web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kërkoi ndryshim të masës së sigurisë/ Gjykata Kushtetuese jep vendimin për Metën

8 Prill 2026, 16:17, Aktualitet CNA

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e kreut të PL-së, Ilir Metës për shfuqizim të masës së sigurisë “arrest në burg”. Gjykata Kushtetuese është shprehur se mënyrën e arrestimin nuk mund ta marrë në shqyrtim.

Në vendimin e mëposhtëm thuhet se masa e sigurimit personal ndaj Metës është vendosur për një qëllim të ligjshëm dhe me shumicë votash u vendos rrëzimi i kërkesës së kreut të PL-së. 

NJOFTIM VENDIMMARRJEJE

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë (Gjykata) në datën 08.04.2026 mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve çështjen me kërkues Ilir Metaj, me objekt: “Shfuqizimi i vendimeve nr. 125, datë 20.10.2024 dhe nr. 130, datë 23.10.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nr. 59 (87-2024-333), datë 19.11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe nr. 00-2025-364 (57), datë 27.02.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.”.

Gjykata pasi mori në shqyrtim pretendimet dhe prapësimet e palëve, në mënyrë të përmbledhur, vëren për sa vijon:

Së pari, kërkuesi legjitimohet ratione personae dhe ratione temporis për vënien në lëvizje të kontrollit kushtetues për vendimet gjyqësore që kanë disponuar ndaj tij masën e sigurimit personal “Arrest në burg”.

Së dyti, sa i takon kriterit për shterimin e mjeteve juridike, kërkuesi ka pretenduar cenimin e së drejtës për të mos iu nënshtruar torturës, dënimit apo trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues, të garantuar nga neni 25 i Kushtetutës dhe neni 3 i KEDNJ-së, lidhur me ngjarjen e datës 21.10.2024 për mënyrën e ekzekutimit nga Policia e Shtetit të masës së sigurimit “Arrest në burg”, në zbatim të vendimit nr. 125, datë 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Gjykata konstatoi, nga njëra anë, se kërkuesi e ka parashtruar këtë pretendim në gjykatat e juridiksionit të zakonshëm në procesin gjyqësor për verifikimin e kushteve dhe kritereve të caktimit të masës së sigurimit personal dhe nevojave të sigurimit, ankimin dhe rekursin e tij dhe, nga ana tjetër, se autoritetet shtetërore kompetente nuk kanë vepruar në atë kohë me nismën e tyre për të adresuar pretendimet e kërkuesit. Megjithatë, sipas informacionit të përcjellë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kërkuesi ka paraqitur kallëzim lidhur me ngjarjen dhe pranë asaj prokurorie në vitin 2025, duke u regjistruar procedimi penal për veprën penale “Kryerja e veprimeve arbitrare”, të parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal, për të cilin hetimet janë në vijim. Në kushtet kur nuk ka ende një vendim përfundimtar nga gjykatat e zakonshme mbi këtë çështje, Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se nuk mund ta marrë në shqyrtim duke qenë se kontrolli i saj ka natyrë subsidiare, në kuptim të nenit 131, shkronja “f”, të Kushtetutës.

Së treti, në aspektin e kriterit ratione materiae, Gjykata u ndal në vlerësimin e argumenteve të kërkuesit në drejtim të cenimit të lirisë personale në aspektin substancial të lidhur me (i) standardin e dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova dhe (ii) parimit të proporcionalitetit, të garantuara nga nenet 17, 27 dhe 28 të Kushtetutës. Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se: në çështjen penale ndaj kërkuesit duket se ka fakte dhe informacione që arrijnë të bindnin një vëzhgues të jashtëm se kërkuesi mund të ketë kryer veprat penale për të cilat dyshohet, ndaj nuk mund të arrihet në përfundimin se kufizimi i lirisë së tij është kryer në mungesë të dyshimit të arsyeshëm, në kuptim të nenit 27, paragrafi 2, shkronja “c”, të Kushtetutës dhe nenit 5, pika 1, shkronja “c”, të KEDNJ-së; masa e sigurimit personal ndaj kërkuesit është vendosur për një qëllim të ligjshëm, garantimin e mbarëvajtjes së procesit penal në ngarkim të tij, ajo nuk është joproporcionale në kontekstin e rrethanave të çështjes dhe nevojave të sigurimit, si dhe është në përputhje me rregullat procedurale të KPP-së për caktimin e saj.

Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, Gjykata vendosi, me shumicë votash:

Rrëzimin e kërkesës.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese. 

Kreu i PL-së, Ilir Meta, ndodhet në qeli që prej 21 tetorit të vitit 2024 ku ai dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Ndërsa Fatime Kryemadhi akuzohet për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun. /CNA





Lajmet e fundit nga