web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

PEMA E JETËS APO PEMA E SË MIRËS SË TË KEQES

5 Dhjetor 2024, 11:50, Blog Miron Çako

PEMA E JETËS APO PEMA E SË MIRËS SË TË KEQES

Dhjetori është muaji ku shikojmë që pema e bredhit natyral apo artificial vendoset nëpër sheshe, shtëpi apo biznese.

Madje shikojmë se njerëzit në këto ditë fundviti kapen nga një dëshirë e papërmbajtur për të vendosur patjetër bredhin si një aksesor i domosdoshëm për të treguar simbolikisht atë që ata duan të festojnë, disa Krishtlindjen  disa Vitin e Ri, madje për disa është bërë obsesion, d.m.th. nëse nuk e vendosin dhe bëjnë ritualet rreth pemës e shikojnë si ters që sjell fatkeqësi në familjet e tyre.

Por pse njerëzit janë kaq të fiksuar me pemën e bredhit si simbol i mbarësisë, i jetës dhe pse pema është bërë kaq kozmike?

Duhet të dimë se njerëzimi ka një zanafillë, dhe një histori fillestare që na ka prekur të gjithëve.

Njeriu nuk është thjesht një krijesË shtazore vetëm me mish edhe instinkte sepse ndryshe ai nuk do kishte vetëdije, pra nuk do ishte qenie mendore, me ide, kujtesë, fantazi dhe të arsyetojë me pyetje se nga vjen dhe ku po shkon.

Njerëzimi e ka preardhjen jo nga rastësia, por nga Perëndia, Krijuesi, prandaj njeriu në përgjithësi është qenie fetare, sipas thënies: “Nëse Zoti nuk do të ekzistonte ne prapë do ta krijonim”.

Njeriu në rendin e krijimit është një qenie e veçantë sepse është një projeksion, një miniaturë e Zotit Perëndi, këtë e thonë të gjitha fetë në shkrimet e tyre, por më saktë na e thotë Bibla; Pastaj Perëndia tha: "Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe 27 Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën.”( Zanafill 1 26-27)

“Pastaj Zoti Perëndi mbolli një kopsht në Eden, në lindje, dhe vendosi në të njeriun që kishte formuar. Pastaj Zoti Perëndi bëri që të mbijnë nga toka lloj-lloj pemësh të këndshme nga pamja dhe që jepnin fruta të mira për t'u ngrënë; në mes të kopshtit gjendeshin edhe pema e jetës dhe pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes”.(Zanafilla 1 8-9)

Kjo është arsyeja pse ne njerëzve na pëlqejnë kopshtet, bimët, lulet, pemët, frutat, madje edhe kur afër nesh nuk kemi kopshtet ne improvizojmë ato dhe i bëjmë pjesë të ambienteve tona ku jetojmë, sepse në subkoshiencën tonë të trashëguar kemi nostalgji për kopshtin e Edenit.

Njeriu si qenie shpirt-trup, u krijua me liri, ky një atribut hyjnor dhe që njeriu të ushtronte lirinë e tij iu dha një porosi nga Krijuesi në Eden: “Dhe Zoti Perëndi e urdhëroi njeriun duke i thënë: "Ha bile lirisht nga çdo pemë e kopshtit; por mos ha nga pema e njohjes së të mirës dhe së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri".( Zanafilla 2 16-17)

