web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Beteja për të ardhmen e Perëndimit

5 Shkurt 2022, 09:05, Blog CNA

Nga Tom McTague ?The Atlantic?

Vladimir Putinit i pëlqen të thotë se të luash shah me Shtetet e Bashkuara, është si të luash kundër një pëllumbi:ai rrotullohet rreth tabelës së shahut, rrëzon gurët, godet kudo, dhe më pas shpall fitoren.

Ndërkohë të luash shah me Evropën, është njëlloj si të luash me një fëmijë që i ka harruar rregullat e lojës, që pretendon se ka shpikur të reja, dhe që më pas bie në qetësi në momentin kur askush nuk dëshiron të luajë.

Prej kaq shumë kohësh, shumë njerëz në Evropë, përfshirë Britaninë e Madhe, e kanë ngushëlluar veten me thëniet se ?fuqia e fortë? nuk ka më rëndësi, se sferat e ndikimit janë të vjetruara, madje se edhe vetë gjeopolitika nuk është më dhe aq në modë sa dikur.

Pastaj Rusia dërgoi 100.000 trupa në kufi më Ukrainën, dhe befas ndryshoi koha e lojës. Siguria e së ardhmes së Evropës po vendosej sërish nga dikush tjetër, dhe diku tjetër.

Kjo krizë nuk ka nevojë të mbivlerësohet. Fuqitë e mëdha evropiane nuk mungojnë në skenë. Në veçanti Britania dhe Franca po luajnë role të spikatura:Londra po lavdërohet në vendet e Evropës Lindore për qëndrimin e saj pro-aktiv, të krijuar për ta bërë çdo ndërhyrje ruse sa më të dhimbshme.

Edhe Franca po ndjek rrugën e saj, duke organizuar një samit midis ukrainasve dhe rusëve, si pjesë e bisedimeve në kuadër të formatit të ?Normandisë? ku përfshihet edhe Gjermania. Në çdo fazë të kësaj krize, fuqitë e mëdha të Evropës janë konsultuar nga një administratë amerikane që duket se e merr seriozisht retorikën e saj mbi aleancat.

Megjithatë, nëse reflektoni paksa për një moment, do të arrini në përfundimin se situata është e jashtëzakonshme. Rusia është një vend me 142 milionë banorë, me një ekonomi të varur shumë nga nafta dhe gazi, dhe në një madhësi të ngjashme me atë të Koresë së Jugut.

Së bashku, tre fuqitë e mëdha të Evropës – Gjermania, Franca dhe Britania – ia kalojnë Rusisë në aspektin e pasurisë dhe popullsisë. E megjithatë, Evropa ka një rëndësi dytësore në këtë krizë, edhe pse ajo po ndodh në kontinentin e saj.

Për Perëndimin, realiteti i dukshëm është se fjalën kryesore e ka Amerika. Londra, Parisi dhe Berlini lobojnë secila në Shtëpinë e Bardhë, dhe në varësi të krizës dhe liderit, ushtrojnë një ndikim real. Por për cilindo president të SHBA-së që është në detyrë, motoja është ?Amerika e Para?.

Në këtë rast, presidenti Xho Bajden, është duke u përballur me një debat të ndezur midis institucionit tradicional të politikës së jashtme që predikon parandalimin dhe zërave ?frenues? gjithnjë e më me ndikim, të cilët argumentojnë se SHBA-ja nuk ka luksin të zhytet në një luftë tjetër në periferinë e saj perandorake.

Sigurisht, një pjesë e lojës së Putinit, është të përfitojë nga kjo ndarje, si brenda Amerikës po ashtu edhe në gjirin e gjithë Perëndimit. Ai ndjen ?aromën? e pavendosmërisë, dhe kërkon që ta shfrytëzojë atë.

Sipas disa ekspertëve me të cilët kam biseduar gjatë javës së kaluar, aspirata e madhe e presidentit rus është të dëbojë tërësisht Amerikën nga Evropa, duke negociuar një marrëveshje që e njeh Rusinë si një lojtare legjitime në rendin e sigurisë së kontinentit, dhe duke kompensuar humbjet që ka pësuar Moska në vitet 1990, kur ushtria e saj u detyrua të rikthehej brenda kufijve të saj.

Shkalla e kërkesave të Putinit -pra jo vetëm të kontrollojë Ukrainën, por ta kthejë pjesën më të madhe të Evropës Lindore në sferën e ndikimit rus – dhe kërcënimi ndaj rendit ekzistues që ajo përfaqëson, po sfidon strukturat bazë të aleancës perëndimore, duke detyruar çdo vend brenda saj që të vlerësojë se si shërbehen më së miri në të ardhmen interesat e tyre kombëtare.

