web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nga Kastriot Myftaraj/ Komunikimi i Edi Ramës me Erdoganin për mbishkrimin osman të kështjellës së Lezhës

1 Tetor 2015, 16:44, Aktualitet CNA

1.
I dashur abi (vëlla) Edi!
Kur do të ikja nga Tirana më kërkove të të mirëkuptoja që nuk i mbyll dot shkollat që ka hapur në Shqipëri ai qafiri Gyleni, sepse nuk të lejojnë amerikanët. Por më ofrove një allishverish, me demek që të vendosje një pllakë që të tregonte lavdinë osmane në Shqipëri, ku të doja unë. Meselenë se qysh e tek, gjejeni vetë Baba Rexhep më the. Që të jem i sinqertë, kjo më pëlqeu më shumë se mbyllja e shkollave, sepse kjo do të jetë një mësim për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për disa nxënës. Unë e bëra muhabetin me ideologun tonë të Neo-Otomanizmit, kryeministrin Davutoglu, dhe ai mendon që të vihet një pllakë në kalanë e Lezhës me një mbishkrim në osmanisht ku lavdërohet Sulltan Sulejmani i Madhërishëm. Ai e rindërtoi këtë kështjellë, të cilën e shembën trimat e Xhihadit të Ushtrisë Osmane, kur e pushtuan kalanë. Kjo do të shënojë në mënyrë monumentale rikthimin osman në Shqipëri, në kuadrin e Neo-Otomanizmit dhe do të jetë si myhyr (vulë) mbi këtë vend që tregon se ai ka qenë denbababden tokë osmane dhe kështu do të kthehet të jetë. Këtë punë e kemi me axhele, prandaj, ju kam rixha, abi Edi, duhet bërë para nisjes së fushatës elektorale të zgjedhjeve që do të mbahen në Turqi, në 1 nëntor, të cilat siç e di ti kanë një rëndësi jetike për mua dhe mikun tonë të përbashkët Davutoglu.
Yti si vëlla
Rexhep Taip Erdogan

2.
I dashur abi, Rexhep
I qëndroj llafit që të kam dhënë në muhabetin që bëmë në Tiranë, dhe jam gati ta kryej këtë punë sa më shpejt, para nisjes së fushatës elektorale në Turqi. Por kam një hall. Për kalanë që ka zgjedhur Ahmet Beu (Davutoglu), dua të them. Kalaja e Lezhës nuk më duket e përshtatshme për shkak të ngarkesës historike të veçantë që ka. Meseleja është se sipas historisë sonë atje është bërë Kuvendi i Princave Shqiptare, nën kryesimin e Skënderbeut, për të krijuar Besëlidhjen e Lezhës, për të nisur luftën kundër pushtimit osman. Në Lezhë është dhe varri i Skënderbeut. Kuzum, Baba Rexhep, ka shumë kala të tjera, a nuk mund të gjejmë një kala tjetër, atë të Durrësit p.sh. Atje në Lagjen Kala ka qenë shtëpia e të parëve të mi dhe unë mund të dëshmoj edhe vetë se kam dëgjuar gjyshin nga babai që kalanë e kanë rindërtuar turqit.
Yti si vëlla
Edi Rama

