web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Peleshi nis turin e diplomacisë parlamentare për integrimin në BE/ Zhvillon takim me homologun austriak

25 Nëntor 2025, 13:37, Aktualitet CNA

Peleshi nis turin e diplomacisë parlamentare për integrimin në

Në kuadër të një vizite zyrtare në Austri, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi një takim me kryetarin e Parlamentit austriak, Walter Rosenkranz, duke shënuar nisjen e një faze të re të diplomacisë parlamentare shqiptare për avancimin e procesit të anëtarësimit në BE.

Kryetari Peleshi theksoi se pas mbështetjes së Komisionit Europian, Parlamentit Europian dhe qeverive të vendeve anëtare, tashmë është thelbësor sigurimi i mbështetjes së parlamenteve kombëtare dhe qytetarëve të vendeve të BE-së. 

Të dyja palët vlerësuan nevojën për të zgjeruar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat, si dhe për të intensifikuar bashkëpunimin parlamentar në nivele të ndryshme, nga drejtuesit e lartë, te komisionet, grupet e miqësisë dhe shërbimet parlamentare.

Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua rolit aktiv të Shqipërisë në nismat rajonale që mbështesin dialogun dhe integrimin europian të Ballkanit Perëndimor. Kryetari i Kuvendit theksoi se Shqipëria dhe Austria mbeten partnerë kyç në fushën e sigurisë, duke ndarë qëndrime parimore mbi sigurinë europiane dhe mbrojtjen e vlerave demokratike.

Në fokus ishte edhe mbështetja për Kosovën në arenën ndërkombëtare, përfshirë shtimin e njohjeve, avancimin e integrimeve euro-atlantike, dialogun Prishtinë-Beograd dhe rolin e Austrisë për heqjen e plotë të masave kufizuese të BE-së ndaj Kosovës. Të dyja vendet riafirmuan qëndrimin e përbashkët për të vijuar mbështetjen ndaj Ukrainës dhe përpjekjet për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Europë dhe më gjerë. Kryetari Peleshi komentoi gjithashtu vizitën dhe historikun e marrëdhënieve me Austrinë.

“Sapo kemi përfunduar një bisedë shumë interesante dhe shumë të vlefshme gjatë vizitës sime të parë në Austri me homologun, kryetarin e Parlamentit austriak. Është një kënaqësi e veçantë dhe jo e rastësishme që vizita ime e parë, po edhe e një delegacioni nga Parlamenti shqiptar, zhvillohet në Austri, një vend që ka mbështetur Shqipërinë që në ditët e para të pavarësisë dhe të krijimit të shtetit tonë”, tha Peleshi.

Ai shtoi se lidhjet me Austrinë janë jo vetëm politike, por edhe emocionale dhe njerëzore, duke kujtuar mbështetjen historike që ky vend i ka dhënë elitës intelektuale shqiptare, iniciativave si “Punishtja e Demokracisë”, si dhe bashkëpunimeve të reja akademike mes universiteteve të Shqipërisë dhe Austrisë.

“Sot erdha jo vetëm për të shprehur falënderimin në emër të të gjithë shqiptarëve për atë që Austria po bën për Shqipërinë, por edhe për të ndërtuar ura dhe hapësira të reja bashkëpunimi. Ne shqiptarët duam të jemi me dinjitet në Europë, jo vetëm përfitues, por edhe kontribues me dijet dhe angazhimin tonë”, u shpreh kreu i Kuvendit.

Deklarata e plotë e Peleshit pas takimit me homologun e tij austriak Walter Rosenkranz:

Sapo kemi përfunduar një bisedë shumë interesante dhe shumë të vlefshme gjatë vizitës sime të parë në Austri me homologun, presidentin e Parlamentit austriak, është një kënaqësi e veçantë dhe jo e rastësishme që vizita ime e parë personalisht, po edhe e një delegacioni nga Parlamenti shqiptar, zhvillohet në Austri, një vend që ka mbështetur Shqipërinë që në ditët e para të pavarësisë dhe të krijimit të shtetit tonë.

Në gjithë historinë tonë, Austria ka qenë pranë Shqipërisë. Interesat tona janë të përbashkëta, por mbi të gjitha kemi lidhje emocionale dhe njerëzore. Këtu në Austri ndodhet krenaria jonë kombëtare, këtu është shpata dhe rojtja e historisë sonë kombëtare.

Këtu Ismail Qemali, themeluesi i shtetit shqiptar, ka marrë mbështetje në hapat e parë të shtetit. Këtu është formuar një pjesë e mirë e elitës intelektuale shqiptare, e cila ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për vendin tonë dhe mund të përmendim shumë emra të shquar.

Por Austria ka qenë pranë Shqipërisë edhe në historinë e vetë moderne. Pas viteve 1990, në procesin tonë drejt ribashkimit me Europën, Austria ka qenë gjithmonë pranë Shqipërisë, duke mbështetur vendin tonë jo vetëm me vullnet politik, por edhe me veprime konkrete. Dua të veçoj këtu Punishten e Demokracisë, një iniciativë jo shumë e njohur për publikun në gjerë, por ku janë trajnuar mbi 6000 fëmijë, të cilët mësojnë demokracinë, vendimmarrjen dhe funksionimin e institucioneve shqiptare.

Austria ka kryesuar edhe Grupin e Miqve të Ballkanit për vendimmarrjen, një dorë e rëndësishme dhe e fuqishme mbështetëse për gjithë rajonin drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Ndaj sot, unë erdha jo vetëm për të shprehur falënderimin në emër të të gjithë shqiptarëve për atë që Austria po bën për Shqipërinë, por edhe për të ndërtuar ura dhe hapësira të reja bashkëpunimi. Si tha zoti President, edhe në fushën e edukimit kemi disa iniciativa pionere, si Akademia Peter Mahringer në Shkodër, por edhe iniciativa më e fundit, bashkëpunimi midis Universitetit Boku të Vjenës dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës. Janë disa nga këto iniciativa të cilat jam i bindur se pas kësaj vizite do të shumëfishohen dhe do të shtohen, sepse ne shqiptarët duam të jemi me dinjitet në Europë. Nuk duam të jemi vetëm përfitues nga tregu i përbashkët i mundësive, ekonomisë dhe politikës, por duam të jemi edhe kontribues me dijet tona, me angazhimin tonë, me pjesën intelektuale të ekonomisë së dijes, drejt një epoke të re ku shqiptarët do të jenë në standarde të larta dhe europiane.

Faleminderit para së gjithash publikisht homologut tim, presidentit të Parlamentit austriak, për pritjen e ngrohtë dhe për mbështetjen që na garanton për të ardhmen e Shqipërisë. /CNA





Lajmet e fundit nga