web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

"Gjenerali i ushtrisë së vdekur"/ Sandër Lleshaj i rrethuar nga vrasjet mafioze

23 Mars 2019, 10:33, Aktualitet CNA

Shqipëria është e mbytur nga krimi. Çdo ditë nga jugu në veri raportohen vrasje, atentante mafioze.

Por të gjitha këto krime, duket se nuk depërtojnë tek Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili është shndërruar në “gjeneralin e ushtrisë së vdekur”.

Jo të asaj ushtrie që ai pretendon se drejton, por të vdekurve që kanë mbushur dhe po mbushin rrugët.

Lleshaj bën fushatë elektorale në auditore me studentë, në vend që të përqëdrohet tek puna për të cilën paguhet.

Pas udhëzimeve dhe vendimeve qesharake, “gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ka shtuar në CV- e tij edhe të paktën 16 vrasje që kanë ndodhur në tre muajt e parë të këtij viti.

“Historia fatkeqësisht na ka vënë në këto pozicione që ne mund t?i tregojmë me shifra kush jemi” ka thënë me 7 shkurt 2019, nga foltorja e Kuvendit ministri Lleshaj, gjatë një debati me kreun e PD-së Lulzim Basha.

Shifrat e Bashës si Ministër i Brendshëm dihen, por edhe Lleshaj nuk po mbetet pas.

Po e ndjek kreun e PD-së, këmba-këmbës.

Kujtojmë së gjatë vitit 2018, janë regjistruar 51 vrasje, dhe vetëm nga Janari 2019 e deri më sot, kur nuk janë mbushur ende plotësisht tre muaj, janë regjistruar 16 vrasje.

Në muajin Janar kanë ndodhur 6 vrasje, në muajin shkurt, 4 vrasje dhe në muajin Mars deri më tani 6 vrasje.

CNA.al po sjell më poshtë ngjarjet e rënda dhe periudhat kohore kur kanë ndodhur. Ministri Lleshaj, mund të veprojë edhe si paraardhësi i tij Fatmir Xhafaj, dhe vrasjet mund t’i konsiderojë thjesht statistika.

Vrasjet

Viti 2019  ka nisur me  një vrasje. Krimi në familje tronditi mbarë opinionin, kur në ditën e dytë e Vitit të Ri,  Gazmend Musta, pas një sherri banal vrau me thikë gruan dhe motrën e saj.

Me 14 janar 2019, një tjetër krim, madje i trefishtë, tronditi Tiranën.

Në orën 5:30 të mëngjesit të së hënës, Majlind Lila shkoi në rrugën ?Kristaq Mone?, në zonën e njohur si ?Astiri? në kryeqytet, aty ku jetonin prindërit e ish-gruas, të cilët i ekzekutoi.

Një ditë më pas, me 15 janar, një atentat mafioz u shënua në Vlorë.

Dy persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri ndaj një automjeti tip ‘Audi’ me targa AA 653 VC ku udhëtonte 41-vjeçari Mikel Mehmeti.

Me 18 janar në Korçë, Olger Mustafaj, një ish-i dënuar për plagosje me kallashnikov, ka vrarë Altin Balliu.

Me 24 janar,  34-vjeçari Arben Gjeci u godit në kokë me hekur dhe më pas ndërroi jetë në Spitalin e Traumës.

Me 30 janar, 50-vjeçari Arben Bilali, ish-efektiv policie, u vra me breshëri automatiku shumë pranë banesës së tij në zonën e Selitës.

Muaji shkurt ka nisur sërish me vrasje.

Me 6 shkurt, Teodor  Lera, nga Vlora vrau bashkëshorten e tij, Eva Lera.

Me 13 shkurt 2019, Lirie Xhepa u qëllua për vdekje me 3 plumba pistolete, shumë pranë banesës së saj. Ajo u gjet e pajetë mes shkurresh nga banorët e zonës së Kodër Sharrës.

Me 17 shkurt 2019, një krim i rëndë tronditi Vlorën. Dy persona u ekzekutuan me armë zjarri, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur.

Të vrarë kanë mbetur shtetasit Aurest Rexho dhe Arjan Hasani. Ndërsa i plagosur ka mbetur shtetasi Armando Sulejmani, 42 vjeç, i cili dyshohet se ka qenë dhe shënjestra e atentatit për shkak të të kaluarës së tij dhe precedentëve.

Me 24 shkurt, një ngjarje e rëndë ka shokuar Durrësin. Një 45-vjeçar është ekzekutuar me armë automatik, kallashnikov, pas një zënke që ka pasur me autorin e vrasjes në një lokal.

Edhe në muajin Mars, vrasjet nuk janë ndalur, madje thuajse kanë qenë të përditshme.

Me 15 mars, është vrarë Esat Kotorri, pronari i një furre buke në Kavajë.

Një ditë më pas, me 16 mars, është vrarë Haxhi Baçinozi në Tiranë.

Me  18 mars, në Tiranë u ekzekutua Jurgen Kurti. Ai u qëllua për vdekje në afërsi të banesës së tij në rrugën ?Zef Jubani?.

Pas dy ditësh me 20 Mars, pas një atentati me armë zjarri humbi jetën  Ferdinand Polia 35-vjeçari u qëllua me breshëri duke udhëtuar me automjetin e tij tip fuoristradë.

Me 22 mars 2019, në qytetin e Elbasanit u ekzekutuar në mënyrë mafioze avokati  Ravik Gurra. Avokati ka përfaqësuar në disa gjyqe, Emiliano Shullazin dhe pjesëtarë të familjes Çapja të Elbasanit.

Me 23 mars 2019 një krim i rëndë në familje është regjistruar në Gramsh. Një 35-vjeçar me inicialet A.H ka mbytur bashkëshorten e tij./CNA.al

 





Lajmet e fundit nga