Historia Biblike vazhdon dhe thotë një të vërtetë të hidhur, përse ne e humbëm parajsën tokësore, kopshtin e kënaqësive: “Por gjarpri ishte më dinaku ndër të gjitha bishat e fushave që Zoti Perëndi kishte krijuar, dhe i tha gruas: "A ka thënë me të vërtetë Perëndia: "Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?". Dhe gruaja iu përgjegj gjarprit: "Nga fruti i pemëve të kopshtit mund të hamë; por nga fruti i pemës që është në mes të kopshtit Perëndia ka thënë: "Mos hani dhe mos e prekni, ndryshe do të vdisni"".Atëherë gjarpri i tha gruas: "Ju s'keni për të vdekur aspak; por Perëndia e di që ditën që do t'i hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni në gjendje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen". Dhe gruaja pa që pema ishte e mirë për t'u ngrënë, që ishte e këndshme për sytë dhe që pema ishte i dëshirueshme për ta bërë të zgjuar dikë; dhe ajo mori nga fruti i saj, e hëngri dhe i dha edhe burrit të saj që ishte me të, dhe hëngri edhe ai. Atëherë iu hapën sytë të dyve dhe e panë që ishin lakuriq; kështu ata qepën gjethe fiku dhe bënë breza për t'u mbuluar.( Zanafilla 3 1-7)

Pra, njeriu fatkeqësisht duke e keqpërdorur lirinë e tij i mashtruar nga djalli, një kryengjëll i rrëzuar nga parajsa qiellore dhe "babai i gënjeshtrës" ( Joani 8-44) hëngri frutin e ndaluar të pemës së ndaluar, sepse u tundua në tri tundime egoiste që fruti i pemës ia performonte, si kënaqësitë mishore, lakmia e syve dhe krenaria mendore.

Gjendja mëkatare e papenduar e njeriut pasi hëngri frutin e ndaluar e detyroi Perëndisë ta nxjerrë njeriun nga Edeni, sepse njeriu rrezikonte të hante nga pema e përjetësisë në gjendjen mëkatare dhe kështu të bëhej i pavdekshëm në të keqen, ashtu si djalli dhe demonët e mallkuar përjetësisht ( Zanafilla 3-14): “Dhe Zoti Perëndi tha: "Ja, njeriu u bë si një prej nesh, sepse njeh të mirën dhe të keqen. Dhe tani nuk duhet t'i lejohet të shtrijë dorën e tij për të marrë edhe nga pema e jetës kështu që, duke ngrënë nga ajo, të jetojë për gjithnjë".Prandaj Zoti Perëndi e dëboi njeriun nga kopshti i Edenit, me qëllim, që të punonte tokën nga e cila kishte dalë.Kështu ai e dëboi njeriun; dhe vendosi në lindje të kopshtit të Edenit kerubinët që vërtisnin nga çdo anë një shpatë flakëruese për të ruajtur rrugën e pemës së jetës” ( Zanafilla 3 22-24).

E gjithë kjo ngjarje biblike, edhe pse disa ateistëve, agnostikëve u duket një trill fetarësh, nuk është e tillë, sepse po të vërejmë historikisht njerëzit që nga lashtësia, në fe, art dhe në shkrime e ka trajtuar këtë tragjedi njerëzore.

Ata janë tërhequr nga pemët në mënyrë mistike, madje i kanë adhuruar pemët sidomos ato të gjelbra sepse i shikonin si perënditë që nuk vdesin, p.sh. egjiptasit adhuronin pemën e palmës, grekët, romakët, aziatikët adhuronin bredhin si pema kozmike.

Edhe pse sot dituria është shtuar dhe njeriu ka ekzaminuar se pemët janë bimë pa logjikë, pa fuqi mbinatyrore, përsëri njerëzit i vendosin pemët në qendër të qytetërimit dhe ju vijnë rrethepërqark me rituale fatsjellëse.

E gjithë kjo situatë e përgjithshme nuk është gjë tjetër vetëm ajo ngjarje fillestare e stamposur në subkoshiencën tonë dhe ne fëmijët e Adamit edhe Evës kërkojnë përsëri të shkojmë te zanafilla jonë te kopshti i Edenit dhe të vendosemi përsëri përpara pemës, madje pranojmë të tundohemi dhe të vazhdojmë të gabojmë si çifti i parë njerëzor që i besuan djallit se pema e ndaluar e së mirës dhe së keqes ka dije okulte një fuqi magjike që e bëjnë të pavdekshëm njeriun.