3.
Edi mor iblis!
I re pishman atyre që më the në Tiranë. Por a di ti mor lanet se mjafton që unë të botoj dokumentet që kemi këtu në arkivat osmane për familjen tënde dhe ti merr fund, të braktis edhe Sorosi dhe të gjithë miqtë e tu të huaj? Kur thua në OKB se je katolik, pse nuk shpjegon edhe si ka ndodhur që babai yt me emër kauri ortodoks ka mbiemër musliman, ?Rama?, që është shkurtim i emrit ?Ramadan?? Të gjithë kaurët që konvertoheshin në Islam, në Ballkan, në kohën e lavdishme osmane, dhe e bënin këtë gjë në muajin e shenjtë të Ramazanit (Ramadanit), e merrnin mbiemrin ?Ramadani?. Që andej nga anët tuaja i thonë shkurt ?Ramë?. Kuptohet se merrnin dhe emër musliman. Tani mor qafir, a ke pyetur ndonjëherë veten se përse në familjen tënde, në linjë atërore, keni emra kaurë ortodoksë por mbiemër turk? Kristaq Rama, quhet babai yt. Vlash Rama, gjyshi yt. ?Vlash? është shkurtim i ?Vladimir? më thotë Davutoglu. Kristaq Rama quhej babai i Vlashit, gjyshi i Kristaqit tënd. Ky paradoks, pra i një familjeje me emra kaurë dhe mbiemër musliman, ka ndodhur për shkak se familja juaj, në kohën osmane, ka qenë një prej atyre familjeve, të cilat kanë qenë në shërbim të atij që quhet Derin Devlet Osmanije, domethënë Shteti i Thellë Osman, Shteti Sekret, pjesë e të cilit është edhe Policia Sekrete. Atje në arkivat e pahapura të Derin Devletit është e vërteta e familjes tënde.
Me një llaf burrat e kësaj familjeje kanë qenë hafije (spiunë) të shtetit osman në Shqipëri. Për këtë arsye iu lejua që të mbajnë emrat e krishterë brez pas brezi, se veprimtaria e tyre kishte të bënte me të krishterët. Pas Lidhjes së Prizrenit, i alarmuar nga përhapja e idesë pavarësisë së Arnautistanit, Derin Devleti dërgoi te të krishterët e Durrësit disa agjentë, një prej të cilëve ishte Kristaq Rama, gjyshi i babait tënd, i cili gjithashtu quhej Kristaq. Këtë Kristaqin, stërgjyshin tënd, e dërguam nga Berati në Durrës, me paratë tona bleu shtëpi në Lagjen Kala atje dhe punoi për ne. Në Durrës e quanin Taq Hafija, emër që e trashëgoi edhe baba yt, në kohën e shtetit komunist. Harrove që ti vetë kur grindeshe me babën të cilit i shkoje në studio dhe i kërkoje lekë tre herë në ditë, i bërtisje nga sheshi poshtë pallatit: ?Plako do të më japësh lekë, apo të të thërres me atë emrin që e di ti!? Dhe Taq Hafija dilte në tarracën e pallatit ku e kishte studion dhe t? i hidhte lekët të mbështjella me një gur, duke u përpjekur të të qëllonte në kokë.
Në familjen tënde kishin edhe emra muslimanë veç atyre, publikë, të krishterë. Kështu, Kristaqi, stërgjyshi yt quhej ?Kasëm? dhe Vlashi, gjyshi yt, quhej ?Vehip?. Të gjitha këto do të dalin me dokumente, prandaj mendohu mirë para se t? i biesh pishman llafit që më dhe në Tiranë, se vallahi, bilahi, betohem për mjekrrën e Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm, se të jap një dajak që nuk e ke parë në ëndërr. Ryshfetin e more o horr, kryeje punën tani.
Estagfurullah, jazëk, jazëk!
Rexhep Taip Erdogan

