web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Rendi në Shqipëri ka nevojë për një dimension të ri

3 Maj 2016, 20:43, Aktualitet CNA

Nga Alban Daci

Ngjarjet e fundit në Shqipëri janë të rënda për një vend që kërkon të ketë Shtetin e së Drejtës, të forcojë demokracinë. Një ndër sfidat kryesore të një shteti është siguria e qytetarëve të tij. Ngjarjet e fundit dëshmojnë hapur se shqiptarët nuk janë aspak të sigurt dhe mund të vriten në mes të Tiranës, mund të rrëmbehen në rrugë nacionale, mund të dhunohen, mund të merren peng, mund tu rrëmbehet prona, mund të kërcënohën dhe mund të gjobiten nga bota e krimit.
Nga ngjarjet e fundit dhe e duke pasur parasysh edhe ata të vitit të kaluar nuk mund të themi se Shteti ka fituar kundër krimit dhe po ashtu nuk mund të themi se qytetarët janë të sigurt në rrugë, qytet, shtëpi apo në mjedise publike.
Krimi ka prekur e ka cenuar çdo qytetarë pavarësisht rangut shoqëror. Madje, nuk mund të mos themi edhe rrëmbimet apo vjedhjet me uniforma policie.
Mendoj, se Rendi dhe siguria në Shqipëri çalojnë për disa arsye që lidhen me realitetin shqiptar dhe jo vetëm.
Forcat e policisë sot për sot janë në ditët më të vështira, të keqpaguara, pa dinjitet, të pambrojtura, Po kaloja mbrëmë në Tiranë dhe shikoja rrugës policë që kishin mbaruar turnin dhe disa prej tyre kishin me orë të tëra që prisnin anas rrugës ndonjë makinë të rastit për të shkuar në shtëpi, disa të tjerë që ecnin në këmbë në rrugët pa ndriçim të Tiranës për tu kthyer në shtëpi.
Më thoni një vend të Botës që braktis kaq hapur dhe me përbuzje policët, simbolet e sigurisë. Një policisë që pret në rrugë në shi me orë të tëra një makinë të rasti për tu kthyer në shtëpi apo që ec me orë të tëra në këmbë, ai s?ka asnjë lloj dinjiteti, asnjë lloj mbrojtje nga Shteti që i shërben. Duhet të marr fund kjo histori e turpshme që policive nuk ju garantohet transporti nga Ministria e Brendshme.
Mjetet që kanë në qarkullim janë jashtë cdo standardi. Në trafik shikojmë tre lloj makinash, tre lloj ngjyrash e tre lloj targash dhe hajde të kuptojmë kush janë policët dhe policia e vërtetë.
Policia shqiptare vazhdon të jetë e keqpaguar me rroga qesharake. Nuk mund të kemi një polici serioze e profesionale me rroga që nuk plotësojnë as standardet për një jetë normale. Këto kushte ekonomike të papërfillshme e bëjnë policin të jetë më i prekshëm nga mitmarrja dhe nga forma e tjera të bashkëpunimit të rrezikshme me botën kriminale.
Probleme lidhen edhe me meritokracinë dhe karrierën në radhët e forcave të policisë. Nuk mungojnë rastet ku policë profesionale nuk kanë mbështetje për meritokraci për faktin se nuk kanë miq të fortë dhe suporte. Duhet të rishikohen gradimet dhe vlerësimet mbi meritokracinë.
Përligja dhe përdorimi i forcave të policisë nga Politika. Kjo e fundit mbetet kanceri më i rrezikshëm i forcave të policisë. Ndërhyrjet e politikës për emërime. Sa herë ndryshojnë qeveritë, ndryshojnë edhe drejtuesit e Forcave të Policisë. Shqipëria mbetet vendi I vetëm në Europë që emërimet dhe shkarkimet bëhen vetëm për motive politike dhe jo për arsye profesionale. Politika duhet të heq dorë nga radhët e policisë.
Rikthimi i Akademisë së Rendit. Shqipëria është i vetmi vend në Europë që nuk e ka më Akademinë e Policisë ose Akademinë e Rendit. Një vit trajnim nuk mjafton për të krijuar figura serioze e profesionale policore për tu përballur me sfidat e kohës dhe për dimensionet dhe format e reja të krimit të organizuar duke përfshirë edhe terrorizmin ndërkombëtar. Akademia e Policisë, pra shkollë e lartë është e domosdoshme për figurat e reja drejtuese të policisë. Një polic duhet të njoh ligjet, artin ushtarak, gjuhë të huaja dhe mjetet e informatikës. Këto mund të mësohet vetëm në një shkollë të lartë policie dhe jo në një kurs një vjeçar siç është sot.
Gjithashtu, hapi ndoshta më i rëndësishëm për të bërë të mundur të gjithë këto hapa është ndërrimi i ministrit aktual, i cili pas ngjarjeve të fundit duhet të kishte dhënë vetë dorëheqjen, sepse ka dështuar në misionin e tij. Po ashtu, duhet një Ministër i ri i motivuar për të bërë hapat e domosdoshme për të rikthyer rendin dhe besimin e qytetarëve tek Forcat e Policisë. Një figurë e suksesshme si Ministër i Brendshëm do të ishte Taulant Balla, i cili ka eksperiencën e duhur dhe forcën e duhur brenda maxhorancës për të rikthyer rendin dhe sigurinë në nivelet e kërkuara. Dimensioni i ri i rendit në Shqipëri ka nevojë për një figurë të re fillimisht ministror e pastaj edhe në hierarkinë e Forcave të Policisë.





Lajmet e fundit nga