LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Europa është në prag të katastrofës energjetike

4 Nëntor 2022, 08:21, Ekonomi CNA

Europa është në prag të katastrofës energjetike

Tetë muaj pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, Bashkimi Europian mbetet për fat të keq i përçarë në përgjigjen e tij në lidhje emergjencën energjetike që ka shkaktuar ky agresion. Në samitin e fundit në datat më 20-21 tetor, liderët e vendeve anëtare kaluan orë të tëra duke u grindur me njëri-tjetrin.

Në fund, ata lëshuan një komunikatë zyrtare duke e pranuar “përballë përdorimit si një armë të energjisë nga Rusia, Bashkimi Europian do të mbetet i bashkuar për të mbrojtur qytetarët dhe bizneset e tij, dhe do të marrë me urgjencë çdo lloj mase të nevojshme”.

Por vendimi i vetëm i rëndësishëm që arritën, ishte shtimi i sasisë së blerjeve të përbashkëta të gazit. Madje edhe kjo u arrit me disa paralajmërime. Divergjencat e politikave në Europë nuk janë një dukuri e rrallë. Por kur u shfaq COVID-19, u deshën vetëm rreth 3 muaj që Franca dhe Gjermania të hartonin një propozim të përbashkët të shpëtimit dhe rimëkëmbjes ekonomike, dhe 2 muaj të tjerë që shtetet anëtare të binin dakord mbi skemën përkatëse të përbashkët të huamarrjes.

Dhe kur u zhvilluan vaksinat, nuk pati thuajse asnjë debat nëse ato do të bliheshin bashkarisht dhe të shpërndaheshin në mënyrë të barabartë, në proporcion me popullsinë. Në krizën aktuale, divergjencat nuk kanë të bëjnë vetëm me deklaratat publike dhe përgjigjet e mundshme.

Të dhënat tregojnë dallime ekonomike të mëdha midis vendeve anëtare të BE-së. Në shtator, inflacioni në krahasim me një vit më parë varioi nga 6.2 për qind më i lartë në Francë në 24.1 për qind në Estoni. Pavarësisht ndryshimit në strukturën energjitike kombëtare, dhe në pjesën që zë energjia në konsumin total, këto dallime reflektojnë kryesisht reagime divergjente të politikave kombëtare.

Gjermania i ka tronditur partnerët e saj me njoftimin e saj të fundit për një paketë ndihme prej 200 miliardë eurosh për të mbështetur familjet dhe kompanitë vendase. Shumë njerëz e shohin këtë veprim si një hap të madh drejt një gare subvencionimesh, e cila mund të fitohet vetëm nga gjermanët.

Dhe këta analistë nuk e kanë gabim. Politika po dërgon sinjalin e gabuar në momentin e gabuar, sepse tregon mungesën e një strategjie të përbashkët. Sigurisht Gjermania nuk është e vetme në këtë qasje. Sipas kolegut tim në think-tankun “Bruegel”, Simone Tagliapietra, qeveritë e BE-së kanë akorduar 576 miliardë euro në total vetëm për të mbrojtur familjet dhe bizneset nga çmimet e larta të energjisë gjatë vitit të fundit.

Europa është në prag të katastrofës energjetike

Por nivelet e subvencioneve variojnë nga më pak se 1 për qind e PBB-së në Suedi dhe Estoni, në më shumë se 5 për qind në Greqi dhe Gjermani. Dhe njëlloj si gjatë viteve 1970, përgjigjet e politikave të qeverive europiane po ndryshojnë gjerësisht, duke reflektuar një hapësirë të ndryshme fiskale, filozofi të ndryshme dhe kufizime të ndryshme politiko-ekonomike.

Po ashtu skemat fiskale janë shumë të ndryshme. Ndërsa shumica po zbatojnë një kombinim të reduktimeve të përgjithshme të energjisë me taksat mbi vlerën e shtuar dhe transfertat e synuara, volumet e këtyre masave variojnë shumë.

Dhe ndërsa shumica e shteteve anëtare kanë miratuar kontrolle të çmimeve, vetëm disa kanë futur në zbatim sistemin e çmimeve të dyfishta, ku një sasi e caktuar energjie është në dispozicion me çmimin e subvencionuar, ndërsa ajo me çmimin e tregut fillon për të gjithë konsumin tjetër.

Rezultati është moskoherenca. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, çmimi i gazit me shumicë në pakicë, në fund të pranverës varionte nga më pak se 10 për qind në më shumë se 40 për qind. Franca dhe Gjermania e mishërojnë së bashku dështimin për të rënë dakord mbi një skemë të përbashkët.