4.
Meazallah abi Rexhep,
Nuk jam nga ata lloj myshterinjsh unë, që të lëpi sahanin dhe pastaj të gjej një sebep për ta përmbysur. Meselenë e familjes time e njoh mire. Gjyshi im, Vlashi, domethënë Vehipi, më thoshte: ?Mos dëgjo gjyshe Veronikën (gruan e tij), që të quajti Edvin, emrin e vërtetë ti e ke Nuredin, por këtë emër duhet ta mbash sekret se kështu është adeti në familjen tonë.? I kam thënë edhe Ahmet Beut se mua më keni shtyllën e Neo-Otomanizmit në Shqipëri. A nuk kam dhënë edhe prova për këtë gjë? Sapo u bëra kryeministër, në festën e parë të 28 nëntorit, domethënë të shpalljes së pavarësisë së Arnautistanit nga Perandoria Osmane dhe të ngritjes së flamurit arnaut, me ç? rast u rrëzua flamuri me gjysmëhënë osman, unë festova duke i rënë defit. Kjo ka një simbolikë të qartë. A mund të imagjinohej që Ismail Qemali t? i binte defit ditën që shpalli pavarësinë e Shqipërisë dhe uli flamurin osman për të ngritur flamurin e Skënderbeut? Unë i rashë defit se ai është simbol i kulturës osmane në Shqipëri. Nënkuptimi është i qartë. Unë nuk e grisja dot deklaratën e shpalljes së pavarësisë, por defi është baras me këtë. Kur unë i bie defit në 28 nëntor, kjo ka kuptimin që ndonëse zyrtarisht dhe publikisht të drejtohem si Kryeministër i Shqipërisë të lutem që të më konsiderosh thjesht si valiun e vilajetit të Arnautistanit, një provincë besnike e perandorisë së re neo-otomane. Tani osmanët vetëm defin na sollën këtu si instrument muzikor, dhe unë bëra dajre me def, nëse do të na kishin sjellë instrumente të tjera muzikore, unë do të përdorja ato.
Sa për deklaratën në OKB se jam katolik, ti e kupton që e kam bërë për të gënjyer kaurët e Perëndimit. Unë e kam thënë këtë gjë se kam menduar që familja ime ka leje nga Derin Devleti për t? u paraqitur si e krishterë në publik. Por nëse Derin Devleti m? a heq këtë të drejtë sot, atëherë bendenezi (i nënshkruari) që është nën hyqmin tuaj do të bindet dhe do të them se jam Nuredin Ramadani dhe jo Edvin (Edi) Rama.
Unë të drejtohem si vëlla meqënëse ti më quan ?vëlla?, por unë të quaj si baba, të kam në vend të Kasëmit, domethënë Kristaqit që më ka vdekur. Të lutem të më shikosh në një sërë me djemtë e tu Bilanin dhe Burakun, si evlatin tënd. Të çon selam dhe të puth dorën edhe hanëmja ime, Lindita, për të cilën deklarova publikisht në OKB me krenari se është muslimane. Një gazetar amerikan atje e pyeti se si ndihet ajo, një muslimane, me një burrë katolik. Unë ndihem mirë me fenë time, iu përgjigj hanëmja ime. A nuk ka një filozofi të thellë në këtë përgjigje? Hanëmja ime donte të mbulonte kokën me hixhab (shami koke), por unë iu luta të mos e bënte se kemi këtë problemin e integrimit në Europë, tani kemi shpresë të happen negociatat për anëtarësim në BE. Sa e lumtur duhet të jetë zonja Erdogan që nuk ka probleme të tilla dhe mundet ta mbajë lirisht hixhab, tha hanëmja ime duke pshertitë. Unë i dhashë të drejtë.
Sa për mbishkrimin në kalanë e Lezhës do ta vemë, madje ju kërkoj të vini re edhe faktin që ne në tabelën zyrtare të vënë nga Ministria e Kulturës e kemi quajtur me një fjalë turke ?kala? dhe jo ?kështjellë?. Të informoj edhe se puna për ndërtimin e Xhamisë së re në Tiranë po ecën shumë mirë. Siç e di ti, vendi ku po ndërtohet Xhamia është përballë me ndërtesën e Kryeministrisë dhe unë dal në dritaret e zyrës sime dhe shikoj punën që bëhet e më kënaqet shpirti. Them, sa shumë do të zbukurohet Tirana me të. Sa bukur do të duket në guidat turistike, siç the ti kur ishe në Tiranë. Përfytyroj se si do të shfaqet mbisunduese pamja e xhamisë në televizionet e mëdha ndërkombëtare, kur të japin pamje nga Tirana, e ndihem krenar për atë punë që kemi bërë bashkë. Por një gjë nuk kuptoj, shoh që në kantier hynë ditë e natë automjete të mëdha me hekur e beton, por muret nuk po lartësohen. Ku shkon gjithë ky hekur e beton, sikur e përpin toka? E kam hallin se mos po ndodhin vjedhje masive dhe turpërohemi.
Të puth dorën, si Bilali dhe Buraku
Nuredin Ramadani