Përvoja e hidhur e njerëzimit tregoi se të ushqyerit nga pema e njohjes së të mirës dhe së keqes errëson arsyen, asgjëson te njeriu dhuntinë e dallimit të së përjetshmes nga kalimtarja, e armiqëson me Perëndinë, Krijuesin dhe çon njeriun drejt kënaqësive kalimtare trupore, një robërie materialiste dhe detyrimisht i shkëputur nga Zoti i jetës, Ati i dritave (Jakovi 1-17), njeriu vazhdon të jetë i mbërthyer në rrethin vicioz të errësirës mendore, vdekjes shpirtërore dhe trupore, duke e kthyer botën në një varrezë kozmike.

Dija edhe jeta njerëzore, nuk ishte te pema e dijes edhe frutat e saj tunduese, por ishte fshehur te porosia e Perëndisë: “mos ha” (Zanafilla 2-17) , në këtë porosi është dija dhe jeta e vërtetë e njerëzve që vjen nga bindja te porositë e Zotit, kjo quhet frikë Perëndie që është parimi i diturisë. (Fjalët e Urta 9-10).

Prandaj tendenca që kanë sot njerëzit të vënë pemë dhe ta quajnë atë si pema e jetës, e Vitit të Ri, që simbolizon gjithë aspiratën e rebelimit njerëzor që të bëhet perëndi pa Perëndinë, është historia e përsëritur, një idhujtari që rivalizon Zotin, një frymë rebele e trashëguar për të mos iu bindur Perëndisë dhe urdhëresave hyjnore jetike “mos”, një përligjje e tri tundimeve djallëzore që përsëriten në kohë edhe hapësirë, e para; lakmisë së syrit që kur nuk ngopet me gjëra materiale ashtu si ferri që nuk ngopet me shpirtra të humbur, sa thuhet: “syri dhe ferri kurrë nuk thonë nuk duam", e dyta ; kënaqësive mishore së bashku me grykësinë aq sa “perëndia e tyre është barku i tyre” (Filipianëve 3:18-19), dhe e treta; krenarisë së jetës, d.m.th. mburrjes së kotë që vjen nga një shkëlqim sipërfaqësor materialist dhe dijes “okulte”, por që në thelb është errësirë mendore, injorancë, dobësi, mjerim vdekësor, por të gjithë në fund të ditës (jetës) pësojnë atë që pësuan edhe të parëkrijuarit Adam edhe Eva, të cilët mbas kafshatës së frutit të ndaluar humbën jo vetëm parajsën tokësore, por humbën arsyen; “sa e ndryshuan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër dhe adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të Krijuesit, që është i bekuar përjetë. Amen”.( Romakëve 1-25)

"Ashtu si nuk u lejua Adami edhe Eva që të marrin nga frutat e pemës së jetës që të bëhen si Perëndia të gjithë ditur dhe të pavdekshëm, po ashtu edhe këta njerëz paganë që kanë idhull pemët nuk do të lejohen ta njohin Perëndinë, sepse; “Idhujt e tyre janë argjend dhe ar, vepër e duarve të njeriut, kanë gojë, por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin,kane veshe por nuk degjojne, kane hunde por nuk nuhasin, kane duar por nuk prekin, kane kembe por nuk ecin; me gryken e tyre nuk nxjerrin asnje ze. Njelloj si ata jane ata qe i bejne, tere ata qe u besojne atyre”( Psalmi 115 ;4-8) .

