web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

"Komiteti", lokali risi në pazarin e vjetër të Korçës që punësoi kamarierë të huaj nga Afrika

27 Gusht 2024, 08:38, Aktualitet CNA

Pazari i Vjetër i Korçës është një nga zonat më të frekuentuara jo vetëm nga korçarët, por edhe nga turistët vendas e të huaj. Prej disa vitesh ky projekt është zhvilluar edhe më tepër, me biznese të ndryshme në zonë, duke filluar nga baret e restorantet, e deri te dyqanet e ndryshme.

CNA TV sjell në reportazhin e radhës një nga lokalet më të veçanta të pazarit të vjetër, i cili ndodhet në qendër të zonës, dhe tërheq vëmendjen sapo i hedh sytë atje.

"Komiteti" është lokali më interesant i pazarit, i cili ka ruajtur traditën e vjetër dhe antikitetin e qytetit, duke u konsideruar kështu edhe një muzeum për ata që e zgjedhin ta vizitojnë e të shijojnë një kafe.

Arbër Çepani dhe Kristi Tako kanë nisur bashkëpunimin e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të këtij biznesi, duke sjellë një risi në shërbim dhe në staf. Risia është pikërisht punësimi si kamerierë i të huajve, më konkretisht dy të rinjve nga Gana.

Nyador Courage Kojo është një i ri 30-vjeçar nga Gana, i cili kërkoi për një periudhë të gjatë të zgjidhte një vend për të jetuar larg vendit të tij. I riu ganez kërkonte të bënte një udhëtim të gjatë, por nuk e kishte vendosur vendin në të cilin do të shkonte, e duket se Shqipëria i hyri në zemër që në momentin e parë që e pa në internet. Krahas bukurive natyrore, Nyadorit i pëlqeu shumë gjuha shqipe, duke i vënë vetes detyrë që ta mësojë dhe ta flasë me shqiptarët. Mikpritja dhe mënyra e afërt që korçarët shprehin në sjelljen e tyre, ka bërë që Nyador të ndihet si në shtëpinë e tij.

"Kjo është hera ime e parë që vij në Korçë. Kur isha në Ganë vendosa të udhëtoja dhe po kërkoja shumë vende të ndryshme që t'i vizitoja. Gjatë kërkimeve të mia, gjeta Shqipërinë. Lexova shumë për të dhe më dha përshtypjen që është një vend shumë i bukur. Po ashtu, gjuhën e kanë shumë të veçantë dhe jam i prirur që ta mësoj. Kur erdha, çdo gjë ishte kaq interesante. Më shihnin si një vëlla, si familje, sidomos Kristi që është menaxheri im, e dua shumë. Njerëzit do pyesin se pse e zgjodha Shqipërinë. Mua Shqipëria më pëlqeu shumë dhe do doja që të merrja edhe nënshtetësinë shqiptare, sepse mendoj që të gjithë bashkë duke punuar mund të ndërtojmë një Shqipëri të mirë", u shpreh. 

Për Nyador, kohëzgjatja e qëndrimit të tij në Korçë varet nga ndjesitë që ai do të përjetojë në vijim. Me plot gojë, ganezi thotë se ndihet mjaft mirë, si në pritjen që i bëjnë klientët, por edhe në bashkëpunimin me stafin e lokalit.

"Eksperienca ime me njerëzit që punoj apo edhe u shërbej, nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga vendi im. Kjo sepse janë njerëz të mirë, të dashur, më shohin si të huaj dhe më respektojnë. Është një eksperiencë e këndshme, nuk shoh asgjë negative. Të punoj edhe me kolegët e mi në lokal është tjetër eksperiencë e bukur. Unë jam 30 vjeç dhe qëndrimi im këtu në Korçë varet se sa mirë ndihem. Momentalisht ndihem shumë mirë dhe me planin tim do të qëndroj për sa kohë që ndihem kështu", tha ai. 