5.
Evlati im Nuredin,
Aferim! Dorën në zemër, të kam vënë në një sërë me Bilalin dhe Burakun që kur i re defit në 28 nëntor 2013, por nuk ta thosha dot, se nuk e dija si do ta prisje. Tani bëre mirë që ma the vetë. Sa për lejen që të paraqitesh si kauri Edi atë e ke me imzanë (nënshkrimin) dhe myhyrin (vulën) time. Pres të marr lajmin e mirë të vendosjes së pllakës me mbishkrimin në kalanë e Lezhës. Por meqënëse e dimë të dy që për këtë mesele do të bëhet një zhurmë e madhe, përgatisni plan për t? ju kundërpërgjigjur në media. Për këtë çështjen e fundit më informo hollësisht.
Linditë hanmit çoji selam nga unë dhe nga Emine hanmi. Meqënëse keni ende iluzione te Avrupa, le të mos e mbajë publikisht hixhab Linditë Hanmi. Por edhe Emine Hanmi tha një gjë shumë filozofike. Nëse motra ime Linditë Hanmi nuk do të mbajë hixhab në kokë deri ditën që do të anëtarësohet Shqipëria në Bashkimin Europian, tha Emine Hanmi, atëherë Linditë Hanmi pastë jetën e gjatë, por do të vdesë pa mbajtur hixhab publikisht.
Sa për çështjen e Xhamisë së Madhe në Tiranë, ajo gjë për të cilën pyet ti, pra se ku zhduket gjithë ai hekur e beton, po të sqaroj se çdo gjë shkon sipas planit. Por ende jemi në atë periudhë të ndërtimit, kur po punohet për të ndërtuar atë pjesë të Xhamisë, që i përket Derin Devletit, domethënë shtetit të thellë turk neo-otoman. Do të ketë disa kate nëntokësore që do të shërbejnë për punët e Derin Devletit në Shqipëri. Por, më thuaj, këtë pyetje që më bëre ti për xhaminë, a e bëjnë edhe ambasadorët e huaj në Tiranë, mbi të gjitha dua të di nëse e bën këtë pyetje ambasadori amerikan, por edhe ai britanik, ai italian etj.
Babai yt
Rexhep Taip Erdogan.

