web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Strategjia e zvarritjes e Veliajt/ Kush do të sëmuret në seancën e nesërme në GJKKO?!

6 Korrik 2026, 16:19, Aktualitet CNA

Ditën e nesërme është planifikuar seanca e radhës në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndaj Erion Veliajt.

Pyetja që lind pas vonesave njëvjeçare të gjykimit të kryebashkiakut të Tiranës është, kush do të sëmuret nesër? Seanca do të shtyhet dhe ky është një fakt tashmë që e shohim sa herë Veliaj duhet të përballet me provat dhe dëshmitarët në GJKKO.

Zvarritja e proceseve gjyqësore ndaj tij është shndërruar në një strategji të qëllimshme dhe kjo është e qartë, mjetet janë të ndryshme, që nga sëmundjet, aksidentet, dosjet, kafazi i xhamit etj., të gjitha kanë një qëllim: shmangien e drejtësisë dhe vonesën e procesit.

Faktet

Më 3 korrik 2026, seanca në Gjykatën Administrative për padinë e Veliajt ndaj prokurorit Ols Dado u shty pasi avokati Plarent Ndreca mungoi me pretendimin se djali i tij ishte sëmurë. Kjo situatë pason një seri zvarritjesh në GJKKO, ku Ndreca ka përdorur si justifikime aksidentet e kolegëve apo sëmundjet e tij personale. Strategjia e mbrojtjes së Veliajt ka qenë e larmishme dhe sistematike me skema dhe skenarë që nuk ndalen, por në fakt ato tregojnë se zvarritja e procesit është një strategji ndoshta dhe frikë pasi Veliaj dhe avokatët e dinë mirë çfarë provash kanë në dosje.

Më poshtë po ju sjellim disa prej këtyre preteksteve:

Fillimisht u përjashtuan avokatët Artan Gjermëni dhe Ermir Beta më 12 dhjetor 2025. Më pas mbrojtja kërkoi kohë shtesë për t'u njohur me akte që i dispononin prej korrikut, duke shkaktuar shtyrje më 28 tetor, 12 dhe 17 nëntor, si dhe 2 e 5 dhjetor 2025. Gjithashtu, seancat e 29 shtatorit, 10 tetorit dhe 21 tetorit 2025 u shtynë për arsye që varionin nga mungesa e njoftimit të të pandehurve deri te bojkotet e avokatëve.

Pas fillimit të gjykimit në themel, seanca e 5 janarit 2026 u shty me pretekstin për dërgimin me vonesë të akteve, ndërsa ajo e 19 janarit u shty pasi Veliaj kërkonte kontakt me avokaten e caktuar nga gjykata, Valentina Teodoresku. Për më tepër, janë përdorur pretendime të pabaza për mosshoqërimin nga Drejtoria e Burgjeve apo kushtet e qëndrimit në “kafazin e xhamit”, të cilat janë hedhur poshtë nga institucionet.

Këto seanca pambarimisht vetëm shtyhen dhe shtyhen dhe nuk janë gjë tjetër veçse një kosto e madhe financiare. Erion Veliaj, përveç faturave të majme dhe akuzave për korrupsion ka edhe këto faturat e tjera, gjyqtarë, prokurorë, avokatë që duhen paguar.

Këta të fundit i paguan vëllai, Arbri, së bashku me lobimet qindra mijëra dollarëshe në SHBA me mashtrime se prokurori Ols Dado është aktivist i PD-së apo ka kërkuar shtesë lejeje dhe nuk i është dhënë (ky dokument nuk u nxor kurrë).

Një pjesë e madhe e këtyre gjyqeve paguhen nga taksat e shqiptarëve, janë dhjetëra seanca që shtyhen dhe gjyq që zgjat pafund, në fakt këto kosto s'duhet t'i kenë më shqiptarët.

Është bërë një vit që është dorëzuar dosja nga SPAK-u në GJKKO, ndërkohë Veliaj vijon skemat: hiq avokat, vendos avokat, avokatë që sëmuren dhe shumë pretekste të tjera vetëm e vetëm për të mos u zhvilluar procesi gjyqësor normalisht.

Veliaj demonstron standarde të dyfishta duke shmangur seancat penale, ndërkohë që paraqitet rregullisht në Gjykatën Administrative. Gjithçka lë të kuptohet se strategjia mbetet e qartë, Veliaj kërkon të shmangë zhvillimin e seancave në GJKKO përmes këtyre preteksteve të vazhdueshme, ndaj pyetja që na lind natyrshëm është se cili do të sëmuret të martën në seancën e radhës në GJKKO?/CNA





Lajmet e fundit nga