web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nga Koço Kokëdhima/Kush i bleu zgjedhjet e 25 qershorit

1 Korrik 2017, 18:40, Aktualitet CNA

Fjala e Koç Kokëdhimës në Forumin Kombëtar të Politikave të Partisë Zgjidhja

Të dashur pjesëmarrës!
Dëshiroj të falenderoj nga zemra ata mijëra të rinj e të reja, burra, gra dhe të moshuar të Shqipërisë që ju bashkuan Zgjidhjes, mirëpritën projektin, tezat, idetë, çështjet dhe kauzat e saj dhe u bënë anëtarësia e parë e partisë tonë. Unë dhe të gjithë drejtuesit e lartë të ZGJIDHJA-s ju jemi mirënjohës të gjithë veprimtarëve mendjehapur e besnikë që u përfshinë vendosmërisht në aksionet tona politike dhe mbushën sallat e takimet e Zgjidhjes duke refuzuar me vendosmëri kërbaçin dhe kulaçin e cubave dhe sekserëve të pushtetit.

Ne nuk do ta harrojmë kurrë sjelljen primitive dhe mizore të pushtetit ndaj mbështetësve dhe aktivistëve të Zgjidhjes në fillimet e saj. Në shumë raste njerëzit tanë u përndoqën, u pushuan nga puna, u shantazhuan dhe u goditën pa mëshirë. Disa të tjerëve ju ndërprenë karrierat, ju hoqën funksionet e postet që mbanin, ju hodhën në shpinë gjithë njerëzit e shtetit dhe ju bënë dëme të mëdha vetëm e vetëm për shkak të pikpamjeve të tyre politike dhe filozofike.

Ne jemi krenarë për të gjithë veprimtarët e shquar të Zgjidhjes që nuk u trembën dhe nuk u gjunjëzuan nga presioni dhe dhuna e lidershipit të Rilindjes, nuk u zbrapsën, nuk u tërhoqën, nuk u mposhtën, nuk u thyen, por e ruajtën dinjitetin dhe vetëvlerësimin dhe ngritën bazat e strukturës sonë politike në fare pak muaj. Ne, gjithashtu, nga lartësia e këtij podiumi, ju adresojmë vlerësimet më të shkëlqyera të gjithë atyre qytetarëve që nuk e kanë humbur shpresën se Shqipëria do të bëhet, që nuk u korruptuan dhe nuk u shitën te njerëzit e këtij pushteti që blejnë e shesin me para shpirtrat, votat, mbështetjen, të sotmen dhe të ardhmen e këtij populli. Këta qytetarë të ndritur besojnë te e ardhmja e ideve dhe kauzave të Zgjidhjes.

Falë shembullit dhe punës së këtyre të fundit, Zgjidhja ka anëtarësuar 20 mijë persona nga të gjitha moshat e profesionet, të rinj e të reja nga qyteti e fshati, nga shkollat e mesme dhe të larta, burra, gra e të moshuar kryesisht në Tiranë, Elbasan, Vlorë, Athinë, Fier, Korçë, Durrës, Shkodër, Lezhë e gjetkë. Kjo anëtarësi e parë do ta zgjerojë e fuqizojë me shpejtësi të madhe mbështetjen për kauzat tona dhe strukturat e Zgjidhjes në të gjithë Shqipërinë dhe në emigracion.

Ne kemi parë e njohur edhe njerëz të dobët e pa respekt për veten e tyre, individë pa ideale që shëtisin njëkohësisht sa në një parti në tjetrën, vetëm e vetëm për t?u shitur më shtrenjtë, për të nxjerrë ndonjë përfitim të çastit apo për të rritur çmimin e marrëveshjeve që bëjnë me trafikantët e votave. Jemi dëshmitarë edhe të rasteve kur na janë afruar njerëz të futur nga pushteti për diversion dhe për të na dëmtuar nga brenda në punën tonë. Njihini mirë njerëzit dhe mos humbni kohë me ata që janë të tillë.

Zgjidhja nuk do të blejë kurrë vota e pushtet, komisionerë e numërues, nuk do të premtojë kurrë vende pune në administratën e shtetit në këmbim të aktivizmit dhe mbështetjes politike, nuk do të përdorë pushtetin dhe të mirat publike për vota apo për para dhe nuk do anëtarësojë kurrë njerëz me premtime të paligjshme. Asnjë nuk duhet ta ngatërrojë Zgjidhjen me partitë e vjetra të Shqipërisë. Ne nuk kemi asgjë të përbashkët me to. Partitë e vjetra shqiptare janë struktura mafioze thellësisht të kriminalizuara, janë organizata me aktivitet shkatërrimtar për themelet e shtetit, administratën publike dhe të gjitha vlerat e shoqërisë shqiptare.