6.
I dashur Baba Rexhep!
Peqe, do të bëj si të thuash ti, mos ki merak. Do të ngarkoj Fevzon për të ndërmarrë një aksion me goditje të përqëndruar, siç i quan ai me një term të kohës së Enver Hoxhës, për mbrojtjen e pllakës me mbishkrimin osman. Fevzon e kemi njeri të besuar, kohët e fundit ka publikuar dhe një fotografi nga haxhillëku i tij në Mekë, i veshur me çarçafin arab. Unë kam folur me Fevzon dhe ai tha se do të sajojë një debat në emisionin e tij ku do të ketë medemek të ftuar pro dhe kundër mbishkrimit osman në kala. Por nuk ka rrezik se Fevzoja është usta për këto punë dhe e rregullon panelin në atë mënyrë që ata të cilët janë pro mbishkrimit të jenë njerëz të besueshëm, të përgatitur, që flasin me dokumente historike, ndërsa kundër mbishkrimit të flasë ndonjë karagjoz i kompromentuar publikisht të cilin nuk e beson njeri. Fevzoja më tha se do të ftojë për të përfaqësuar zërat kundër pllakës me mbishkrimin osman, ish-mikun tënd Fahri Balliun, që betohej për ty, madje botoi edhe një libër biografik për ty dhe tani të ka mohuar. Gjithashtu, për të folur kundër mbishkrimit do të ftojë edhe një fshatar nga Ishull Lezha, një katolik që quhet Agron Gjekmarkaj, i cili është diskredituar publikisht në Shqipëri se thoshte jam nipi i At Zef Pllumit. Deri edhe Ismail Kadarenë e gënjeu duke iu paraqitur kështu dhe kjo provohet në librin me kujtime të gruas së Ismail Kadaresë, Helenës. Me këtë gënjeshtër mundi të sigurojë vende pune në institucione të larta, me ndihmën e Fahriut, në Ministrinë e Kulturës, në stafin e Presidentit, si dhe të nisë punë si pedagog në Universitet. Por tani më duket se duan ta dëbojnë edhe që andej se nuk ka bërë as një tekst me leksione. Kur e kërcënoi me padi gjyqësore familja e At Zefit, Agroni pohoi publikisht se nuk është nipi i At Zefit dhe se atë e ka njohur vetëm në vitet nëntëdhjetë, si shumica e arnautëve. Meqënëse Agroni njihet për këtë gënjeshtër kolosale, çdo fjalë që nxjerr ai nga goja, edhe dy e dy bëjnë katër, shihet me dyshim. Fevzoja më tha se veç këtyre të dyve do të ftojë për të folur kundër pllakës edhe një fshatar katolik nga Lezha, që nuk ka aftësi për të përballuar debatin. Nga ana tjetër do të jetë Ferit Duka, një profesor historie që ka studiuar për osmanisht në Turqi. Në fakt më duket e pamundur që Feriti të ulet në një panel me Fahriun se Fahriu në 1998 ka shkruar në gazetë se gruaja e Feritit, edhe ajo profesore historie, e kishte fëmijën e saj me Ministrin e atëhershëm të punëve të Jashtme, z. Paskal Milo. Por Usta Fevzoja më tha se do ta rregullojë këtë punë. Fevzoja të bën shumë të fala, dhe të lutet për të bërë një emision në zyrën tënde pas zgjedhjeve në Turqi.
Në mbrojtje të pllakës me mbishkrimin osman, në emisionin e Fevzos do të jenë Auron Tare, që është njeri i besuar, se vjen nga një familje ushtarakësh të Perandorisë Osmane dhe shtetit komunist. Me bukën e Sulltanëve janë rritur meshkujt e familjes së tij brez pas brezi në shekuj e janë bërë nga dy metra të gjatë. I treti do të jetë Redi Shehu, një islamik i njohur në Tiranë, që e keni njeriun tuaj. Do t? i them Fevzos që ta nxisë Fahriun që ta provokojë dhe ta shajë Auronin në debat, se kohët e fundit ky Auroni ka nisur të flasë lart e poshtë, medemek sikur ka ardhur koha që ai të bëhet ministër.
Sa për atë nëse ambasadorët e huaj janë interesuar për xhaminë, amerikani nuk më ka pyetur, por më ka dhënë të kuptoj se vëzhgojnë me shumë vëmendje ndërtimin e xhamisë. Britaniku nuk më ka pyetur. Ambasadori gjerman Of Aman, më ka pyetur një herë në të vërtetë, por unë i thashë se jam piktor dhe jo arkitekt, e nuk kuptoj nga ndërtimtaria, përveçse kur është fjala për prishjen e ndërtimeve pa leje. Sa për ambasadorin italian mos u shqetëso se ai është një budalla për të cilin nuk ia vlen të shqetësohesh, madje edhe Italia, ashtu është, një shtet me të cilin mund të tallesh.
Të puth dorën Baba Rexhep, si Bilali dhe Buraku
Nuredin Ramadani

