web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Vasili: Më shumë transparencë për Skavicën

10 Shkurt 2016, 22:57, Aktualitet CNA

Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka deklaruar se duhet më shumë transparencë për ndërtimin e Skavicë. I ftuar në emisionin ?Të bësh ekonomi? në ?News 24?, Vasili u shpreh: Trajtimi i Skavicës duhet parë si një interes kombëtar dhe jo si një interes i ngushtë lokal. Edhe në debatin e sotëm besoj se duhet të qëndrojmë në këtë pikë, pasi është e vërtetë që bëhet fjalë për një çështje me rëndësi kombëtare. Nuk është çështje as një administrimi të thjeshtë të një dikasteri të caktuar, për një problem të caktuar. Vërtetë trajtohet nga një dikaster i caktuar, por ka një rreze veprimi dhe rreze efektesh që shkon shumë përtej dikasterit, që është ngarkuar të administrojë për fushën e kompetencës, porse marrja e vendimeve është shumë e rëndësishme dhe që kërkon një qasje pikërisht në këtë kuptim.

Njëkohësisht e dyta dhe më themelorja, përsa i takon një çështje që daton përsa i takon ideve, projektimit, konfigurimit të një zgjidhjeje definitive në vite, në dhjetëra vjet më parë, natyrisht ky debat, madje edhe sonte, unë miqësisht, nuk jam unë që drejtoj debatin, absolutisht jo. Por do të ishte me shumë interes për ne të gjithë, që nuk jemi specialistë, besoj që edhe kolegët e tjerë të politikës në studion tuaj nuk janë specialistë të kësaj fushe, dhe ne kemi shumë interes si qytetarë, pastaj në fund fare si politikanë, të dëgjojmë z. Pjetri, të dëgjojmë z. Kolaneci, të dëgjojmë profesorin tjetër.

Kemi shumë interes, sepse në këtë debat të madh, ne si shqiptarë, për hir edhe të moshës, e dimë fare mirë që Skavica ka qenë një preokupacion i madh i edhe i qytetarëve shqiptarë, të cilët e kanë parë atë si zgjidhe të një problemi shumë të madhe siç është energjetika. Por një kaskadë, që për atë reliev që ka Shqipëria është demonstruar dhe është sot e kësaj dite prodhuesi themelor i energjisë së vendit. Falë asaj energjie të cilës prodhohet atje dhe ekuilibrat energjetik të vendit janë të ruajtur. Dhe për pasojë, unë e përshëndes një nismë të para pak ditëve të ministrit i cili ka organizuar një takim lidhur me këtë çështje dhe përtej projekteve të komisionuara kohë pas kohe, me kompani të huaja, është bërë shumë mirë edhe që janë aktivizuar. Por të mos harrojmë që edhe atje në studion tuaj ka njerëz që kanë bërë historinë e energjetikës shqiptare, i kanë prekur me duar dhe nuk janë njerëz që thjeshtë kanë shkruar projekte, por kanë bërë ato hidrocentrale me të cilat ne ndriçohemi sot.  

Dhe e thënë e gjithë kjo, besoj që duhet të kemi modestinë e politikës, që të flasim pak dhe të dëgjojmë shumë ata që i kanë ndërtuar ato vepra, që edhe sot e kësaj dite janë në këmbë, falë të cilave ne sot e kësaj dite ndriçohemi. Pa këto, ne nuk do të ndriçoheshim dot në këtë efiçencë që kemi sot. E thënë e gjithë kjo, edhe studio juaj është një mundësi shumë e mirë, dhe unë sinqerisht e përshëndes, që në studion tuaj po shikojmë përsëri ata njerëz, të cilët na kanë bindur me punën e tyre, me duart e tyre të arta dhe me mendjen e artë. E them me bindje dhe e kam thënë edhe në komentin tim, që ne kemi në këtë fushë ekspertë të nivelit evropian.

Kur thoni kështu, a mos po konfirmoni që deri tani nuk është marrë parasysh puna e ekspertëve?

