web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Letër e hapur drejtuar Ilir Metës!

3 Mars 2020, 18:19, Politikë CNA

Nga Aleksandër Rena

– Të të them “Zoti Meta”, nuk të them dot Zot, pasi për mua një është dhe do ishte fundi i marrëzisë sime po të të konsideroja si të tillë.

Të të quaj “Shoku Meta”, ndofta sikur të proklamoj përlyerjen tënde korruptive me të dyja sistemet, gjë që të cilën ti e ke vetëm me “sistemin” kapital që disponon personalisht dhe aspak me diktaturën.

Të të quaj “Mbret i vetëshpallur”, besoj se kjo do të ishte nisja më e bukur e një strumbullari xhuxhmaxhuxh si puna jote.

I dashur Mbret i vetëshpallur.

Mua më quajnë Aleksander Rena, i lindur në Peshkopi Dibër (aty ku ti je dhëndër) dhe i rritur në Tiranë (aty ku ti nise gjithçka nga hiçi, për t’u bërë ky që je sot).

Kam ca vite që i jam larguar Shqipërisë drejt Amerikës, si shumica që morën rrugën e emigracionit, pasi zotrote në 2008-tën përcaktove 3 gjëra kushtetuese (meqë na ke dal të mbrosh kushtetutën e vendit).

1) Krerët e Pozitë dhe Opozitë u bënë të paprekshëm, që në momentin që ti mblodhe dyshekët e jorganët dhe dole nga greva e urisë brenda parlamentit, kur të premtuan se edhe ti je pjesë e lojës, kështu qeverinë e asaj kohe e le të fillojë punën në legjitimitetin e saj të plotë. (Pyesim Ndre Legisin se na e tregon historinë fije për pe më mirë se unë).

2) Pas paktit që bëre me Berishën dhe Ramën, që ty, kurrë nuk do të të linin pa pushtet, duke të të përcaktuar si ndërmjetsues i qeverisë, mbylle gojën dhe nuk e the qoftë dhe një fjalë të vetme për negociatat e fshehta të paktit detar Shqipëri-Greqi, si dhe censusin e famshëm që do shpërthente në 2010-tën, me Vorio Epirin se kujt i përkiste.

3) Video e Dritan Priftit, ku të nxorri zbuluar me shifrën 700 mijë euro, ku u bë gjithë ajo gjurulldi e madhe mediatike dhe më pas u shoqërua me vrasjet e 4 viktimave në 21 Janar në bulevard, kjo besoj se ishte në lidhje me ty dhe në këtë pikë, kushtetuta që ti po kërkon që t’a mbrosh sot, dje u shkel nga të dyja çizmet e tua (markë Viçino lëkurë krokodili të errëta), që kushtonin sa shpenzimet mujore të 10 familjeve në kryeqytet. Po kjo pak rëndësi ka për ty në vlerë monetare, kur ti je klasifikuar si Ilir floriri.

Tani, që të dalim në thelbin e letrës dhe në “mbrojtjen” tënde të Kushtetutshmërisë së Republikës:
– Unë, që t’a dish ti, nuk i kam borxh askujt përveç Zotit që më ka krijuar dhe prindërve të mi që më rritën, padiskutim dhe familjes time e cila nuk përbëhet vetëm nga bashkshortja apo vajza, por më gjerë se kaq.

Kjo mësipër ishte sa për hyrje, por dua të të rendis disa të vërteta reale, të cilat jo vetëm që të nxjerrin zbuluar në abuzimin e Kushtetutës nga ana jote, por edhe manipulimin ligjor që ti i ke bërë votës së lirë dhe zgjedhjeve në tërsi. Vijojmë më poshtë: –

– Ti o i vetëshpallur mbret, më ke shumë borxh mua, si dhe çdo shqiptari që trutë i ka në vend dhe nuk është blerë nga ai floriri yt që u’a ke marr po shqiptarëve. Pra, që nuk janë kthyer ende në veglat tuaja, që zotrote t’i kollandrisësh sipas qejfit tënd po me paratë e tyre. (Floriri u përket shqiptarëve).

-Mua më ke borxh djersën e prindërve të mi, që punuan 40 e kusur vite për të pasuruar ty, Berishën, Ramën, Bashën, Veliaj e gjithë sojin tuaj maskara, që përveç maskarallëkut tuaj, na shisni shpesh’herë edhe “moral” politik.

-Mua më ke borxh djersën time që e kam derdhur në gjithë atë shkollë dhe që kurrë nuk u punësova në administratë, pasi administrata i përkiste dhe i përket militantëve partiak.

-Mua më ke borxh votën time, që arrite t’ua blesh me valixhe kryetarëve partiakë dhe me ndihma apo dhurata qytetarëve dhe fshatarëve në të gjithë vendin. Pra, ti u shndërove, në një Padrino për “Votën e lirë”, që votat e PD-së dhe të çdo partie tjetër satelit brenda ombrellës Blu apo hallexhinjëve të shumtë, ti i përktheve në numra deputetësh për partinë tënde. Gjithkush këtë e di dhe nuk mund të mohohet lehtë ky fakt.

