web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kujdes nga mashtrimet online, si teknologjia nxit krimet financiare

24 Maj 2025, 11:20, Ekonomi CNA

Kujdes nga mashtrimet online, si teknologjia nxit krimet financiare

Ju nuk do të binit kurrë pre e një mashtrimi online, apo jo? Gabim, pohojnë ekspertët e sigurisë kibernetike. Mashtruesit përdorin taktika të provuara ndër vite, të cilat mund të funksionojnë te çdokush, pavarësisht moshës apo inteligjencës. Kriminelët kibernetikë shfrytëzojnë manipulimin psikologjik për t’ju mashtruar dhe për t’ju marrë paratë dhe strategjitë e tyre po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara…

Në qershor të vitit 2024, autoritetet shqiptare dhe italiane zbuluan një skemë mashtrimi që operonte nëpërmjet "call center"-ave në Tiranë dhe Itali. Kjo skemë synonte kryesisht shtetas italianë, duke i mashtruar ata për të nënshkruar kontrata të reja për furnizimin me energji elektrike dhe gaz.

Mashtruesit përdornin teknologjinë e Inteligjencës Artificiale për të imituar zërat e viktimave, duke regjistruar përgjigje pozitive “po” dhe më pas duke i përdorur këto regjistrime për të falsifikuar pranimin e kontratave të reja.

Në vetëm tre muaj, mbi 1,000 italianë u mashtruan duke shkaktuar një dëm financiar prej rreth 9 milionë eurosh. SPAK kreu kontrolle në tre "call center" në Tiranë, të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm. Ky është vetëm një nga rastet e shumta të ndodhura vitet e fundit në vendin tonë.

Mashtrimet online po kthehen në një fenomen shqetësues në Shqipëri, duke ndikuar si qytetarët e thjeshtë, ashtu edhe bizneset. Në një kohë kur digjitalizimi është bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme, rreziqet në hapësirën kibernetike po shtohen me shpejtësi.

Përdorimi i internetit për blerje, komunikim dhe investime ka sjellë përfitime të mëdha, por njëkohësisht ka hapur dyer për mashtrues, të cilët shfrytëzojnë mungesën e informacionit dhe sigurisë për të manipuluar viktimat e tyre.

Rritja e përdorimit të rrjeteve sociale, transaksioneve online dhe platformave digjitale ka krijuar një terren të volitshëm për skema të ndryshme mashtruese, duke përfshirë skemat e investimeve të rreme, vjedhjen e të dhënave personale dhe sulmet kibernetike që synojnë individët dhe bizneset.

Mashtrimet digjitale nuk janë më një problem sporadik, por një fenomen në rritje që po prek një numër gjithnjë e më të madh njerëzish.

Sipas raportimeve të Policisë së Shtetit dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), numri i rasteve të mashtrimeve digjitale ka shënuar një rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit. Kjo tregon se, pavarësisht përpjekjeve për rritjen e ndërgjegjësimit dhe masave mbrojtëse, sfidat për sigurinë kibernetike mbeten të mëdha.

Ky trend ka sjellë humbje financiare të konsiderueshme, përveç pasojave psikologjike dhe ligjore për viktimat. Mashtrimet variojnë nga skemat klasike të “phishing” deri te sulmet më komplekse si “ransomware” dhe skemat e investimeve fiktive.

Format më të zakonshme të mashtrimeve online

Të pyetur nga “Monitor”, Policia e Shtetit nuk dha detaje mbi rastet e ndodhura vitet e fundit në Shqipëri, veçse ofroi shifrat më të fundit të totalit të mashtrimeve online. Për periudhën janar-shtator 2024, ishin në total 146 raste.

“Gjatë periudhës janar-shtator 2024, janë evidentuar 146 raste të veprave penale në fushën e mashtrimeve kompjuterike. Të dëmtuarit prej tyre rezultojnë të grupmoshës 35-70 vjeç. Nga hetimet ka rezultuar se autorët e këtyre rasteve kanë vepruar kryesisht nga vende jashtë Shqipërisë”, – bën të ditur Policia e Shtetit.

Sipas të dhënave të marra në terren, format e mashtrimeve mund të jenë:

-Mashtrimet me “phishing” dhe vjedhja e të dhënave

Mashtruesit dërgojnë email-e ose mesazhe në emër të institucioneve financiare, kompanive të njohura apo madje edhe organeve shtetërore. Qytetarët orientohen të klikojnë në linke të rreme, ku u kërkohet të fusin të dhënat personale dhe bankare, të cilat më pas përdoren për qëllime mashtruese.

-Mashtrimet me blerjet online

Platforma të rreme reklamojnë produkte cilësore me çmime të ulëta, por pasi klientët kryejnë pagesat, produktet nuk dërgohen kurrë. Rrjetet sociale janë bërë një nga mjetet kryesore që mashtruesit përdorin për këto skema.

-Investimet fiktive dhe skemat “Ponzi”

Reklama që premtojnë fitime të larta në kriptovaluta, bursë apo startup-e të dyshimta janë në rritje. Shumë qytetarë bien pre e premtimeve për kthime të larta financiare dhe humbasin shuma të konsiderueshme.

-Mashtrimet me shërbime financiare dhe kredi

Disa individë dhe faqe interneti ofrojnë kredi të shpejta me interesa minimale, por pasi qytetarët paguajnë “tarifat administrative”, mashtruesit zhduken.

-Sulmet me “malware” dhe “ransomware”

Bizneset dhe institucionet janë shpesh në shënjestër të sulmeve me viruse që enkriptojnë të dhënat e tyre. Pasi sistemi bllokohet, mashtruesit kërkojnë pagesa në kriptovaluta për të rikthyer aksesin.

Si mund të mbrohen qytetarët dhe bizneset?

-Verifikoni faqet online para se të kryeni pagesa. Përdorni vetëm dyqane dhe platforma të besuara.

-Mos ndani të dhëna personale dhe bankare. Bankat nuk kërkojnë kurrë informacion konfidencial përmes email-it apo mesazheve.

-Përdorni fjalëkalime të forta dhe aktivizoni verifikimin me dy faktorë.

-Ruani vëmendjen ndaj skemave që premtojnë fitime të larta.

-Raportoni rastet e dyshimta tek institucionet kompetente./ Revista Monitor 





Lajmet e fundit nga