Zgjidhja do të luftojë vendosmërisht e pa kompromis me të keqen që ka mbërthyer këtë vend. Kush mendon ta shesë aktivizimin dhe mbështetjen politike me lekë droge dhe korrupsioni, me favore të paligjshme, me tendera dhe vende pune në shtet, me miell, keca, desh e karburant, me leje ndërtimi dhe legalizimi të paligjshme unë i them këtyre njerëzve: Mos ejani te Zgjidhja! Zgjidhja nuk ka vend për veset tuaja! Zgjidhja i refuzon kategorikisht këto lloj mëkatesh!

Asnjë person që e koncepton politikën kështu, nuk është i mirëpritur te Zgjidhja! Kush kërkon nga partia këto lloj privilegjesh e përfitimesh le të shkojë te Rilindja dhe te partitë e vjetra të Shqipërisë! Zgjidhja kërkon të bëjë katharsisin e shoqërisë dhe institucioneve të shtetit shqiptar, katharsisin e thellë e të plotë të elitës politike të vendit. Kush dëshiron të vijë te Zgjidhja dhe me Zgjidhjen duhet të pastrojë shpirtin nga këto vepra e ndikime të dënueshme që e kanë ndihmuar klasën politike të korruptuar të Shqipërisë që të shkatërrojë shtetin tonë dhe ta vërë atë në shërbim të mafies së krimit, korrupsionit dhe marijuanës.

Unë jam themeluesi dhe kryetari i parë i Zgjidhjes. Nuk jam dhe nuk do bëhem asnjëherë si kryetarët e tjerë të partive shqiptare. Zgjidhjen nuk do ta trajtoj kurrë si sh.p.k.-në time. Ajo është një platformë thellësisht demokratike e moderne. Nuk do të jetë asnjëherë partia e kryetarit dhe e servilave të tij. Do jem i drejtë me të gjithë dhe i pari ndër të barabartët e Zgjidhjes. Të barabartët e Zgjidhjes janë të gjithë anëtarët e saj duke filluar nga kryetari. Unë do të përfaqësoj e mbroj mendimin e sintetizuar të anëtarëve dhe militantëve të bazës. Do respektojmë mendimin ndryshe. Askush nuk do linçohet, sulmohet e denigrohet për shkak të bindjeve dhe ideve të tij.

Kryetari i Zgjidhjes nuk do të sillet si investitor dhe nuk do jetë i tillë në parti. Unë do të jem një nga qindra e mijëra donatorët e Zgjidhjes me të njëjtin kontribut financiar sa e parashikon ligji si edhe për të gjithë të tjerët. Nëse ka ndonjë që mendon të anëtarësohet te Zgjidhja për t?u shpërblyer materialisht apo me privilegje nga partia ose nga kryetari, është thellësisht i gabuar.

Zgjidhja nuk do lejojë kurrë që të preket nga sëmundjet dhe viruset e politikës së vjetër. Ne nuk do lejojmë kurrë që në partinë tonë të depërtojnë financime të paligjshme dhe burime kriminale të çdo lloji. Nuk do të pranojmë të financohemi as nga oligarkia e korrupsionit dhe as nga njerëz të përfshirë në aktivitete të dyshimta ashtu siç nuk do të pranojmë kurrë financime që do të përpiqen të ndikojnë qëndrimet dhe vendimmarrjen politike të Zgjidhjes edhe kur këto financime mund të vijnë nga biznese të ligjshme.

Ne do të pranojmë donacione nga anëtarësia e partisë dhe nga burime të ligjshme e transparente, në çdo rast nga 1 mijë lekë minimalisht deri në 1 milionë lekë maksimalisht në vit. Zgjidhjen do ta financojnë njerëzit e thjeshtë të Shqipërisë, anëtarësia e saj, njerëzit e punës e të djersës së ballit! Zgjidhja nuk do të pranojë financime nga oligarkët e lidhur me qeverinë dhe elitën politike të vendit.