Në shtator, Franca njoftoi zbatimin e një politike për ta kufizuar me deri në 15 për qind rritjen e çmimeve të gazit dhe energjisë elektrike për familjet dhe bizneset e vogla gjatë vitit 2023. Më herët qeveria njoftoi një paketë relativisht më pak mbrojtëse, por ende domethënëse për korporatat e mëdha.

Ndërkohë, Komisioni i Gazit në Gjermani sapo ka propozuar që duke filluar nga marsi i vitit të ardhshëm e tutje, qasja në energjinë e subvencionuar nga shtetit të kufizohet në 80 për qind të konsumit të dikurshëm të familjeve (një skemë e ngjashme do të zbatohet për kompanitë).

Europa është në prag të katastrofës energjetike

Franca dhe Gjermania po përplasen midis tyre edhe në lidhje me vendosjen e kufijve të çmimeve për çmimet e gazit me shumicë. Ndërsa Franca mbështet “skemën iberike” - ku qeveria vendos një tavan në çmimin e gazit të përdorur në prodhimin e energjisë elektrike - Gjermania e kundërshton atë, pasi kjo do ta bënte gazin më të shtrenjtë për përdoruesit industrialë, dhe do të krijonte fitues dhe humbës midis shteteve anëtare.

Këto përgjigje të ndryshme nxisin kritika jo si çështje parimore, por sepse ato janë haptazi të papërshtatshme përballë një krize të jashtëzakonshme. Në vetëm pak muaj, BE-ja ka humbur qasjen tek një furnizues që më parë përbënte rreth 45 për qind të totalit të importeve të saj të gazit.

Duke qenë se ekziston një treg evropian disi i unifikuar për gazin, por jo një treg global, gjetja e zëvendësuesve të gazit rus është një sfidë e zakonshme për Evropën. Kur veprohet individualisht, dështimi për të reduktuar mjaftueshëm kërkesën kontribuon në rritjen e çmimeve të gazit për të gjithë, dhe vetëm një grup i kufizuar furnizuesish të jashtëm alternativë është i disponueshëm për vendet individuale.

Në përgjithësi, ndërvarësitë nga ana e kërkesës dhe ato financiare brenda BE-së apo eurozonës, lënë në hije ndërvarësitë nga ana e ofertës. Edhe pse politikat strukturore, si për shembull reformat e tregjeve të punës dhe produkteve kanë efekte ndërkufitare, ato priren të jenë relativisht të vogla dhe të ngadalta.

Por këtë herë është ndryshe:çmimet e gazit dhe të energjisë elektrike janë bërë kanalet mbizotëruese, përmes të cilave vendimet e një shteti anëtar prekin të tjerët. Dhe këto efekte përforcohen nga reagimi i vetë Bankës Qendrore Evropiane ndaj presioneve inflacioniste në rritje.

Dështimi për të përcaktuar udhëzime të përbashkëta në lidhje me politikat kombëtare të energjisë është shumë i kushtueshëm. Siç tregojnë Tagliapietra dhe të tjerët në një analizë të kohëve të fundit, përfitimet nga arritja e një reduktimi të koordinuar të kërkesës për energji do të ishin të rëndësishme.

Në të kundërt, “nacionalizmi energjetik” rrezikon të rrisë edhe më shumë çmimet e gazit dhe energjisë elektrike, duke e thelluar recesionin ekonomik. Por kompromisi nuk është i paarritshëm. Në samitin e tetorit, Këshilli Evropian arriti njëfarë përparimi drejt një skeme, e cila kombinon opsionet e bazuara tek çmimi me ato të bazuara tek rregulloret.

Kështu, Gjermania mund të pretendojë se paqëndrueshmëria e madhe e çmimeve është e dëmshme për të, ndërsa Franca mund të pranojë se kanë rëndësi stimujt për reduktimin e konsumit.

Por aktualisht mosbesimi është i madh, dhe me kalimin e kohës dhe përkeqësimin e situatës ekonomike, po reduktohet dritarja për arritjen e një marrëveshje të re. Ndonëse depozitat e gazit janë plot dhe moti i ngrohtë i ka ulur çmimet, problemi nuk është zhdukur. Rreziku që embargoja ruse e gazit mund të shkaktojë përçarje të mëdha dhe gjithnjë e më të çimentuara brenda BE-së mbetet shumë serioz. Po ashtu dështimi për të vepruar së bashku, do të dërgonte një sinjal katastrofik.

Shënim:Jean Pisani-Ferry, bashkëpunëtor i lartë në Institutin e Mendimit Ekonomik “Bruegel” me seli në Bruksel.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga