web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Arrestimet në Ministrinë e Financave/ Skema 1.2 milionë euro, akuzat e prokurorisë dhe “rrëzimi” nga avokatët

12 Janar 2023, 10:01, Aktualitet CNA

Arrestimet në Ministrinë e Financave/ Skema 1.2 milionë euro,
 

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokuta, drejtori i shërbimeve mbështetëse në këtë institucion, Fatmir Hoxha dhe përmbaruesi gjyqësor privat, Alban Ruli, u arrestuan një ditë më parë me urdhër të gjykatës, nën akuzën e krijimit të një skeme për të vjedhur nga buxheti i shtetit një vlerë prej 145.8 milionë lekësh, që deri tani ka sjellë një dëm real në masën e 48 milionë lekëve.

Sipas njoftimit të prokurorisë, me kërkesë të prokurorit Ndini Tavani u caktua masa e sigurimit “arrest në burg” për Gjokutën, Hoxhën dhe Rulin, për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Sipas prokurorisë, dy zyrtarët e Ministrisë së Financave dhe përmbaruesi privat kanë pranuar të dëmshpërblejnë shtetasin Ilir Thana në vlerën e 145.8 milionë lekëve, duke e trajtuar si pronar të një objekti pa e pasur këtë status.

Thana dëmshpërblehej kësisoj për herë të dytë për një vendim gjyqësor të ekzekutuar nga Ministria e Financave edhe në vitin 2015. Nga shuma totale prej 145.8 milionë lekësh, 48 milionë lekë kanë kaluar në llogarinë e tij.

Hetimet, pjesë nga dosja

Sot janë zbardhur pjesë nga dosja hetimore, ku thuhet se Ilir Thana ka bërë tërheqje të shumta nga llogaria e motrës së tij, i pajisur me prokurë të posaçme.

Ai ka bërë tërheqje thuajse çdo ditë nga shuma që varionin deri në 1 mln lekë, gjatë periudhës 11.10.2022-14.12.2022.

Sipas prokurorisë, ka dyshime se veprimet e përmbaruesit të Ministrisë së Financave dhe personave të tjerë, kanë shpërdoruar detyrën duke vjedhur nga buxheti i shtetit deri në këtë fazë shumën 48.118.366 lekë dhe tentuar për të vjedhur pjesën e mbetur.

“Ilir Thana ka bërë tërheqje të shumta nga llogaria e motrës së tij, i pajisur me prokurë të posaçme duke bërë tërheqje thuajse çdo ditë të shumave që variojnë deri në 1 milion lekë të reja. Tërheqjet nga ky shtetas rezultojnë se janë kryer për periudhën 11.10.2022 deri në 14.12.2022.

Ka dyshime se veprimet e përmbaruesit të Ministrisë së Financave dhe personave të tjerë, kanë shpërdoruar detyrën duke vjedhur nga buxheti i shtetit deri në këtë fazë shumën 48.118.366 lekë dhe tentuar për të vjedhur pjesën e mbetur.

Personi nën hetim Ilir Thana rezulton se ka vjedhur shuma të konsiderueshme parash. Personi nën hetim kishte dhe ka dijeni se ekzekutimi i vendimit gjyqësor është bërë i plotë nga Ministria e Financave në vitin 2015 dhe ka tërhequr këtë shumë në të njëjten ditë që shuma është derdhur në llogarinë e tij.

Personi nën hetim Ilir Thana rezulton se me datë 02.12.2005 me anë të kontratës nr. 2630/383 ka shitur të njëjtin objekt për të cilin më tej ka kërkuar vënien në ekzekutim dhe është bërë vlerësimi në rreth 150.000.000 lekë.

Organi i procedurës konstaton se funksionarë të Ministrisë së Financave kanë shpërdoruar detyrën pasi kanë bërë të mundur kalimin deri në këtë moment të shumës prej 48.118.366 lekë në llogarinë e Ilir Thana dhe Shpresa Prifti. Në vitin 2015 nga ana e përmbaruesit gjyqësor Suela Ndreca i është kërkuar Ministrisë së Financave vënia në ekzekutim e vendimit të gjykatës së Apelit Tiranë me numër 16 datë 14.07.2000", thuhet ndër të tjeta në dosje.

Reagimi i avokatëve

Avokatët Genci Gjokutaj dhe Sokol Hazizaj kanë reaguar pas arrestimit të Arlind Gjokutajt.

Ata pretendojnë se prokurororia ka shkelur në mënyrë flagrante dispozitat ligjore, kushtetuese dhe të Kodit të Procedurës Penale që kanë të bëjnë më sigurinë juridike garantimin e një procesi të rregullt ligjor dhe të drejtat e shtetasve për moscenimin e lirisë personale pa një garanci të tillë ka kërkuar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”.

Sipas avokatëve kërkesa e Prokurorit të çështjes është bërë pa e pyetur dhe pa e ballafaquar qoftë edhe një herë të vetme me shtetasin në fjalë, pra me Ilir Thanën, me provat që Prokuroria mendon se përbëjnë akuzë.

“Njoftimi i Prokurorisë pas caktimit të masës së sigurimit 'arrest ne burg' brenda ditës është një praktikë e paprecedentë, tejet shqetësuese për standardet elementare të një shteti të së drejtës dhe bëhet për protagonizëm jo për drejtësi nga një prokurori e lodhur dhe me një reputacion skandaloz për zvarritje çështjesh.

Këtë e provon fakti se njoftimi i Prokurorisë përmban elemente penale të pavërteta që nuk i përkasin procedurës administrative si objekt i këtij hetimi me qëllim krijimin e një opinioni të rremë dhe trysnimin e gjykatës”, thuhet ndër të tjera në reagimin e avokatëve./CNA.al





Lajmet e fundit nga