Zemërimi i Perëndisë zbret mbi ta dhe si turmë dënohen të mbeten në errësirë dhe shkatërohen në pasionet e tyre materialiste shtazore, sepse: "meqenëse nuk e quajtën me vend të njihnin Perëndinë, Perëndia i dorëzoi në një mendje të çoroditur, për të bërë gjëra të pahijshme, duke qenë të mbushur plot me çdo padrejtësi, kurvërim, mbrapshtësi, lakmi, ligësi; plot smirë, vrasje, grindje, mashtrim, poshtërsi,mashtrues, shpifës, armiq të Perëndisë, fyes, krenarë, mburravecë, trillues ligësish, të pabindur ndaj prindërve, të paarsyeshëm, të pabesë, pa dashuri të natyrshme, të papajtueshëm, të pamëshirshëm. Por ata, ndonëse e kanë njohur dekretin e Perëndisë sipas të cilit ata që bëjnë gjëra të tilla meritojnë vdekjen, jo vetëm i bëjnë, por miratojnë edhe ata që i kryejnë."( Romakëve 1;28-31)

Por Pema e Jetës çfarë është?

Në Biblën jashtë Zanafillës, termi "pema e jetës" shfaqet edhe në Fjalët e Urta (3:18; 11:30; 13:12; 15:4) dhe Zbulesa (2:7; 22:2,14,19).

Tek ajo pemë ishte fuqia e pavdeksisë për natyrën njerëzore nga Perëndia dhe pema e jetës i ka dhënë njeriut, dhuntinë për të dalluar atë që është e përjetshme nga ajo që është kalimtare.

Të zbatoje porositë e Perëndisë do të thoshte të ushqeheshe nga pema e jetës, nga hiri i Perëndisë, e kundërta të shkelje porosinë d.m.th. të haje nga pema e ndaluar do të thoshte të shkëputeshe nga Perëndia dhe vullneti i tij jetëdhënës dhe të bëheshe i vdekshëm shpirtërisht edhe trupërisht, ashtu si fatkeqësisht ndodhi dhe vazhdon të ndodhë në kohë dhe hapësirë njerëzore.

Por edhe pse Edeni u mbyll për njerëzit, pema jetës, nuk humbi, pema është e pavdekshme, aja është përsëri midis njerëzve, në mesin tonë, por njerëzit e botës nuk shikojnë si pemë jetë sepse ajo ju duket jo e bukur, madje paradoksale edhe për disa e e frikëshme .

Sot Pema e jetës është kryqi i Krishtit, sepse që kur Biri dhe Fjala e Perëndisë u bë njeri prej Shpirtit të Shenjtë edhe Virgjëreshë Mari, i lindur në Betlehem të Judesë  dhe për shpëtimin tonë në moshën 33 vjeçe u kryqëzua vullnetarisht në Jeruzalem, në drurin e një peme për të shlyer mëkatet e njerëzve, kryqi bëhet automatikisht pema e jetës dhe fruti i saj që jep pavdekësinë është vetë Krishtit, që tha “unë jam buka e jetë” ( Joani 6-35).

Prandaj Kisha Katholike, Apostoklike Orthodhokse himnon me teologji për kryqin e Krishtit: “Ejani popuj, duke parë mrekulli paradoksale, t’i falemi fuqisë së kryqit, se një dru në parajsë nxori si lastar vdekjen, ndërsa ky lulëzoi jetën, duke pasur Zotin e pamëkatshëm të gozhduar nga kryqi ne, gjithë kombet vjelim paprishjen dhe thërrasim: Lavdi ty që nëpërmjet kryqit shfarose vdekjen dhe na çlirove.”

Shumë njerëz madje edhe të ashtuquajtur të krishterë heterodoks mund të skandalisen me kryqin dhe simbolikën e tij si pema e jetës, sepse ata akoma shikojnë te kryqi mjetin e torturës dhe e kanë hequr nga jeta e tyre adhuruese kryqin, prandaj edhe pema e krishtlindjes që u shfaq në shekullin e 16 nga protestanti Martin Luteri jo rastësisht nuk ka sipër saj kryqin e Krishtit.

