web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

VËZHGIMI I CNA-së NË TERREN/ Sa kohë kursehet me hapjen e aksit Qukës-Qafë Plloçë?

13 Shtator 2025, 14:01, Aktualitet CNA

Më 5 shtator 2025, u hap zyrtarisht për qarkullim segmenti i shumëpritur rrugor Qukës–Qafë Plloçë, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore të dekadës së fundit në Shqipëri. Kjo rrugë, me gjatësi 43 km, u projektua për të lidhur më shpejt zonën juglindore me Tiranën dhe për të ofruar një alternativë më të sigurt e më të shkurtër ndaj rrugës së vjetër, me kthesa të rrezikshme.

Punimet për këtë aks nisën në vitin 2009, por segmenti ka kaluar nëpër një sërë peripecish, si vonesa, ndërprerje, ndryshime kontratash dhe problematika financiare, për t’u përfunduar vetëm pas 16 vitesh. Kostoja përfundimtare e rrugës ka arritur në rreth 240 milionë dollarë, duke e bërë atë një ndër investimet më të kushtueshme në infrastrukturën rrugore.

Për të kuptuar ndikimin real të këtij aksi në lehtësimin e lëvizjes, gazetarja Iris Rezhda, së bashku me stafin e CNA-së ndërmorën një udhëtim nga Korça drejt Tiranës, për të matur kohën dhe distancën e përshkruar me hapjen e segmentit të ri.

VËZHGIMI I CNA-së NË TERREN/ Sa kohë kursehet me hapjen e

“Po nisemi nga qyteti i Korçës drejt Tiranës. Do të jetë pikërisht CNA TV, ai që do të sjellë për shikuesit të gjithë këtë udhëtim, për të parë se sa do të jetë kohëzgjatja duke kaluar nga segmenti i ri Qafë Plloçë - Qukës, e më pas do t’iu përditësojmë me të gjitha ndalesat gjatë gjithë rrugës për në kryeqytet.”

Udhëtimi nisi nga qyteti i Korçës duke ndjekur fillimisht rrugën nacionale, një trase që për vite me radhë ka qenë e vetmja lidhje e juglindjes me kryeqytetin. Pas 31 km dhe 30 minutash udhëtim, arritëm në hyrje të segmentit të ri Qafë Plloçë–Qukës.

VËZHGIMI I CNA-së NË TERREN/ Sa kohë kursehet me hapjen e

“Pas 31 km, mbërrijmë në hyrje të segmetit të ri Qafë Plloçë - Qukës. Kemi përshkuar deri tani 30 minuta rrugë. Do të shohim në vazhdim se sa do të zgjasë ky segment deri në Qukës.”

VËZHGIMI I CNA-së NË TERREN/ Sa kohë kursehet me hapjen e

Segmenti Qafë Plloçë–Qukës është një ndërhyrje transformuese për rajonin juglindor. Ai shmang një rrugë të vjetër, me kthesa të shumta që ishin rrezik për aksidentet rrugore, duke krijuar një itinerar të ri më të shpejtë dhe më të sigurt. Aksi krijon edhe një mundësi të re për zhvillimin ekonomik dhe turistik, pasi lehtëson aksesin drejt Korçës dhe më gjerë.

“Sapo kemi mbërritur në fund të segmentit të ri, pikërisht në Qukës. Që prej nisjes në Qafë-Plloçë deri më tani, kemi përshkuar 41 km, ndërsa si periudhë kohore ka arritur në 45 minuta. Nëse do të llogarisim që prej nisjes nga qyteti i Korçës, në total deri më tani janë përshkuar 72 km dhe si periudhë kohore ka arritur në 1 orë e 15 minuta.”

VËZHGIMI I CNA-së NË TERREN/ Sa kohë kursehet me hapjen e

Më pas, udhëtimi vijoi drejt Librazhdit, një ndër pikat më të rëndësishme të itinerarit në aksin që të çon në Elbasan dhe më tej në kryeqytet. Librazhdi po ashtu pritet të përfitojë nga ky investim, pasi fluksi i udhëtarëve dhe qarkullimi i mallrave do të rritet ndjeshëm.