Zgjidhja është partia më e mirë dhe më demokratike në Shqipëri. Ajo është një parti politike moderne me standardet më të mira si në të gjitha vendet e zhvilluara demokratike të Perëndimit. Anëtarët e Zgjidhjes janë te kjo parti për t?i dhënë fund politikës së vjetër, tiranisë së korrupsionit, krimit dhe hashashit, shkatërrimit të besimit dhe autoritetit të shtetit dhe të ligjit, papunësisë, varfërisë, padrejtësisë dhe mizerjes që sundon në vend. Zgjidhja kërkon të përmbysë pushtetin e kryetarëve dhe partitë autokratike, oligopolin dhe monopolet që sundojnë në politikën dhe ekonominë e vendit.

Zgjidhja nuk ka ardhur në skenë për të bashkëjetuar me këto realitete të shëmtuara. Ne u kemi shpallur luftë atyre. Te Zgjidhja bashkohen shpresa, besimi dhe vullneti i njerëzve që nuk do dorëzohen dhe nuk do të tërhiqen përpara asnjë vështirësie e armiku sado i egër e mizor të duket, sado i pashpirt e i fuqishëm të jetë. Zgjidhja bashkon njerëzit që në politikë e në jetë vënë mbi gjithçka e në rradhë të parë Shqipërinë dhe interesat e larta të shtetit tonë, jo ata që kërkojnë një vend pune apo provimet dhe diplomën e shkollës nga partia, por ata që nuk do ndalen së luftuari për zhvillimin, arsimimin, punësimin, mirëqenien dhe pasurimin e gjithë shqiptarëve në rrugë të ndershme e të ligjshme!

Anëtarët e Zgjidhjes nuk shiten e blihen, nuk joshen e korruptohen, nuk frikësohen dhe nuk gjunjëzohen përpara forcës së të keqes dhe pushtetit të politikanëve të korruptuar të këtij vendi! Prandaj ju ftoj që me një duartrokitje të fortë të përshëndesim ato mijëra shqiponja të Zgjidhjes, anëtarësinë e parë të saj që në zemrat e tyre të zjarrta, me shpirt dhe me vendosmëri mbartin vlerat më të larta të atdhedashurisë e krenarisë sonë kombëtare, besnikërinë, mirënjohjen, solidaritetin, trimërinë, efiçencën dhe ndershmërinë.

Të dashur kolegë dhe pjesëmarrës në mbledhjen e parë të Forumit Kombëtar të Politikave të Zgjidhjes!
Jemi ende në atmosferën e zgjedhjeve të 25 qershorit. Këto zgjedhje, sipas deklaratës së parë të OSBE\ODIHR-it, nuk ishin aspak më të mira se zgjedhjet e kaluara. Në të vërtetë ato janë edhe shumë më të deformuara e më të këqija se zgjedhjet e shkuara.

Zgjedhjet e 25 qershorit u blenë masivisht nga mafia e marijuanës dhe e korrupsionit, nga kriminelët, nga njerëzit e përfshirë në listat e deputetëve, në administratën zgjedhore e publike dhe në Policinë e Shtetit. Blerja e zgjedhjeve të 25 qershorit u parapri nga testi i blerjes së zgjedhjeve të pjesshme në Peshkopi. Në këtë krim shtetëror u përfshinë me mijëra njerëz. Kaq shumë dhe gjerësisht u përdorën paratë për blerje votash sa nuk ishte parë e menduar ndonjëherë më parë.

Qeveria e dalë nga zgjedhjet e vitit 2013 nuk kishte vullnet dhe nuk bëri asgjë për të reformuar sistemin dhe kodin zgjedhor, nuk bëri asgjë për të ngritur një infrastrukturë dhe një administratë zgjedhore jopartiake që do të mundësonte zgjedhje me standarde në Shqipëri.

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë shkatërruar zgjedhjet e lira e të ndershme në Shqipëri. Këto dy parti kanë rrënuar shtetin shqiptar, kanë shuar besimin te institucionet dhe tek ligji, kanë rrëzuar republikën kushtetuese dhe e kanë zhytur vendin në varfëri e në borxhe deri në fyt.

Zgjedhjet e 25 qershorit u paraprinë nga protesta tre mujore e PD-së, e cila ndihej e rrezikuar dhe seriozisht e kërcënuar nga ato që kishte bërë vetë me zgjedhjet në të shkuarën dhe nga ai sistem e kod zgjedhor që kishte ndërtuar e lënë në fuqi së bashku me Partinë Socialiste përpara se të largohej nga pushteti në vitin 2013. Kjo protestë, në thelbin e vet ishte e drejtë pavarësisht mëkateve të PD-së ndaj zgjedhjeve në të shkuarën.

