web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Organizohet për herë të parë në Korçë "Olimpiada Ballkanike e Matematikës"

5 Mars 2025, 14:21, Aktualitet CNA

Organizohet për herë të parë në Korçë

Në universitetin "Fan Noli" të qytetit të Korçës është zhvilluar ceremonia hapëse e një prej aktiviteteve më të rëndësishme për studentët. Një olimpiadë ballkanike e matematikës që ka bërë bashkë 19 universitete, ku 5 prej tyre janë nga Shqipëria e pjesa tjetër nga shtete si Rumania, Greqia, Bullgaria, si edhe nga Turkmenistani. Përgjatë katër ditëve, duke filluar nga dita e nesërme, më tepër se 100 studentë do të testojnë njohuritë e tyre në lëndën e matematikës, ndërsa pritet që gara të jetë e fortë.

Edona Kalludra është një nga studentet e përzgjedhura nga viti i tretë i degës së matematikë - informatikës, e cila do të përfaqësojë të gjithë studentët e këtij viti së bashku me pesë studentë të tjerë të përzgjedhur nga vitet e tjera.

 

Ajo tregon se për të është hera e parë që merr pjesë në një olimpiadë kaq të rëndësishme, duke thënë se për të është nder që është përzgjedhur të jetë pjesëmarrëse.

 

"Po, është hera ime e parë që marr pjesë në një olimpiadë studentore, mbi të gjitha një olimpiadë matematike dhe ballkanike. Për mua është një nder i veçantë, falënderoj shumë ata që më kanë përzgjedhur për të përfaqësuar universitetin dhe vitin e studimit. Unë jam në degën matematikë - informatikës, viti i tretë, kështu që është një nder për mua."

Edona tregon se konkurrenca është tepër e lartë, ndërsa jep detaje sa u përket pjesëmarrësve në këtë kompeticion.

"Konkurrenca është patjetër, numrin e saktë të studentëve nuk e di, por e di që janë nga Ballkani dhe më tej. Kemi edhe nga Turkmenistani që s'është pjesë e Ballkanit dhe ka shumë universitete. Nga universiteti ynë jemi gjashtë studentë, shpresoj shumë që të kemi rezultate ne të gjashtë, por konkurrenca patjetër që është e lartë."

Ndihma e pedagogëve në përgatitjen e gjashtë studentëve të universitetit të Korçës ka qenë tejet e madhe për ta, pasi sipas Edonës, ata i kanë parapërgatitur për atë se çfarë i pret në këtë olimpiadë. Ndër të tjera, Edona shpreson se do të arrijë të marrë rezultate të mira në këtë kompeticion.


"Profesorët tanë kanë qenë të gatshëm për ne, na kanë dërguar ku të fokusohemi më shumë dhe gjithashtu teza orientuese që të kemi pak a shumë idenë se çfarë na pret në olimpiadë pasi të gjithë e kemi për herë të parë. Jam mësuar që sa herë të futem në një garë, mos të dal e humbur, nga sporti që merrem, kështu që patjetër pres më të mirën e mundshme. Konkurrenca do jetë shumë e lartë, por unë futem për të bërë më të mirën, për të fituar."

Organizohet për herë të parë në Korçë

Rektori i universitetit "Fan Noli" të Korçës, Lorenc Ekonomi, si një njeri që ka studiuar matematikën dhe kur ka qenë student ka fituar olimpiadën kombëtare, ka treguar se ky aktivitet është një mundësi e jashtëzakonshme për t'u sfiduar e për të zhvilluar aftësitë e studentëve. Jo vetëm për të treguar njohuritë në këtë lëndë, por sipas rektorit, është një mundësi për të forcuar karakterin duke treguar përkushtim, qëndresë dhe aftësi për të punuar nën presion.

"Ky aktivitet ndërkombëtar mbledh së bashku studentë të matematikës nga Rumania, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Greqia, Shqipëria dhe Turkmenistani, duke ofruar një mundësi të shkëlqyer për shkëmbim përvojash, njohurish dhe ide në një nga fushat më të rëndësishme të jetës. Si një njeri që ka studiuar matematikë dhe që në moshën tuaj kam fituar në olimpiadën kombëtare të matematikës, ju siguroj se pjesëmarrja në këtë aktivitet është një mundësi e jashtëzakonshme për t'u sfiduar dhe për të zhvilluar aftësitë tuaja. Olimpiada nuk është vetëm një rast për të treguar njohuritë tuaja, por gjithashtu një moment për të mësuar nga sfidat dhe për të rritur nivelin tuaj të aftësive analitike dhe logjike. Për më tepër, këto aktivitete ofrojnë një mundësi të shkëlqyer për të forcuar karakterin tuaj pasi kërkojnë përkushtim, qëndresë dhe aftësi për të punuar nën presion, tha Ekonomi në fjalën e tij.

Organizohet për herë të parë në Korçë

Olimpiada Ballkanike e Matematikës do të zhvillohet përgjatë katër ditëve të ardhshme në ambientet e universitetit të Korçës, ku në përfundim të saj do të shpallen fituesit dhe do të ndahen çmime për më të mirët në këtë aktivitet./CNA





Lajmet e fundit nga