“Sapo kemi mbërritur në qytetin e Librazhdit. Kemi përshkuar deri më tani një distancë prej 20 km për 23 minuta. Prej nisjes nga qyteti i Korçës, deri tani kemi bërë 92 km me një distancë kohore prej 1 ore e 38 minutash.”

Në segmentin Librazhd–Elbasan, udhëtimi u ngadalësua për shkak të punimeve që vijojnë. Drejtuesit e mjeteve duhet të jenë të kujdesshëm, pasi sinjalistika e përkohshme për shkak të punimeve, vështirëson qarkullimin.

VËZHGIMI I CNA-së NË TERREN/ Sa kohë kursehet me hapjen e

“Ndalesa e radhës është qyteti i Elbasanit. Pas një distance prej 24 km nga Librazhdi, kemi mbërritur dhe e kemi bërë këtë rrugë për 37 minuta. Vonesa ka pasur për shkak të punimeve që po kryhen në segmentin e ri që do të lidhë Librazhdin me Elbasanin dhe për shkak të shpejtësisë së reduktuar në këtë segment rrugor.”

VËZHGIMI I CNA-së NË TERREN/ Sa kohë kursehet me hapjen e

Pavarësisht punimeve, udhëtimi vijoi normalisht drejt Tiranës, ku u mat distanca totale dhe koha, në respektim të kufizimeve rrugore të vendosura nga ARRSH, për të përfunduar kështu të gjithë itinerarin e nisur nga Korça.

“Sapo mbërritëm në Tiranë, në destinacionin final. Nga nisja në qytetin e Korçës, duke kaluar përmes segmentit të ri rrugor Qafë Plloçë - Qukës, e kemi bërë distancën në total prej 158.2 km, ndërsa në kohë ka arritur në 2 orë e 45 minuta, duke respektuar të gjitha kufizimet rrugore të vendosura nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Para hapjes së segmentit të ri, distanca për në kryeqytet arrinte deri në 167 km dhe sa i përket orës së mbërritjes, do të ishte 3 orë e 20 minuta. Sot kjo distancë shkurtohet me 14 km dhe po ashtu me 30 minuta në kohë. Nëse pretendohet se distanca nga Korça drejt kryeqytetit do të bëhet për 2 orë, kjo ndodh vetëm me drejtuesit e mjeteve të cilët shkelin rregullat e qarkullimit rrugor. Ndër të tjera, kujtojmë se vijojnë ende punimet në segmentin Qukës - Elbasan dhe në përfundim të të gjithë bypass-it, koha që do të duhet nga Korça drejt Tiranës do të jetë 1 orë e 30 minuta.”

VËZHGIMI I CNA-së NË TERREN/ Sa kohë kursehet me hapjen e

Vëzhgimi në terren i CNA-së tregon se, edhe pse rruga është tashmë e hapur, koha reale e udhëtimit nga Korça në Tiranë është 2 orë e 45 minuta, duke respektuar kufizimet e qarkullimit. Përfitimi aktual është një kursim kohe prej 30 minutash dhe 14 km më pak në distancë, krahasuar me rrugën e vjetër.

Kostoja për këtë investim ka kaluar 240 milionë dollarët, ndërsa mbeten ende për t’u përfunduar punimet në segmentin Qukës–Elbasan dhe lidhja me Bypass-in e Elbasanit. Pritshmëritë janë që, pas përfundimit të të gjithë infrastrukturës mbështetëse, udhëtimi të bëhet për 1 orë e 30 minuta.

Deri atëherë, ky investim mbetet një përmirësim për lidhjen e juglindjes me pjesën tjetër të vendit, megjithëse përmbushja e plotë e premtimeve kërkon ende kohë deri në përfundimin e plotë të punimeve të mbetura për Korridorin VIII, një nga korridoret pan-europiane që pritet të lidhë Adriatikun me Detin e Zi./ CNA





Lajmet e fundit nga