Rilindja nuk punoi për t?i rregulluar zgjedhjet. Punoi deri në fund që të mbante në këmbë zgjedhjet e vjetra, sistemin e korruptuar elektoral. Ajo donte të bënte zgjedhje të njëanshme në 18 qershor dhe ta zëvendësonte opozitën e vendit me kukullat e veta, me një opozitë të emëruar e kontrolluar prej saj. Zgjedhjet e 25 qershorit u paraprinë dhe u zhvilluan përmes dhjetëra shkeljeve të rënda të ligjit dhe të kushtetutës.

Qeveria me aleatët e saj dhe disa parti të reja ia doli ta izolonte opozitën. Mëkati i tradhëtimit të luftës për pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve shqiptare i përvëloi këto parti. Ato u joshën nga ftesat e qeverisë dhe ato të diplomatëve të huaj që punuan për ta thyer rezistencën e opozitës. Menduan se duke braktisur standardet e zgjedhjeve, do të fitonin nga boshllëku që do krijonte opozita në parlament. Por këto parti ranë vetë në gropën që hapi Rilindja për të varrosur zgjedhjet e lira e të ndershme dhe forcat që luftonin për këto zgjedhje.

Përpjekjet për të reformuar dhe pastruar zgjedhjet e vitit 2017 nuk u mbështetën nga diplomatët e huaj në Tiranë. Ata, qartazi, mbajtën anën e qeverisë dhe mbrojtën sistemin e dështuar e të korruptuar elektoral të Shqipërisë kur deklaruan se do të njihnin zgjedhjet e 18 qershorit pa PD-në dhe do të legjitimonin asgjësimin e plotë të saj. Nuk e dimë se si do të vinte rrjedha e historisë nëse Partia Demokratike do t?u qëndronte deri në fund kauzave që mbrojti në tre muajt e protestës. Këtë nuk mund ta thotë askush me siguri.

E sigurtë është se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë shkatërruar zgjedhjet e lira dhe të ndershme. E sigurtë është se po këto dy parti kanë ndërtuar ?Republikën e Vjetër? me gjithë të zezat që hoqi dhe që i vuan edhe sot populli shqiptar prej saj. E sigurtë është se Basha dështoi në përpjekjet e tij për ta çuar vendin në zgjedhje me standarde në vitin 2017. E sigurtë është edhe se marrëveshja e 18 majit nuk u shërbeu zgjedhjeve të lira, nuk i shërbeu Shqipërisë.

Marrëveshja e 18 majit i shërbeu vetëm Rilindjes dhe PD-së. ?Republika e Re? u sakrifikua nga Basha qoftë edhe përkohësisht, për interes të PD-së. Pavarësisht kësaj, protesta e opozitës ne na ndihmoi për të ndërgjegjësuar opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar rreth problemeve të rënda që ka Shqipëria, sistemi i saj politik e kushtetues në përgjithësi dhe ai elektoral në veçanti.

Zgjidhja ka qenë plotësisht e qartë dhe me gjykime të kthjellëta. Çfarë ka paralajmëruar Zgjidhja, koha i ka vërtetuar plotësisht. Ajo ka mbajtur qëndrimet më të qarta, konseguente, parimore dhe në përputhje të plotë me interesat e popullit dhe të shtetit shqiptar. Zgjidhja paralajmëroi se zgjedhjet e 18 qershorit nuk mund të bëhen pa opozitën ashtu siç theksoi se zgjedhjet e 25 qershorit do të bliheshin nga paratë e drogës dhe krimit. Zgjidhja deklaroi se PD-ja dhe Rilindja nuk mund të organizojnë zgjedhje me standarde.

Vendimet që mori Zgjidhja për të refuzuar dhe bojkotuar zgjedhjet e pareformuara ishin të drejta dhe koha i provoi. Nëse partitë e tjera do të ishin rreshtuar me kërkesat e Zgjidhjes dhe nuk do të ishin regjistruar në zgjedhje, opozita do të rezistonte dhe sot nuk do ishte kjo situatë, zgjedhjet do të ishin reformuar dhe ato do të bëheshin të lira e të ndershme, me identifikim dhe numërim elektronik në vjeshtë. Të gjitha partitë që nuk e përkrahën qëndrimin e Zgjidhjes dolën të humbura në të gjitha pikëpamjet dhe e kthyen Shqipërinë në sulltanatin e mjerë e të errët të Rilindjes.

