LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Cila është e reja në zgjedhjet e 25 prillit?

20 Prill 2021, 19:38, Opinione CNA
Cila është e reja në zgjedhjet e 25 prillit?

Nga: Arta Feta

Përveç dëshirës për të kontribuar në stabilitetin e vendit, shmangien e incidenteve zgjedhore, ambasadorët perëndimorë janë përfshirë në nxitjen dhe promovimin e figurave apo partive të reja në gjithë Shqipërinë, me fokus Shkodrën dhe Elbasanin, ku Nisma Thurrje e Rudina Hajdarit, Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit, apo dhe PSD e Tom Doshit janë mbi ujin e sondazheve. Dmth pluskojnë. Janë mbi 1% e votave në nivel kombëtar sipas sondazheve. Por mbi të gjitha, ato përfaqësojnë risi, dukuri të re, figura të reja në raport me politikën dominante PS-PD-LSI.

Në secilën prej këtyre partive ka figura mjaft interesante dhe moderne:

Bindja, ka plot demokratë të rinj që kanë studiuar jashtë; të pakënaqur me prirjen përjashtuese të Bashës.

Nisma Thurrje, bijën e tribunit të demokracisë, Rudina Hajdari dhe një aktivist social si Endri Shabani.

Lëvizja për Ndryshim, përveç zonjës Topalli që nuk ka patur pushtet ekzekutiv gjatë PD-së, ka plot figura të reja, ndonëse disa prej tyre muzikantë shkodranë me prestigj të lartë.

PSD-ja e zotit Doshi, ka mjekë, estetistë, manaxherë shëndetësorë gjithashtu me një lloj rrjeti të ndikimit të tyre jo thjesht tek pacientët.

Perëndimi, për skrupujt e vet, për përkatësinë e vet ideologjike, duhet të mbështesë të renë. Deri këtu gjithçka është legjitime. Ne duhet të duartrokasim për çdo ?cënim të sovranitetit?, prej tyre, që e forcon Shqipërinë, që e modernizon atë.

Mirëpo si e tregojnë sondazhet, edhe më pesimistët, të kontraktuara nga e majta, apo nga e djathta, partia që ngjan në sondazhe se mund të arrijë një deputet në një qark të caktuar është PSD-ja, e zotit Tom Doshi. PSD-ja pretendon madje se do të arrijë dy deputetë në Shkodër dhe më shumë se një deputet në Tiranë. Si shpjegohet kjo? Cfarë e veçon PSD-në nga këto parti të reja?

Me siguri fakti që kësaj partie me figura tërësisht të reja i prin një figurë e vjetër, e sulmuar rregullisht, që zhvillon një industri farmaceutike që bën armiq, lobet e përfaqsuesve të kompanive të huaja në një treg prej 500 milionë eurosh.

Fakti që Doshi është figurë me peshë të madhe financiare, dikur aktiv në parlament, me ndikim lokal në Shkodër ku ka bërë ndere të mëdha, me numër të madh të punësuarish në Tiranë, i sulmuar ndonëse jo gjithmonë nominalisht nga ambasadorja amerikane, apo nga PD-ja, është diferenciali i kësaj partie. Pra aliazhi i figurave të reja, me një figurë me fuqi të madhe financiare si Doshi mund të ketë krijuar rrjetën e klientëve elektoralë që dalin nëpër sondazhe.

Mirpo mbështetja e kësaj partie nuk ngjan se është objektiv i miqve perëndimorë. Përkundrazi. Ambasadorja amerikane e ka zgjedhur si shembull të kritikave për korrupsion madhor, zotin Doshi që është non grata pikërisht për këtë. Ai kritikohet për shitblerje të votave, ndonëse jo drejtpërdrejt. Një fuqi e madhe si SHBA-ja, shpesh e vendos autoritetin nëpërmjet shembullit. Duket se ambasadorja i tregon votuesve: mos votoni partinë e Doshit, por votoni partitë e tjera të reja. Ato janë ndryshimi!

Idealisht, ne do donim që të fitonin partitë e reja. Kështu do t?i jepej fund dominimit të partive dhe liderëve të vjetër. Mirëpo si do afirmoheshin figurat e reja, partitë e reja në një treg mediatik të kontrolluar nga të ashtuquajturit oligarkë, pa patur fuqi financiare, apo barazi në kushtet e hyrjes në tregun politik?

Ambasadorët janë dëshmi e integrimit të Shqipërisë, e ritmeve të këtij integrimi. Mirëpo ata janë me mandate të shkurtra. Kësisoj ata nuk arrijnë dot të imponojnë ndryshimin e ligjit elektoral. As në miratimin e ndonjë ligji që imponon konkurencën e lirë në industrinë farmaceutike, ku duhet të jesh i fuqishëm si Doshi, që të mbijetosh, me çmime të lira ilaçesh për spitalet tona. Po ashtu, ndonëse Doshi etiketohet si i lidhur me raste të korrupsionit madhor, kjo akuzë nuk duket se ka ngjitur në opinion. Korrupsioni ka dy anë. Toma ka qenë njera anë, po ata që kanë patur apo kanë pushtet publik për të bërë korrupsion, a nuk mund të ishin pjesë e kësaj liste të zezë?

Me pak fjalë, mbështetja perëndimore për të renë është jetike. Mirëpo duhet të luhet krahas angazhimit në objektiva afatshkurtër edhe në ato afatgjatë, prej ambasadorëve që rrinë maksimumi 4 vjet. Përndryshe, nga fokusimi i mbështetjes perëndimore për të renë nuk fitojnë domosdoshmërisht të rinjtë në gjithçka. Pa fuqi financiare, apo barazi kushtesh, e reja ka vështirësi të afirmohet, si në biznes ashtu dhe në politikë. Dhe në shndërrimin e Doshit si shembull i së keqes, kemi një paradoks absurd: dënohet korruptuesi, ndonëse i padënuar nga gjykata dhe falet apo përjashtohet politikani i korruptuar jo vetëm prej tij, por në qindra e mijëra tendera ( jo thjesht ilaçesh).

Lajmet e fundit nga