Për të krisherët orthodhoks edhe pse para Krishtit kryqi ishte një mjet torture nga paganët, si fenikasit, romakët, ai nuk është më i tillë, përkundrazi, që atëherë, kur mbi Kryqin u mbërthye dhe vdiq për shpëtimin e botës vet Perëndia, Zoti ynë Jisu Krisht, ky mjet i dënimit u bë mjet i shpëtimit. “…Nuk është më masë dënimi, por trofe i shpëtimit tonë u bë”, thotë një tropar i Kishës Orthodhokse.

Objekti i turpit u bë lavdia e Kishës. Simboli i mallkimit u bë “shpërblesë e mallkimit të lashtë”. Druri i vuajtjes dhe i vdekjes, u bë “shenjë e gëzimit” dhe “thesarmbajtës i jetës”,ashtu siç shkruan Shën Krisostomi (Gojarti) ky ati i madh i Kishës Apostolike shekulli i 4: “Ky simbol i mallkuar dhe i neveritshëm i dënimit më të rëndë, tani është bërë i dashur dhe i shtrenjtë. E sheh kudo: në Tryezën e Shenjtë, në hirotonitë e priftërinjve, në Liturgjinë Hyjnore; në shtëpitë, në tregjet, në shkretëtirat dhe në rrugët; në detet, në anijet dhe në ishujt; në krevatet dhe në veshjet; në martesat, në gostitë, në enët e arta dhe të argjendta; në stolitë dhe afresket… Kaq i shtrenjtë u bë për të gjithë kjo dhuratë e mrekullueshme, ky hir i papërshkruar”.

Kisha Orthodhokse nuk nderon Kryqin në vetvete, si një figurë të thjeshtë, të shkëputur nga Zoti i kryqëzuar. Kjo do të ishte me të vërtetë idhujtari. Por e nderon si simbolin e flijimit të madh të Krishtit, nga i cili rrjedh hiri, shenjtërimi dhe shpëtimi i njeriut. E pranon dhe i falet si shenjën e Birit të njeriut (Matth. 24:30), që ka marrë, siç e thamë, në mënyrë mistike dhe të pakonceptueshme, hirin dhe fuqinë e Tij.

Himnologjia e Kishës Orthodhokse është shumë teologjike kur himnon kryqin si mjet shpëtim: “Kryqi yt, o Zot, edhe pse duket dru në thelb, është i veshur me pushtet hyjnor; edhe pse është i dukshëm në botë, shpirtërisht bën mrekullinë e shpëtimit tonë…”.

Sot, kryqi mbizotëron në të gjithë jetën e besimtarëve të krishterë, në të gjithë jetën e Kishës Orthodhokse ; në të gjithë performancën e sajë si shtëpi e Perëndisë. Kryqi është si mjet flijimi, shpëtimi, gëzimi, shenjtërimi dhe hiri. Të krishterët besojnë se nuk ka asgjë të  mirë Perëndie që vjen tek njeriu madje edhe  tek engjëjt  pa shenjën e kryqit , sepse Kryqi është gjerësia, gjatësia, lartësia dhe thellësia në infinit e Perëndisë në krijim kozmik si në qiell edhe në tokë, prandaj Kisha Orthodhokse përsëri himnon me kuptim: "Kryqi, ruajtësi i gjithë botës;Kryqi, bukuria e Kishës; Kryqi, fuqia e mbretërve;Kryqi, mbështetja e besimtarëve;Kryqi, lavdia e engjëjvedhe plaga e demonëve ".

Paganët që kërkojnë në injorancën e tyre primitive të adhurojnë deri më sot pemët dhe pa dije të perëndishme, nuk duan të dëgjojnë madje e urrejnë kryqin shenjën e Birit të njeriut, ( Mateu 24 -30), kanë një lloj justifikimi sepse aq dinë, aq bëjnë, por si ata të ashtëquajtur të “krishterë” u duket e gabuar dhe nuk e vënë shenjën e kryqit mbi një pemë bredhi, kur duan t’ia dedikojnë Krishtlindjes, d.m.th. Krishtit, si Pema e jetës.