Zgjidhja nuk ndërhyn në konfliktin që ka shpërthyer tani në PD se kush do ta kontrollojë drejtimin e kësaj partie. Kush zgjidhet dhe kush largohet nga drejtimi është një problem i brendshëm i kësaj partie. Ne na intereson vetëm që zgjedhjet atje të zhvillohen në rrugë transparente dhe demokratike. E keni parë se si po përpiqen të shqyejnë njëri-tjetrin rivalët tani në Partinë Demokratike?

Arsyeja kryesore e kësaj situate nuk është rezultati në zgjedhje. Çdo njeri që ka haberin nga politika e di shumë mirë se zgjedhjet janë thellësisht të pabarabarta dhe të blera me para të shumta. Asnjë parti nuk e mund dot Rilindjen me këtë sistem zgjedhor edhe sikur të ketë në listën shumëemërore Krishtin dhe Muhametin, së bashku. Bashën në fakt duan ta rrëzojnë viktimat e listës së tij shumëemërorë të deputetëve.

Partitë shqiptare janë autokratike, janë pengjet dhe sh.p.k.-të e kryetarëve. Në lista e 25 qershorit u vendosën, të parapëlqyerit dhe servilët e kryetarëve edhe në PS edhe në PD edhe në partitë e tjera. Kur të fitojë nisma ligjore dhe projekti politik i Zgjidhjes: ?Unë zgjedh deputetin që dua?, do të demokratizohen partitë dhe përfaqësuesit në pushtet do t?i zgjedhë populli. Po të ishin zgjedhur me primare kandidatët e listës, do të ishte kursyer gjithë kjo përplasje e egër dhe jo etike në PD.

Basha në protestën që udhëhoqi dhe në projektin e ?Republikës së Re? artikuloi shumë teza që janë promovuar për herë të parë nga Zgjidhja dhe janë çështje themelore të programit tonë. Është me interes për vendin që këto teza e kauza të mos braktisen nga Partia Demokratike. Projekti i ?Republikës së Re? duhet të vazhdojë. Nëse marrëveshja e 18 majit do të japë ndonjë ndihmesë për t?u jetësuar qoftë edhe pjesërisht tezat e ?Republikës së Re?, siç ka premtuar Lulzim Basha, kjo do të ishte shumë pozitive edhe për Partinë Demokratike.

Partitë e reja dështuan në 25 qershor. Sistemit ynë elektoral është pervers. Partive të mëdha u mundëson deputetë me 7-8 mijë vota, ndërsa të voglave nuk u mundëson asnjë deputet për shumë më tepër vota se kaq. Ato dështuan sepse nuk janë të përgatitura siç duhet, nuk kanë struktura, burime njerëzore, materiale dhe financiare, institucione, programe alternative qeverisëse, strategji e taktika të mirëstudiuara elektorale. Ato konkurojnë në kushte krejtësisht të pabarabarta. Shkuan në zgjedhje pa standarde dhe pa aftësi për t?u përballur me kurthet e pafundme që ju ngrenë Rilindja dhe partitë e vjetra.

Fatin e zgjedhjeve të 25 qershorit e vendosën paratë e hashashit dhe të korrupsionit, blerja e mediave dhe pabarazia e pashembullt e aktorëve në zgjedhje, mbushja e kutive dhe vjedhja e votave, blerja dhe manipulimi i njerëzve të varfër e të pashpresë që janë shumicë absolute në këtë vend, përdorimi i administratës dhe burimeve shtetërore, kombinimi i shantazhit, kërcënimeve, ndëshkimeve me premtime, favore e privilegje të paligjshme nga qeveria.

Zgjedhjet e 25 qershorit nuk janë as të lira, as legjitime dhe as të pranueshme. Në këto kushte, qeveria e ardhshme, me shumë gjasa, do të jetë një qeveri e përbashkët e Rilindjes me PD-në. Shumica e Rilindjes dhe e satelitëve që ajo financoi të blejnë mandatet nën sigla të tjera, pavarësisht si është arritur përfaqëson vetëm 1/5 e zgjedhësve shqiptarë dhe nuk do të mund të prodhojë dot një qeverisje të përligjur e të gjithëpranuar.

