web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Arrestimi i shefave të policisë në Sarandë/ Reagon Lamallari

2026-05-16 15:27:00, Aktualitet CNA

Arrestimi i shefave të policisë në Sarandë/ Reagon Lamallari

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari ka reaguar lidhur me operacionin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me Policinë e Shtetit të zhvilluar të premten e vonë të 15 majit në Sarandë, ku u arrestuan disa drejtues të lartë të Komisariatit të Policisë, si dhe u pezullua nga detyra shefi i seksionit të krimeve.

Në njoftimin e AMP-së thuhej se efektivët e arrestuar kishin favorizuar dhe fshehur ndërtimin pa leje të objekteve të lidhura me elementë kriminalë në qytetin e Sarandës.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Lamallari shkrun se do të ketë zero tolerancë për të gjithë ato zyrtarë të Policisë së Shtetit, të cilët përfshihen në raste abuzimi me detyrën dhe tolerojnë shkeljet e ligjit, deri në raste më ekstreme atë të bashkëpunimit me elementë të krimit të organizuar.

Në Policinë e Shtetit nuk ka dhe nuk do të ketë vend për askënd që bëhet palë me shkelësit e ligjit, që abuzon me detyrën apo bashkëpunon me elementë kriminalë. E përshëndes me respekt operacionin në Sarandë, ku Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe vetë Policia e Shtetit, bashkëvepruan për të arrestuar drejtues e punonjës policie të bërë njësh me shkelësit e ligjit. 

Kjo provë vullneti për të pastruar radhët e Policisë së Shtetit nga çdo element që cënon ligjin dhe besimin e publikut, nuk është e para dhe nuk do të jetë as e fundit. Në çdo rast abuzimi, që nga symbyllja përpara ndërtimeve pa leje deri tek kompromisi me elementët kriminalë, reagimi do të jete me zero tolerancë. Efektivët që tradhtojnë popullin dhe abuzojnë me detyrën, do të identifikohen, goditen dhe përballen me drejtësinë”, shkruan Lamallari në postimin e tij.

Megjithatë, edhe pse ministra apo përfaqësues të politikës shfaqen me gjuhë të ashpër pas operacioneve, orë të tëra pasi janë realizuar, ku të implikuar janë shpeshherë drejtues të lartë në radhët e Policisë së Shtetit, nuk është se kemi ndonjë ndryshim.

Për çdo muaj, vëme re se ndryshojnë vetëm qytetet nga veriu në Jug, por jo targeti, ato janë të njëjtët, drejtues të lartë të policisë që akuzohen për korrupsion, fshehje krimi e deri në bashkëpunim me elementë të krimit të organizuar.

Politikanët nuk mbajnë përgjegjësi, por e kthejnë në një show mediatik, duke thënë se ne jemi me drejtësinë, po luftojmë edhe brenda llojit për të zhdukur “farat e këqija” të një sistemi të kalbur që u ndërtua dhe po sponsorizohet nga vetë ata. /CNA





Lajmet e fundit nga