web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Lufta në Ukrainë: Kalvari i gjatë i identifikimit të viktimave të pushtimit rus

20 Dhjetor 2022, 09:17, Kosova & Bota CNA

Lufta në Ukrainë: Kalvari i gjatë i identifikimit të

Oleg Podorozhni më shoqëron nëpër korridoret e ndriçuara dobët të morgut ku punon. Kalojmë njëra pas tjetrës dritaret e mbuluara me thasë rëre, dhe më pas ndeshemi me një kontejner të madh të bardhë në oborrin e pasmë të godinës. Sapo hapet dera e saj e rëndë prej metali, prej andej del me shpejtësi era e neveritshme e vdekjes.

Të grumbulluar brenda në thasë të bardhë, janë trupat e civilëve të vrarë kur qyteti Izium u pushtua nga trupat ruse. Shumë prej tyre kanë vdekur prej muajsh. Thasët janë të shënuar me numra dhe detaje të shumta, të shkruara me stilolaps të zi. Kur kanë kaluar disa javë që nga çlirimi i Iziumit, nuk janë identifikuar ende eshtrat e 146 trupave të gjetur.

Ata janë vendosur këtu, sepse morgu kryesor i qytetit është i mbushur me më shumë trupa të paidentifikuar nga sulmet me raketa ruse dhe varrezat masive që janë zbuluar në të gjithë rajonin Harkiv. “Numri i trupave që kemi tani është shumë i lartë. Ato po qëndrojnë këtu, derisa bëhen testet e ADN-së. Tani kemi një gjenerator, por është shumë sfiduese mbajtja e kontejnerit në temperaturat e duhura gjatë ndërprerjeve të rregullta të energjisë elektrike të shkaktuara nga sulmet ruse në infrastrukturën energjetike të Ukrainës”- më thotë Oleg, patolog në Byronë e Ekspertizës Ligjore në Harkiv.

Kërkimi sfilitës për familjarët e zhdukur

Në disa orë udhëtim me makinë në lindje të Iziumit, vërej se shkatërrimi i shkaktuar nga pushtimi i Rusisë është tronditës. Një bllok pallatesh shumëkatëshe ka një vrimë gjigante të hapur në mes dhe përreth, ndërsa shtëpitë e veçanta janë rrafshuar.

Një burrë po rilyen një mural të ndritshëm në një godinë të nxirë nga zjarri, teksa një rresht garazhesh aty pranë është mbushur me shkronjat Z, simboli i ushtarëve rusë gjatë pushtimit të tyre. Familjet që kërkojnë të afërmit e dinë se janë vrarë, por nuk kanë ende një trup për ta varrosur.

Lufta në Ukrainë: Kalvari i gjatë i identifikimit të

Komisariati i policisë në Izium u shkatërrua, ndaj oficerët kanë ngritur një qendër të improvizuar në një lice artistik, ku po mbledhin mostra të ADN-së si dhe prova të krimeve të luftës. Ata i thërrasin njerëzit një nga një dhe u marrin mostra të pështymës.

Ato dërgohen në një laborator të mjekësisë ligjore për të nxjerrë një profil të ADN-së me shpresën e gjetjes së një përputhjeje gjenetike me një nga trupat që dergjen në morg. Pasi i vjen radha, Tetjana Tabakina ndalon në mes të dhomës, duke zënë gojën me duart si të mbyste një ngashërim. Motra e saj, Irina, dhe nipi, Jevgeni, u vranë në një sulm ajror rus në pallatin e tyre në fillim të marsit.

Ata ishin strehuar në bodrum, ku mendonin se do të ishin të sigurt. Tetjana arriti të identifikonte trupin e Jevgenit nga një tatuazh në krahun e tij, por nuk ka mundur të gjejë motrën e saj. “Trupi i Irinës u copëtua nga shpërthimi. Unë nuk mund të gjej as një copë të trupit të saj. Po pres të gjej qoftë edhe një pjesë të vogël të motrës sime, që të mund t’i varros të dy bashkë”- thotë ajo me zë të ulët.

Vështirësitë e testeve të ADN-së

Por lufta që shkaktoi makthin që po përjeton aktualisht Tetjana, po e shndërron procesin e identifikimit në një dhimbje therëse e të ngadaltë. Kur u pushtua rajoni Harkiv nga rusët, ekspertët e mjekësisë ligjore ishin në mesin e atyre që u larguan për të shpëtuar jetën.

“Ne po trajnojmë njerëz të rinj, por tani për tani në departamentin tonë kemi vetëm 8 njerëz, dhe ngarkesa e punës është e madhe”- thotë Viktoria Jonova. Ajo është një specialiste në laborator që përpiqet të krijojë profile gjenetike të të vdekurve, dhe atyre që po kërkohen ende nga të afërmit.

“Por ne kemi probleme me ndërprerjet e energjisë. Pajisjet me saktësi të lartë ndalojnë befas së punuari, ndaj ne duhet ta fillojmë punën sërish nga e para. Kemi një gjenerator, por ka pasur raste kur nuk kemi pasur energji për 1 ditë të tërë”- shton Viktoria.

