web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

REFORMA TERRITORIALE DHE VDEKJA E DEMOKRACISË LOKALE

2 Prill 2015, 18:55, Aktualitet CNA

Me përfundimin e shumë të kontestuarës reformë territoriale të njëanshme, qeveria mori angazhimin se kishte vullnetin politik për të ndryshuar mënyrën se si funksionon pushteti vendor, dhe se gjykonte se oferta e Partisë Demokratike ishte e gabuar. Sot na vjen para nesh për diskutim Ligji për Organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Vendor, duke pritur që këtu do ti jepej zgjidhje të gjitha çështjeve që ne si opozitë kemi ngritur me kohë. E më në fund dhe Pushteti Vendor do të rilindë. Fundja si çdo fushë tjetër me në krye ekonominë.

Fatkeqësisht, përpara nesh na ofrohet sërish një arnim që nuk ka ndërmend të përcaktojë as role e përgjegjësi të reja, në thelb një joreformë. Duke ripohuar se mazhorancës i mungon vullneti politik për të decentralizuar kompetencat, autoritet dhe përgjegjësi nga niveli qendror në atë lokal, duke dëshmuar me këtë Ligj, manovrën e tyre për ta trajtuar Pushtetin Vendor thjesht si një zgjatim të atij qëndror. Projektligji, nuk është vetëm një lustrim i turpshëm i cili nuk mbulon dot dashakeqësinë qeverisëse në ndërtimin e një harte personale kundrejt shërbimeve dhe demokratizimit të mëtejshëm të një shoqërie.

Përgjatë gjithë diskutimit mbi këtë reformë territoriale ne u përpoqëm ta drejtonim atë jo thjesht në një ndarje kufinjsh, por mbi të gjitha në një rishikim kompetencash në nivele të qeverisjes vendore dhe raportet e saj me qeverisjen qendrore. Duke i mëshuar fort kompetencave dhe niveleve të qeverisjes vendore, rishikimit të mekanizmave të balancës e kontrollit, e rrjedhimisht rishikimin e ligjeve bazë të qeverisjes vendore. Që do të duhet ta bënte më të plotë këtë reformë duke u thelluar në nëmyrën e zgjedhjes së organeve vendore, rolit të Prefektit dhe Drejtorive të Ministrive në territor, duke ndërhyrë kështu në Kushtetë dhe për rrjedhojë kjo qasje e plotë do të na sillte si produkt jo vetëm një ripërcaktim kufinjsh por realisht ndërtimin e vizioni të përbashkët për vendin.  Por, kësaj mazhorance kjo nuk iu duk e përshtatshme dhe llogjike, prioritare ishte ndarja e zonave të influencës sipas interesave të deputetëve të mazhorancës, e zgjerimit të disa territoreve e zvogëlimin e të tjerëve pa ndryshuar në thelb kurrgjë në funksionimin e tyre, pa përmirësuar asgjë.

U mjaftuan me një ndarje të hartës me principin kërkesë-ofertë e më të fortëve të zonave. E ky mjaftim, nuk i jep dot përgjigje nëse do të kenë më shumë kompetenca këto ndarje të reja. Nuk e di nëse ndokush nga mazhoranca mundet të na kthejë përgjigje nëse Projektligji do t?i ndryshojë mënyrat se si ka funksionuar qarku?! Nëse kryetari i këtij komisioni, që aq shumë e mbrojti këtë ?Reformë?, do të na mundet të na përgjigjet nëse kjo Reformë e ky Projektligj a do t?i eleminojë ato 1000 zyrat e Pushtetit Qendror në nivel lokal?! A do të kemi shërbime më të mirë e si funksion qeverisje më të mirë?!

Sikurse nuk dimë se; çfarë do të ndodhë me fondet në dispozicion që do të ketë qeveria vendore pas hyrjes në fuqi të këtij Projektligji?! E më së fundi, por jo nga rëndësia, a i jep më shumë demokraci vendore kjo reformë dhe ky projektligj për këto territore të reja që keni përcaktuar?!

Mund ta lexoni nga të gjitha këndet këtë projektligj që keni përballë, por nuk ka asnjë zgjidhje për asnjë nga këto këto probleme. Nuk kemi as më shumë demokraci vendore, as rishikim të detyrave të pushtetit qendror dhe atij lokal. Kemi të njëjtën gjendje si më parë por vetëm me ndryshimin se tani kemi 61 njësi vendore për t?u manaxhuar me një mekanizëm të vjetër dhe të rëndëuar.

Të gjithë ishim dakord, se duhet një reformë e re administrative dhe territoriale për të ndërtuar një strukturim të ri jo vetëm të kufijve por mbi të gjitha të funksioneve e përgjegjesive. Por ajo që ndodhi ishte thjesht kontroll më i lehtë i qeverisjes vendore që po shndërrohet në shtojcë të qeverisjes tuaj qëndrore si dhe manovrat lokale me kufijtë për të krijuar avantazhe të favorshme për ju në zona e njësi të ndryshme vendore. Kjo është arsyeja e vetme që mund të shpjegojë se pse nuk pranuat të bëni të kryeni një reformë komplekse, një paketë e plotë që detyrimisht duhet të ishte konsensuale dhe e konsultuar më imtësisht me qytetarët dhe komunitetet vendore. E që fillimet duhej t?i kishte pikërisht në këtë ligj.

