web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Pakti i PD me Veliaj për favorizimin e Irfanit?/ Si heshtën këshilltarët demokratë në Tiranë për pronën 10 mijë metra katrorë?

8 Korrik 2016, 09:38, Aktualitet CNA

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi dhënien me qira të një sipërfaqeje prej 10 mijë metrash katror në zonën e njohur si ish-Galanteria për ndërtimin e një markate, ku sipas projektit do të punësohen 800 persona.  Sipërfaqja me qira i është dhënë një prej kompanive që zotërohet nga Irfan Hysenbelliu, gjithashtu pronar i një grupi mediatik.

Citynews ka ndjekur me kujdes çështjen në fjalë duke iu referuar dokumenteve, sipas të cilave të paktën një sipërfaqe prej 4300 metrash është pronë private, ndërsa pronarët legjitimë, veç vendimit për njohjen dhe kthimin e pronës nga AKKP, zotërojnë edhe vendime të Gjykatës në favor të tyre, çka do të thotë se gëzojnë një pronë e cila as është e vjedhur, as e tjetërsuar dhe as e përfiotuar në mënyrë të paligjshme.

Bashkia e Tiranës e drejtuar nga Erjon Veliaj çoi deri në fund miratimit e projektit që sipërfaqen prej 10 mijë metrash katrore ta shndërrojë në një markatë, ndonëse pronarët legjitimë të truallit kishin propozuar që me fondet e tyre, në sipërfaqen që zotëronin, duke e shfrytëzuar atë të ndërtonin kopshte dhe çerdhe.

Duket se ky propozim për asnjë moment nuk u morr në konsideratë nga Kryebashkiaku Veliaj, për më tepër ky i fundit nuk u ndal as nga paralajmërimet se çështja në fjalë do të shkonte në Gjykatën e Strasburgut, e cila mund të vendosë një penalitet të fortë për shtetin shqiptar, që mund të shkojë deri në 7 milionë euro në favor të pronarëve legjitimë.

Në të gjithë këtë situatë, ajo që të bën përshtypje dhe ngre pikëpyetje është qëndrimi i opozitës, Këshilltarëve të PD-së në Këshillin Bashkiak, por edhe i PD-së si partia më e madhe e opozitës, që duhet të mbrojë interesat e qytetarëve por edhe të ish-pronarëve, shtresë kjo që ka mbështetur me votë këtë subjekt politik.

Por çfarë ndodhi në mbledhjen e Këshillit Bashkiak në momentin e diskutimit dhe votimit të pr.vendimeve, mes të cilëve edhe atij për dhënien me qira të sipërfaqes prej 10 mijë metrash katrorë? Këshilltarët demokratë pak përpara nisjes së diskutimit të kësaj pike zgjodhën të mos ishin prezent në sallën e mbledhjes. Ndoshta dikujt i ka nisur dhimbja e kokës, një tjetri i pihej një cigare, një tjetër është larguar për nevoja personale, një tjetër është kujtuar për një takim të rëndësishëm, e kështu me rradhë.

Arsyet e mosprezencës në sallën e Këshillit Bashkiak kur bëhej fjalë për dhënien me qira të një sipërfaqeje prej 10 mijë metrash katror një kompanie apo një biznesmeni, edhe sikur kjo të ishte pronë publike, mund të jenë nga ato më qesharaket deri tek ato më madhoret, por ajo që mund të thuhet gjithashtu ishte një pakt i heshtur mes tyre dhe Kryebashkiakut Veliaj. Ndoshta kjo ishte garancia që kishte marrë Kryebashkiaku për të çuar përpara vendimin dhe për ti dhënë me qira sipërfaqen një prej kompanive të Irfan Hysenbelliut. /citynews/





Lajmet e fundit nga