web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

“Ecuria goxha pozitive”/ Rama sqaron situatën e emigrantëve të bllokuar në kufi

6 Prill 2020, 11:42, Sociale CNA

Kryeministri Edi Rama thotë se ecuria deri tani është goxha pozitive.

Sipas Ramës, kjo ka ndodhur falë qytetarëve të cilët kanë respektuar masat e vendosura kundër koronavirusit.

?Përqindja e vogël e të pabindurve e të papërgjeshmëve mbeten një minë me sahat që duhët ta adesojmë me patjetër. Ndërkohë ka shumë e shumë halle e problem specifike, cështje me të cilat shumë njerëz përballen dhe dua që të më besoni së po merremi me të gjitha?, tha Rama.

Gjithashtu kryeministri ka folur edhe më situatën e krijuar në pikat kufitare të Kakavijës dhe Kapshticë.
Rama tha se në kufirin e Kakavijës nuk ka asnjë problem në këtë moment, ndërsa në Kapshticë janë 19 makina të personave që janë banorë rezidentë në Greqi.

? Për çështjen e atyre që kuturisen të vijë në kufi, duke shprehur keqardhje për disa media që i transmetojnë si live pamjet e 2-3 ditëve më parë, kemi një situatë si vijon.  Në Kakavijë nuk ka asnjë problem tani që flasim, ndërkohë që në Kapshticë kemi 19 makina të personave që janë banorë rezidentë në Greqi, të cilët nuk kanë asnjë urgjencë të posaçme por kërkojnë të hyjnë për të takuar familjen. Në një kohë tjetër kjo që po them do të ishte absurde por në këtë kohë është e vetmja rrugë që ne kemi, që të dekurajojmë maksimalisht hyrjet në kufi dhe nga ana tjetër kush bën patriotin, kush bën vajtimtarin për shkeljet e të drejtave të njeriut, përmes pengesës që i krijohet njerëzve për të hyrë në atdheun e tyre, synon të nxisë katastrofën. E them këtë pa as më të voglin dyshim. Është fakt i njohur botërisht, që Sali Berisha ka vetëm një synim, si e si të rishkatërrojë edhe një herë Shqipërinë për llogaritë e tij halucinante. E solla këtu këtë emër krejt të papëlqyeshëm për shumicën e shqiptarëve si zanafillën e një procesi skandaloz politik nxitje të rrëmujës por në këtë rast është nxitje e zinxhirit të vdekjeve. E një zinxhiri vdekjesh që është larg së qeni ai që do të ishte nëse do të shkojmë me mend e Saliut dhe atyre që i bien këtij avazi. Është e pajustifikueshme që të nxitet kjo situatë dhe të nxiten njerëzit të vijnë drejt kufijve, dhe të nxitet konflikti me policinë në kufi. Kufijtë janë të mbyllur për të mbrojtur jetën e atyre këtej e andej kufirit.

Ne kemi vendosur që brenda 24 orëve të ardhshme të hyjmë në një proces të ndërmjetëm dhe kush do të vijë në kufi tokësor me dokumente rezidence në vende të tjera nuk do të lejohet të hyjë, në asnjë rast dhe për asnjë arsye.

Kush do të vijë në kufi me pretendime të një natyre tjetër do të karantinohet për 14 ditë në struktura hoteliere me shpenzimet e veta. 14 ditë në hotel në dhomë mbyllur ku do të marrë ushqimin dhe do të paguajë vet një çmim fiks. Do të kontrollohen nga policia dhe do të jetë e ndaluar dalja nga dhoma. Kjo është e vetmja mënyrë që ne mund të mbrojmë popullin tonë, Shqipërinë nga katastrofa.

Ardhja në Shqipëri sot nga shqiptarë rezidentë në vende të tjera është e papranueshme, është papërgjegjshmëri ndaj vetes, dhe ndaj vetë vendit tonë.

Brenda 24 orësh zyrtarisht do të bëhet p[publike se si do të veprohet dhe si do të jenë mekanizmat për trajtimin e atyre që kanë urgjencë. Ata të cilët janë parë përsëri në ekran sot, janë 19 automjete të personave që janë rezidentë në shtetin fqinj. Thonë që kemi ardhur të takojmë familjen dhe do kthehemi prapë. Nuk është e mundur, është e pamundur. Kush do vijë për urgjencë,do akomodohet në një strukturë hoteliere pranë kufirit me shpenzimet e veta. Këtë e kanë bërë edhe vendet e tjera. Është e provuar që vendet që i mbajnë hapur kufijtë pasi shfaqet virusi hyjnë në telashe të pafundme që i paguajnë të gjithë bashkë. Asgjë nuk mund të funksionojë si në kohë paqeje, në asnjë drejtim, vetëm kështu fitohet lufta”, tha Rama./CNA.al





Lajmet e fundit nga