web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Atë mëngjes dhjetori

19 Shkurt 2023, 09:34, Aktualitet Agim Xhafka
Atë mëngjes dhjetori
Gazetari Agim Xhafka

Kur isha mësues fshati në ato vite të hënave çohesha që në 4 të mëngjesit. Pas 20 minutash arrija tek agjencia e mallrave, një godinë përballë Instrumenteve të Precizionit në Korçë. Ato çaste vinin atje makinat që ngarkonin dru në Bofje, fshat matanë Moglicës. Përgjithësisht isha me fat, më merrnin deri në Lozhan. Thuajse për një orë mbërrija në qytezë, futesha tek e vetmja kafe që ishte. Kështu ndodhte nga nëntori e deri në mars ngaqë gdhihej vonë në atë gropë.

Në errësirë nuk kishte trim t’i ngjitej majës së Krosnishtit, të ulej më pas në përroin matanë malit e të sulej prapë sipër drejt fshatit Velçan.

Pasi rrufitja një filxhan me kafe elbi se kafe-kafe nuk gjeje të vrisje babanë, kishte dalë shprehja, shihja të vinin dhe kolegët e tjerë. Ashtu bëheshim grumbull e si çetë në varg për një ngjiteshim malit përpjetë. Me hidhërim ngaqë do të rrinim një javë larg qytetit, shoqërisë, komoditetit mbyllur në oda fshati qysh nga ora 5 mbasdite. Luanim letra, piqnim misra dhe thurnim ëndrra. Sapo kisha mbushur 23 vjeç atëherë. Sa kisha mbaruar fakultetin dhe ndërsa prisja një emërim në radio, në TV a fundja në gazetën e qytetit më emëruan majë malit të Lenijes, më pranë Gramshit se Korçës.

Rituali i të hënave nuk ndryshoi për tri vjet. Fiks në orën 4 isha në këmbë. Nuk më zgjonte zilja e orës, por kolla e nënës. E kishte profesionale. Qepte jorganë dhe pahu i pambukut ndër vite kishte bërë fole te mushkëritë e saj. Në javën e fundit të dhjetorit, kur po e bëja rrugën për në fshat me gëzim ngaqë po trokisnin pushimet e semestrit, sa dola nga shtëpia pashë që toka qe mbuluar me borë. Kishte rënë kaq shumë sa e kishte shtruar për shtatë palë qejfe. Ndonja 30 cm ishte lartësia.

Bora është si droga. Ngacmon nervat e gëzueshme, të jep lumturi, hare, guxim dhe adrenalinën ta nxjerr në pëllëmbë të dorës. Ndaj duke vrapuar arrita tek agjencia e makinave. Erdhi një shytë e madhe. Shytë quheshin jo makinat me turi, po ato me kabinë. Që veç shoferit kishin një sedilje pas tij dhe dy në krah të tij. Qenë si fillim autobusi. Komode, të ngrohta ngaqë motorin e kishin brenda në kabinë. Sa u afrova shoferi më tha:

- Kam këta tre mësuesit për në Moglicë.

Ngela, ktheva kokën e pashë Nesti bullafiqin me Zhanin, të fejuarën e tij elegante. Bashkë me ta dhe Vjollca, mësuesja e kimisë. I njihja se plot herë qemë takuar te kjo agjenci. Nesti e Zhani ishin çifti që na çudisnin. Nuk shkonin fare si fizik, si pamje, ama të dy qenë hare me njëri-tjetrin. U mërzita, por ngaqë ishte java e fundit e pas ca ditësh do vija në Korçë për dy javë i thashë shoferit:

- S’ka problem se hyp prapa në karroceri.

Në fakt makina shkonte bosh deri në Bofje. Atje ngarkohej me dru zjarri që blinin banorët e qytetit për ngrohje. Shoferi nuk foli. E mora si aprovim dhe kërceva sipër. Se rashë në karroceri u zhyta në dëborë. Me çizmet e mija sheshova pak vendin dhe u ula mbi një gomë të madhe që ishte rezerva e makinës.

- Mirë je, o mësues? -më pyeti shoferi.

- Po, po. Jepi, sëlloja! -i thashë.