Partnerët tanë ndërkombëtarë e dinë shumë mirë të vërtetën e zgjedhjeve shqiptare. Populli ynë e ka përcaktuar me vetëdije të thellë kombëtare, historike, kulturore dhe politike të ardhmen e tij në familjen e kombeve dhe në aleancën euroatlantike. Por, përsa kohë vendi ynë nuk bën dot zgjedhje të lira e të ndershme, zgjedhje me standarde si në vendet e tjera të Europës, ëndrra për integrim në familjen europiane duket gjithnjë e më e rreme. Si do të integrohemi në Europë kur jemi i vetmi vend në kontinent që nuk bën dot zgjedhje të pakontestuara?

Unë dua t?u bëj thirrje ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Europian, të OSBE-së dhe të vendeve të tjera mike të Europës në Shqipëri, që të ushtrojnë ndikimin e tyre mbi qeverinë dhe kuvendin e ri të Shqipërisë dhe të mbështesin frontin e përbashkët të opozitës së re të vendit me objektivin që parlamenti i ri të fillojë punën që ditën e parë që do të mblidhet me reformimin e plotë e të thellë të sistemit zgjedhor. Duhet ta zgjidhim përfundimisht dhe plotësisht problemin e zgjedhjeve.

Kur Shqipëria u pranua në NATO shumë qytetarë shqiptarë besuan se Shqipëria do të bëhej më demokratike dhe qeverisja e saj më pak e korruptuar. Kjo nuk u vërtetua. Shqipëria vazhdoi të bëhej më e padrejtë, më e pashpresë, më depresive dhe qeverisja e saj më e keqe, më arrogante e më brutale. Edhe sot, fakti që ne po u afrohemi më shumë dyerve të Europës nuk po e bën shtetin shqiptar më të mirë e më të fortë, nuk e bën qeverisjen tonë më të përgjegjshme e më të pastër, nuk po e shpëton popullin tonë nga varfëria, papunësia dhe pasiguria.

Zgjidhja do të punojë me vendosmëri për integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Partia jonë do të bëjë gjithçka të mundur për forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit të gjithanshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Interesat e ndërsjellta të partneritetit strategjik mes vendit tonë dhe Qeverisë së Shteteve të bashkuara do të jenë udhëheqëse dhe prioritet numër një në politikat e Zgjidhjes.

Kjo krizë vlerash dhe ky kalbëzim i sistemit politik dhe i institucioneve kushtetuese në Shqipëri është një kosto jo e vogël edhe për këto interesa e marrëdhënie mes popullit tonë dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë që kujdesen dhe asistojnë progresin e gjithanshëm të demokracisë në Shqipëri.

Ne i ftojmë miqtë e Shqipërisë, diplomatët e boshtit euroatlantik, inteligjencën dhe qytetarët e ndershëm, mediat dhe gazetarët, politikanët e mirë dhe të përgjegjshëm të vendit tonë, që të mos e konsiderojnë të mbyllur kapitullin e zgjedhjeve në përgjithësi dhe as kapitullin e zgjedhjeve të 25 qershorit në veçanti. Përkraheni projektin e Zgjidhjes për votim e numërim elektronik në qendrat e votimit, votim e numërim elektronik edhe për emigrantët në konsullatat dhe ambasadat tona në botë, administratë zgjedhore shtetërore, jopartiake, sistem të ri elektoral dhe kod të ri zgjedhor të miratuar me konsensus të gjerë, masa dhe institucione që do të ndalonin përfundimisht çdo deformim dhe tjetërsim të vullnetit të qytetarëve në zgjedhje. Ky është guri i parë i themelit për shtetin e së drejtës.

Zgjidhja ftoi popullin shqiptar që të bojkotonte zgjedhjet dhe të refuzonte partitë e vjetra, elitën politike dhe kastën sunduese të tranzicionit që nuk mund të përtërihet dhe të luftohet me zgjedhje të tilla. Ne dërguam 1 milionë e 350 mijë mesazhe elektronike, shpërndamë 300 mijë postera, arritëm me videot promocionale në rrjetet sociale mbi 1,5 milionë zgjedhës. Përmes mediave audiovizuale, print dhe portaleve të ndryshme shpërndamë gjithashtu qindra mijëra mesazhe për qëndrimin në fjalë dhe politikat e Zgjidhjes.