Përgjegjësitë, kampetencat, funksionet e Pushtetit Vendor janë pikërisht thembra e Akilit e një qeverie e cila që në vitin e parë të saj vendosi që të centralizonte taksat dhe të ardhurat nga Pushteti Vendor, të bllokonte çdo Plan Urban, të uzurponte çdo kompetencë e të pengonte çdo funksion të ushtruar nga Pushteti Vendor e të dakortësuar me këtë ligj, të shkelte rëndë funksionet e veta të Pushtetit Vendor, funksionet e përbashkëta e ato të deleguar. Duke u kthyer në shkelës të vetë projektligjit në fjalë dhe mbi të gjitha në shkelës të Kushtetutës dhe Kartës së Autonomisë Vendore. Prandaj, nuk mund të është e habitshme që sot ne kemi përpara një projektligj që nuk zgjidh asgjë, përkundrazi.

Pushteti Vendor, njësoj si para reformës do t?i jepen fonde dhe grante qeveritare sipas pëlqimeve partiake dhe të qeverisë qendrore. Për këtë është e mjaftueshme të shohim të dhënat e buxhetit të këtij viti apo të një viti më parë, ku grantet qeveritare kanë përfunduar vetëm në ato zona apo bashki të cilat kanë mbajtur ngjyrën e flamurit të aleancës qeverisëse. Në vitin e kaluar, pasi i hoqët të drejtën qeverisë vendore që të merret me mbledhjen e Taksës së Biznesit të Vogël, duke mbledhur 266 milionë lekë më pak se 2013, i shkurtuat paratë për vendorët me 11.6%. Ndërsa për vitin korrent, paratë që i shkojnë qendorëve janë 160 milionë lekë më pak. Pa llogaritur edhe një herë deficitin e madh që keni në mbledhjen e të ardhurave nga Biznesi i Vogël, që rezulton 96% më pak se sa viti 2014. Edhe ato pak shpenzime që keni kryer në qytete të ndryshme i keni përfshirë në shpenzime të qeverisë qendrore, duke përdorur kështu metodën e ndëshkimit për ato qytete që nuk janë nën ngjyrën e aleancës së 1 Prillit.

Kemi, një projektligj që nuk përpiqet të rregullojë defiçencat e shkuara dhe që thjesht aprovon metamorfozën e radhës që i kryhet ndarjes territoriale në vendin tonë, pa u merakosur për problematikat që kjo ndërhyrje do të sjellë. Një ligj i cili ndërton një sistem varësie të denjë për një epokë despotësh, kësaj here laikë, të cilët do të përcaktojnë vartësit e partive në krye të Njësive Administrative apo Zonave Funksionale. i vetmi ndryshim thelbësor në Ligj është ndryshimi i të zgjedhurve me të emëruarit. Kudo do të kemi adminsitratorë të cilët duket se janë zgjedhja e duhur e kësaj qeverie për të emëruar funksionarë politikë me të zgjedhur, njësoj siç kanë vepruar në ligjin për Arsimin e Lartë, në ligjin për KLD-në e për shumë institucione të tjera.

Në këtë mënyrë, zgjedhjet dhe demokracinë përpiqen ta shndërrojnë në një shprehje jo të vullnetit të popullit por të vullnetit të partisë. Si pasojë, do të prodhojmë një burokrat i cili nuk do të prodhojë efiçencë ekonomike e për më tepër denayron konceptin e pushtetit vendor. Në parim, Reforma Territoriale pranonte se do të minimizohej demokracia vendore në këmbim të efiçencës ekonomike. Por, ajo çfarë sot keni përpara jush jo vetëm që lë në letrën e parimeve efiçencën ekonomike përmes ndërtimit të disa njësive që ende nuk kanë të përcaktuara të drejtat e tyre e duke mos kryer ndryshimet më kardinale që i duhen Pushtetit Vendor. Ajo shkatërron akoma më tej institucionin e Demokracisë Vendore, jo vetëm sepse tanimë qytetarët që jetojnë në periferi të Njësive Vendore nuk do të kenë atë kuotë përfaqësimi në këshill apo se do të administrohen nga një xhandar partie. Por sepse vota e tyre rrezikon të shndërrohet në një shprehje fizike sa për të thënë se jemi në demokraci.

Një ligj organik i Pushtetit Vendor që vazhdon të jetë nën të njëjtën frymë të qeverisë qendrore armike me pushtetin vendor të opozitës thellohet akoma më tej kur me uljen e këshilltarëve pesha elektorale e komuniteteve të vogla zvogëlohet ndjeshëm. Kryetari i bashkisë nuk do të jetë vetëm se një i emëruar nga kryetari i partisë apo nga deputeti i partisë i cili ka luftuar për ta shndërruar një jo-qytet në qytet.

