web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

PASQYRA E KRISUR

29 Qershor 2025, 09:27, Kulturë Agim Xhafka

PASQYRA E KRISUR

Nisi kot si muhabet. Për fjalën i krisur. Ç’kuptim ka, kur përdoret, ndaj kujt e shprehim, përse e themi…Dhe dje në ditën më të nxehtë të muajit, poshtë një hijeje, shpjegimi pasonte shpjegimin. Qemë tre shokë. Unë, Ismaili dhe Ferdi. Tashmë të moshuar ndaj dhe fjalët që nxirrnim i thoshim avash-avash sikur qenë fjalë të zgjedhura, të peshuara e asnjëherë nuk ngulnim këmbë si mushka të vulosnim ndonjë mendim. Që e vërteta ore është kjo, kjo që them unë dhe pikë.

-I krisur është kushdo në botë, dmth edhe një prej nesh. Pra e kam fjalën jo veç për ne të tre, -tha Ismaili.-Ja, më e thjeshta, mosha jonë në drekë duhet të rrijë në shtëpi. Po a e zbatojmë? Jo, paçka se mjeku na thotë do vdisni nga vapa po dolët. Po ne s’pjerdhim. Pra jemi të krisur. Unë, ti, ai.

U bë heshtje. Ama tundëm kokat. Miratim dmth.

-Saktë e the, o Ismail, -gati thamë në një zë.

-E vërtetë, jemi nga pak të krisur, -po flisja unë. -Ose jemi dhe shumë të krisur. Psh djali më solli ca euro nga Greqia. I mbajta në shtëpi për muaj e muaj. Dëgjoja për vjedhje e grabitje nëpër shtëpia, por hiç nuk lëvizja. Pardje i çova në bankë, -u thashë paçka se i kam ende në shtëpi.

-Ti qenke i krisur fare, -më bërtitën të dy shokët.

Ferdi u bë gati të fliste, pastaj sikur u tërhoq. Sikur po peshonte fjalët, dilema të flas apo jo. Dhe pas ca sekondash tha:

-Jeta është një pasqyrë normale për ca e ca dhe një pasqyrë e krisur, e ciflosur  për ca e ca. Kjo është më e sakta. Atje, te pasqyra shohim gjithë marrëzitë tona. E kam fjalën sidomos për marrëdhënien që ndërtojmë me bashkëshorten, me familjen, me fëmijët…

Pastaj heshti. Ne që e njohim qysh në gjimnaz na shkoi mendja fill tek ai flirti i gjatë i tij para disa vitesh me një vajzë që e kishte kolege zyre. U marros pas saj, por edhe ajo. Se Ferdi qe goxha mashkull, ishte me pozitë në shoqëri, me gjithë ato biznese, me njohje të gjerë shoqërore. U fol e u fol aq shumë ato mote, madje dhe e këshilluam ne shokët të ruante familjen, të hiqte dorë nga ajo aventurë, mos u sillte trauma gruas dhe tre djemve që i kish goxha të rritur, por nuk pyeste fare mendja e tij. Qe qysh në sabah si me katër dopjo raki. Fluturonte, fluturonte, retë i dukeshin afër. Sikur endeshin mbi supet e tij.

-Ju e mbani mend historinë time me Bertën. Ju kujtohen dhe këshillat që më dhatë,-ia nisi ai. -Nuk u dëgjova se isha në qiellin e shtatë. Që mos ju rrej, edhe sot më ngazëllejnë ato kohëra. Dmth më gëzojnë, por edhe më trishtojnë. E desha Bertën, në fakt dhe sot them tamam-tamam s’di pse e desha. E nuk qe ajo që m’u afrua. E ndolla unë, me humorin tim, me shumë përkujdesje të vogla, por që flisnin, me ca udhëtime pikante e aty llocëm. Menduam se ishim bërë fiks për njëri-tjetrin. Ah, sa të dua, i thoja shpesh. Unë të dua më shumë se veten, më thosh gjithë ditën. Mosha ime e madhe, krahasuar me të saj, po më shtypte, më thosh, je me fat o njeri që ke një të dashur kaq të bukur dhe kaq të re! Shto dhe fjalët e sinqerta të saj e gati po hidhesha më përtej. Gati ta prishja martesën. Po fati më ndihu. Jo se ndërrova mëndje, por se Berta tha, mjaft, mjaft. Ishte një zë i brendshëm i saj, një korrigjim sjelljeje, një peshim ndjenjash, këtë ende nuk e di. Po ishte e vendosur. As sqarim, as takim flash nuk pranonte. Se ne jemi si zjarri me barutin po u bëmë bashkë, qoftë dhe ca sekonda, justifikohej. E pranova këtë rrjedhë. Jo lehtë ama. E ashtu me zvaritje u riktheva në shtëpi. Derën ma hapi gruaja. Kuptoi gjithçka, por nuk foli, u rikthye në kuzhinë e bërtiti prej andej:

-Eja dhe mbylle derën se do na hyjnë mizat!

Eca si Gaqo çalamani. Një këmbë plot e një çap osh. Te pasqyra e korridorit hodha sytë rrëmbimthi, të shihja veten. Besoja se do isha meit, i drobitur, gjysëm i vdekur. U çudita, te pasqyra pashë dy persona. Unë dhe…unë. Një Ferd i ndarë në dysh. Fërkova sytë, i hapa. Sërish ashtu. Me shami shkova të pastroja  pasqyrën. Por jo, kot e bëra. Ajo qe në rregull. E lëmuar, e pastër, pa shenjë. Ishte krisur mendja ime. Kështu i thashë mendjes sime. Qysh atë ditë në çdo pasqyrë që shihem, të shtëpisë a të botës, më del portreti im i ndarë në dysh. E jo me vijë të drejtë, si ato që bëjmë në exelin e kompjuterit. Por me vija të parregullta si ato zhgaravinat që shohim pas një eko kur vizitojmë zemrën te doktori. Në ato shikime që i heth vetes i them vetes, krisje ka pasqyra nga që krisje qe ajo që bëre. Një krisje që nuk ngjitet. Si buka e thyer. Që po u thye nuk ngjitet, por hahet. Një krisje që të shfaq shenjat e dalldisë që pate, si shenja e kuqe te semafori në kryqëzim. Shenjat të shfaqen jo vetëm kur shihesh mbi xhamin e pasqyrës, por edhe kur shihesh psh mbi ujin e tenxheres. Apo në ndonjë pellg nëpër kodra e male. Se i krisur qe veprimi yt. I krisur rëndë, që lëshon shkëndija mbi xham. S’duken nga të tjerët ato, por për ty janë simbole që quhen gjuhë, që flasin, që tregojnë, akuzojnë. Sigurisht komunikojnë veç me mua. Sigurisht, më gërvishtin veç mua…

Nuk heshtëm gjatë pas këtij shpjegimi të thjeshtë, por filozofik e autokritik se ia nisën ca vetëtima dhe një shi i egër vere. I furishëm.

-Shi i krisur, -thamë të tre dhe ia krisëm me vrap për në shtëpitë tona./ CNA





09:17 Kulturë Agim Xhafka

FUSTANI

Kur i thashë Cales se ditën e dasmës sime dhe unë vesha fu...

15:50 Kulturë

150 vjet Thomas Mann

Bota e letërsisë është e një mendimi: Jeta dhe të shkruari...

Lajmet e fundit nga