web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Diplomacia e pengut/ Budapesti shantazhon Brukselin për të marrë miliarda euro

19 Nëntor 2022, 09:25, Kosova & Bota CNA

Diplomacia e pengut/ Budapesti shantazhon Brukselin për të marrë

Viktor Orban e ka marrë peng Bashkimin Evropian, duke kërkuar miliarda euro në këmbim të heqjes së vetos për çdo gjë, nga ndihma ndaj Ukrainës, deri tek një marrëveshje globale mbi taksimin e korporatave. Sipas udhëheqësit hungarez, miliardat janë fondet e BE-së që i meriton vendi i tij si anëtar i unionit.

Por Brukseli ka bllokuar dhënien e tyre, për shkak të shqetësimeve në lidhje me erozionin e vlerave demokratike në Budapest, duke këmbëngulur që Hungaria të ndërmarrë një sërë ndryshimesh. Tani, që të dyja palët po shkojnë drejt një marrëveshjeje: BE-ja pritet të zhbllokojë së shpejti paratë, pasi Hungaria premtoi të kryejë një sërë reformash.

Udhëheqësit e BE-së këmbëngulin se këto të fundit do të ndryshojnë normat demokratike që kanë degraduar ndjeshëm vitet e fundit, dhe do të mbrojnë më mirë paratë e bllokut nga rënia në duart e të korruptuarve. Budapesti këmbëngul se është i sinqertë në mbajtjen e premtimit të tij.

Por ajo që nuk përmendet është një faktor kryesor, që po i çon negociatat drejt një fundi të suksesshëm:Orban ka bllokuar disa nga nismat më të ngutshme të BE-së, duke përfshirë një paketë urgjente ndihme prej 18 miliardë eurosh për Ukrainën, si dhe një marrëveshje për të vendosur një normë minimale të taksës së korporatave.

Basti i tij? Ta detyrojë Brukselin të dorëzojë sa më shpejt fondet që i takojnë Hungarisë.

“Ky është shantazh i pastër”- thotë një diplomat i BE-së. Rreziqet janë të mëdha. Në rast se nuk do të ketë një marrëveshje, Brukseli rrezikon të turpërohet duke mos i dhënë dot Kievit ndihmën e premtuar, dhe duke mos arritur një marrëveshje mbi takimin e korporatave për të cilën ka lobuar prej kohësh në mbarë botën.

Po ashtu zyrtarët e BE-së nuk duan që të ushtrojnë akoma më shumë presion mbi ekonominë hungareze tashmë në vështirësi serioze, dhe as nuk duan të shihen si thellues të ndarjeve ndërkohë që lufta është afër. “Ata na kanë zënë shah-mat”- shprehet një diplomat i BE-së.

Diplomacia e pengut/ Budapesti shantazhon Brukselin për të marrë

Brukseli dhe Budapesti po përplasen prej disa kohësh mbi hapat prapa të Hungarisë në aspektin e demokracisë. Por perspektiva e bllokimit të qasjes në miliardat e BE-së e ka çuar mosmarrëveshjen në pikën e vlimit.

Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE-së, dëshiron që qeveria e Orban të forcojë pavarësinë e gjyqësorit dhe të përmirësojë përpjekjet kundër korrupsionit. Për ta kushtëzuar këtë gjë ajo ka bllokuar lëvrimin e 5.8 miliardë eurove për rimëkëmbjen e ekonomisë hungareze pas pandemisë, duke kërcënuar të shkurtojë edhe fondin vjetor prej 7.5 miliardë eurosh.

Dhe pas muajsh rezistence, Hungaria është ulur në tryezën e negociatave, pasi nuk donte të privohej nga fondet e BE-së për shkak të një ekonomie në krizë.

Afatet po skadojnë në të dyja rastet. Brukselit po i mbaron koha për të miratuar shpërndarjen e pjesës së Hungarisë në fondet e rimëkëmbjes, dhe pritet të marrë një vendim deri në fund të këtij muaji. Ndërkohë, Orban ka afat deri në fundin e kësaj jave për të realizuar 17 reformat e premtuara prej tij ose rrezikon të humbasë një pjesë ose të 7.5 miliardë eurot si një fond vjetor.

