web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Durrësi feston mbrojtësin e tij, Shën Astin/ Kryepiskopi Joan: I krishteri i vërtetë dëshmon me jetë, jo vetëm me fjalë

6 Korrik 2026, 11:01, Aktualitet CNA

Qyteti i Durrësit nderoi këtë të hënë festën e mbrojtësit të tij, Shën Astit, episkopit martir që dha jetën për besimin në Krisht.

Në Katedralen e "Apostull Pavlit dhe Shën Astit" në Durrës, besimtarët iu bashkuan lutjeve në një atmosferë solemniteti, teksa kremtimin e udhëhoqi Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Joani.

Gjatë predikimit të tij, Kryepiskopi Joan theksoi se shembulli i martirëve nuk është vetëm një histori e shkuar, por një thirrje për çdo të krishterë në jetën e përditshme.

Fortlumturia e Tij, Joan tha se forca e krishterimit nuk qëndron vetëm te predikimi me fjalë, por mbi të gjitha te dëshmia e jetës së besimtarëve.

Kryepiskopi Joan nënvizoi se ajo që Kisha dhe Zoti kërkojnë nga besimtarët është dëshmia përmes jetës së tyre. Ai i ftoi të pranishmit të marrin si shembull jetën e martirëve, të cilët, sipas tij, e kanë imituar Krishtin në çdo aspekt të jetës së tyre.

“Njëherë pyetën një shenjt, një shenjt të kohëve moderne dhe i thanë që 'përse në shekujt e parë u përhap kaq shumë krishterimi dhe më vonë nuk po përhapet aq shumë?' Dhe ai u përgjigj, është e thjeshtë: 'Sepse në shekujt e parë krishterimi predikohej nga të krishterët'. Do të thotë që ata dëshmonin me jetën dhe fjalët e tyre mësimin e Zotit, jo vetëm thjesht me fjalë.

Të gjithë janë dakord për shumë gjëra që themi ne, të gjithë janë dakord që duhet të jemi të përulur e të gjithë jemi krenarë. Të gjithë janë dakord që s'duhet të merremi me thashetheme e të gjithë merremi me thashetheme. Të gjithë janë dakord që s'duhet të shpifim, të vjedhim e shumë gjëra, e megjithatë përsëri i bëjmë. Ky lloj predikimi nuk është predikimi i vërtetë, është vetëm me fjalë. Madje shpeshherë mund të japë edhe efektin e kundërt. Ajo që kërkon kisha nga ne, ajo që kërkon Zoti nga ne është që të dëshmojmë me jetën tonë. Prandaj le të shërbejnë jetët e martirëve si një shembull për ne. E le të kujtojmë gjithmonë jetën e një martiri dhe fjalët e një martiri shumë të madh si Shën Pavli që thotë: 'Bëhuni imituesit e mi, siç unë jam imitues i Krishtit'.

Një martir pikërisht kjo gjë është, imiton Krishtin. E imiton Krishtin në gjithçka, në fjalën, në kryqin dhe padyshim që do ta ndjekë pas edhe në ngjallje. Le t'i lutemi shenjtit të madh, mbrojtësit të qytetit të Durrësit dhe mbrojtësit ndoshta të gjithë kishës në Shqipëri, i cili padyshim lutet për secilin nga ne, që të ndërmjetësojë te perëndia që kishën dhe vendin tonë ta bekojë, ta ndriçojë e t'i japë gjithmonë një dritë jo vetëm për vete, por për të ndriçuar dhe njerëzit që janë rrotull nesh. Amin”, u shpreh Fortlumturia e Tij, Joani.

Shën Asti, peshkopi i Durrësit, mbetet një figurë emblematike për krishterimin. Sipas traditës, ai luajti një rol vendimtar në përhapjen e besimit në periudhat kur persekutimet romake ishin të ashpra. /CNA





Lajmet e fundit nga