web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Gjinushi: Bashkëpunim moral dhe politik me Dritan Priftin

2 Maj 2015, 05:53, Politikë CNA

Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi në një intervistë për ?Gazeta Shqiptare? deklaroi dje, se në zgjedhjet vendore të 21 qershorit partia e tij do të kërkojë mbështetjen e të majtëve të zhgënjyer nga qeverisja e Ramës edhe pse shton se në zona të caktuara do mbështesë kandidatët e PSsë. Gjithashtu Gjinushi pohon se ish-deputeti i LSI-së, Dritan Prifti e mbështet moralisht dhe politikisht PSD-në në këto zgjedhje. Ndërkohë që i kthen edhe një përgjigje Servet Pëllumbit, i cili thotë në librin e fundit se PSD-ja u krijua në zyrat e Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Sipas Gjinushit, Pëllumbi gabon rëndë sepse këto akuza ndaj tij nuk i ka bërë as Berisha.

Zoti Gjinushi, ju nuk iu bashkuat koalicionit me Partinë Socialiste. Pse?
Tani është e qartë që, pas zgjedhjeve të 2013-ës, PSD-ja, ndonëse ishte një nga kontribuueset kryesore të fitores të së majtës, një nga partitë opozitare më të qarta dhe më e sakrifikuara, përsëri nuk u bë pjesë e bashkëqeverisjes. Pra, ishte një zgjedhje e lidershipit socialist për të fituar me të tjerë dhe për të qeverisur me të tjerë dhe deri në prag të zgjedhjeve lokale. Do mjaftonte kaq që PSD-ja ta shikonte veten ?de facto? një opozitë brenda shumicës, sepse faktikisht PSD-ja ka qenë dhe mbetet e majtë, pra nuk bën rrëshqitje djathtas. Në kushte të tilla, çdo parti përgatitet më së pari për taktikat e zgjedhjeve që të dalë si një subjekt më vete. Arsyeja e dytë është që, gjatë kësaj qeverisjeje, patjetër që janë krijuar edhe diferenca. Ne vërejmë që, jo vetëm PSD-ja, por në tërësi militantët, mbështetësit e së majtës nuk e ndiejnë veten të përfaqësuar në qeverisjen qendrore. E ndiejnë veten të anashkaluar, të braktisur, madje socialistë, mbështetës të së majtës, për të gjetur një vend pune duhet t?i luten një drejtori të PD-së, për të mos thënë që janë të detyruar të përdorin edhe mjete të tjera. Atëherë, në këtë situatë duhet një alternativë e së majtës, pikërisht për t?i dhënë mundësi pjesës së papërfaqësuar të përfaqësohet në pushtetin lokal. Pra, qoftë duke mbështetur PSD-në, ata nuk kontribuojnë për humbjen e së majtës, përkundrazi, kontribuojnë për një reflektim të së majtës, veçanërisht lidershipit të PS-së. Ky është edhe një mesazh politik, që: nuk mund të anashkalohen mbështetësit kryesorë, nuk mund të anashkalohen kontribuuesit kryesorë, dhe që e majta nuk është një monopol i një apo dy partive.

Nuk kishit ju mundësi, si zoti Milo, të kërkonit zbatimin e marrëveshjes së 2013-ës dhe të bëheshit pjesë e koalicionit?
Marrëveshja e 2013-ës është për zgjedhjet e 2013-ës dhe nuk u zbatua. Nuk ka të bëjë fare me zgjedhjet lokale. Ajo marrëveshje thoshte që, në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 2013- ës do të përcaktohej edhe shkalla e pjesëmarrjes në qeverisje, gjë që nuk u bë. Por, siç thashë, janë shtuar edhe diferencat, qoftë në kuadër të reformës administrative, qoftë në drejtim të luftës kundër korrupsionit, qoftë në drejtim të qëndrimit ndaj kupolës së PD-së, ku Berisha bën ligjin në Kuvend sot e kësaj dite dhe nuk jep llogari as për shpifjet, as për kallëzimet e rreme dhe as për deklarimet që bën. Por, për më shumë, as që shtrohet që të japë llogari për gjithë çka bëri në gjithë këto vite. Ne kemi kontrastin e madh, ku dënohen për abuzim me energjinë elektrike, individë të caktuar, familjarë apo biznese e me radhë dhe, në të njëjtën kohë, ata që e prodhuan këtë situatë, ata që në mënyrë të organizuar e shkatërruan KESHin, ata që në mënyrë abuzive e shkatërruan KESH-in, që e kthyen në një gropë të zezë dhe që i kushtoi Shqipërisë me miliarda humbje, ata janë deputetë, politikanë, kandidatë për kryeministra e ministra të ardhshëm, madje bëjnë edhe opozicion ndaj reformave të qeverisë.

Pra, edhe ju jeni i zhgënjyer nga Rilindja si zoti Blushi?
Tani, unë jam Skënder Gjinushi. Jam kryetar i PSD-së. Diferencat që ka PSD-ja me PS-në i them vetë dhe nuk i ngatërroj me analizat e tjera. Unë bëj analizën time. PSD-ja ka një gjë që, është konstante në qëndrimet e saj. Nuk i thotë ato as herë pas here, as në momente që i cenohet ndonjë interes. Po t?i shohësh qëndrimet e partisë sonë, PSD-ja vlerëson që të thotë edhe gjithë çka nuk është pozitive në qeverisje, edhe kush janë përpjekjet që duhen bërë, qoftë edhe arritjet. Për shembull, lufta që ka bërë policia për të çinkriminuar zona të tëra nga hashashi është pozitive. Por, të themi edhe të metat dhe diferencat që kemi. Për shembull, një kritikë tjetër që ne kemi është që, nuk mendojmë që një parti e majtë në qeverisje nuk duhet të synojë privatizimin e të gjithë sektorëve kyçë të ekonomisë, sidomos të sektorëve strategjikë. Këtë përpjekje e bëri Berisha si i djathtë dhe për qëllime, për të krijuar kontroll të plotë mbi ekonominë, dhe dështoi. KESH-i është një dështim spektakolar. Edhe privatizimet në naftë deri tani nuk kanë dhënë rezultat pozitiv dhe janë jashtë kontrollit. Edhe kromi është copë-copë, ngaqë ministria ka qenë e detyruar të rishikojë licenca të tëra. Ju e dini sa janë anuluar. Pra, një politikë e majtë nuk synon atë që, shteti të zhvishet totalisht nga kontrolli i sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë.

Kanë qarkulluar zëra se ju keni mbështetje nga zoti Dritan Prifti. Cili është roli i tij në PSD?
Ai e ka shprehur vetë publikisht, që ka një interes për t?u kthyer në politikë. Po si Dritan Prifti ka shumë ish-deputetë të majtë, nga PS apo nga LSI, që hë për hë duan që një alternativë tjetër të forcohet, pra është ajo pjesa që e sheh veten të margjinalizuar e që fillon që nga socialistët e thekur e deri te persona që kanë kontribuar në strukturat e së majtës deri në nivelet e larta. Dhe, në këtë kontekst, ai ka shfaqur dëshirën për të bashkëpunuar edhe me PSD-në. Këto janë zgjedhje lokale. Dhe në tërësi persona të tillë nuk kandidojnë vetë, sepse dilet me kryetarë bashkish. Kështu që, kontributi është moralo-politik.





Lajmet e fundit nga