“Ne ia kemi dalë ta bindim qeverinë hungareze të forcojë pavarësinë e sistemit gjyqësor. Ky nuk është fundi i negociatave, por është një hap i rëndësishëm”- nënvizon një zyrtar i BE-së.

Si pjesë e kompromisit politik, ka të ngjarë të anulohet pezullimi i 7.5 miliardë eurove, edhe pse KE nuk e ka finalizuar pozicionin e tij dhe ka theksuar se bllokimi mund të rikthehet në rast se reformat kundër korrupsionit nuk kanë ndonjë ndikim.

Megjithatë, fitorja e pritshme e Orban vjen me disa rreziqe për udhëheqësin hungarez. Sjellja agresive e Budapestit e ka bërë Hungarinë më të izoluar se kurrë në skenën evropiane, dhe besimi i Brukselit në qeverinë e Hungarisë është në nivelin më të ulët historik.

Ndërkohë, aktivistët kundër korrupsionit thonë se reformat e Orbanit janë të pamjaftueshme. Karriera e kryeministrit, thonë kritikët, varet shumë nga shpërndarja e fondeve të BE-së dhe shtetit tek aleatët e tij, duke e bërë të pamundur zbatimin e ndonjë reforme domethënëse që do të rrezikonte sistemin e tij të patronazhit.

Për më tepër, ekspertët thonë se reformat e planifikuara në sistemin gjyqësor janë thjesht shumë të pakta dhe të vonuara në kohë. Kjo do të thotë se mund të ketë më shumë përplasje me BE-në për çështjen e fondeve. Por rreziqe politike të ngjashme ka edhe për liderët e BE-së.

Për vite me radhë, figura të tilla si presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Lejen janë zotuar të mbajnë një qëndrim më të ashpër ndaj vonesave të sundimit të ligjit. 

Diplomacia e pengut/ Budapesti shantazhon Brukselin për të marrë

Por shpërndarja e miliardave me gjithë kundërshtimet e Parlamentit Evropian dhe grupeve të shoqërisë civile, nuk ka gjasa t’i bindë njerëzit që ajo është koherente në qëndrimin e saj.

Komisioni duhet të miratojë lëvrimin e fondit të rimëkëmbjes për Hungarisë deri në fund të nëntorit, në mënyrë që t’i japë kohën e mjaftueshme vendeve anëtare që të miratojnë dhe finalizojnë marrëveshjen me Budapestin deri në fund të këtij viti. Ky është një afat i ngushtë pas të cilit Hungaria do të humbiste 70 për qind të granteve prej 5.8 miliardë eurosh.

Parlamenti Evropian e nxiti KE-në të vendosë mekanizmin e tij të sundimit të ligjit kundër Hungarisë, teksa eurodeputetët thonë se Orban ka përmbushur deri më tani vetëm një pjesë të vogël të 17 kushteve.

“Nëse Komisioni Evropian ia jep paratë Viktor Orbanit, Ursula von der Leyen do të jetë personalisht përgjegjëse për kthimin e Hungarisë në një moçalishte korrupsioni”- deklaroi të enjten Moric Kërner, një eurodeputet gjerman, pjesë e grupit liberal, Evropa e Ripërtërirë.

Një skenar i mundshëm është që Komisioni do të propozojë ngritjen e një pjese të fondeve të BE-së, por jo të 7.5 miliardë eurot. Më pas do t’ua kalojë topin vendeve të BE-së, të cilat kanë kohë deri më 19 dhjetor për të vendosur nëse do ta ndëshkojnë apo jo Hungarinë, një vendim që do të kërkonte një të ashtuquajtur shumicë të cilësuar, që përfshin të paktën 55 për qind të vendeve të BE-së dhe 65 për qind e popullsisë së bllokut.

Përkthyer nga CNA.al





Lajmet e fundit nga