7.
Biri im Nuredin!
Fahriu më ka zhgënjyer shumë. Ai doli burrë pa namuz. E të mendosh se kur erdhi në zyrën time më puthi dorën. Mori një thes me para nga ne për të botuar librin me biografinë time dhe më gënjeu se tha që do ta botonte librin me kapak të fortë dhe me faqe me letër të trashë e shkronja të mëdha, por e botoi sikur po i bënte dikujt një të mirë, jo sikur mori aq para sa kërkoi, ai qafir. Po të paktën të na shërbejë për këtë çështje. Allahu i sjell gjërat që edhe qafirët si ai të na shërbejnë dikur. Fevzos çoji selam nga ana ime dhe thuaji se pas zgjedhjeve e pres në zyrë. Sa për ata si Auroni, mbaji me dajak, por jepu edhe përsheshin, siç të kam thënë ty. Nëse vepron kështu si të kam mësuar unë do të rrish kryeministër aq kohë sa unë dhe pastaj do të bëhesh president. Sa për këtë kaurin Agron, budallenj të tillë katolikë na shërbejnë më mirë kur e kundërshtojnë njerëz të tillë pllakën me mbishkrimin osman, sesa kur në vend të tij të kemi një tjetër njeriun tonë që e mbron pllakën me mbishkrim osman.
Sa për interesimin e ambasadorit gjerman Of Aman, ai mund të ketë arsye të tjera nga ato të kolegëve të tij. Emri i tij është frymëzues. Një tjetër ambasador gjerman, i cili ka shërbyer në Algjeri dhe në Marok vite më parë, ka pranuar Islam dhe sot quhet Murat Wilfried Hofmann. Ai ka bërë dhe një libër të mrekullueshëm, të cilin duhet ta lexosh edhe ti. Madje, kur të të vijë ky Hofmanni yt i Tiranës, apo Of Amani, siç e quan ti, të kujdesesh që libri të jetë në një vend të dukshëm në tryezën tënde.
Babai yt
Rexhep Taip Erdogan.

8.
I dashur Baba Rexhep
Sa për këshillat e tua politike të siguroj se i dëgjoj me shumë vëmendje. Ti je modeli im në politikë. E kush mund të jetë tjetër? Nëse unë arrij të mbaj postin e kryeministrit për njëmbëdhjetë vite e gjysëm sa ti, dhe pastaj bëhem President i Republikës, e quaj veten njeri me shumë fat të mirë politik. Kjo do të thotë që unë të jem kryeministër deri në 2025 dhe pastaj të bëhem President. Librin e atij Murat Hofmannit do ta lexoj dhe do ta sjell situatën që të pyes Ambasadorin Of Aman për të.
Të puth dorën Baba Rexhep, si Bilali dhe Buraku
Nuredin Ramadani
Valiu i Vilajetit të Arnautistanit

9.
I dashur Nuredin!
Nga kjo meseleja e pllakës në kalanë e Lezhës, më erdhi një ide. Të themi se gjatë gërmimeve për hapjen e themeleve të xhamisë së madhe në Tiranë, është zbuluar dhe një pllakë me një mbishkrim në osmanisht që thotë se Sulltan Sulejmani i Madhërishëm nisi të ndërtojë atje te Sheshi i Namazgjasë një xhami të madhe, por ajo mbeti pa u ndërtuas për shkak të vdekjes së tij. Kështu mund ta quajmë edhe xhaminë Xhamia Sulejmanie, Xhamia e Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm.
Babai yt
Rexhep Taip Erdogan.

10.
I dashur Baba Rexhep!
Vallahi, bilahi ideja tënde më pëlqen shumë. Por nëse nuk keni kundërshtim, ta sjellim meselenë në atë mënyrë që pllakën ta zbulojnë Auron Tare dhe Artan Lame, sepse na kanë shërbyer shumë në këtë historinë e kalasë së Lezhës. Të dy janë muslimanë kështu që nuk ka gjë të keqe nëse shkelin truallin e xhamisë. Të çojnë selam të dy dhe të puthin dorën.
Të puth dorën Baba Rexhep, si Bilali dhe Buraku
Nuredin Ramadani
Valiu i Vilajetit të Arnautistanit
Këtu përfundon ky komunikim Erdogan-Rama për këtë çështje





Lajmet e fundit nga