Makina u nis dhe në fillim nuk u ndjeva keq. Kur u rrit shpejtësia ndjeva ftohtë. U mbështolla me duart kryq, por po mërdhija. Më tej era jo vetëm mua, por iu sul edhe dëborës në karroceri. E merrte si deng tallashi, e ngrinte lart dhe ma përplaste në surrat. Ato çaste jo vetëm e ftohta më fshikullonte, por nuk arrija të merrja as frymë. Shukat e dëborës më vinin në gojë e hundë si dallgë deti vu e vu, pa pushim. Po mbytem, mendova. Më kapi paniku ndaj grushtova mbi kabinën e shoferit. Ndaloi në çast.

- S’kemi arritur byrazer, jemi në Bulgarec! -tha ai nga xhami i hapur.

-Ndalo se nuk mundem më. Po vdes nga i ftohti, -i thashë e kërceva në tokë.

- Po ç’të të thotë vëllai ty, -u shfajësua ai.

Atë çast pashë Nesti bullafiqin pas ndenjëses së shoferit. Atë mezi e nxinte sedilja, nuk mund të futesha edhe unë atje. E largova si mendim. Po zoti përherë ka qenë me mua. Nga ana tjetër e shoferit bërtiti Zhani.

- Hajde këndej Gimo, rrimë bashkë. Të dy elegantë jemi. Na mjafton ky kolltuk.

Dhe hapi derën. U futa si plumb pushke. Sikur hyra në dush pas një qëndrimi në Groenlandë. Nuk besoja se mund të ekzistonte mjedis kaq magjik. As në ëndërr nuk të vjen kaq bukur dëshira. U ula ngjitur me Zhanin. Siç duket më pa të zverdhur a të ftohtë akull se bërtiti:

- I ziu ti, afrohu tek unë, afrohu!

Më pas m’u shfaq njeriu i vërtetë, ai i hershmi që kisha mësuar në libra, i komunitetit primitiv që ishin të gjithë vëllezër e motra mes tyre, që duheshin njësoj si të afërt, si të largët. Që mbronin me jetë njëri-tjetrin. Zhani më mbështolli me krahët e saj. Më futi te gjoksi i vet. Erdha dhe u bëra i vogël si atëherë kur nëna më ngrohte e më jepte gji. Më erdhi në flegra një aromë kaq e njohur, aroma e mbrojtjes e sigurisë. Rashë në kaq përkujdesje sa ndjeva që gjaku i ngecur në damarë nisi të lëvizë. Jo të lëvizë, por të vrapojë. E si qershia mbi tortë, si lumturi e atyre çasteve erdhën nxitjet e Nestit drejtuar të fejuarës së tij:

- Zhankë po ngrohe mirë, moj! Shtrëngoje fort, fërkoja shpatullat ta nxehësh. Mbështille me pallton tënde!

Kaq mirësi nuk më kishte afruar jeta deri ato çaste. Se ajo qe e fejuara, unë sa ajo në moshë e kushdo do tutej nga traditat, nga zakonet, nga paragjykimet. Po ja që Nesti atë çast mua më shihte si njeri, jo si djalosh, si mashkull që e ngrohte e shoqja d.m.th.

Ajo e hënë ishte një dhuratë që zoti më tregoi se ka njerëz kaq të çmuar dhe të mbushur me dhimbje për tjetrin, vetëmohues, engjëj.

Kur po afroheshim në Lozhan gati më kapiti gjumi bash në gjoksin e Zhanit. Ndieja erën e mirë të saj dhe flokët e gjatë bionde që më ledhatonin hera-herës sipas gropave ku shkelte makina.

- Arritëm, o mësues! - tha shoferi.

Zbrita me përtesë, sikur po dilja nga kinemaja ku kisha parë një film me aq shije sa doja ta rishihja. Hapa gojën të falënderoja Nestin dhe të fejuarën e tij, por makina u nis. Te xhami pashë fytyrat e tyre ai ato portretet me bojëra që gjyshja nga nëna i mbante fshehur në shtëpi. Te dollapi në cep të kuzhinës, i quante kora, u ndizte qiri herë pas here dhe më thosh me zërin kadife, janë shenjtorë këta. Tamam, ashtu m’u dukën. Shën Zhani e Shën Nesti, thashë zë ulët.

Hyra te lokali i vetëm i qytezës. Isha klienti i vetëm atë çast:

- Do pish kafe? - më pyeti Bajrami, banakieri.

- Jo, jo, kam pirë.

- Kafe apo çikore?

- Njerëzore, - më erdhi vetiu.





Lajmet e fundit nga