web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Zjarri në Parkun e Prespës/ Drejtori i ADZM-së: Po punojmë për të ndaluar depërtimin e flakëve në Podgorie

27 Korrik 2025, 10:12, Aktualitet CNA

Zjarri në Parkun e Prespës/ Drejtori i ADZM-së: Po punojmë

Prej pasdites së djeshme, një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë Parkun Kombëtar të Prespës, në Bashkinë e Pustecit. Flakët u përhapën në një zonë të pyllëzuar dhe me terren të thepisur, duke vështirësuar ndërhyrjen nga toka. 

Që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, mbi 70 forca janë angazhuar në terren, përfshirë punonjës të zjarrfikëses, të zonave të mbrojtura, vullnetarë, si dhe forca të armatosura.

Ndërhyrja është përqëndruar në tre fronte, ku grupet janë vendosur për të parandaluar përhapjen e zjarrit drejt Podgories, një zonë me rrezik të lartë.

Drejtori i AdZM, Gjergji Koki, thekson se është përdorur edhe teknologji ajrore, si dronë, për të monitoruar situatën në kohë reale dhe për të drejtuar më saktë forcat në terren. Ndërkohë, transporti i ujit është bërë me kafshë ngarkese, për shkak të mungesës së aksesit rrugor.

"Prej orës 4 të mëngjesit, rreth 75 forca burime njerëzore, të përbërë nga mzsh Pustec, vullnetarë, administrata e zonave të mbrojtura, por dhe nga forcat e armatosura, janë shpërndarë në terren. Aktualisht po punojmë në tre fronte, ai sipëror ku grupet kanë qenë që në mëngjes në një terren shumë të vështirë për të parandaluar depërtimin në pjesën e pasme në zonën e Podgories që do të ishte një katastrofë nëse do depërtojë zjarri aty.

Ndërkohë dy grupe të tjera kanë bërë izolimin anësor të zjarreve. Aktualisht njëra nga vatrat paraqet rrezikshmëri, aty janë përqëndruar të gjitha forcat tona ndërkohë jemi duke bërë një rikonicion me dron i cili na jep një informacion në kohë reale nga territori e më pas përqëndrojmë burimet njerëzore.

Shpresoj të bëjmë të mundur që para orës tre të mesditës, që është orari më i rrezikshëm për përhapjen e zjarreve, të bëjmë të mundur parandalimin në një terren shumë të vështirë sepse edhe dërgesat e ujit janë bërë me kafshë samari, në kushte shumë të vështira.

Shpresoj që neutralizimi në një kohë të hershme të parandalojë e mos të kemi më situata të agravuara të zjarrit në Parkun Kombëtar të Prespës."

Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë Pustec, Pali Kolefski, bën të ditur se situata është më e qetë, por mbetet nën vëzhgim, me shpresën që era të mos ndihmojë përhapjen e flakëve. Sipas tij, nuk ka ende një vlerësim përfundimtar të sipërfaqes së djegur, por mendohet të jetë rreth 10 deri në 15 hektarë.

"Situata është pak më e qetë, po e monitorojmë dhe shpresojmë që era të mos favorizojë përhapjen e ndonjë vatre të mundshme. Të gjithë punonjësit e zjarrfikëses, të zonave të mbrojtura dhe të shërbimeve janë në terren dhe shpresoj që sot ta mbyllim. Një vlerësim të saktë të sipërfaqes momentalisht nuk kemi, por besoj se është gati 10-15 hektarë."

Autoritetet shpresojnë që ndërhyrja intensive dhe në kohë të mund të frenojë përhapjen e mëtejshme të zjarrit, përpara mesditës, kur rreziku është më i madh për shkak të temperaturave të larta dhe erës së fortë./ CNA





Lajmet e fundit nga