web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

INTERVISTA/ Marjeta Ljarja: Teatrin e kanë prishur drejtuesit

31 Janar 2016, 08:24, Aktualitet CNA

Marjeta Ljarja, një nga artistet më të dashura për publikun, ka shprehur kritika lidhur me drejtimin e teatrit. naqësi. Në një intervistë dhënë për gazetën Sot, aktorja Marjeta Ljarja vjen me një rrëfim për jetën artistike, vëmendjen që ka ndaj aktiviteteve me teatrin e fëmijëve dhe për të rritur, si dhe vlerësimin që duhet të ketë sot artisti.

Ky vit nisi për ju duke u bërë dhe anëtare e Bordit Këshillimor në Qendrën Kulturore Tirana, përveç angazhimeve të tjera që ju keni?

Ishte një ftesë në një mënyrë të sinqertë dhe me shumë respekt, që mu bë për të qenë pjesë e këtij bordi, dhe kjo më bëri ndoshta që të pranoj, por dhe pasi e mendova se duhet bërë diçka me eksperiencën e viteve që kemi. Dhe nuk duhet të heshtim, pra të mos jemi spektatorë për gjithçka, dhe kjo më bëri që ta pranoj këtë ftesë. Natyrisht që është një detyrë që unë mund të bëj diçka. Keni shumë vëmendje në aktivitetet e fëmijëve.

Gjatë konferencës së shtypit, u shprehët që duhet të luftojmë komercializmin në shfaqjet e fëmijëve?

Kur them komercializmi që përmenda tek shfaqjet për fëmijët, e kam me atë që mënyra se si bëhet një festë, ditëlindje, janë komercializëm brenda dhe asgjë. Nuk i mbetet fëmijës një mesazh që i takon atij, ndaj duhet që hap pas hapi që këto gjëra të largohen. Unë me teatrin e kukullave, që jam një ndjekëse e mirë, sepse kam dy mbesat e mia, jam kënaqur me pjesën që bëjnë, por është pak për të mbuluar Tiranën, që është zgjeruar kaq shumë, dhe më vjen mirë që dhe teatri eksperimental ka filluar shfaqjet për fëmijë. Më vjen mirë, që dhe këtu në Metropol janë shfaqjet për fëmijë, por këtu me këtë mendimin që të mos presim vetëm fëmijët të vijnë tek ne, por ti shkojmë në gjitha mënyrat kjo është një gjë që do të ndikojë shumë pozitivisht pastaj me këtë mendim mund të gjesh mënyra nga më të ndryshmet.

Po në teatrin për të rritur, sa e shikoni komercializmin?

Nuk e di, por hap pas hapi komercializmi ka zënë shumë vend dhe në teatrin për të rritur, por dhe ta luftojmë nuk është e lehtë. Ashtu siç hyri hap pas hapi, ashtu dhe duhet të largohet. Megjithatë kjo nuk është e metë e artistëve, por e atyre që drejtojnë. Artisti gjithmonë është si fëmija në raport me atë që jep. Vërtetë do të mbijetojë në një farë mënyre, por ndoshta te profesioni hyn me dëshirën më shumë për të bërë diçka, për të zbrazur shpirtin e vet, atë njohuri që ka marrë, atë shkollë që ka bërë, ato dëshira që ka. Pastaj dhe pjesa komerciale bën punën e vet.

U tha që do të merrni pjesë dhe në audicione për shfaqjet teatrore?

Nuk e di se si janë bërë deri tani audicionet këtu, kam dëshirë që ti shikoj, kam dëshirë që në këtë pozicion këshillimor të jap ndonjë mendim pa ndikuar, dhe të mos harrojmë që dhe ai që vë pjesën në skenë ka pjesën e vet.

Flasim pak për filmin për fëmijë, duket se ka humbur shumë gjatë këtyre viteve?

Më vjen keq që ka humbur shumë filmi për fëmijë në kinema. Ndaj them që puna e regjisores Xhanfize Keko, atë që ka bërë ajo se ka bërë asnjeri, që dhe sot filmat për fëmijë që ka bërë ajo çojnë mesazhe, që sërish te fëmijët mbesin si në ato vite. Filmi për fëmijë ka humbur shumë. Mos harrojmë një gjë, që tjetër është teatri për kukulla që do specifikë më vete, dhe tjetër është një teatër për fëmijë. Meqë jemi te teatri për fëmijë, në Greqi në pjesën më të madhe të teatrove për të rritur ka dhe teatër për fëmijë, aktivizohen gati të gjithë aktorët në shfaqjet për fëmijë.

Ju pohoni se kemi talente, por edhe teatri për të rritur ka probleme?