Unë dua të vlerësoj e përshëndes edhe ato OJF, individë dhe parti të tjera që ju bashkuan qëndrimit politik të Zgjidhjes për bojkotimin e 25 qershorit. Falenderoj nga zemra të gjithë anëtarësinë besnike të Zgjidhjes dhe ata mijëra e mijëra qytetarë të vendit që ju përgjigjën thirrjes së partisë tonë dhe nuk morën pjesë në zgjedhje. Falenderoj nga zemra edhe ata që ishin të detyruar të shkonin në votime për t?i shpëtuar pushimit nga puna apo ndëshkimeve të tjera të qeverisë dhe i vunë një Z të madhe të gjithë fletës së votimit, duke e kthyer këtë fletë në të pavlefshme dhe votën e tyre në një votë të fortë proteste.

Rezultati i 25 qershorit tregoi se sa të drejtë kishte Zgjidhja në qëndrimin që mbajti. Zgjedhjet u bojkotuan nga 55 për qind e shqiptarëve. Ky është një rekord historik. Po të kemi parasysh edhe sa ndodhën në zgjedhje e kuptojmë se qeverisja e re e kësaj shumice nuk mund të jetë normale. Ky bojkot historik do të thellohet edhe më shumë në qoftë se nuk rivendoset besimi i qytetarëve tek zgjedhjet, te politika dhe shteti ligjor, në qoftë se nuk demokratizojmë e modernizojmë partitë politike dhe qeverisjen e vendit.

Zgjidhja do qëndrojë në krah të qytetarëve dhe në mbrojtje të të drejtave të tyre të shkelura dhe të rrezikuara nga kjo elitë dhe kastë politike e diskredituar. Ajo do jetë një zë i fuqishëm në frontin e opozitës shqiptare dhe e gatshme të bashkëpunojë me çdo parti tjetër politike që mbështet programin tonë për reformimin e zgjedhjeve, për çmontimin e partive autokratike, për reformat kushtetuese që janë jetike për standardet e demokracisë. Partitë opozitare do të kenë mbështetjen tonë të plotë për çdo aksion të sinqertë opozitar. Testi i parë madhor i frontit të ri opozitar është beteja për vënien në jetë të reformës zgjedhore.

Zgjidhja është në proces të ngritjes së 20 komisioneve të politikave të cilat do të shqyrtojnë e hartojnë objektivat, strategjitë, politikat, programet, taktikat dhe planet për çdo sektor të jetës së vendit. Në këto komisione do të përpunohen të gjitha idetë dhe propozimet e anëtarëve të Zgjidhjes dhe të qytetarëve të vendit për arsimin, shëndetësinë, mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare, bujqësinë dhe ushqimin, transportin, mjedisin, botën e punës dhe sipërmarrjen, financat, turizmin, ekonominë, kulturën dhe artin, shoqërinë civile dhe mediat, politikën e jashtme, integrimin, emigracionin dhe diasporën, grupet e interesit, mbrojtjen sociale dhe rininë etj.

Përmes këtyre komisioneve synojmë që në pranverën ose në vjeshtën e ardhshme të miratojmë në një konferencë të jashtëzakonshme programin alternativ të Zgjidhjes për qeverisjen dhe zhvillimin e vendit. Ftoj ekspertët, shkencëtarët, shqiptarët e ditur dhe patriotë që të bashkohen në këto komisione, në forumet e konferencat tona rajonale e kombëtare për të dhënë kontributin e tyre vullnetar për një Shqipëri të fortë e të pasur, të bukur, të sigurtë e të drejtë. Ftoj gjithashtu anëtarësinë e Zgjidhjes dhe qytetarët e vendit të kontribuojnë me idetë dhe mendimet e tyre në këtë punë të madhe që kemi hapur.

Të dashur pjesëmarrës!
Sot ne morëm disa vendime shumë të rëndësishme dhe miratuam disa rezoluta. Një rezolutë e posaçme u dedikohet ushtarakëve të vendit. Zgjidhja do të mbrojë e përfaqësojë pa rezerva interesat ligjore dhe të drejtat e ushtarakëve veteranë, në rezervë, në pension të parakohshëm, në lirim, në pension të plotë dhe në shërbim.

