web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nga Kastriot MYFTARAJ/ Mbi deklaratën e fundit të Ministrisë së Mbrojtjes për rrëzimin e helikopterit EC 145

4 Maj 2016, 16:27, Aktualitet CNA

Në 28 prill 2016 Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, nxorri një ?deklaratë për shtyp? me rastin e mbylljes së hetimit administrativ për rrëzimin e helikopterit EC 145. Pikësëpari duhet thënë se deklarata të tilla zyrtare, gjithmonë ilustrohen me një hartë që tregon itinerarin zyrtar të fluturimit, devijimin e tij, pikën ku helikopteri humb nga radarët dhe pikën e rënies. Kjo deklaratë nuk është ilustruar me asnjë hartë. Arsyeja? Ministria e Mbrojtjes nuk dëshiron ende të thotë zyrtarisht as vendin se ku ra helikopteri, jo më të tjerat. Në një rast të tillë, më e pakta që duhej pritur nga një hetim administrativ ishte që të saktësoheshin katër detsajet e mësipërme të çështjes.
Por, në këtë deklaratë, ashtu si edhe në njoftimet e mëparshme të Ministrisë së Mbrojtjes për këtë çështje, nuk thuhet asgjë për këto detaje të çështjes. Paragrafi i parë i deklaratës së 28 prillit thotë:
?Mbyllet hetimi administrativ i urdhëruar nga Ministri i Mbrojtjes për rrëzimin e helikopterit të Forcës Ajrore me numër anësor 637 të tipit EC 145, të ndodhur në datën 6 prill 2016. Ministri i Mbrojtjes në përputhje me kompetencat që i njeh legjislacioni në fuqi, në datën 7.04.2016 urdhëroi ngritjen e grupit të punës për hetimin administrativ me objekt: ?Rrëzimi i Helikopterit EC-145? më datën 6 prill 2016 me afat përfundimtar të mbylljes së hetimit administrativ, datën 22 prill 2016.?
Në këtë paragraf kishte së paku dy raste kur mund dhe duhet të ishte thënë vendi se ku u rrëzua helikopteri por kjo gjë nuk është bërë. Arsyeja është se Ministria e Mbrojtjes, që prej ditës së rënies së helikopterit, nuk dëshiron të pohojë zyrtarisht faktin se helikopteri ka rënë në Liqenin e Shkodrës, pasi pika ku ra helikopteri ishte larg itinerarit zyrtar të helikopterit dhe pikës ku helikopteri u zhduk nga radarët. Gjithashtu, Ministria e Mbrojtjes nuk dëshiron të pohojë se helikopteri ka ndryshuar itinerarin e fluturimit, në drejtim të perëndimit, përkatësisht të Liqenit të Shkodrës, gjegjësisht kufirit me Malin e Zi.
Në deklaratë thuhet se:
?Grupi i punës, gjatë procesit hetimor administrativ, mblodhi të gjitha provat shkresore dhe jo shkresore, dëgjoi dëshmitarët, palët e interesuara dhe në dijeni të ngjarjes, verifikoi në vend provat, në praninë e Prokurorisë të rrethit Shkodër kqyri vendin e ngjarjes, thirri, dëgjoi ekspertë të brendshëm dhe të huaj, si dhe krahasoi dhe analizoi provat e marra.?
Nëse është kështu atëherë përse nuk përmendet në deklaratën zyrtare emri i vendit se ku ra helikopteri? Në deklaratë, as përsëlargu nuk përmendet bregu i Liqenit të Shkodrës si vendi ku ra helikopteri, e jo më të saktësohet se në cilën pikë të bregut të liqenit ra helikopteri. Arsyet i kam thënë në televizion dhe në analiza të tjera. Ministria e Mbrojtjes kërkon të fshehë faktin që helikopteri kishte fluturuar ilegalisht për në Malin e Zi, ku do të dorëzonte një ngarkesë me para cash.
Në deklaratë nuk përmendet Grizha si vendi i rënies së helikopterit, siç ka ndodhur në disa deklarata të mëparshme të Ministrisë së Mbrotje dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Arsyeja? Pasi unë kam thënë dy herë në televizion se Grizha është 7.5 km larg bregut të liqenit në vijë të drejtë, nuk kishte më kuptim që ajo të shpallej si vendrrëzimi i helikopterit.
Thelbi i deklaratës zyrtare për shtyp të datës 28 prill është paragrafi i mëposhtëm:
