web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Ish-polici i FNSH blen 12 mijë euro kg e heroinës/ Zbulohet dënimi për vëllain e kryegjyqtarit

17 Mars 2019, 09:53, Aktualitet CNA

Skandalet në sistemin e drejtësisë, nuk kanë të mbaruar. Që nga korrupsioni, mungesa e integritetit, imoraliteti, abuzimi me detyrën apo dhe  dhuna janë bërë pjesë e këtij sistemi.

Faktet janë të gjalla me zë dhe me figurë.  Së fundmi në media është publikuar një rast dhune, ku kreu i Gjykatës së Kukësit Isuf Shehu, po godiste një avokate në hyrje të Gjykatës.

Vettingu ndërkohë ka prerë disa “koka”, gjyqtarësh dhe prokurorësh, si për pasuri ta pajustifikueshme po edhe për lidhje me krimin dhe duket se suprizat të tjera na presin.

As kryegjyqtari “dhunues” i Kukësit, duket se nuk do t’i shpëtojë Vettingut.

Para disa vitesh, vëllai i tij i cili ka qenë punonjës Policie, është arrestuar për trafik droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminale.

Kapllan Shehu, vëllai i kryegjyqtarit Isuf Shehu, është dënuar, madje dënimi i tij është konfirmuar në tre shkallët e Gjyqësorit.

CNA.al ka siguruar vendimin e Gjykatës së Lartë, por edhe pjesë nga vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe Apelit.

Drejtësia lë në burg vëllain e kryegjyqtarit

Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, me vendimin nr.50, datë 14.11.2007, ka vendosur deklarimin fajtor të të pandehurit Kapllan Shehu për kryerjen e veprës penale të ?Trafikimit të narkotikëve?, në bashkëpunim dhe, në bazë të Nenit 283/a-2 të K.Penal, dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim.  Në bazë të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, ai është dënuar me 6 (gjashtë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.

Pas ankimimit, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, me vendimin nr.21, datë 18.04.2008, ka vendosur për prishjen e vendimit nr.50, datë 14.11.2007 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë dhe dërgimin e akteve po asaj gjykate, por me tjetër trup gjykues.

Pas rikthimit të çështjes në shkallë të parë, Prokuroria për Krime të Rënda e përfaqësuar nga prokurori Njazi Seferi ndaj Kapllan Shehut, ka ngritur akuzën për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 283/a/2 të Kodit Penal. Gjatë kësaj kohe, Shehu është hetuar me masë sigurimi arrest ne burg.

Prokurori Njazi Seferi i ka kërkuar Gjykatës të shpallë fajtor Kapllan Shehun si dhe të dënojë atë me 7 vite e 6 muaj burgim.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me trup gjykues të përbërë nga kryesuesja Liljana Baku dhe anëtar  Iliriana Olldashi,Sandër Simoni, Idriz Milkurti dhe Luan Hasneziri, ka vendosur pro kërkesës së Prokurorisë.  Në vendimin me numër 66 të datës 14.11.2008  ka vendosur, deklarimin fajtor të të pandehurit Kapllan Shehu për kryerjen e veprës penale të ?Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, në bashkëpunim, parashikuar nga Neni 283/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me 7 (shtatë) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim.

Në zbatim të Nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, i pandehuri Kapllan Shehu është vendosur të dënohet përfundimisht me 5 (pesë) vjet burgim.

Sërish pas ankimimit, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, me vendimin nr.18, datë 24.03.2009 ka vendosur, lënien në fuqi të vendimit nr.66, datë 14.11.2008 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë përsa i përket deklarimit fajtor dhe dënimit për të pandehurin Kapllan Shehu.

Kundër vendimit nr.18, datë 24.03.2009, të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë,  ka paraqitur rekurs Prokurori i Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë, duke kërkuar ndryshimin e vendimeve dhe deklarimin fajtor të të gjykuarve për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 283/a/2 i Kodit Penal.

Ndërsa, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë,i përbërë nga kryesuesi Gani Dizdari dhe anëtarët Besnik Imeraj, Majlinda Andrea, Andi Çeliku e  Fatos Lulo, ka lënë në  fuqi të vendimit nr.18, datë 24.03.2009 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë, pra dënimin me 5 vjet burg për Kapllan Shehun.

Faktet mbi të cilat ka vendosur Gjykata

Kapllan Shehu, banor i fshatit Shtiqen të Rrethit Kukës, me detyrën polic i trupës operacionale në Repartin 732 F.N.SH. Kurbin, kishte prej kohësh njohje shoqërore me bashkëfshatarin e tij, Gazmir Tershalla.

Afrim Osmani dhe Besir Zylfiu janë banorë në Tetovë të Maqedonisë dhe kanë lidhje shoqërore midis tyre.

Kapllan Shehu nëpërmjet kontaktit telefonik ka vendosur lidhje me personin e autorizuar të quajtur “Mario”. Ky i fundit i ka paraqitur të Kapllan Shehur ofertën për blerjen e një sasie lënde narkotike kundrejt çmimit 12.000 euro kg.

Për sigurimin e sasisë së lëndës narkotike të destinuar për shitje tek personi i autorizuar, Kapllan Shehu ka bashkëpunuar me Gazmir Tershallën. Për këtë qëllim Gazmir Tershalla ka shfrytëzuar njohjen me Afrim Osmanin, duke e prezantuar ate me Kapllan Shehu. Të dy Kapllan Shehu  dhe Gazmir Tershalla i kanë kërkuar Afrim Osmanit që t’i siguronte lëndën narkotike, për të cilën kishin mundur të siguronin tregun e shitjes.

