web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Si ndodh shkëmbimi i të burgosurve midis shteteve

12 Dhjetor 2022, 08:37, Aktualitet CNA

Si ndodh shkëmbimi i të burgosurve midis shteteve

Basketbollistja amerikane Britni Griner u lirua të enjten e kaluar pas 9 muajsh burgim në Rusi, falë përpjekjeve të presidentit amerikan Xho Bajden dhe partneres së Griner, Sherel Uotson. Lirimi u bë i mundur vetëm sipas kushteve të vendosura nga rusët: pra që Griner të shkëmbehej me Viktor But, një tregtar rus i armëve i arrestuar dhe burgosur në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2010.

Shkëmbimi ishte me leverdi për rusët, duke qenë se But po vuante një dënim prej 25 vite burg për krime të lidhura me trafikun e armëve, ndërsa Griner u dënua me 9 vjet për një vepër penale shumë më të lehtë: gjetjen e një pajisje që avullon vajin e hashashit gjatë një kontrolli rutinë në aeroport.

Por ky çekuilibër tregon një rregull të vazhdueshëm në shkëmbimet e të burgosurve, dikur dhe sot: që nuk ka rregulla të përcaktuara. Pra nuk ka asnjë doktrinë që ndiqet në këtë fushë specifike. Tradicionalisht, gjërat shkojnë ndryshe në sferën ushtarake.

Gjatë shekujve është krijuar një praktikë e pashkruar, ku dy vende ndërluftuese mund të shkëmbejnë të burgosur të plagosur për arsye humanitare, apo personel ushtarak të të njëjtit nivel (një kolonel me një kolonel). Por në çështjet civile, ose kur të dyja vendet nuk janë zyrtarisht në luftë, nuk ka asnjë kod të përcaktuar.

Vendet e përfshira në këtë shkëmbim vendosin kushtet sipas rasteve individuale, duke marrë parasysh avantazhet e tyre. Duke qenë se ndonjëherë të burgosurit janë njerëz që në një mënyrë apo tjetër kanë pasur lidhje me institucionet e vendit të tyre, ndodh që elementi vendimtar është sasia e informacionit që zotëron i burgosuri.

Është kjo është një nga arsyet pse pati shumë shkëmbime midis Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara gjatë Luftës së Ftohtë. Pasi që të dyja kishin frikë se çfarë mund të zbulonte spiuni i tyre i kapur nga rivali. Në rastin e Griner, qeveria amerikane shpenzoi shumë para për shkak se ajo ishte një personazh i njohur sportiv në SHBA, por edhe për shkak të presionit publik.

Si ndodh shkëmbimi i të burgosurve midis shteteve

Ndërkohë mbetet e paqartë pse Rusia e dëshironte aq shumë lirimin e But. Hipoteza më e përmendur këto ditë, është se gjatë veprimtarisë së tij ai ka pasur marrëdhënie me shërbimin sekret të ushtrisë ruse, GRU, ndaj zotëron informacione të ndjeshme për Moskën.

Fakti që Rusia donte në shkëmbim një të burgosur “me peshë” e nxiti qeverinë amerikane të kërkonte të përfshinte në këtë proces edhe Pol Uellan, ish-marinist nga Miçigani i arrestuar në Rusi që nga viti 2018 me akuzën e spiunazhin. Për muaj të tërë negociatat për të kishin mbetur të bllokuara, deri në pikën që në korrik Sekretari Amerikan i Shtetit, Entoni Blinken, akuzoi publikisht homologun rus se kishte refuzuar një ofertë të mirë.

Një akt ky tejet i pazakontë, duke qenë se këto lloj negociatash zhvillohet shpesh në fshehtësi, pa asnjë mbulim nga mediat dhe pa njoftime publike derisa të ndodhë shkëmbimi.

Por nuk është gjithmonë kështu, dhe suksesi i negociatave mund të varet nga një qasje më e guximshëm publike e qeverive. Nikolas Danilof, gazetari amerikan që u burgos në Bashkimin Sovjetik në vitin 1986 me akuzat e rreme për spiunazh, tha se lirimi i tij ishte i kushtëzuar nga fakti se administrata e Ronald Regan vendosi ta ekspozonte menjëherë në publik rastin e tij, duke thënë se Danilof ishte “marrë peng” nga autoritetet sovjetike.

Kongresi miratoi një rezolutë që kërkoi lirimin e menjëhershëm të Danilof, gjë që ndodhi 2 javë më vonë. Më vonë u mësua se shërbimi sekret sovjetik e kishte arrestuar Danilof vetëm për ta përdorur atë si “monedhë” negociuese për të siguruar lirimin e spiunit sovjetik të arrestuar në SHBA, Genndi Zakarov.

Si sot ashtu po ashtu edhe dikur, shpeshherë pyetja vendimtare është se sa i gatshëm është një vend për të bërë kompromis. Një shembull është rasti i dy ushtarakëve italianë të ndaluar në Indi për vrasjen e dy peshkatarëve. Në vitin 2016, qeveria italiane arriti të rikthejë në vend njërin prej të dyve, Salvatore Xhirone, pas një negociate të gjatë që i acaroi marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve.

Rezultati u arrit me një kusht: nëse gjykata në Hagë vendoste t’i jepte juridiksionin e çështjes Indisë, Xhirone duhej të rikthehej në Indi. Në vitin 2020, Haga vendosi që juridiksioni i takonte Italisë ndaj çështja e 2 ushtarakëve u pushua. Një tjetër rast ku një qeveri u detyrua të bënte lëshime të mëdha përfshiu Iranin dhe Britaninë e Madhe.

