LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ndryshime në strukturat e hetimit/ Zbulohet procedura e emërimeve të reja në Policinë e Shtetit

17 Shtator 2022, 16:26, Aktualitet CNA

Ndryshime në strukturat e hetimit/ Zbulohet procedura e emërimeve

Me ardhjen në detyrë të Drejtorit të ri të Policisë së Shtetit, Muhamet rrumbullaku, po vinë edhe ndryshimet në strukturat e policisë.

Gjatë një takimi me strukturat policore Rrumbullaku ka deklaruar se do të ngrihet një Këshill i Posaçëm, si strukturë e re e Policisë së Shtetit për emërimet e reja që do të bëhen. Tashmë emërimet në polici nuk do të jenë vetëm në dorën e Drejtorit të Përgjithshëm.

Struktura do të ngrihet brenda pak ditësh, dhe detyra e kësaj structure do të jetë emërimi i policëve në detyrë për të gjitha nivelet.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku priti në një takim prezantues oficerët ndërlidhës dhe përfaqësuesit e misioneve dhe programeve që asistojnë Policinë e Shtetit për përmbushjen e detyrave funksionale të saj.

Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm njohu të pranishmit me vizionin dhe standardin që kërkon të vendosë në raport me qytetarët, për luftën kundër krimit dhe për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht ata strategjikë. Gjithashtu, iu shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për bashkëpunimin dhe kontributin e deritanishëm, oficerëve ndërlidhës, misioneve dhe programeve që asistojnë Policinë e Shtetit, në drejtim të realizimit të operacioneve ndërkombëtare, hetimeve të përbashkëta, shkëmbimit të informacioneve dhe të praktikave më të mira policore.

Oficerët ndërlidhës, përfaqësuesit e programeve dhe të misioneve që asistojnë Policinë e Shtetit, uruan Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për detyrën e re, i shprehën vlerësimin e tyre për vizionin dhe standardin e ri që kërkon të vendosë, si dhe treguan gatishmëri të plotë për të thelluar më tej bashkëpunimin me çdo strukturë të Policisë së Shtetit, në luftën e përbashkët kundër fenomeneve kriminale.

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, gjatë takimit:

“Të nderuar oficerë ndërlidhës dhe përfaqësues të misioneve dhe programeve që asistoni Policinë e Shtetit.

Së pari, ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë takim prezantues, në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të cilën nuk e shikoj aspak si detyrë të radhës, por si mision të shenjtë në shërbim të qytetarëve dhe në luftën pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe ndaj krimit në përgjithësi.

Këtë mision nuk e kërkova, as nuk punova për të ardhur këtu dhe kjo është shumë e sinqertë, por ky mision m’u besua dhe për mua është sfidë personale të punoj për të ndërtuar standarde dhe vizionin e ri për organizatën e Policisë, për një qasje ndryshe në raport me qytetarët dhe për luftën ndaj krimit të organizuar e krimit në përgjithësi, si dhe në drejtim të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet partnerëve dhe agjencive ligjzbatuese, brenda dhe jashtë vendit.

E ndjej detyrim institucional, por edhe personal, në fuksion të përmbushjes së prioriteteve dhe sfidave që kam marrë përsipër në drejtimin e organizatës së Policisë, si dhe në kuadër të forcimit të bashkëpunimit me partnerët, që të zhvilloja këtë takim me ju, për t’ju njohur nga afër me prioritetet, vizionin dhe pritshmëritë që kam.

Gjatë takimeve prezantues që kam zhvilluar me strukturat qendrore dhe vendore të Policisë, kam bërë të qartë për organizatën, qytetarët dhe partnerët se do të punoj fort për ta ndryshuar vizionin e organizatës që drejtoj, duke ridimensionuar imazhin e Policisë në komunitet, me qëllim që punonjësit e Policisë të jenë krahu i djathtë i qytetarëve. Kjo sepse jam i bindur, nisur edhe nga përvoja ime e gjatë në drejtimin e strukturave policore, se pa besmin dhe mbështetjen e qytetarëve përmbushja e misionit tonë do jetë e cunguar.

Të nderuar pjesmarrës:

Prioriteti im nuk është ndryshimi i emrave në krye të strukturave qendrore e vendore, por ndryshimi i filozofisë dhe i metodologjisë së punës dhe për të arritur këtë duhen domosdoshmërisht reforma ligjore, strukturore dhe arsimore.

Nevojitet analizimi i rasteve dhe nxjerrja e përgjegjësive të drejtuesve në të gjitha nivelet e strukturave ku punonjës policie janë të përfshirë drejtpërdrejt në paligjshmëri, veprimtari kriminale dhe favorizim.