Mënyra se si vdiqën njerëzit, e ndërlikon më tej punën e ekspertëve. Shumë prej viktimave u dogjën rëndë nga bombardimet dhe sulmet ajrore. “Kur një trup i pajetë ka shkallën maksimale të djegieve, ai nuk bart thuajse asnjë material gjenetik. Ne dërgojmë në laborator fragmente kockash, por ndonjëherë ekspertët nuk mund të nxjerrin dot një mostër gjenetike, ndaj ata kërkojnë më shumë material. Prandaj procesi është shumë i ngadaltë”- shpjegon patologu Oleg Podorozhni.

Lufta në Ukrainë: Kalvari i gjatë i identifikimit të

Dhe jo të gjithë të vdekurit kanë të afërm që ndodhen ende në Ukrainë për të siguruar marrjen e mostrave të ADN-së. Zyra e prokurorit ka publikuar udhëzime se si refugjatët mund të ofrojnë mostra që nga jashtë vendit, dhe t’i dërgojnë ato për testim, por shumë pak njerëz kanë përfituar nga kjo mundësi.

Varret nëpër pyje

Viktimat e paidentifikuara në Izium u gjetën kryesisht të varrosur në pyllin me pisha në periferi të qytetit, në rreshta të gjatë kryqesh të thjeshtë prej druri. Ata u dërguan atje nga gërmuesit vullnetarë të varreve kur u pushtua qyteti. Kur forcat ukrainase e rimorën qytetin në shtator, trupat u zhvarrosën dhe u zhvendosën në Harkiv.

Policia thotë se disa vdiqën nga shkaqe natyrore, por shumë prej tyre u vranë nga bombardimet ose shpërthimet. Ndërkohë 17 prej viktimave treguan shenja të qarta torture, përfshirë një rast me litarin rreth qafës dhe duart e lidhura nga pas. Tani ata kanë zhvarrosur 899 trupa në të gjithë rajonin.

Lufta në Ukrainë: Kalvari i gjatë i identifikimit të

“Sigurisht është një punë shumë e vështirë. Ne nuk kemi parë kurrë kaq shumë kufoma. Mesatarisht, po zhvarrosim rreth 10 në ditë, dhe kjo punë nuk ka mbaruar- shpjegon Serhi Bolvinov, kreu i hetimeve të policisë për rajonin Harkiv.

Këtë javë oficerët e tij gjetën trupin e një burri të vrarë nga një bombë thërrmuese, të varrosur në oborrin e shtëpisë së tij nga bashkëshortja. “Krimet e kryera nga Rusia, nuk do të fshihen kurrë nga kujtesa jonë, dhe ne do të hetojmë secilin prej tyre”- thotë ai.

Në total, në Izium u gjetën 451 trupa, përfshirë 7 fëmijë. Të varrosur në pyll me nxitim dhe nën zjarrin e armëve dhe artilerisë, shumica nuk ishin në arkivole, dhe madje as ishin futur në ndonjë qese të posaçme. Po ashtu shumë prej tyre nuk kishin emër. Kryqet prej druri në varret e tyre ishin shënuar vetëm me numra.

Funerali i një poeti

Por trupi që u varros me numrin 319 tani është identifikuar. Testet e ADN-së vërtetuan se viktima është Volodimir Vakulenko, shkrimtar dhe poet për fëmijë. Nëntë muaj pasi u vra, familja e tij pati më në fund mundësinë që t’i bënte një funeral të denjë. Poeti u arrestua dhe u mor në pyetje nga forcat ruse në fundin e muajit marsit, ndërsa më pas u lirua.

Lufta në Ukrainë: Kalvari i gjatë i identifikimit të

Të nesërmen, dëshmitarët panë 2 ushtarë që e arrestuan sërish. Ata thonë se ai bërtiti “Lavdi Ukrainës!”, dhe më pas u fut në një makinë ushtarake me shenjën Z. Kur trupi i tij i pajetë u gjet në pyllin me pisha, në varrin e tij u gjetën dy plumba. “Ju çakej! Si mundët ta bëni këtë?”- tha e ëma në funeralin e tij, duke u përkulur mbi arkivolin e mbështjellë me flamurin e Ukrainës blu dhe të verdhë.

“Zoti na mëson të falim, por unë nuk do t’i fal kurrë vrasësit. Unë do të jetoj me shpresën dhe besimin se hetimi do të gjejë se kush është përgjegjës, dhe se vrasësit do të ndëshkohen. Unë do të jetoj për atë ëndërr”- tha Olena Ihnatenko, duke përqafuar fort në gjoks foton e djalit të saj të vetëm.

Një pritje e gjatë

Deri më tani, vetëm 5 trupa të pajetë të zbuluar në Izium janë identifikuar nëpërmjet përdorimi të testit të ADN-në. Ekipet e mjekësisë ligjore, e pranojnë se disa prej tyre janë dëmtuar aq shumë sa që identiteti mund të mos dihet asnjëherë. Për të afërmit e viktimave si Tetjana Tabakina, kjo është një pritje sfilitëse.

Ajo thotë se një fqinji saj varrosi së fundmi 7 anëtarët e familjes të vrarë në të njëjtin sulm që i mori jetën nipit dhe motrës së saj. “Ai më tha se të nesërmen e funeralit të tyre, i dukej sikur kishte hequr një peshë e madhe nga shpirti, dhe më në fund mund të flinte sërish mbrëmjeve. Edhe unë dua ta kaloj atë moment, atëherë ndoshta do të jetë më e lehtë për ta. Ose për mua”- thotë Tetjana.

Përkthyer nga CNA.al





Lajmet e fundit nga