web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Arqipeshkvi Metropolit i Shkodrës, mesazh urimi për Krishtlindje: Të shpërndajmë shpresë për të kundërshtuar dhunën

24 Dhjetor 2025, 13:38, Aktualitet CNA

Arqipeshkvi Metropolit i Shkodrës, mesazh urimi për Krishtlindje:

Në Krishtlindjen e parë si Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër -Pultit, Imzot Giovanni Peragine drejton mesazhin e Krishtlindjes nga tre vendet identitare të historisë së popullit dhe Kishës tonë, në Shkodër e jo vetëm.

Imzot Giovanni Peragine ka theksuar se festa e Krishtlindjes nuk është një ide por ka një fytyrë, një histori, një njeri.

Ai thekson se shpresa duhet shpërndarë te të gjithë për të kundërshtuar indiferencën, shtypjen, dhunën dhe çdo formë egoizmi.

“Besimi ynë na fton të ndërtojmë një qytet me marrëdhënie të reja, ku tjetri nuk është kundërshtarë, por vëlla; një qytet ku të vuajturit nuk lihen vetëm, ku e mira e përbashkët vlen më shumë se interesat personale, ku dinjiteti i çdo personi ruhet dhe vlerësohet”, nënvizon Imzot Giovanni Peragine.

Mesazhi i plotë i Arqipeshkv Metropolit i Shkodër-Pultit, Imzot Giovanni Peragine

Këtë vit, kremtimi i Krishtlindjes së Shenjtë përkon me përfundimin e Jubileut të Shpresës, që e kemi përjetuar së bashku me gjithë Kishën. Festa e Krishtlindjes na kujton se shpresa e krishterë nuk është një ide, por ka një fytyrë, një histori, një njeri. Është Zoti që afrohet, Zoti që nuk lodhet nga njerëzimi dhe që zgjedh edhe një herë të banojë mes nesh.

Le të kujtojmë: Jezusi është Emmanueli, Hyji-me-ne, Zoti që nuk ka frikë nga brishtësia jonë, por e merr atë për ta shpëtuar. Ky është revolucioni i Krishtlindjes: Zoti zgjedh jetën tonë të përditshme si vendin e Tij të veçantë për t’u bërë i pranishëm. Si të krishterë, jemi thirrur të ndajmë këtë shpresë me të gjithë, përmes një stili jetese që kundërshton indiferencën, shtypjen, dhunën dhe çdo formë egoizmi. Besimi ynë na fton të ndërtojmë një qytet me marrëdhënie të reja, ku tjetri nuk është kundërshtarë, por vëlla; një qytet ku të vuajturit nuk lihen vetëm, ku e mira e përbashkët vlen më shumë se interesat personale, ku dinjiteti i çdo personi ruhet dhe vlerësohet.

Krishtlindja bëhet kështu një ftesë për të gjithë, besimtarë dhe jobesimtarë, për të ripërtërirë atë që na bashkon: dëshirën për paqe, drejtësi dhe vëllazëri. Vetëm kështu shpresa nuk do të mbetet një dëshirë, por do të bëhet një rrugë konkrete për qytetin dhe dioqezën tonë, një farë që vazhdon të japë fryte me kalimin e kohës`` Duke përfunduar Vitin Jubilar të Shpresës, dioqeza jonë e Shkodrës dhe e gjithë Kisha në Shqipëri përgatiten të jetojnë një vit të ri hiri në përvjetorin e 130-të të shpalljes së Zojës së Këshillit të Mirë si Mbrojtëse e Shqiptarëve dhe e gjithë Shqipërisë.

Është një kohë e bekuar që na fton të shikojmë të ardhmen me mirënjohje dhe besim, duke u lënë të udhëhiqemi nga prania amnore e Marisë. Të fillojmë këtë vit të ri nën shikimin e saj është një hir i veçantë. Maria është ajo që pranoi Zotin më parë në zemër e pastaj në trup: besimi i saj ishte shtëpia e parë e Zotit, tempulli i parë ku Fjala gjeti strehë. Me “po”-në e saj, ajo hapi një rrugë të re për njerëzimin, duke u bërë shërbëtore e Zotit dhe, në të njëjtën kohë, Nënë që solli Shpëtimtarin në botë.

Kjo Bazilikë e Zojës së Këshillit të Mirë, në hyrje të qytetit të Shkodrës, qëndron si shenjë e pranisë së Marisë, që i mirëpret dhe i shoqëron të gjithë ata që hyjnë e dalin. Shkodra, me bukuritë, historinë, plagët dhe sfidat e saj bashkëkohore, ka nevojë të shoqërohet dhe të ndihet e ruajtur nga ky shikim amnor. Ndryshimet shoqërore, emigrimi që ndan shumë familje, vështirësitë ekonomike, vetmia e të moshuarve, brishtësia e të rinjve që kërkojnë drejtim dhe të ardhme, na prekin thellë.

Të gjithë – institucionet civile e fetare, shoqatat dhe qytetarët e thjeshtë – jemi thirrur të angazhohemi dhe të japim kontributin tonë, që qyteti ynë të bëhet gjithnjë e më shumë një komunitet që mirëpret, mbron, edukon dhe mbështet më të dobëtit; një qytet ku Ungjilli i paqes, drejtësisë, solidaritetit dhe dashurisë të zbatohet në zgjedhjet e përditshme dhe në përgjegjësitë e secilit. Këtë vit kemi kujtuar XXXV-vjetorin e kremtimit të Meshës së Parë pas periudhës së gjatë të diktaturës komuniste. Kjo ndodhi pikërisht këtu, në këtë vend që nuk është vetëm varrezë, por një shenjë e gjallë e ringjalljes dhe e kujtesës.

Këtu grumbullohet heshtja e martirëve dhe guximi i një populli që, edhe në frikë dhe përndjekje, ka ruajtur besimin. Këtu drita e Ungjillit rifilloi të shkëlqejë pas errësirës, një errësirë që kishte mbjellë frikë, urrejtje, dhunë dhe vdekje. Krishtlindja na kujton se ajo dritë nuk është shuar kurrë. Lindja e Jezusit është fitorja përfundimtare e dritës mbi errësirën, jo vetëm në historinë e kaluar, por edhe mbi errësirat tona të tashme: frikërat që mbajmë në zemër, pasiguritë e kohës sonë, plagët e shoqërisë që ende nuk janë shëruar.

Çdo vit, Krishtlindja na përsërit se Zoti, në brishtësinë e një fëmije, hyn pikërisht aty ku duket e pamundur të shpresosh. Krishtlindja na fton të bëhemi dëshmitarë të kësaj drite: një komunitet që kujton të kaluarën me mirënjohje e respekt dhe që, njëkohësisht, di të shikojë të ardhmen me guxim dhe shpresë.

Ju, të dashur vëllezër e motra, dhe ju, shqiptarët e diasporës, ju drejtoj urimin tim më të sinqertë dhe më të përzemërt: që drita e Krishtit, e ardhur në botë në natën e Betlehemit, të ndriçojë shtëpitë tuaja, të ngushëllojë familjet tuaja, të mbështesë ata që janë në provë, të forcojë ata që punojnë për të mirën e përbashkët, të ngrohë zemrat e të vetmuarve dhe të rinovojë shpresën e atyre që presin një të ardhme të re. Gëzuar Krishtelindjen. Zoti ju bekoftë † Giovanni Peragine C.C.R.S.P Arqipeshkëv Metrpolit Shkodër-Pult./ CNA





Lajmet e fundit nga