?Në përfundim të këtij hetimi administrativ, grupi i punës doli në përfundimin se: planizimi, organizimi dhe drejtimi i fluturimit stërvitor të Helikopterit FA-637 në datën 6 prill 2016, është bërë në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, që rregullojnë veprimtarinë e Forcave të Armatosura. Forca Ajrore, Baza Ajrore e Farkës dhe strukturat e tyre, kanë planizuar dhe drejtuar fluturime stërvitore në përputhje me rregullat e sigurimit të fluturimit ajror. Ekuipazhi i helikopterit ishte duke kryer një stërvitje fluturimi vizual në përputhje me planin stërvitor të Forcës Ajrore.?
Por deklarata nuk thotë se sa vetë duhet të ishin në bord sipas planit të fluturimit dhe cili duhet të ishte itinerari zyrtar i fluturimit dhe nëse pati shmangie prej tij dhe për çfarë shkaku. Formuluesit e deklaratës, në mënyrë djallëzore kanë lënë të kuptohet se për ato gjëra që nuk kanë qenë sipas planit të fluturimit, përgjegjësia ka qenë e pilotëve dhe e personit tjetër që ishte në bord. Sepse është e qartë se nëse planizimi, organizimi dhe drejtimi i fluturimit stërvitor, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, atëherë del se pilotët e helikopterit kanë vepruar në kundërshtim me planin e fluturimit, duke marrë në bord një tjetër person (sipas planit të fluturimit në bord duhet të ishin vetëm dy persona), si dhe duke devijuar nga itinerari i parashikuar i fluturimit. Kështu, në fillim pilotët i shpallën dëshmorë, ndërsa tani i përbaltin zyrtarisht në mënyrë qyqare.
Por, në të vërtetë, planizimi organizimi dhe drejtimi i fluturimit nuk është bërë sipas rregullave përkatëse. Urdhri i fluturimit nuk është nënshkruar nga shefi i Sigurisë së Fluturimeve, por nga vartësi i tij. Vetë shefi i Sigurisë së Fluturimeve, në të njëjtën kohë që do të kryhej fluturimi i quajtur stërvitor, do të gjendej në një fluturim tjetër me helikopter, por këtë herë privat, në cilësinë e pilotit, në shërbim të një kompanie private fluturimesh. Ky fakt nuk ka dalë gjatë hetimit administrativ, ose më saktë është fshehur qëllimisht.
Në deklaratë nuk thuhet asgjë për shkakun e ndryshimit të itinerarit të fluturimit nga pilotët e helikopterit. Në deklaratë nuk thuhet asgjë për largësinë mes pikës ku helikopteri u zhduk nga radarët dhe të pikës ku u rrëzua. Në deklaratë nuk thuhet asgjë për shkakun e rrëzimit të helikopterit. Si ka mundësi që në këtë deklaratë që shpall përfundimet e hetimit administrative nuk thuhet asgjë për shkakun e rrëzimit të helikopterit. Arsyeja nuk është se për këtë çështje po heton Prokuroria. Hetimi administrativ i Ministrisë së Mbrojtjes është shtrirë edhe në anë të tjera që kanë të bëjnë me hetimin penal, siç janë parregullshmëritë eventuale në planizimin, organizimin dhe drejtimin e fluturimit të helikopterit. Prandaj fare mirë mund të ishte shtrirë edhe në shkakun e rrëzimit të helikopterit. Hetimi administrativ i Ministrisë së Mbrojtjes mund të ecë paralelisht me hetimin penal. Kjo e drejtë është përcaktuar ligjërisht. Përfundimet e hetimit administrativ, në çdo rast i ofrohen Prokurorisë, në interes të hetimit penal.
Arsyeja e vërtetë që në deklaratën e 28 prillit nuk thuhet asgjë për shkaqet e rrëzimit të helikopterit është se Ministria e Mbrojtjes më në fund e kuptoi se duke shpallur që në deklaratën e parë aksidentin si shkak të rrëzimit të helikopterit, i përcaktoi Prokurorisë pistën e hetimit dhe përfundimin se ku do të arrijë. Tashmë do të ishte e tepërt që aksidenti të shpallej përfundimisht si shkaku rrëzimit të helikopterit, edhe sipas hetimit administrativ të Ministrisë së Mbrojtjes, sepse kështu hetimi i Prokurorisë do të rezultonte si kopje e hetimit të Ministrisë së Mbrojtjes.
Deklarata e 28 prillit, më tepër se të hedhë dritë mbi ngjarjen, shton dyshimet për të.





Lajmet e fundit nga