web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Dosja "Partizani"/ GJKKO përgënjeshtron përplasjen me SPAK-un

21 Korrik 2025, 15:50, Aktualitet CNA

Dosja "Partizani"/ GJKKO përgënjeshtron përplasjen me

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka reaguar sot zyrtarisht pas spekulimeve për një konflikt të supozuar mes kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, dhe një gjyqtareje të kësaj gjykate, lidhur me procesin penal të njohur si dosja “Partizani”.

GJKKO ka reaguar përmes një njoftimi për mediat, në të cilin thekson se një konflikt i tillë nuk ekziston dhe as nuk ka ekzistuar.

NJOFTIMI PËR MEDIAT

Të nderuar gazetarë dhe përfaqësues të mediave,

Në përgjigje të interesit publik/mediatik mbi dosjen “Partizani”, në ngarkim të të pandehurve Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja, Andia Pustina, “Studio Pustina”, “Studio Homeplan” dhe “Shoqëria Kontakt”, si dhe raportimeve të ditës së sotme në disa media lidhur me një konflikt institucional të supozuar, ndërmjet Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar z. Altin Dumani dhe një prej gjyqtareve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kjo gjykatë sqaron me vendosmëri dhe qartësi se një konflikt i tillë nuk ekziston dhe as nuk ka ekzistuar.

Gjykata e Posaçme përgënjeshtron kategorikisht çdo pretendim që aludon për përplasje apo tensione ndërinstitucionale me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila, në përputhje me rolin e saj kushtetues dhe ligjor, është palë në procesin gjyqësor dhe si e tillë, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë kompetencë për të ndikuar në vendimmarrjen e gjykatës. Gjykata e Posaçme thekson se nuk ekziston asnjë konflikt institucional apo personal me ndonjërën prej palëve në çështjen penale të sipërcituar, përfshirë Prokurorinë e Posaçme. Marrëdhënia midis gjykatës dhe të gjitha palëve është e bazuar në respektimin e rolit dhe kompetencave përkatëse të secilit subjekt procedural, në funksion të zhvillimit të një procesi të rregullt dhe të drejtë gjyqësor.

Kjo gjykatë funksionon si një organ gjyqësor tërësisht i pavarur dhe i paanshëm, në përputhje me parimet themelore kushtetuese dhe ligjore të shtetit të së drejtës. Pavarësia e gjyqtarëve është e sanksionuar në nenin 145 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në legjislacionin organik për sistemin e drejtësisë, përfshirë ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ligjin nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” dhe ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Gjyqtarët e kësaj gjykate gjykojnë mbi bazën e provave, duke interpretuar ligjin me paanësi, profesionalizëm dhe integritet të lartë, të udhëhequr vetëm nga bindja e tyre e brendshme dhe nga ligji, të lirë nga çdo ndikim i jashtëm apo trysni politike dhe mediatike. Theksojmë se çdo ndërhyrje e drejtpërdrejtë apo e tërthortë në punën e gjykatës përbën jo vetëm cenim të rëndë të parimit të ndarjes së pushteteve, por edhe shkelje të rendit kushtetues dhe ligjor në vend.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar mbetet e palëkundur në misionin e saj për të garantuar një drejtësi të drejtë, të barabartë dhe të pavarur për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë. Ne do të vijojmë me vendosmëri punën tonë në respekt të plotë të Kushtetutës dhe ligjit, duke garantuar transparencë dhe llogaridhënie ndaj publikut, por pa lejuar në asnjë rast që kjo transparencë të kthehet në mjet presioni apo cënimi të integritetit të vendimmarrjes gjyqësore.

Ftojmë median të mbështesë përpjekjet për forcimin e shtetit të së drejtës me raportim të saktë, të verifikuar dhe në përputhje me standardet profesionale të informimit./CNA

 

 

 

 

 





Lajmet e fundit nga