Ashtu sikurse edhe ju, ashtu sikurse edhe unë, ashtu sikurse edhe opinioni janë shumë pak të qartë se cili është fati i ardhshëm i Kaskadës. Nuk mund të jetë Kaskada pjesë e një beteje politike. Beteja politike Shqipëria ka konsumuar plot nga të cilat nuk ka fituar hiç gjë, por vetëm ka ricikluar problemet e saj në mënyrën më të keqe të mundshme. Por Kaskada është vendi më i papërshtatshëm për të bërë betejë politike. Ndaj që të ikim nga beteja politike dhe të vijmë tek e vërteta e gjërave, për këtë na ndihmojnë vetëm ata burra dhe profesionistë të vërtetë, që e vërteta është se edhe ju në studion tuaj pas hapjes së debatit keni bërë gjënë më të mirë që i keni ftuar. Por nuk kanë qenë prezent në asnjë nga studiot e televizioneve të këtij vendi, në asnjë prej medieve të shkruara të këtij vendi. Pra në një mënyrë apo në një tjetër, ne nuk dimë, nuk jemi njohur se çfarë mendojnë ata për këtë gjë.

Pra po thoni se duhet më shumë transparencë?

Sigurisht që po. Në fund të fundit ata njerëz të cilët kanë ndërtuar vepra, nuk i kanë dëgjuar siç i kanë ca të tjerë. Ata duan dëgjuar. Në qoftë se të gjithë ata implikojnë, sepse ju e dini që profesionistët e mirë janë shumë objektivë, dhe i thonë të bardhës të bardhë dhe të zezës të zezë. Jemi të gjithë si qytetarë në radhë të parë që kjo punë që po bëhet apo kjo zgjidhje inxhinierike që i është dhënë, është zgjidhja më e mirë për kushtet në të cilat duhet të jetë. Unë nuk pajtohem as me idenë e projekteve që kam dëgjuar, projekte që i ndërtojnë diktaturat apo projekte që i ndërtojnë pluralizmi. Projektet ose janë projekte efiçente dhe e vënë sistemin energjetik shqiptar në kushte e ekonomisë dhe të efiçentës së plotë, sigurisht e ruajnë edhe nga problemet e mëdha sociale siç janë edhe përmbytjet ose nuk janë të tilla. Dhe në rast se janë kaq strategjike, të gjitha sakrificat që do të kërkonte financimi i tyre të vëna përballë kësaj nevoje të madhe, duke sqaruar publikun e gjerë, do të ishin projekte të pranuara dhe projekte për të cilat shqiptarët do të dinin edhe pse po sakrifikonin. Ne kemi financuar një rrugë të rëndësishme si Rruga e Kombit, që ka kushtuar mbi 1 miliardë euro në fund të fundit në funksion të zhvillimit, etj. Por nuk besoj kurrën e kurrës se mund të krahasohet me rëndësinë strategjike që ka Skavica e në rast se do të duheshin investime të tilla e të mëdha….

Po flisnim për vlerën e investimeve, vlera të tilla ne kemi investuar edhe në projekte të tjera që janë më pak të rëndësishme se sa Skavica…

Pikërisht, dhe problemi është i tillë: këmba themelore e të ardhmes së zhvillimit ekonomik dhe social të këtij vendi është pikërisht zgjidhja strategjike e problemit të energjisë. Dhe kjo zgjidhje në Shqipërinë tonë, për ato kushte që ofron, sigurisht alternativat e tjera energjetike do të jenë prezent në Shqipëri dhe sigurisht është një ambient i hapur, porse Skavica është një interes kombëtar i patjetërsueshëm. Kjo nuk mund të jetë një lojë as bonusesh, asnjë lojë e ngushtë e tipit unë e kam bërë më mirë dhe ju e keni bërë më keq, problemi është i tillë. Zotërinj shumë të nderuar, profesionistë të klasit të parë, ata që ndërtuan këto hidrocentrale të mëdha si Fierza, Komani, Vaun e Dejës, etj., le të thonë ata mendimin e tyre dhe unë jam nga ata që do t?i përulem atij mendimi dhe do të bëhesha partizan më i flaktë i mbështetjes së këtyre bindjeve.

 

 





Lajmet e fundit nga