Pasi Afrim Osmani ka mundur të sigurojë sasinë e duhur të lëndës narkotike, nga  të tjerët  kanë filluar tratativat për futjen e saj në Shqipëri, ndërkohë që kanë rënë dakord për çmimin e saj prej 11.000 euro për kg.

Pasi nuk është bërë e mundur të realizohet plani i futjes së lëndës narkotike në Kukës nëpërmjet kufirit me Kosovën dhe atë të shkëmbimit të saj përtej kufirit, shtetasit në fjalë pretendohet se kanë rënë dakord që lëndën narkotike ta kalonin nëpërmjet PKK Qafë-Thanë.

Përfshirja e punonjësit të Policisë

Ka rezultuar se në datë 01.07.2006, Kapllan Shehu nëpërmjet numrit të tij telefonik 0682403753 ka komunikuar me Afrim Osmanin në numrin 0038970509647, nga i cili ka marrë konfirmimin e realizimit të takimit rreth orës 17.00 të po kësaj date në PKK Qafë Thanë.

Për këtë qëllim ai është larguar nga reparti Kurbin rreth orës 11.00, së bashku me personin e autorizuar “Mario” kanë mbërritur në PKK Qafë Thanë. Rreth orës 16.55, nëpërmjet telefonit, Kapllan Shehu ka njoftuar Afrim Osmanin për vendndodhjen e tij, ndërsa ky i fundit i ka konfirmuar qënien e tij para kufirit.

Rreth orës 17.40 Afrim Osmani dhe Besir Zylfiu, pasi kanë kaluar PKK Qafë Thanë, janë takuar në ambientet e Bar-Restorant “lnternacional” me Kapllan Shehun dhe personin e autorizuar “Mario”.

Nisur nga fakti se, atë ditë në PKK Qafë-Thanë ishte përforcuar kontrolli policor, për shkak të pranisë së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Drejtorit të Policisë së Qarkut Korçë, të gjykuarit është pretenduar se kanë biseduar për forma të tjera të futjes së lëndës narkotike.

Në zbatim të marrëveshjes, Besir Zylfiu në orën 18.10 është kthyer në Maqedoni nëpërmjet PKK Qafë-Thanë, ndërsa Kapllan Shehu, Afrim Osmani dhe personi i autorizuar “Mario” kanë shkuar tek Restorant “Qafë Thana”, i cili ndodhet në Rrethin e Pogradecit.

Besir Zylfiu, pretendohet nga Prokuroria se nëpërmjet kontakteve me persona të tjerë përtej kufirit, të pa identifikuar, ka mundur të sigurojë transportimin e lëndës narkotike me varkë nëpërmjet liqenit të Ohrit, pasi është errësuar për në afërsi të Restorant “Korea”, kundrejt pagimit të një shume parash në euro.

Sipas marrëveshjes njoftimi për kalimin e lëndës narkotike do të bëhej me anë të dritës së çakmakut, i cili do të ndizej dhe fikej disa herë.

Në orën 20.17 i gjykuari Besir Zylfiu ka hyrë në territorin e shtetit Shqiptar përsëri nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Qafë-Thanë dhe pasi është takuar me të tjerët, rreth orës 21.40 të gjithë së bashku kanë udhëtuar në drejtim të Pogradecit, duke u ndalur tek Restorant “Korea.

Rreth orës 22.50, pas marjes së konfirmimit për mbërritjen e lëndës narkotike në destinacion, Besir Zylfiu dhe Afrim Osmani, së bashku me personin e autorizuar, janë nisur në drejtim të Qafë Thanës.

Pas rreth 2 km rrugë ata kanë ndaluar dhe në anë të rrugës kanë marrë një pako të mbështjellë me qese plasmasi me ngjyrë të zezë, të cilën i gjykuari Besir Zylfiu, që ishte ulur në sediljen e parë e ka mbajtur tek këmbët. Më pas kanë vazhduar rrugën në drejtim të Qafë Thanës.

Kapllan Shehu ka qëndruar mbrapa, duke pritur makinën e tij të tipit Mercedes që drejtohej nga një person me emrin Titi. Rreth orës 23.00 në vendin e degëzimit të rrugës nacionale me rrugën për në fshatin Lin, dy makinat janë ndaluar për kontroll nga forcat policore, duke u bërë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i 10 pakove në formë drejtkëndëshi, mbështjellë me natriban ngjyrë kafe me peshë të përgjithshme prej 4.722 kg dhe është kryer arrestimi në flagrancë i të gjykuarve Kapllan Shehu, Afrim Osmani dhe Besir Zylfiu.

Pas sekuestrimit të dhjetë pakove të kapur në makinën e cila drejtohej nga personi i infiltruar me emrin “Mario”, në të cilën ndodheshin edhe të Besir Zylfiu dhe Afrim Osmani, nga këto pako të sekuestruara janë marrë dhjetë mostra pluhuri me ngjyrë bezhë në kafe dhe i janë nënshtruar kqyrjes dhe ekzaminimit fiziko-kimik dhe në përfundim është arritur në konkluzionin se ato kanë në përbërje të tyre heroinë. Ky veprim është pasqyruar në “Aktin e ekspertimit kimik pluhurash” nr.3541, datë 03.07.2006./CNA.al

 

 

Rrahu avokaten/ Kryegjyqtari “dhunues” pa mandat dhe me kredi

?Stop? publikon pamjet tronditëse/ Kryetari i Gjykatës dhunon avokaten





Lajmet e fundit nga