web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Save the Children për VOA: Në Gaza, çdo 10 minuta vritet një fëmijë

8 Nëntor 2023, 19:22, Kosova & Bota CNA

Save the Children për VOA: Në Gaza, çdo 10 minuta vritet

Organizata bamirëse “Save the Children” po bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gazë, për të ndalur atë që ajo e quan katastrofë humanitare. Drejtori i kësaj organizate për Territoret Palestineze, Jason Lee i tha Zërit të Amerikës në një intervistë nga Jeruzalemi se fëmijët po paguajnë çmimin më të lartë nga konflikti. Shumë nga 1,400 të vrarët nga sulmi i Hamasit në Izrael ishin fëmijë, ashtu si edhe një pjesë e rreth 240 personave që mbahen peng. Ndërkohë nga mbi 10 mijë personat që Ministria e Shëndetësisë e kontrolluar nga Hamasi thotë se janë vrarë në Gazë, 40 për qind janë fëmijë. Zoti Lee i tha koleges Keida Kostreci se vuajtja e fëmijëve do të jetë trashëgimia e komunitetit ndërkombëtar, nëse nuk i bën palët të respektojnë ligjin humanitar dhe të mbrojnë civilët.

Gazetarja: Zoti Lee, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha se Gaza është shndërruar në “një varrezë për fëmijët”, pasi numri i fëmijëve që humbasin jetën rritet çdo ditë. Cili është vlerësimi i organizatës suaj për situatën në terren?

Jason Lee: Situata në Gazë është e tmerrshme dhe po vazhdon të përkeqësohet. Tani jemi në një situatë ku çdo 10 minuta vritet një fëmijë dhe çdo 5 minuta lëndohet një fëmijë, me plagë që të ndryshojnë jetën. Përveç vdekjeve dhe lëndimeve mes fëmijëve, 1.5 milion vetë, 60% e popullsisë në Gazë është shpërngulur, janë larguar nga shtëpitë e tyre. Ata po përpiqen të strehohen në shkolla dhe spitale, në çdo ndërtesë ku mund të jenë të sigurt. Por këto ndërtesa nuk kanë ujë të mjaftueshëm, nuk kanë ushqim të mjaftueshëm. Dhe fëmijët dhe familjet e plagosura nuk kanë qasje në kujdesin mjekësor. Shumë familje po detyrohen të hanë një vakt në ditë. Në Gaza nuk ka ujë të pijshëm. Në shumë prej shkollave, po strehohen katër herë më shumë civilë sesa kapaciteti i këtyre shkollave. Në një qendër në Khan Yunis në jug të Gazës, janë 22, 500 njerëz që jetojnë në shkollë. Shkolla ka kapacitetin maksimal për 2000 njerëz. Ka 16 banja për mbi 22,000 vetë, që do të thotë se ata nuk mund të mbajnë standardet e duhura higjienike. Po përhapen sëmundje ngjitëse, raste me diarre. Dhe sigurisht, nuk ka ujë të mjaftueshëm.

Konsumi i ujit për njerëzit në Gaza ka rënë me 92% që nga nivelet e para 7 tetorit. Kjo është një katastrofë humanitare dhe fëmijët po paguajnë çmimin.

Gazetarja: Ju përmendët këto shifra të tmerrshme që tregojnë vuajtjet e fëmijëve. Cilat janë pasojat afatshkurtra dhe afatgjata për fëmijët që jetojnë në këto kushte?

Jason Lee: Ndikimin afatgjatë i konfliktit në shëndetin mendor të fëmijëve është i jashtëzakonshëm. Fatkeqësisht kjo nuk është lufta e parë që kanë kaluar fëmijët në Gaza.

Ka pasur përshkallëzime të mëparshme dhe ne e dimë se çfarë ndikimi shkakton kjo. “Save the Children” ka bërë kërkime dhe studime dhe ka folur me fëmijët. Dhe ne shohim rritjen e nivelit të ankthit, të depresionit, të frikës tek fëmijët. Ata kanë vështirësi të flenë. Fëmijët që fillojnë mbyllen në vetvete, që ndjehen të vetmuar. Por më e keqja është se fëmijët humbasin besimin dhe shpresën. Ata nuk besojnë se kanë të ardhme.

Për fat të keq, kjo do të jetë trashëgimia e komunitetit ndërkombëtar nëse nuk i bëjmë të gjitha palët të respektojnë ligjin ndërkombëtar humanitar dhe të mbrojnë civilët. Fëmijët nuk do të kenë vetëm plagët fizike, por do të kenë plagët mendore dhe emocionale brenda vetes dhe nuk do të kenë asnjë shpresë për një të ardhme.

Gazetarja: 18 organizata të OKB-së dhe grupe të tjera ndihme kanë kërkuar pikërisht për shkak të kësaj situate, armëpushim humanitar. Nga ana tjetër, Izraeli ka thënë se po lufton Hamasin dhe një armëpushim do ta inkurajonte Hamasin. A mendoni se është i mundur një armëpushim që nuk do të sillte pasoja të tjera në terren, që nuk do të forconte Hamasin?

Jason Lee: Një armëpushim jo vetëm që është i mundur, por edhe i domosdoshëm. Nuk ka asnjë hapësirë të sigurt në Gaza për momentin. Gaza ka 2.3 milionë banorë, gjysma e tyre janë fëmijë. Kështu ka 1.1 milion fëmijë që janë aktualisht të prekur. Është një nga vendet me dendësinë më të madhe të popullsisë në botë. Dhe nuk ka asnjë rrugë të sigurt në veri apo në jug. Numri i civilëve të vdekur dhe të plagosurve, është tregues i këtij realiteti.

Dy në çdo tre vdekje ka qenë një grua ose një fëmijë. Tani është thelbësore që të kemi një armëpushim sepse vetëm kështu mund të mbrojmë civilët. Armëpushimi është gjithashtu kritik, sepse organizatat humanitare nuk mund të dërgojnë ndihma kur ka sulme ajrore dhe goditje të vazhdueshme. Civilët nuk mund të shkojnë në vende të sigurta, nuk mund të arrijnë në pikat e shpërndarjes ku ne duhet të shpërndajmë ujë dhe ushqim.

Ne gjithashtu duhet të identifikojmë fëmijët në situatat më të brishta. Ka shumë fëmijët dhe familjet që nuk kanë mundur të shkojnë në streha, sepse kanë anëtarë të moshuar të familjes, fëmijë me aftësi të kufizuara. Ata nuk mund të largohen nga shtëpitë e tyre.

Pra është thelbësore të ketë armëpushim për të mundësuar, para së gjithash, mbrojtjen e civilëve, por edhe që organizatat humanitare të jenë në gjendje të ofrojë ndihma. Kemi nevojë për një armëpushim. Kemi nevojë për artikuj që hyjnë përmes Rafahut, shumë më tepër artikuj. Dhe kemi gjithashtu nevojë për më shumë njerëz më terren. Unë kam ekipe në Gaza, por si e gjithë pjesa tjetër e popullatës, ata tani janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, jetojnë në shkolla, jetojnë me anëtarë të familjes./ VOA





Lajmet e fundit nga