web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ortakët e Ramës në protestë kundër Edit

2 Mars 2020, 09:39, Politikë CNA

Sot pasdite, ish-kreu i LSI-së, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka thirrur një protestë në mbështetje të Kushtetutës dhe kundër kryeministrit Edi Rama dhe kapjes së shtetit.

Një protestë që në parim shumë do të ishin dakort më gjithë bëmat dhe gjëmat e Rilindjes. Por, kur kjo udhëhiqet nga ortakët e Edi Ramës, gjithçka duket e pavlerë.

Së pari, Ilir Meta është ai që solli Rilindjen në pushtet dhe Edi Ramën kryeministër në vitin 2013, dhe për këtë ende nuk ka kërkuar falje.

Nga ai vit e deri në fund të 2017-ës, deri ditën që Ilir Meta doli jashtë koalicionit me Edi Ramën, LSI-ja kishte në qeverisje vetëm bëma dhe gjëma. Për këtë nuk ka nevojë të na flasë Edi Rama. Kemi të gjithë qëndrimet dhe deklaratat e Lulzim Bashës, që e quan Ilir Metën ?strehën e fundit të maskarenjve?, LSI-në një forcë politike pa program dhe bandë për të punësuar me gjoba, dhe për të rrëmbyer ç?të mundin.

Është po kjo LSI dhe po ky Ilir Metë, i cili në vitin 2009 shkoi në koalicion me Berishën, me vetëm katër mandate deputetësh dhe u filmua me bllok në dorë, duke bërë pazare me të ndjerin ish-ministrin Dritan Prifti.

Është po kjo forcë politike dhe Ilir Meta që nxorën socialistët në opozitë në vitin 2005, duke bërë gjithçka kundër tyre, megjithëse Ilir Metën, Partia Socialiste e kishte bërë kryeministër, më pas e bëri edhe kryetar Kuvendi dhe tani si president, është sërish me votat e socialistëve.

Është ky Ilir Metë i cili si kryeministër vodhi thesarin, një akuzë kjo që i është bërë shpesh nga PD-ja, nga opozita e sotme. Është ky Ilir Metë, hajdut xhepash, siç e ka quajtur Berisha. Deri në trafikant fëmijësh. Këto akuza janë thënë publikisht nga lideri historik i PD-së, gjatë kohës që Meta ishte kryeministër. Akuza të forta dhe të ashpra ndaj tij, të cilat nuk janë ndalur.

Ilir Meta konsiderohet një nga personat më të pasur dhe më të korruptuar në Shqipëri, ndërsa sot del në krye të një proteste dhe kërkon mbështetje nga shqiptarët sepse kërkon mbijetesën e tij politike.

Nuk është asgjë tjetër, Ilir Meta është ortaku i të gjitha palëve. Është pazarxhiu i pushtetit të djeshëm me Berishën, pazarxhiu i pushtetit të sotëm me Edi Ramën, i cili e bëri kryetar Kuvendi, President, e mbajti edhe në pushtet.

Nga ana tjetër është edhe Lulzim Basha, i cili po shkon në protestë kundër Edi Ramës. Është njeriu i cili u fut në çadër dhe më pas bëri marëveshje në 17 maj të 2017-ës, duke marrë gjysmën e qeverisë dhe duke i falur Edi Ramës shumicën e pushtetit, pas një pazari me të se në shtator do të qeverisnin bashkë.

Lulzim Basha, për disa miliona për pallatin e vjehrrit, për një listë palaçosh deputetë, shkoi dhe u ?përqafua? fort me Ramën dhe gënjeu shqiptarët.

Këtë e bëri edhe vitin e shkuar, kur i fali në tavolinë mazhorancën kushtetuese dhe 61 bashki në tavolinë kreut të qeverisë.

Ortakëria e tyre është e pastër politike. Të gjithë i dinë dhe i shohin. Marrëveshjet e Ilir Metës i dimë. Marrëveshjet e Lulzim Bashës i dimë. Shqiptarët i kanë përpara syve. Bëmat dhe gjëmat e Rilindjes të Edi Ramës i prekin dhe i ndiejnë çdo ditë.

Prandaj sot ajo protestë, duket se është beteja e radhës e tyre për t?u ulur sërish për të bërë një marëveshje tjetër. Ortakët po kërkojnë që të përfshihen në biznes. Kjo është e gjithë historia. Nuk ka asnjë lidhje me Kushtetutën./ CNA.al





Lajmet e fundit nga