Ata justifikohen dhe thonë se nuk është i nevojshëm kryqi, sepse pema edhe ylli mjaftojnë, por ne dimë se simbolikat shprehin një doktrinë. 

Kush do të thotë se ylli është simbol i Krishtit, por kush mund të thotë se një pemë bredhi pa një kryq është një simbol i krishterë dhe aq më shumë, si na e tregon ikonografisht se Krishti lindi në Betlehem të Judesë?

Ndoshta ata protestantë me pemën e bredhit kërkojnë të tregojnë se Krishti lindi poshtë një peme në kohë dimri?

Nuk është e vërtetë se Krishti ka lindur si njeri në kohë dimri, as në muajin dhjetor, por sipas edhe dëshmive ungjillore mund të këtë lindur në pranverë d.m.th. mars-prill, sepse barinjtë ishin jashtë me tufat e tyre kur u lajmëruan nga engjëlli: " Sot në qytetin e Davidit ka lindur për ju një Shpëtimtar që është Krishti Zoti". ( Luka 2-11)

Krishtlindja si ditë festive është vendosur në 25 dhjetor nga kisha Apostolike në shekulli e IV, për të balancuar festën e Diellit (deus sol inviktus) që e festonte perandoria romake, sepse për Kishën nuk ka rëndësi dita kalendarike e Krishtlindjes, por ngjarja mbinatyrore që duhet ta festojnë të gjithë njerëzit nën diell.

Krishti me sa dimë nga ungjillorët nuk ka lindur poshtë një pemë por në një stallë, dhe u vendos nga Hylindësja Zonja Shën Mari në grazhdin e kafshëve se nuk kishte vend tjetër më të pastër për rrethanat e momentin.( Luka 2-16)

Atëherë çfarë lidhje ka një pemë bredhi në lidhje me Krishtlindjen?

Askush nuk mund të thotë, teologjikisht, historikisht se pema e bredhit ka lidhje autentike me Krishtlindjen, por e dimë se pema u vendos nga protestantët si një kundërvënie e traditës ikonografike, dhe improvizimit të grazhdit ku lindi Krishti, traditë që nga shekujt e parë të Kishës Apostolike.

N.q.s. ne jemi të fiksuar për të vendosur një pemë bredhi si simbol i pemës së jetës, edhe kjo zgjidhje nuk është korrekte sepse edhe pse pema e jetës ose pema botërore dhe imazhi i saj gjenden pothuajse në të gjitha mitologjitë e botës dhe kjo lidhet sipas traditës popullore me palmën ose bredhin, nuk është aspak biblike, sepse nuk na thuhet në Bibël se bredhi ështe pema e jetës, kjo ishte besëtytni e paganëve skandinavë që i shikonin pemët jeshile gjatë gjithë vitit si të pavdekshme, simbole të përjetësisë, ose pjellorisë.

Në Bibël, në librin e Zanafillës për kopshtin e Edenit nuk përmendet as një llojë peme, veçse fikut, (Zanafilla 3-7), prandaj  Luteri e mori bredhin si simbol nga mitologjia pagane dhe kjo nuk është aspak Biblike që ne të jemi kaq të fiksuar se duhet patjetër si simbol për Krishtlindje.

Vërtetë Kisha Apostolike ka marrë festa dhe simbole pagane dhe i ka krishterizuar duke u vënë emrin dhe simbolin e Krishtit, kryqin, prandaj n.q.s. do t'i japësh një peme të gjelbër imazhin e një peme jete duhet vendosur kryqi, sepse vetëm kryqi është pema e jetës dhe shenja e Krishtit, si Zoti i jetës.

