se po krijonte drejtësi të re mbi bazën e një standardi të vetëm.

Dhe kur vetë brenda sistemit pranohet se standardi ka qenë i ndryshëm, atëherë bëhet e pamundur të mos shihet edhe letra e fundit e KPA-së si vazhdimi i të njëjtës logjikë: një standard për të tjerët dhe një standard tjetër për veten.

Në fund, neni 166, pika 6 i ligjit 96/2026 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, dhe letrat që janë shkruar në emër të tij nuk mbrojnë një parim kushtetues. Mbrojnë një interes.

Dhe sa më shumë që tentohet të paraqiten si çështje e pastër juridike, aq më shumë bëhet e qartë se kemi të bëjmë me një privilegj të ndërtuar artificialisht, i cili nuk harmonizohet as me Kushtetutën, as me filozofinë e reformës dhe as me idenë elementare të barazisë para ligjit.

Nëse anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelit të besojnë vërtet te standardi që për vite ua imponuan të tjerëve, atëherë duhet të bëjnë atë që u kërkuan të gjithëve: të hyjnë në procedurë, të konkurrojnë, të presin dhe të pranojnë rezultatin. Çdo gjë tjetër nuk është mbrojtje e shtetit të së drejtës. Është thjesht tentativa e fundit e një institucioni që, pasi për vite gjykoi padrejtësisht të tjerët, po përpiqet tani të sigurojë që askush të mos e gjykojë atë.





09:50 Opinione Ditmir Bushati

PERDJA E TYMIT

Premtimet entuziaste për përmbylljen e negociatave brenda ...

13:48 Opinione Milaim Nela

Basha vs Salianji!

Të gjithë ndjekësve dhe mbështetësve të Salianjit do ju th...

Lajmet e fundit nga