web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

83-vjetori i Masakrës së Borovës/ Përkujtohen 107 viktimat e një prej krimeve më të rënda naziste në Shqipëri

6 Korrik 2026, 14:36, Aktualitet CNA

Një nga plagët më të dhimbshme të historisë së Shqipërisë u kujtua këtë 6 korrik në fshatin Borovë të Kolonjës. Me homazhe, vendosje kurorash me lule dhe mesazhe kujtese e paqeje, u shënua 83-vjetori i Masakrës së Borovës, ku më 6 korrik të vitit 1943 ushtria naziste gjermane vrau 107 banorë të pafajshëm, mes tyre gra, fëmijë dhe të moshuar, duke e kthyer fshatin në një nga simbolet më tragjike të vuajtjeve të popullsisë civile gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ceremonia përkujtimore u organizua nga Bashkia e Kolonjës dhe mblodhi autoritete vendore, qytetarë, familjarë të viktimave dhe përfaqësues diplomatikë.

I pranishëm ishte edhe ambasadori gjerman në Shqipëri, Karl Bergner, i cili e cilësoi Masakrën e Borovës një krim të kryer nga ushtria gjermane, duke theksuar rëndësinë e kujtesës historike dhe të reflektimit për të ndërtuar një të ardhme në paqe, ku tragjedi të tilla të mos përsëriten më.

“Ky është një moment shumë i dhimbshëm për ambasadën gjermane sepse sot ne jemi këtu për të nderuar viktimat e masakrës gjermane që u bë nga ushtria gjermane në 6 korrik 1943. Është 83-vjetori nga momenti kur 107 burra, gra dhe fëmijë u vranë dhe kjo është e dhimbshme për mua pasi ndaj dhimbjen e popullsisë këtu, për familjet që jetojnë dhe që u prekën nga fakti se nuk mundën t’i shohin gjyshërit, xhaxhallarët apo tezet e tyre, vëllezër që nuk u rritën etj. Është e dhimbshme edhe për mua si ambasador sepse kjo ka ndodhur në emër të popullit gjerman, por këtu në këtë vend ne duam të shohim përpara, të kujtojmë emrat e atyre që u vranë, por gjithashtu duhet të nxjerrim edhe mësime. Të përpiqemi të mësojmë si mund ta parandalojmë që historia të mos përsërisë veten.

Në raste të tjera ne themi kurrë më, ndaj ky është rasti kur themi si ngjarje të tilla të mos përsëriten më dhe kjo arrihet duke vendosur rregulla si toleranca, të drejtat e njeriut, zbatimi i ligjit, dhe këto janë vlerat e Bashkimit Europian. Ndaj ne mbështesim dhe jemi të lumtur që populli shqiptar është në linjë me këto parime dhe e mbështesim procesin e integrimit, sidomos në pjesën teknike, por duhet të vlerësojmë edhe ata që zbatojnë vlerat e BE-së në përditshmëri, por edhe ata që qëndrojnë për të kërkuar zbatimin e ligjit, mbrojtjen e natyrës dhe çështje të tjera që lidhen me procesin e integrimit. Do të doja të thoja që ky është një moment që duhet të shërbejë për të mësuar nga e shkuara, për të memorizuar, për të nderuar viktimat dhe ndarë dhimbjen me familjet dhe për të parë përpara”, tha ambasadori.

Emocionet më të forta të ceremonisë erdhën nga dëshmitë e dy grave që i mbijetuan masakrës. Pas më shumë se tetë dekadash, kujtimet e tyre mbeten po aq të gjalla sa dita kur humbën familjarët dhe panë fshatin të shkrumbohej nga flakët.

87-vjeçarja Jorgjia Simo, i tregoi ambasadorit gjerman përjetimet e saj si një vajzë vetëm shtatë vjeçe, kur pa para syve të saj vrasjen e njerëzve më të afërt.

Një tjetër e mbijetuar, sot 90 vjeçe, rrëfeu me lot në sy se ishte vetëm gjashtë vjeçe kur humbi babanë dhe pa ushtarët gjermanë të pushkatonin banorët e fshatit. Ajo kujtoi ditët e tmerrit, trupat që mbetën të pavarrosur për ditë të tëra dhe përpjekjet e familjes së saj për t’i shpëtuar vdekjes mes flakëve që përpinë Borovën.

"Kur ndodhi kjo, isha gjashtë vjeç. S'kisha hyrë në shkollë. Isha gjashtë vjeç. Shtëpia jonë ra e dyta. Vranë nja tetë vetë, xhaxhanë, babanë... Erdhi gjermani në oborr, i vuri përpara edhe i pushkatoi aty në rrugë. Po, ndenjën pesë ditë për të zbuluar të vrarët, valonin në krimba. Lajmëruan se mos binte ndonjë epidemi edhe aty ku ishin vrarë, aty u mbuluan, i tërë fshati. Ku qenë vrarë, u hap gropa me lopatë, valonin në krimba. Ah, çfarë tmerri ka qenë! Ne shpëtuam katër fëmijë edhe nëna pesë. Erdhi gjermani që i mori këta. Ne u futëm në ca fshikje (shkurre) dhe ndenjtëm deri në mes të natës atje. Në mes të natës... Po digjej fshati. Na e ndezën dhe ne shtëpinë, po vajti nëna mori një tenxhere me qumësht edhe e shoi", tregoi 90-vjeçarja.

Masakra e Borovës mbetet një nga krimet më të rënda të kryera ndaj popullsisë civile në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Edhe pas 83 vitesh, kujtesa për 107 viktimat vijon të mbahet gjallë si një thirrje për të mos harruar të shkuarën dhe për të mbrojtur paqen e dinjitetin njerëzor. /CNA





Lajmet e fundit nga