web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Takimi "Oscare la pace"/ Mesazhi i Fortlumturisë së Tij, Joanit: Plani që shpërfill Krijuesin, bëhet burim ndarje

27 Tetor 2025, 19:36, Aktualitet CNA

Takimi "Oscare la pace"/ Mesazhi i Fortlumturisë së Tij,

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Joani po merr pjesë në takimin ndërkombëtar me temë: “Osare la pace”, që zhvillohet nga 26-28 tetor 2025 në Romë.

Ditën e sotme, Fortlumturia e Tij ka mbajtur referatën e tij me temë “Rizbulimi i rrugës drejt bashkimit të krishterë”.

Takimi synon të nxisë dialogun ndërfetar, bashkëjetesën dhe solidaritetin mes popujve në kohë tensioni e konflikti global, me pjesëmarrën nga 55 vende të botës.

Gjatë fjalës së mbajtur, Kryepiskopi dha një sërë mesazhesh të rëndësishme, ku tha se çdo plan njerëzor për bashkim duke sahpërfillur Krijuesin, bëhet burim i ndarjes më të thellë.

Më tej, Kryepiskopi u shpreh se bashkimi real dhe i qëndrueshëm është aiqë bazohet në rivendosjen e marrëdhënies sonë me Perëndinë.

Fortlumturia e Tij në referatën e mbajtur bëri thirrje për të jetuar një jetë të shenjtë që i afron besimtarët me Perëndinë dhe njëri-tjetrin dhe i ftoi të ecet në rrugën e bashkimit të krishterë.

 

Fjalimi i plotë

 

RIZBULIMI I RRUGËS DREJT BASHKIMIT TË KRISHTERË

I. Tema e bashkimit të krishterë përbën një veprim të guximshëm që lidhet drejtpërdrejt me kërkimin e paqes në botën tonë. Për të kuptuar udhëtimin drejt bashkimit, duhet së pari të diagnostikojmë rrënjën e ndarjes. Le të qëndrojmë pak në historinë e ndarjes. Ndarja e parë dhe më tragjike ndodhi kur njeriu u largua nga Krijuesi i tij. Dyshimi i prindërve tanë të parë, i themeluar në egoizëm, depërtoi shpirtin njerëzor përmes kundërshtarit. Kjo thyerje e besimit ndaj Perëndisë së dashurisë u bë burimi i çdo ndarjeje të mëvonshme.
Historia e njerëzimit është mbushur me ndarje të vazhdueshme që burojnë nga kjo thyerje fillestare. Vdekja e parë trupore në historinë biblike nuk është natyrore, por vrasje. Kaini vret Abelin. Mëkati thyen marrëdhëniet, shpërbën lidhjet, mbjell urrejtje atje ku Perëndia mbolli dashuri.
Pika kthesë e kësaj trajektoreje tragjike është Kulla e Babelit. Atje dëshmojmë diçka të habitshme: Vetë Perëndia zbret dhe krijon ngatërresë gjuhësh, duke e ndarë njerëzimin në kombe. Pse? Sepse përpjekja e njeriut për të krijuar bashkim pa Perëndinë, e bazuar në krenari dhe vetëhyjnizim, ishte e dënuar të çonte në katastrofë edhe më të madhe. Babeli zbulon një të vërtetë themelore: çdo plan njerëzor për bashkim, që shpërfill Krijuesin, në mënyrë të pashmangshme bëhet burim i ndarjes më të thellë.
Ndarja e Babelit u bë shkak i të gjitha luftërave dhe konflikteve në histori. Që atëherë, çdo komb, çdo gjuhë, çdo kulturë u bë mur ndarjeje. Por duhet të kuptojmë më thellë: ndarja e kombeve erdhi si pasojë e ndarjes së njerëzimit nga kungimi hyjnor. Kur njeriu humbi marrëdhënien vertikale me Perëndinë, ai pashmangshmërisht humbi marrëdhënien horizontale me të afërmin e tij. Ky kuptim themelor e bën të qartë se perspektiva e krishterë nuk njeh bashkim dhe paqe pa Perëndinë. Ky është themeli mbi të cilin duhet të diskutojmë çdo përpjekje për bashkim nëse dëshirojmë të jemi të qëndrueshëm me atë që pohojmë dhe shpallim.
Analogjia e shën Dorotheut të Gazës shpreh thjesht dhe qartë idenë se sa më afër i afrohemi Perëndisë, aq më afër i afrohemi njëri-tjetrit. Ai shkruan: Supozoni se do të merrnim një kompas dhe të vendosnim majën dhe të vizatoninim perimetrin e një rrethi. Pika qendrore është në të njëjtën distancë nga çdo pikë në perimetër. Le të supozojmë se ky rreth është bota dhe se Vetë Perëndia është qendra; vijat e drejta të vizatuara nga perimetri në qendër janë jetët e njerëzve. Në masën që shenjtoret hyjnë në gjërat e Shpirtit, ata në fakt i afrohen Perëndisë dhe të afërmit të tyre. Sa më afër janë me Perëndinë, aq më afër bëhen me njëri-tjetrin.
Nga kjo marrëdhënie vertikale e dashurisë me Perëndinë rrjedh marrëdhënia horizontale e dashurisë së vërtetë dhe bashkimit midis nesh.