Për Korçën është mjaft interesante që pjesë e stafit të shërbimit në lokale e restorante të jenë punonjësit e huaj, nga vendet e Afrikës dhe më gjerë. Njëri nga administratorët, Kristi Tako, tregon më tepër lidhur me këtë projekt të veçantë që po implementojnë në zonën e Pazarit të Vjetër të qytetit. Tradita e vjetër dhe antikiteti janë çelësi kyç i ambienteve të lokalit, me karriget prej druri, objekte të vjetra si biçikleta, makinë qepëse, çentro të shtruara nëpër tavolina, tapete e shumë e shumë elementë që janë ruajtur prej vitesh nga korçarët. Tek "Komiteti" klientët mund të gjejnë një shumëllojshmëri pijesh, por edhe gatimet tradicionale që janë aq të pëlqyera nga të gjithë.

"Ideja e këtij biznesi është për ruajtjen e traditës së vjetër, të antikitetit, jemi munduar ta përshtatim që njerëzit të ndihen sa më komodë, të kujtojnë të shkuarën, të jenë sa më të qetë. Brandi jonë mbahet për pjesën e rakisë. Ne kemi 26 lloje rakie, raki e çdo stine, jemi munduar të jemi sa më fleksibël. Te pjesa e kuzhinës kemi bërë një kuzhinë tradicionale, të kohës së dikurshme të qytetit të Korçës. Kemi gatimet tradicionale si petullat, petkat, trahanatë që na gatuanin gjyshet dikur. Jemi munduar të jemi sa më të mirë në pjesën e shërbimit të kuzhinës. Për momentin kam një zonjë që i gatuan, do rikthehem edhe unë në gatim. Do futim një ushqim që do të jetë miks", tha ai. 

Ndërsa e pyesim Kristin për llojet e rakive, për vështirësinë e gjetjes së tyre, nuk e morëm dot një përgjigje për shkak të sekretit të lokalit. Pikësynimi kryesor është pikërisht sjellja dhe shërbimi i 26 llojeve të rakive, nga ajo e rrushit, kumbullës, manit, e deri te rakia e pjekur e disa lloje të tjera të veçanta.

"Këtë e kemi pak sekret me thënë të drejtën, është brand i lokalit. Për këtë mbahemi, e kemi pikësynimin tonë kryesor. Rakinë mundohemi ta gjejmë, e thashë që është me kohën e me stinët, s'mund t'i plotësojmë dot të gjitha. Mundohemi të kemi më të mirat por që po e lëmë sekret për momentin", u shpreh ai. 

Gjatë këtyre muajve të sezonit veror, Pazari i Vjetër i Korçës ka qenë një nga destinacionet që zgjedhin të huajt për të parë nga afër, për të bërë fotografi me njëri-tjetrin, si edhe për të provuar gatimet e zonës. Kristi tregon se vizitorët më të shumtë kanë qenë nga Spanja, por ka pasur edhe nga Italia e Greqia. Ndërsa ajo që është pëlqyer më tepër krahasuar me të gjitha bizneset e zonës, është pikërisht stafi i kamerierëve të huaj të cilët kanë tërhequr shumë klientë, duke kërkuar të bëjnë edhe foto. Në të ardhmen e afërt, "Komiteti" do të organizojë një sërë aktivitetesh dhe eventesh, që do të bëjnë bujë në zonën e pazarit, me net humori, serenata, poezi, dramë, karaoke e shumë më tepër.

"Komiteti" është padyshim biznesi më i veçantë i pazarit të qytetit, si një ndërtesë e vjetër karakteristike për Korçën, me traditën dhe kulturën që ka ky qytet. Ky bar do të ishte zgjedhja perfekte për të festuar ndryshe, për të kaluar një pasdite apo darkë të këndshme, apo edhe për të shijuar kafen e mëngjesit, nën shërbimin e kamerierëve të ardhur nga Gana e Afrikës. Të reja e surpriza do të vijnë së shpejti në këtë bar, për t'u kthyer në një nga bizneset më të frekuentuara në qytetin e bukur të Korçës./CNA 





Lajmet e fundit nga