-Mua më ke borxh ekonominë e vendit tim, thesarin e floririt, pronat që ke zaptu padrejtsishtë, pazaret politike që i ke bërë herë mbi tavolinë dhe herë poshtë saj. Pra, më ke borxh gjithçka që ke vjedh ti dhe ata që kanë bashkpunuar me ty në qeverisje hajdutësh.

-Mua më ke borxh mbajtjen në pushtet të Damir Fazlliçit bashk me Shkëlzenin, pazaret e tyre të pista me firmat e shumta të babait tyre Sali.

-Mua më ke borxh tradhëtinë e shitjes së detit si dhe poshtërimin që u bënë grekët shqiptarëve me censusin.

-Mua më ke borxh vjedhjen e rrugës së Kombit nga Lul Basha, si dhe vrasjen e 4 viktimave në bulevard që mbajnë vulën tënde të heshtur të videos me Priftin.

-Mua më ke borxh qeverisjen e Ramës, fillimin e spastrimeve të njerëzisë nga Shqipëria. Ishe në qeveri atë kohë, kur u premtuan 300 mijë vende pune (mandati i parë) dhe shqiptarët morën 500 mijë rrugët e emigracionit, duke i’a nxi fytyrën Shqipërisë me azil-kërkim.

-Mua më ke borxh, përsëri vendosmërinë e shitjes së detit me qeverinë Rama dhe heshtjen tënde prej një skuthi politik.

-Mua më ke borxh medaljen e urdhërit të Skënderbeu dhe Pashaportën Shqiptare që i’a dhe Janullatosit. Shkove dhe poshtërove figurën e heroit tonë Kombëtar me një agjent (kolonel) të Asfalisë, sepse t’u garantua paprekshmëria politike nga dosjet e shumta që të rrëndojnë në kurrizin tënd.

-Mua më ke borxh ato vilat në Gjir të Lalzit, që ti dhe e gjithë klasa politike e këtyre 30 viteve e kanë kthyer në një parajsë fiskale, duke pastruar zullumet tuaja të pafundme.

-Mua më ke borxh dinjitetin tim si shqiptarë, pasi ma ke përdhosur ti dhe shpurra jote post-komuniste, me abuzime, vjedhje, korrupsion, nepotizëm, vrasje, spastrime, klane, konjukturë, pazare tenderash, trafik droge etj.

-Mua më ke borxh mbajtjen e Ramës në pushtet tek mandati i parë, ku lulzoi Shqipëria me kanabis dhe ti zotrote se hape zërin e gojës të thoje qoftë dhe çerek fjale.

Ehhh sa borxhe më ke ti mua o mbret i vetëshpallur dhe jo vetëm mua, por të gjithë shqiptarëve, që një natë dimri nuk mjafton për të t’i përmendur. Ndofta do ishte mirë dhe për mua që të mos flisja kështu, pasi mbretërit marrin vendime egzekutive, presin koka, të gjithë atyre që kundërshtojnë “parimet” apo shkelin vijën e kuqe. Por unë nuk e kam këtë problem, pasi Amerika i mbron njerëzit e saj kudo qofshin ata.

E ndërsa ti, si ai “shqiptari” që herë bëhesh patriot e herë Mbreti hajdut, do ishte më mirë që të përballesh me drejtësinë njëherë, e më pas të dilje të “mbroje” Kushtetutën. Sepse i thonë një fjale: Kur ti ke frikë nga drejtësia, si mund t’i mbrosh kushtetutën dhe shqiptarët ? E sa për inatet dhe luftën me Ramën, apo puthjet dhe dashuritë me Berishën edhe Bashën, mua nuk më interesojnë, pasi njësoj jeni ju të gjithë. Por ajo cfarë më intereson më shumë është, që të heqësh duart e tua të pista nga ai flamur që është larë me gjak nga heronjë dhe nga ajo kushtetutë që është shkruar me shkronja të arta shqipe nga rilindasit e vërtetë të një kohe tjetër. Të po asaj kohe, kur tipat si ti apo dhe shumë të tjerë të sojit tënd politik, do ishin shpallë tradhëtarë!

Prandaj selam bëju kriminelëve si; Berisha, Rama, Basha, Mona, Veliaj dhe gjithë llumin e çakenjëve që ju mbani rreth vetes. Dhe mos harro t’ju thuash se koha e ndëshkimit do të vijë. E deri atëherë, bëni dhe pak qejf, ky është momenti juaj. Por dijeni se Shqipëria do t’ua jap atë ç’ka meritoni, shumë shpejt. Sepse ju do konsideroheni si streha e fundit e maskarenjëve që ka parë historia jonë nëpër shekuj!

Regards
Aleksandri





Lajmet e fundit nga