II. Çdo përpjekje për bashkim dhe paqe, e bazuar vetëm në përpjekjet njerëzore që nuk parasupozon një marrëdhënie të shëndetshme me Perëndinë e dashurisë është e dënuar të dështojë. Çdo veprim që përmban hakmarrje dhe urrejtje, edhe nëse sipërfaqësisht duket bashkues, në realitet sjell ndarje. Dhuna lind dhunë, urrejtja lind urrejtje, imponimi lind rezistencë. Kur njeriu mendon se është zot absolut i jetës së tij, kur refuzon çdo referencë transhendenteje, kur dëshiron të ndërtojë parajsën në tokë pa Perëndinë e dashurisë, atëherë ai krijon një ferr të ri. Ky bashkim nuk do të realizohet kurrë, sepse shpërfill një të vërtetë themelore: jeta njerëzore është hapësira dhe atmosfera që Perëndia ka dhuruar nga Vetë jeta e Tij dhe vetëm dashuria mund të bashkojë vërtet, dhe dashuria rrjedh vetëm nga Perëndia.
Pendikostia është anti-Babeli. Atje, Shpirti i Shenjtë nuk shkakton ngatërresë, por bashkon në polifoni. Popujt dëgjojnë Ungjillin e njëjtë, secili në gjuhën e vet. Kisha lind si Trupi i Krishtit, si hapësira e bashkimit të vërtetë që ka Perëndinë si udhëheqës, mbret dhe udhërrëfyes të saj. Dhe lind pyetja kritike: Pse atëherë, pas zbritjes së Shpirtit të Shenjtë në Pendikosti, ku Kisha lind si kungim i bashkimit dhe marrëdhënies me Perëndinë në Krishtin, nuk është arritur bashkimi përfundimtar? Ne e dimë përgjigjen: Megjithatë, - na qorton Zoti - kam këtë kundër teje, se ke lënë dashurinë tënde të parë (Zbul. 2:4).
Bashkimi i krishterë nuk është thjesht një dëshirë njerëzore, por lutja përfundimtare e Vetë Zotit tonë. Në Lutjen e Tij Kryepriftërore, pak para Pësimit të Tij, Krishti lutet tek Ati: që të gjithë të jenë një, ashtu si Ti, o Atë, je në Mua, dhe Unë në Ty; që edhe ata të jenë një në Ne (Jn. 17:21). Bashkimi i besimtarëve ka si model bashkimin e Trinisë së Shenjtë. Ky nuk është një bashkim i jashtëm, administrativ, por një kungim ontologjik i dashurisë. Dhe Zoti shton arsyen: që bota të besojë se Ti më ke dërguar (Jn. 17:8). Bashkimi ynë është dëshmia më e fuqishme për botën e së vërtetës së Ungjillit.
Kjo është arsyeja pse ndarjet midis të krishterëve janë një skandal kaq i madh për botën. Ne nuk zhgënjejmë thjesht njerëzit - ne zhgënjejmë lutjen e Krishtit! Si mund të shpallim Perëndinë e dashurisë, kur nuk mund të duam njëri-tjetrin? Si mund të flasim për paqen dhe bashkimin, kur luftojmë ndërmjet nesh për ndryshime administrative? Feja e vërtetë nuk është vetëm besim i drejtë, por edhe dashuri e drejtë. Pa dashuri, feja bëhet shkronjë e vdekur që vret në vend që të japë jetë.

III. Bashkimi i vetëm real dhe i qëndrueshëm është ai që themelohet në rivendosjen e marrëdhënies sonë me Perëndinë. Vetëm përmes kësaj rivendosjeje mund të hapim rrugën drejt bashkimit të krishterë, sepse bashkimi i të krishterëve nuk do të vijë përmes marrëveshjeve politike ose negociatave diplomatike, por përmes një kthimi të përbashkët te burimi: përulësia, pendimi dhe dashuria. Kur gjunjëzohemi së bashku përpara Kryqit, kur pranojmë mëkatshmërinë tonë të përbashkët, kur kërkojmë ndjesë nga Perëndia dhe nga njëri-tjetri, atëherë do të zbulojmë se jemi tashmë të bashkuar në Gjakun e Krishtit. Bashkimi i krishterë nuk është i njëjtë me uniformitetin; është një lidhje e thellë shpirtërore që respekton larminë brenda trupit të besimtarëve.
Guximi i vërtetë për paqen dhe rizbulimin e rrugës drejt bashkimit të krishterë sot nuk është të projektojmë një bashkim tjetër, të bazuar vetëm në përpjekjet njerëzore, ose përpjekje për të krijuar një Babel të ri, por të guxojmë të vendosim përsëri Perëndinë në qendër të jetëve tona. Bashkimi që kërkojmë nuk është thjesht një arritje njerëzore, por një dhuratë hyjnore. Ai vjen kur hapim zemrat tona për hirin e Tij, kur bëhemi instrumente të dashurisë së Tij, kur lejojmë Shpirtin e Shenjtë të na shndërrojë, nga individë të ndarë, në gjymtyrë të një Trupi të Krishtit. Të pranojmë se Ai është Zoti dhe se pa Të nuk mund të bëjmë asgjë. Sepse pa Mua nuk mund të bëni asgjë, thotë Zoti (Jn. 15:5).
Të dashur motra dhe vëllezër! Le të jetojmë një jetë të shenjtë që do të na afrojë me Perëndinë dhe kështu do të jemi më afër njëri-tjetrit dhe le të guxojmë të ecim në rrugën e bashkimit të krishterë, që është fryt i drejtësisë dhe dashurisë së Perëndisë dhe dashurisë për të afërmin tonë./CNA





Lajmet e fundit nga