Në vitin 2016, Nazanin Zagari-Retkoif, një shtetase anglo-iraniane, u akuzua për spiunazh dhe u burgos në Iran në kohën që punonte një organizatë humanitar. Bashkëshorti i saj, Riçard Retfklif, bëri një fushatë të madhe për të rritur ndërgjegjësimin e publikut lidhur me këtë çështje.

Ai hyri edhe në një grevë urie në përpjekje për të ushtruar presion ndaj qeverisë britanike për ta kthyer bashkëshorten e tij në Britani. Në këmbim të lirimit të saj dhe të një shtetaseje tjetër anglo-iraniane, Anosheh Ashori, Irani kërkoi anulimin e një borxhi të vjetër që i kishte Mbretërisë së Bashkuar, prej rreth 450 milionë eurosh.

Qeveria britanike ra dakord dhe të dyja gratë u liruan. Pagimi i parave është një praktikë që vendet demokratike nuk e përdorin normalisht, ose të paktën këtë e pretendojnë publikisht, sepse kjo mund t`i bëjë më të rrezikuar ndaj shantazheve, duke i nxitur vendet më pak demokratike që t’i përdorin të burgosurit si të ishin pengje.

Për më tepër, në ndonjë rast lëshimi i njërës nga dyja palët mund të mos jetë ekonomik, por politik. Një rast i tillë përfshiu Italinë midis shtatorit dhe dhjetorit 2020, kur 18 peshkatarë italianë u kapën në Libi. Ata u burgosën për 108 ditë, derisa Ministria e Jashtme i garantoi marshallit rebel Kalifa Haftar një takim zyrtar diplomatik në këmbim të lirimit të tyre. Në takim morën pjesë Zhuzepe Konte, kryeministri i atëhershëm i Italisë, dhe Luixhi di Maio, Ministri i tij i Jashtëm.

Gjatë Luftës së Ftohtë, shkëmbimi i të burgosurve, kryesisht i spiunëve, u bë një lloj rutine, por bazohej tek e njëjta logjikë si sot: përpjekja për të fituar diçka nga shkëmbimi, në aspektin e konsensusit të brendshëm apo mbrojtjes së informacionit të ndjeshëm.

Shkëmbimet ishin aq të shpeshta sa një avokat gjerman, Volfgang Vogel, ishte i specializuar enkas për të vepruar si ndërmjetës midis bllokut sovjetik dhe atij perëndimor. Vogel mori pjesë në rreth 150 shkëmbime të burgosurish, edhe në disa nga më të famshmit e asaj periudhe, përfshirë atë të pilotit amerikan Geri Pauers dhe spiunit Rudolf Abel, që u zhvillua në vitin 1962 në Urën Glienicke në Berlin.

Kjo histori rrëfehet në filmin e Steven Spielberg, Ura e Spiunëve. Në fakt, këtë emër mbante kjo urë sepse aty ndodhën disa shkëmbime të burgosurish midis sovjetikëve dhe amerikanëve. Një tjetër shkëmbim i famshëm i të burgosurve u zhvillua gjithashtu në Urën Glienicke.

Natan Sharanski dhe 4 spiunë perëndimorë u shkëmbyen me 4 spiunë të inteligjencës sovjetike në vitin 1986. Sharanski kishte qenë i burgosur politik dhe disident për vite me radhë, i dënuar me punë të rëndë në vitin 1977. Rezistenca e tij nuk pushoi as pa lirimit.

Në njërën anë të urës ndodheshin zyrtarët sovjetikë, ndërsa në anën tjetër ambasadori amerikan Riçard Burt.

Sovjetikët i thanë Sharanskit se ai ishte i lirë por duhet ecte në një vijë të drejtë deri ku ndodhej Burt. Në kundërpërgjigje, Sharanski eci në formë zigzage deri në skajin tjetër të urës. Shkëmbimi midis Rudolf Abel dhe Geri Pauers u zhvillua me një dinamikë të ngjashme, por në një klimë edhe më të tensionuar, sepse ishte shkëmbimi i parë i të burgosurve në atë pikë, dhe ndodhte në një fazë më delikate të Luftës së Ftohtë.

Pikërisht për këto arsye organizohej në fshehtësi dhe në orët e para të mëngjesit. Sot shkëmbimet e të burgosurve janë bërë më të zakonshme. Gjithsesi ai mbetet ende një moment në të cilin ka një farë tensioni mes palëve, pavarësisht se negociatat zhvillohen zakonisht në një vend të tretë që ka marrëdhënie të mira diplomatike me të dyja palët.

Kështu shkëmbimi mes Griner dhe Viktor But u zhvillua në pistën e një aeroporti në Abu Dhabi, në Emiratet e Bashkuara Arabe. Griner shoqërohej nga burra me kostume të errëta. Ajo u takua për pak çaste me But, që më pas u mor nga të njëjtët burra. Dinamika e këtij shkëmbimi është pothuajse tërësisht analoge me atë të një tjetri që u zhvillua prillin e kaluar, midis ish-marinsit Trevor Rid dhe pilotit rus Konstantin Jaroshenko. Ai ndodhi sërish në pistën e një aeroporti në Turqi.

Përkthyer nga CNA.al





Lajmet e fundit nga