web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Zbardhet raporti për kryeprokurorin Llalla, ja si mbyllen dosjet e korrupsionit dhe krimit

13 Maj 2015, 06:38, Politikë CNA

Qeveria shqiptare pranon se perandoria e korrupsionit dhe e krimit në Shqipëri lulëzon për shkak të dështimit të Prokurorisë. Por, çfarë ndodh me prokurorinë shqiptare? Cili është bilanci real i prokurorisë? Si procedohet me dosjet e rënda të korrupsionit? Përgjigjet i jep deri diku një raport i Ministrisë së Drejtësisë, ku reflektohen gjetjet dhe konstatimet gjatë inspektimeve në prokurori përgjatë periudhës 01.03.2014-01.03.2015.

Në raport, evidentohen shkeljet e prokurorëve në raport me dosjet e referuara në prokurori për veprimtari të ndryshme të paligjshme. Sipas raportit, rezulton se prokurorët nuk kanë kryer veprime hetimore për materialet kallëzuese, ose nuk kanë ndjekur një politikë të drejtë në rastet e korrupsionit apo shpërdorimit të detyrës. Gjatë periudhës së këtij raportimi janë ushtruar 3 kontrolle, nga të cilat 2 kontrolle të planifikuara dhe 1 kontroll mbi bazë ankese. 3 kontrollet e ushtruara kanë inspektuar veprimtarinë e 2 prokurorive të shkallës së parë dhe 1 prokurorie apeli. Konkretisht, janë kontrolluar prokuroritë e shkallës së parë  Sarandë, Durrës si dhe Prokuroria e Apelit Shkodër.

Prokuroria e Sarandës

Në Prokurorinë e Sarandës janë kontrolluar 7 prokurorë dhe kontrolli është kryer nga data 10.06.2014-26.06.2014, me objekt verifikimin e ligjshmërisë së veprimtarisë së prokurorëve në procedimet penale të mosfilluara dhe procedimet penale të përfunduara me vendim pushimi, për periudhën 01.01.2013-31.05.2014. Sipas raportit janë kontrolluar gjithsej 800 procedime, nga të cilat 681 të mosfilluara dhe 119 procedime penale të pushuara. Janë konstatuar shkelje në 54 procedime nga të cilat 43 të mosfilluara dhe 11 të pushuara. Inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë kanë vënë re se në 12 raste nuk është respektuar vijueshmëria e hetimeve.

?Pavarësisht se procedimet janë regjistruar pa emër personi nën hetim, ka periudha të gjata kohore gjatë të cilave pa asnjë shkak të dukshëm ligjor nuk janë kryer veprime hetimore, pra janë zvarritur hetimet jashtë një afati të arsyeshëm ligjor?, thuhet në raport. Një tjetër shkelje është mosrespektimi i detyrimit ligjor të prokurorit për fillimin e ndjekjes penale. Kjo shkelje është evidentuar në 31 raste, nga të cilat është vendosur mosnisja e procedimit penal, ndërkohë që sipas MD, kanë ekzistuar fakte dhe pretendime që kanë patur të nevojshme kryerjen e hetimeve. Për të tjera raste është vendosur mosfillimi i ndjekjes penale, ndërkohë që janë kryer hetime dhe janë pyetur personat përkatës. Gjithashtu janë konstatuar parregullsi formale procedurale dhe nuk janë respektuar afatet. Janë vënë re shkelje të ligjit në marrëdhëniet me subjektet e tjera të procedimit penal.

Kjo shkelje është evidentuar në 32 raste, nga të cilat 26 raste janë për vendimet e mosfillimit dhe 6 raste për vendimet e pushimit. Prokurorët nuk kanë njoftuar rastet e mosfillimit të procedimit dhe pushimit të tij.    Prokuroria e Apelit Shkodër   Në Prokurorinë e Apelit Shkodër, janë kontrolluar 371 përfaqësime në gjykim lidhur me ecurinë e politikës penale, nga të cilat janë marrë në analizë dhe janë nxjerrë konkluzione për 149 prej tyre, të cilat përfshijnë veprimtarinë e 4 prokurorëve. Sipas raportit, është shkelur ligji për ndjekjen e një politike të drejtë penale në rastet e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Në 12 raste të shpërdorimit të detyrës nuk është kërkuar asnjëherë dënim maksimal.