Duhet ta dini se frikë nga kryqi kanë vetëm demonët, hertikët, ateistët, hipokritët, viktima edhe bashkëpunëtorë të djallit të cilët me dije, pa dije janë armiq të kryqit: “për të cilët ju thashë juve shumë herë, edhe tani duke qarë po ju them, ata janë armiqtë e Kryqit të Krishtit, fundi i të cilëve është humbja” (Fil. 3:18). 

Shën Joani i Kronshtadit shkruan: “Kryqi është ikonë e Krishtit të kryqëzuar, Birit të Perëndisë. Prandaj, edhe shenja e Kryqit, madje edhe vetëm hija e tij, u shkakton tmerr demonëve, sepse është shenja e Krishtit, sepse është streha e të Kryqëzuarit. Prandaj, mjafton të zhytësh Kryqin në ujë, për ta shenjtëruar atë. Pas kësaj, uji bëhet shërues dhe largon demonët”.

Pikërisht për këtë arsye kryqi dhe vetëm kryqi është shenjë shpëtimtare, shenjë jetëdhënëse, shenjë shenjtëruese, “armë fitimtare” (Shën Sofroni i Jerusalemit), “mbrojtës nga të këqijat” (Shën Grigori i Nissës), “kapital i gjithë të mirave”. (Shën Joan Gojarti)

Miq edhe vëllezër edhe motra në Krishtin ne jemi të lirë të zgjedhim ashtu si kishin mundësi të zgjidhnin edhe të parakrijuarit, ose t'i bindemi Perëndisë dhe të hamë nga frutat e pemës së jetës që sot janë Misteret e Kishës dhe veçanërisht Kungata hyjnore (Trupi dhe gjaku i Krishtit) ashtu si Krishti urdhëron “Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit” (Joani 6-54), ose të rebelohemi dhe të  tundohemi nga pema e tundimit, frutat e ndaluar, lakmia e syve, lakmia mishit, krenaria e jetës, të hamë e të pimë se nesër do vdesim. 

Nga të dyja pemët nuk mund të hamë njëkohësisht sepse Krishti thotë: “Kush nuk është me mua, është kundër meje. Kush nuk mbledh me mua shpërndan” (Mateu 12:30)

Eva edhe Adami u privuan nga pema jetës sepse zgjodhën pemën e tundimit, sepse iu duk e dëshirueshme për të bërë të lumtur, por u gënjyen me pasoja katastrofike deri më sot, sepse paga e mëkatit është vdekja.

Kujdes mund të bëni një pemë të bukur me drita, me shkëlqim, me dhurata, por pa kryq edhe thoni kjo është pema e jetës dhe unë do të ha nga frutat e saj dhe do jetoj, po gënjeheni shumë nga djalli, mos harroni se ku nuk ka kryq nuk është jeta, por vdekja dhe ajo nuk është pema e jetës, por pema e tundimit që kush ha nga frutat e saj me siguri ka për të vdekur (shpirtërisht). (Zanafilla 2 :16 -17)

Edhe pse për shumë kryqi i Krishtit nuk u duket si pema e jetës sepse ju kujton vdekjen, dhe ju duket skandal edhe marrëzi, ne të krishterët orthodhoksë vazhdojmë me dashuri dhe të vërtetë: “predikojmë Krishtin të kryqëzuar, skandal për judenjtë dhe marrëzi për grekët, kurse për ata që janë të thirrur, qofshin judenj ose grekë, predikojmë Krishtin, fuqia e Perëndisë dhe diturinë e Perëndisë; (1 korintasve 1 23-24)

Dhe bashkë me Apostullin e kombeve Pavlin themi: “Po për mua, qoftë larg të mburrem për tjetër gjë, veç për Kryqin e Zotit tonë Jisu Krisht, me anë të të Cilit bota është kryqëzuar tek unë, edhe unë te bota” (Galatasve. 6:14)./ CNA





23:13 Blog

Misteri i Mossadit

Shërbimi i inteligjencës së jashtme të Izraelit, i njohur ...

Lajmet e fundit nga