web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Lufta në Ukrainë/ Si të shmangen përçarjet midis evropianëve

24 Dhjetor 2022, 08:32, Kosova & Bota CNA

Lufta në Ukrainë/ Si të shmangen përçarjet midis

Eshtë e pamundur të parashikohet se si do të përfundojë lufta në Ukrainë. Duke hyrë në muajin e saj të 11-të, lufta e Rusisë kundër një fqinji të BE-së ka shndërruar në gërmadha një pjesë të Ukrainës. Shumë civilë janë vrarë. Shumë qytete, qyteza dhe fshatra janë shkatërruar. Me fillimin e dimrit, një pjesë e mirë e infrastrukturës është shënjestruar qëllimisht nga ushtria ruse.

Pjesa më e madhe e popullsisë ukrainase është pa ujë të rrjedhshëm, ngrohje, shërbime bazë, ushqim, strehim dhe siguri. Raportet nga Mariupol, të cilat Rusia e bombardoi rëndë dhe më pas e pushtoi në qershor janë tronditëse. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, nuk ka të bëjë aspak me pengimin e anëtarësimit në NATO të këtij vendi, i përdorur nga presidenti rus Vladimir Putin si një justifikim për pushtimin.

As për të luftuar nazizmin, apo ndonjë justifikim tjetër. Siç shkroi më të drejtë kohët e fundit Guendolin Sase, Moska synon “shkatërrimin e shtetit ukrainas dhe kombit ukrainas”. Nuk është aspak e sigurt nëse të gjitha vendet evropiane e kanë kuptuar qëllimin e vërtetë të Putinit.

Sidoqoftë, lufta e tij e pandërprerë ndaj Ukrainës, ka krijuar disa të çara serioze brenda BE-së. Dhe mënyra se si do të kapërcehen ato mund të përcaktojë edhe arkitekturën e ardhshme të sigurisë të Evropës. Përçarja e parë ka të bëjë me qëndrueshmërinë e fuqisë së butë të BE-së. BE-ja u krijua nga rrënojat e Luftës së Dytë Botërore.

Ideologjia e saj vazhdon të jetë një projekt paqeje. Duke e lënë mënjanë fuqinë e saj ekonomike, Bashkimi Evropian është një organizatë e fuqisë së butë, siguria e së cilës garantohet nga Shtetet e Bashkuara. Po ashtu ajo është një fuqi në të cilën dy ish-rivalët - Franca dhe Gjermania që zhvilluan luftë në të gjithë kontinentin gjatë shekujve, dhe që arritën të afroheshin pas vitit 1945 - diktuan në përgjithësi marrëdhëniet e BE-së me Rusinë.

Nga vitet 1960 e tutje, qeveritë e njëpasnjëshme gjermane ndoqën një politikë të veçantë me Bashkimin Sovjetik, dhe vazhduan ta ndiqnin atë edhe me Rusinë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Wandel durch Handel (ndryshim përmes tregtisë) nuk ishte thjesht një slogan. Pasi bëhej fjalë për lidhjen e ngushtë midis Rusisë me Gjermaninë përmes tubacioneve të gazit.

Pavarësisht shumë paralajmërime të padëgjuara nga evropiano-qendrorët, tani është e qartë se si kjo varësi u bë një instrument i përdorur nga Kremlini për ta dobësuar dhe përçarë Evropën. Tashmë evropianët po paguajnë një çmim shumë të lartë për varësinë e Gjermanisë nga gazi rus.

Ata janë detyruar muajt e fundit të përpiqen të diversifikojnë burimet e tyre energjetike, përfshirë blerjen e gazit natyror të lëngshëm nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe vende të tjera. Disa parti politike në Evropë i kanë akuzuar Shtetet e Bashkuara se kanë përfituar nga problemet energjetike të Evropës, në vend se të pranojnë se importe të tilla po i mbajnë ngrohtë familjet dhe industritë evropiane në punë.

Pavarësisht shkatërrimit që po i bën Ukrainës Rusia, si kancelari gjerman Olaf Sholc, po ashtu edhe disa segmente të Partisë së tij Socialdemokrate, por edhe lobet e biznesit dëshirojnë rikthimin në statuskuonë e vjetër. Pikërisht këtu qëndron edhe përçarja e dytë.

Ajo është e lidhur me përvojat e ndryshme historike të vendeve anëtare të BE-së, dhe perceptimet e kërcënimeve që burojnë prej tyre. Si një projekt paqeje, Bashkimi Evropian u përmirësua me kalimin e viteve pa pasur një zë nga evropiano-lindorët apo evropiano-qendrorët. Ata duhej të duronin jetesën nën diktaturën e Bashkimit Sovjetik.

Sot, Evropa Perëndimore, sidomos Franca dhe Gjermania, po shqyrtojnë ndërtimin në të ardhmen të një arkitekturë të re evropiane të sigurisë që të përfshijë edhe Rusinë në një lloj forme. Për evropiano-lindorët, siguria ka të bëjë me mbrojtjen kundër Rusisë. Prandaj këta të fundit duan që Ukraina të fitojë dhe Rusia të mposhtet.

Për ta, pushtimi rus i Ukrainës e kërcënon stabilitetin dhe sigurinë e Evropës. Një kërcënim që do të rritej nëse do të fitojë Rusia. Kjo shpjegon edhe arsyen pse evropiano-lindorët duan që BE-ja dhe NATO ta mbrojnë Ukrainën me çdo mjet që kanë në dispozicion.

Përvojat e tyre historike dhe kulturore e jetesës nën sistemin komunist sovjetik, luan një rol të madh tek mënyra se si ata e shohin luftën e Ukrainës për pavarësi dhe sovranitet. Evropa e pas vitit 1945 ishte një kontinent i ndarë, në të cilin Evropa Perëndimore i gëzohej zbatimit të projektit të paqes, lirisë, demokracisë dhe stabilitetit.

Ndërkohë Evropa Lindore jetoi nën një pushtim dhe stabilitet të ruajtur me forcë. Për banorët e këtyre vendeve, shembja e Murit të Berlinit në vitin 1989 dhe ribashkimi i Evropës nënkuptonte anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Sepse këto dy organizata euroatlantike ishin garantuesit e sigurisë dhe lirisë së tyre. Duke pasur parasysh se si Rusia po përpiqet ta shkatërrojë Ukrainën, evropiano-qendrorët dhe lindorët duan të njëjtat perspektiva për Ukrainën dhe vendet e tjera në rajon. Në dallim nga disa vende të Evropës Perëndimore - veçanërisht Gjermania - ata nuk e shohin rajonin përmes prizmit të Rusisë.

Sigurisht, përçarje të tilla nuk do ta shpërbëjnë BE-në. Por nëse nuk ka një ndërgjegjësim midis të dyja palëve për përvojat e tyre të ndryshme historike dhe perceptimet e tyre për kërcënimet, sigurinë dhe Rusinë, ato do të thellohen dhe do të krijojnë pakënaqësi midis Evropës Perëndimore dhe Lindore.

Lufta kundër Ukrainës, duhet të jetë katalizatori që evropianët të kuptojnë pse kanë rëndësi përvojat e tyre të ndryshme historike, dhe si ato mund të diktojnë marrëveshjet e ardhshme të sigurisë në kontinentin tonë.

Përkthyer nga CNA.al





Lajmet e fundit nga