Në 22 raste të krimit të organizuar, në rastet e ankimimit nga shkalla e parë ku është kërkuar dënim minimal, prokurorët e apelit nuk kanë kërkuar një dënim më të madh. Në 4 raste kur gjykata nuk e ka marrë për bazë kërkesën e prokurorisë, nuk ka pasur rekurs. Në rastet e krimit kundër jetës apo shëndetit, në 15 raste çështja është shqyrtuar mbi ankimin e prokurorit. Në të gjitha rastet, prokurori i apelit ka mbështetur në gjykim ankimin e prokurorit të shkallës së parë, por nuk ka ushtruar rekurs në 8 raste kur Gjykata e Apelit nuk ka vendosur sipas ankimit të prokurorit. Në 1 rast tjetër nuk ka bërë rekurs kur Gjykata e Apelit ka zbutur edhe më tej masën e dënimit. Në rastet e armëmbajtjes pa leje nuk rezulton që prokurori i apelit në cilësinë e prokurorit më të lartë, të ketë kërkuar ashpërsimin e masës së dënimit, në rastet kur çështja është gjykuar mbi ankimin e prokurorit. Ndërsa për ndërtimet pa leje dënimi i kërkuar nga prokurori ka qenë minimal.

Edhe në rastet e vjedhjes së energjisë elektrike, edhe pse në shkallën e parë ka pasur kërkesë për dënim minimal, prokurori i apelit nuk ka kërkuar një dënim më të lartë. E njëjta gjë edhe për lojërat e fatit dhe dhunën në familje.    Prokuroria e Durrësit   Në Prokurorinë e Shkallës së Parë Durrës, janë kontrolluar 2 mosfillime procedimi, pas ankesave të bëra nga qytetarët. Nga kontrolli është parë se është shkelur detyrimi ligjor për fillimin e ndjekjes penale. Kjo shkelje është evidentuar në 1 rast, ku të dhënat e paraqitura kanë qenë të detajuara, por nuk rezulton që të jetë kryer asnjë verifikim, dhe as hetim proaktiv, për të vërtetuar nëse qëndrojnë ose jo pretendimet e shtetasit.    Ja konkluzionet e raportit

 

1. Ministria e Drejtësisë për periudhën 01.03.2014 deri 01.03.2015 ka ushtruar 3 kontrolle në organin e prokurorisë, nga të cilat 2 kontrolle të planifikuara dhe 1 kontroll mbi bazë ankese.    2. Nëpërmjet 3 kontrolleve të ushtruara është inspektuar veprimtaria e 2 prokurorive të shkallës së parë dhe 1 prokurorie të apelit. Konkretisht janë kontrolluar prokuroritë e shkallës së parë (rrethet gjyqësore) Sarandë e Durrës; si dhe prokuroria e apelit Shkodër.

3. Në 3 kontrollet e ushtruara është inspektuar veprimtaria e 9 prokurorëve në shkallën e parë dhe 4 prokurorëve në apel. Për 4 prokurorë të apelit është kontrolluar ligjshmëria e veprimtarisë së tyre 9 mujore për përfaqësimin në gjykim dhe politikën penale të ndjekur. Për 7 prokurorë të shkallës së parë është kontrolluar ligjshmëria e veprimtarisë së tyre më tepër se 1 vjeçare për çështjet e pushuara dhe të mosfilluara. Për 2 prokurorët e tjerë të shkallës së parë, është kontrolluar ligjshmëria e veprimtarisë së tyre, për çështje të veçanta të mosfilluara, mbi bazë ankese.

4. Janë kontrolluar 1173 procedime penale në 2 prokurori të shkallës së parë dhe 1 prokurori apeli. Procedimet penale të kontrolluara kanë qenë të gjitha me hetime paraprake të përfunduara me vendim mosfillimi, pushimi, dërgimi në gjykim. Inspektimet e zhvilluara në periudhën e raportimit kanë mbuluar përgjithësisht procedimet penale të 2 viteve të fundit.

5. Janë kontrolluar 1173 procedime penale nga të cilat (i) 371 përfaqësime në gjykim; (ii) 119 procedime penale të përfunduara me vendim pushimi dhe (iii) 681 kallëzime penale të mosfilluara.    6. Janë kontrolluar 13 prokurorë, nga të cilët janë konstatuar me shkelje 7 prej tyre. Në 1 rast Ministri i Drejtësisë i ka rekomanduar Prokurorit të Përgjithshëm fillimin e procedimit disiplinor për 6 prokurorë, veprimtaria e të cilëve është konstatuar me shkelje të detyrës, duke marrë në konsideratë parimin e propocionalitetit dhe të pasojës së ardhur nga shkeljet e kryera.     7. Neni 56 pika 2 e ligjit nr. 8737/2001 ?Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në RSH? i jep kompetencë Ministrit të Drejtësisë të kontrollojë në 9 drejtime ligjshmërinë e veprimtarisë së prokurorit. Përgjatë periudhës së raportimit, janë konstatuar shkelje në 4 drejtime, të prezantuara më poshtë në mënyrë të përgjithshme.





Lajmet e fundit nga