Kjo qe arsyeja që ne si opozitë këmbëngulëm në çdo ligjërim për këtë temë se Reforma Administrative i paraprin Territoriales për të ndërtuar kështu jo një hartë me kungulleshka por një përpjekje serioze në të mirë të brezave pasardhës, në të mirë të një qeverisje vendore më demokratike dhe më shumë funksionale. Të një bashkie e cila mos të jetë në dyshim se mirë që iu ndan territoret e reja, mirë që do të duhet të merret dhe me kullotat e bagëtive por të paktën ta ketë të sigurtë dhe të qartë burimet financiare që do të zotërojë. Në vend të këtyre sot do të kishim dashur që të diskutonim për mënyrën më të mirë se si ti bëni më të pavarur Pushtetin Vendor, se si të siguronim mënyrë financimi incentivuese, se si ta bënim pjesëmarrëse në vendimarrje Pushtetin Vendor. Por fatkeqësisht asgjë e tillë nuk po diskutohet.

Partia Demokratike nuk mund të jetë kurrsesi bashkëfajtore me një ligj i cili nuk siguron decentralizimin e pushteteve dhe mbi të gjitha të një ligji i cili e shndërron këtë demokraci të brishtë përfaqësuese në një tirani me petkun e një demokracie përfaqësuese.

Të nderuar qytetarë dhe kolegë

Ne si forcë politike nuk jemi në këtë sallë për të aprovuar ligje apo reforma gjysmake për të cilat interesat e partive janë mbi ato të një shteti në shërbim të qytetarëve. Kërkuam një reformë që të vijë si produkt i reflektimit dhe këshillimit të gjithanshëm, siç edhe një e tillë duhet të jetë.

Kërkuam një reformë që të përmbushë kriteret e një shteti ligjor, duke plotësuar funksionet e përgjegjësitë që duhet t?i jepen Pushtetit Vendor bashkë me përgjegjësit që ky decentralizim do të sillte në mekanizmat e balancës dhe kontrollit për të ndryshuar një herë e mirë raportin e vartësisë së Pushtetit Vendor ndaj qeverisë qendrore.

Sepse ne besojmë se kjo reformë mbi të gjitha është një reformë decentralizuese, që ka për qëllim qytetarin e ç?do njësie dhe jo deputetin e zonës. Sepse ne besojmë se kjo reformë nuk duhet të niste dhe bitiste në ndarje torte por duhet të merrej me qytetarin dhe shërbimin ndaj tij.

Prandaj, në asnjë moment ne si parti nuk kemi kërkuar që të ulemi e të diskutojmë me mazhorancën ndarjen e kufinjve. Duke qenë se për ne, reforma e vërtetë administrative territoriale do të presupozonte një ndryshim që do të reflektohej në rritjen e shërbimeve dhe përmirësin e tyre, aksesit sa më të drejtë dhe të barabartë. Presupozonte një bashki, komunë më të madhe jo vetëm në territor por edhe në fuqi, një njësi vendore më efektive ndaj qytetarëve dhe mbi të gjitha më demokratike e llogaridhënëse, ku qytetari të kishte mundësinë ta kontrollonte atë.

Ky projektligj nuk kryen asnjë funksion të tillë. Ky projektligj vetëm se krijon një Pushtet Vendor me guvernatorë të caktuar nga qeveria në formën e noterit. i jep udhë ekzistencës së një karikature që do të quhet Bashki apo Komunë por që nuk do të ketë asnjë pushtet të qartë në territorin që i kanë dhënë. Reforma aktuale territoriale ka zvogëluar ndjeshëm peshën elektorale të komuniteteve të vogla. Zona të vogla të një bashkie të madhe, nuk e kanë mundësinë të kenë një përfaqësues në këshill të Bashkisë, ndonëse votojnë për kryetarin e Bashkisë. Kjo reformë gjysmake që mazhoranca pretendon të kalojë, na shpjegon se këto qytetarë mund të kenë përfaqësues në Këshill vetëm në rast se partitë politike përkatëse e shohin të arsyeshme. Kjo bën që organet e ardhshme të pushtetit vendor të jenë përfaqësues të politikës qendrore nëpër Shqipëri, por kurrsesi përfaqësues të popullit.

Ironia është se 24 vjet pas rënies të një sistemi ku Partia dhe Kryetari vendoste për gjithçka, juve kërkoni të votohet një ligj që i shndërron qytetarët në votues por jo zgjedhës. Një ligj që rikthen diktatin e partisë dhe liderit të pagabueshëm. Është e kuptueshme që ne nuk mund të jemi pro një ligji të tillë, idealet e një partie të dalë nga dëshira për liri dhe demokraci na e pengojnë këtë! Për këtë arsye i qëndrojmë propozimit tonë për mënyrën se si duhej konceptuar Reforma duke vënë në qendër këtë ligj e duke u dakortësuar për parimet e funksionet e Pushtetit Vendor, e kjo do të jetë dhe oferta jonë nesër në qeverisje!

Fjala në Kuvend e deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku. 2 Prill 2015





Lajmet e fundit nga