Është i domosdoshëm krijimi i një lidhjeje të qëndrueshme të strukturave që kam në varësi me terrenin dhe me problematikat që hasin qytetarët, për të eliminuar tërësisht kulturën e zyrës dhe të papërgjegjshmërisë së drejtuesve në të gjitha nivelet e drejtimit të organizatës. Besoj se vetëm kështu do të mund të fitojmë akoma më shumë besimin e qytetarëve dhe më tepër mbështetjen e partnerëve dhe agjencive ligjzbatuese ndërkombëtare, që janë shumë të çmuara për Policinë e Shtetit.

Synoj ndryshimin kryesisht të strukturave që merren me hetimin e krimit në përgjithësi dhe të krimit të organizuar në veçanti, si dhe krijimin e një strukture sa më efikase, me qëllim arritjen e rezultateve pozitive në këtë drejtim.

Gjithashtu, dua t’ju bëj me dije se do të ndryshojë mekanizmi i menaxhimit të burimeve njerëzore. Brenda pak ditëve, në Policinë e Shtetit do të konstituohen këshillat e shqyrtimit të propozimeve për emërimin në detyrë dhe ecurinë në karrierë të çdo punonjësi policie, praktikë kjo që do t’i japë fund vendimmarrjes së deritanishme që ishte atribut vetëm i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për të emëruar punonjës të Policisë në detyrë në të gjitha nivelet.

Transformimi i Akademisë së Sigurisë është një objektiv dhe kjo do arrihet duke marrë modelet më të mira europiane të mësimdhënies, me qëllim që efektivët e Patrullës së Përgjithshme dhe oficerët për Hetimin e Krimit, të cilët do të përgatiten në Akademinë e Sigurisë, të dalin prej andej sa më të aftë profesionalisht dhe të përshtatur me kulturën europiane dhe më gjerë të policimit në komunitet.

Kjo do të ndikojë në rritjen e besimit dhe bashkëpunimit me qytetarët e me partnerët, si dhe në rritjen e rezultateve të punës në interes të rritjes së parametrave të sigurisë për jetën dhe pronën e qytetarëve, si dhe për goditjen më me efikasitet të fenomeneve kriminale globale.

Konsideroj si një nga prioritetet kryesore intensifikimin e bashkëpunimit me partnerët, për goditjen e fenomeneve kriminale, realizimin e operacioneve të përbashkëta, si dhe për shkëmbimin e praktikave më të mira policore, në funksion të rritjes së sigurisë.

Misioni i Policisë së Shtetit, që nga krijimi i saj dhe çdo ditë e më intensivisht, ka ndërlidhur përmes urave të bashkëpunimit dhe miqësisë, shtete, organizata, grupe ekspertësh dhe efektivë, me qëllim përmbushjen e plotë të tij.

Në kontekstin global dhe kibernetik që fenomenet kriminale kanë marrë sot, secili prej jush dhe organizatat që ju përfaqësoni, janë një mundësi më shumë që Policia e Shtetit shqiptar të realizojë më me efikasitet detyrat e saj funksionale në shërbim të sigurisë publike, jetës dhe pronës së qytetarëve.

Vlerësoj shumë kontributin tuaj të deritanishëm në forcimin e partneriteteve në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, si dhe për mbështetjen e ofruar nga Misionet, Programet dhe Projektet që asistojnë sot Policinë e Shtetit.

Duke konsideruar si domosdoshmëri bashkëpunimin ndërshtetëror, pasi krimi i organizuar nuk njeh kufij, ngjyrë apo gjuhë, kam bindjen se është shumë i domosdoshëm thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe organizatave që ju përfaqësoni, duke eliminuar çdo barrierë, burokraci e keqkuptim dhe bashkërisht të vijojmë të punojmë për të luftuar më me efikasitet ato fenomene kriminale që sot janë kërcënim real për të gjitha vendet tona.

Ashtu siç kam kërkuar nga strukturat qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit, për ndryshim të metodologjisë së punës, po kështu jam i vetëdijshëm për forcimin e bashkëpunimit me ju, me organizatat që ju përfaqësoni dhe agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare.

Ju shpreh vullentin tim të palëkundur dhe të organizatës që unë drejtoj, se bashkëpunimi ndërmjet nesh do të jetë transparent dhe profesional, pasi besoj fort se çdo sukses arrihet kur ke një bashkëpunim të ndërtuar mbi baza besimi, profesionalizmi dhe korrektësie.

Kemi një mision të përbashkët, luftë pa kompromis ndaj krimit të organizuar, krimit kibernetik dhe terrorizmin, si dhe për të garantuar rend dhe siguri për qytetarët e vendeve tona, ndaj ju ftoj që bashkërisht të kontribuojmë akoma më shumë për ta përmbushur cilësisht këtë mision./CNA.al

 

Lajmet e fundit nga