Kjo krizë po e forcon kryesisht aleancën perëndimore. Lëvizjet e Rusisë e kanë rigjallëruar forcën kryesore ushtarake të Perëndimit, NATO-n. Për herë të parë që nga fundi i Luftës së Ftohtë, NATO ka një rrezik real dhe aktual.

E megjithatë, kanë kaluar vetëm 2 vjet që kur Donald Trump ishte komandant i përgjithshëm, dhe askush në Evropë nuk është aq naiv sa të mendojë që ai nuk ka një shans shumë të mirë për të rimarrë presidencën në vitin 2024. E gjithë baza e politikës së jashtme të Trump, ishte se Evropa dhe aleatët e tjerë ishin të sigurt falë SHBA-së.

Madje ai e përshkroi NATO-n si të vjetruar, dhe nuk e pati problem ta përdorte garancinë e sigurisë së SHBA-së si një levë në bisedimet tregtare me Gjermaninë dhe të tjerët. Prandaj kriza aktuale, është një kujtesë e rëndësisë së NATO-s, dhe për rrjedhojë e rëndësisë së botës së udhëhequr nga Amerika, por edhe e dobësisë së saj strukturore, që është opinioni publik amerikan.

Siç e kupton mirë sot kryeministri britanik Boris Xhonson, gjëja më e rëndësishme në politikën botërore është fryma e epokës, pavarësisht nëse idetë që e mbështesin atë janë apo jo të arsyeshme. Dhe kur diskutohet mbi atë që duhet të bëjë Perëndimi për të ringjallur veten, askush nuk mund të bjerë dakord.

Presidenti i Francës, Emanuel Makron, deklaroi javën e kaluar se ka ardhur koha që Evropa të kërkojë?autonominë e saj strategjike?. Dhe aftësia e Rusisë për të anashkaluar Evropën dhe biseduar drejtpërdrejt me SHBA-në, vetëm sa e konfirmoi besimin e tij se kontinenti ka nevojë të bëhet një aktor i pavarur në skenën botërore.

Në një fjalim të mbajtur në Parlamentin Evropian në Strasburg, Makron tha se është koha që Evropa të zhvillojë dialogun e saj me Rusinë, për të krijuar një ?rend të ri sigurie dhe stabiliteti për Evropën?. Këtë qëndrim Makron e ka pasur prej kohësh, por ai nuk mund të kishte zgjedhur një krizë më të keqe sesa kjo për të kërkuar pavarësinë e Evropës nga Amerika.

Në kushtet kur ushtria ruse është grumbulluar në kufijtë e Ukrainës, çfarë arsyeje të mundshme do të kishte ndonjë shtet i Evropës Lindore që të shkëmbente Uashingtonin me Brukselin, si përfaqësuesin e tij kryesor për çështjet e sigurisë, veçanërisht duke pasur parasysh se Parisi dhe Berlini nuk kanë qenë më të ashpër mbi këtë çështje?

Fakti është, dhe Makron e kupton këtë, se Evropa nuk ka një autonomi strategjike as në formën e saj më të gjerë, përfshirë Britaninë e Madhe dhe as si Bashkim Evropian. Ajo jo vetëm që nuk ka asnjë mënyrë për ta projektuar fuqinë e saj ushtarake, por nuk mund të patrullojë siç duhet as kufijtë e saj apo të garantojë furnizimin e saj me energji, shumica e së cilës vjen nga Rusia.

Madje SHBA ka bërë plane për të mbështetur furnizimin me karburant të BE-së, nëse Rusia hakmerret kundër sanksioneve perëndimore duke ndërprerë eksportet e karburantit në kontinent. Por dobësia gjeopolitike e BE-së është më e thellë se varësia e saj nga energjia dhe siguria.

BE-ja nuk ka një Silicon Valley apo një Wall Street dhe mbetet e varur nga sistemi financiar amerikan dhe tregtia kineze. Ndërkohë, Gjermani apo e vazhdon lojën e saj prej dekadash, duke pretenduar se në të vërtetë nuk është aspak një fuqi. Pavarësisht se është vendi më i pasur dhe më i fuqishëm në Evropë, ajo vepron sikur të ishte një lloj Zvicre moralisht superiore, paqësore dhe objektive.

Marrë me shkurtime./ Përshtatur nga CNA.al

https://www.theatlantic.com/international/archive/2022/01/putin-ukraine-battle-west/621361/





Lajmet e fundit nga