Ushtarakët janë patriotë, njerëz që kanë bërë e bëjnë sakrifica të mëdha për atdheun, janë të gatshëm në çdo kohë që të japin jetën për të, qytetarë shembullorë dhe familjarë të devotshëm. Ata janë një shtresë e pavlerësuar dhe e injoruar nga qeveritë e të dy krahëve politikë. Partitë janë përpjekur t?i përçajnë dhe t?i përdorin ushtarakët. Ne mbështesim grupin nismëtar për zhvillimin e Kuvendit Kombëtar të Shoqatës së Unifikuar të tyre dhe të gjitha kërkesat e drejta të këtij grupi interesi siç parashikohen në rezolutën që miratuam në seancën e parë të këtij forumi kombëtar.

Unë jam shumë i lumtur që sot do të shpërndajmë kartat e para të anëtarësisë së Zgjidhjes. I ftoj këtu në podium këta anëtarë. Ejani ju lutem. Zini vend pranë meje.

Vëllezër dhe motra!
Ne na presin sfida dhe zhvillime të mëdha. Besimi tek kauzat e lirisë është vendimtar për suksesin e luftës sonë. Zgjidhja do të përgatitet për zgjedhjet e ardhshme vendore. Të gjithë kandidatët për këshilltarë dhe kryetarë të bashkive do të zgjidhen me primare mikse nga anëtarësia e partisë dhe nga qytetarët e thjeshtë të vendit. Nënkryetari i partisë sonë, Ted Nasto, ka bërë një punë shumë të mirë për ta përgatitur partinë për zgjedhjet vendore. Kjo u konkretizua edhe në rezolutat dhe vendimet që ju miratuat.

Edhe votimi nga ana juaj sot i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Zgjidhjes (KQZZ) është një ngjarje shumë e rëndësishme për ne. Kryetarja e këtij komisioni, Samidie Brija, është një juriste e zonja dhe një veprimtare e shquar politike. Ajo është kryetarja e parë e Zgjidhjes për Bashkinë e Tiranës. KQZZ-ja do të organizojë e drejtojë primaret e mbyllura për zgjedhjet në parti dhe primaret mikse për hartimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet vendore dhe ato legjislative.

Komisioni i Garancive Statutore të Zgjidhjes (KGSZ) që ju zgjodhët sot është një zhvillim i shënuar në jetën e partisë tonë. Ky komision është i ngarkuar që të ruajë besimin e lartë të anëtarëve të Zgjidhjes te kultura, misioni, kauzat dhe vizjoni i partisë tonë. Kjo gjykatë duhet të mbrojë të drejtat e anëtarësisë së thjeshtë dhe militantëve të bazës nga kryetari, nga drejtuesit e lartë të partisë dhe nga vendimet e gabuara të forumeve. Kryetari i KGSZ-së, Erdi Kuka dhe anëtarët e këtij komisioni janë juristë dhe veprimtarë shumë të mirë të Zgjidhjes.

Zgjidhja do jetë gjithmonë një parti politike moderne, në shërbim të popullit dhe të forcimit të shtetit tonë. Do t?i luftojmë partitë e oligarkisë së korrupsionit, do t?i mundim dhe do t?i largojmë nga pushteti partitë e kryetarëve. Dëshiroj t?u vë në dukje se Zgjidhja kërkon nga gjithë anëtarësia e saj të ketë dhe të zhvillojë kulturën e marrjes së përgjegjësisë.

Ne presim dhe kërkojmë që anëtarët e Zgjidhjes të përfshihen me ambicie dhe kurajo në garat që do zhvillojmë përmes primareve mikse për t?u zgjedhur kandidatë për këshilltarë dhe kryetarë bashkie. Ne ftojmë të gjithë qytetarët e devotshëm që luftojnë për një Shqipëri më të mirë, që të bashkohen me Zgjidhjen, me programin e saj dhe të konkurojnë për të drejtuar pushtetin e ardhshëm vendor. Kriteret dhe periudhën e regjistrimit si dhe informacionet e tjera që ju nevojiten, i lexoni ju lutem në website-n e Zgjidhjes, www.zgjidhja.al.

E shtuna e sotme e parë pas fitores së bujshme të Rilindjes dhe për korrikun e nxehtë të vitit 2017 dukej si dita më e papërshtatëshme për këtë forum.

Ky takim shkoi shumë bukur. Po kaq bukur do e kalojmë me të gjithë juve së bashku, edhe në kokteilin që kemi organizuar në Hotel Tirana, sot në orën 14. Me këtë rast do shikojmë edhe punimet e shumë përfolura në sheshin ?Skënderbej?.
Rroftë Shqipëria!
Rroftë Zgjidhja!





Lajmet e fundit nga