Janë shumë probleme të thella për teatrin, që nuk trajtohen dot me dy fjalë. Por ajo që unë mendoj, teatrin ajo që e ka prishur më kryesorja ka qenë që çdo drejtues që ka ardhur ka kujtuar se ai do të bënte zbulimin e madh, dhe do të fillonte gjithçka nga e para. Ky është çelësi. Nuk ka ardhur me dashurinë e madhe si drejtues, që këtu gjej një thesar dhe mbi atë do të krijoj dhe do të vë dhe unë një gur tjetër. Në momentin që hyn psikologjikisht që sikur ti je shpëtimtari, ti do të bësh gjithçka, që aty është akull mbi akull dhe jo gurë mbi gurë.

Tjetër problem me kinematografinë shqiptare, atë që përcjellin filmat duket se nuk është ai që pret të marrë publiku në pjesën më të madhe të tyre?

Nuk e di çfarë po ndodh. U mësuam dhe ne me këtë, që ky është standarti i filmit sot, nuk po na zgjon një emocion të veçantë.

Për ju sa vlerësohet artisti sot?

Unë nuk e di se si e ndjejnë veten këta, që po aktivizohen gjatë këtyre viteve. Neve përshembull fatmirësisht na lodh akoma dashamirësia, që vazhdon tek spektatori akoma për ne. Madje dhe kur dëshirojmë të bëjmë diçka, duket sikur jemi borxhlinj ndaj atyre që vazhdojnë të na respektojnë, të na shikojnë, komplimentojnë në atë bashkëbisedimin e përditshëm me njerëzit. Ne e kemi ndjerë me shumicë vlerësimin e publikut. Këta që janë sot, duhen pyetur vetë, unë për veten time e ndjej akoma dashamirësinë e spektatorit.

Po shteti, sa e vlerëson artistin?

Më vjen keq ta pohoj, por nuk e ndjejmë sa duhet vlerësimin e shtetit. Por dhe kjo që unë them është personale, dhe ka të bëjë me drejtuesin. Pra nëse një drejtues artdashës e ka artin diku thellë në shpirt dhe dashamirësinë për artin, pozicioni zyrtar do t?ia shtojë këtë gjë, por nëse nuk e ka nuk ia sjell pozicioni zyrtar. Nëse pa marrë pozicionin zyrtar ke qenë në opozitë të prerë me të gjithë artistët, kur të kesh pozicion zyrtar do të jesh i egër, i lig me ta.

Po Ministria e Kulturës, sipas jush çfarë mund të bëjë për teatrin që ka aq shumë probleme?

Unë thjesht dhe në një pozicion që ka qenë ministër Kulture, Teodor Laço, këtë kam ndjerë që ai ka qenë dashamirës me artistët pa qenë ministër Kulture, dhe këtë dashamirësi e kanë ndjerë të gjithë artistët në periudhën kur ai ka qenë drejtues i këtij institucioni. Pra pa qenë dashamirës, ti nuk mund të bëhesh dashamirës kur ke pozicionin zyrtar. Edhe raportet e sotme le ti shpjegojnë ata që kanë raporte direkt, unë jam pensioniste. Unë jam në pozicionin, që them faleminderit kur kujtohet dikush që të ndjehem mirë me atë eksperiencë që unë kam.

Jeni shumë e vlerësuar për atë që ju keni dhënë ndër vite në jetën artistike për publikun. Kur do t?ju shikojmë me ndonjë projekt të ri artistik?

Nuk e di, nuk besoj të jem në teatër. Për momentin, nuk kam ndonjë propozim konkret. E njëjta gjë dhe për filmin, nuk ka ndonjë propozim konkret. Presim.

Ju dhe bashkëshorti juaj Rikard Ljarja jeni një nga çiftet më të njohur në artin shqiptar. Kur vështroni pas në vite, sa e lodhshme ka qenë kjo jetë artistike? Ka qenë e bukur jeta jonë artistike.

Ka qenë dhe e lodhshme, por lodhje që ia vlente, sepse u shpërblye.

Që nga viti 1974 kur keni dalë për herë të parë në ekranin e televizorit, për të vazhduar më pas me të tjera projekte artistike. Nga ai vit dhe deri më sot aktive me jetën artistike?

Jo unë nuk hyj te aktivet, më kanë mësuar të hesht, të mos ëndërroj. Hyj tek ato që kur më zgjohet një ëndërr më zgjohet fuqishëm, por më shuhet shpejt, sepse e shikoj që është e pamundur që të bësh diçka, është e pamundur ta bësh vetë punën pa një regjisor.

E plotësuar me teatrin?

Nuk mund të them që kam role pengje. Por nëse do të ishte një propozim, që do të më vinte në ndonjë pozitë të fuqishme pune me siguri do të ndjehesha mirë.





Lajmet e fundit nga