web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

A e njeh Kisha Katolike Edi Ramën për katolik?

20 Mars 2015, 19:37, Aktualitet CNA

Nga Kastriot MYFTARAJ

Edi Rama ka thënë disa herë se ai është katolik, meqenëse kur ai ishte ende foshnjë, gjyshja e tij katolike e ka çuar në një kishë katolike dhe e ka pagëzuar. Në prag të vizitës së Papa Franceskut në Shqipëri, shtatorin e kaluar, Edi Rama e përsëriti këtë gjë në emisionin ?Top Story? të Sokol Ballës në Top Channel. Nëse kjo gjë është e vërtetë, atëherë Edi Rama është i pari kryeministër katolik në historinë e shtetit shqiptar. Për këtë arsye është e domosdoshme që të shprehet zyrtarisht edhe Kisha Katolike e Shqipërisë, nëse e njeh Edi Ramën për katolik ose jo.
Sipas Edi Ramës, prifti ku e ka çuar gjyshja ka qenë Dom Ndoc Sahatçija. Këtë histori Dom Ndoc Sahatçija ia paska treguar At Zef Pllumit në burg dhe pastaj ky ia tregoi Edi Ramës, madje i shkroi edhe një çertifikatë pagëzimi.
Kjo histori nuk duket aspak e besueshme. Dom Ndoc Sahatçija ka vdekur në vitin 1993. Përse nuk shkoi Edi Rama ta takonte atë pas vitit 1990? Dhe përse nuk shkroi Edi Rama në shtyp kur vdiq pagëzuesi i tij? Në vitet nëntëdhjetë Edi Rama shkruante shumë shpesh në shtyp. Pse Edi Rama kur ishte kryetar bashkie në Tiranë nuk i vuri një rruge emrin e dom Ndoc Sahatçisë, i cili ka qenë famullitar në Tiranë?
Dom Ndoc Sahtaçija ka qenë dëshmitar publik i Sigurimit të Shtetit në gjyqet kundër klerikëve katolikë. Me dëshmitë e tij u dënuan me vdekje shumë klerikë, të cilët sot janë në procesin e vlerësimit për t? u shpallur martirë të Kishës. Kur përmenden martirët është mirë të përmenden dhe dëshmitarët e rreme në sajë të të cilëve diktatura komuniste lau duart e përgjakura si Pilati për t? i dënuar ata. Dëshmitari më aktiv i gjyqeve kundër klerikëve katolikë ka qenë pikërisht Dom Ndoc Sahatçija. Vetë At Zef Pllumi në librin e vet me kujtime e portretizon Dom Ndoc Sahatçinë si një agjent të pështirë të Sigurimit të Shtetit. Kur Dom Ndoc Sahatçija mbështeti kërkesën e shtetit komunist shqiptar që Kisha Katolike e Shqipërisë ta deklaronte veten të ndarë nga Papa, Dom Jak Gazulli i tha: ?More Ndoc Sahatçija, që nuk je prift e kam ditë me kohë, po, sot po bindem se ti nuk je as katolik!?
Gjyshja e Edi Ramës, e cila quhej Veronika Maria Kolombi (Rama) nuk mund të mos e dinte se Dom Ndoc Sahatçija ishte agjent i Sigurimit të Shtetit, se ai u vetëshpall publikisht duke dalë dëshmitar në gjyqe publike. Çdo katolik në Shqipëri e dinte se Dom Ndoc Sahatçija ishte agjent i Sigurimit të Shtetit.
Edi Rama ka lindur në 4 korrik 1964. Kur lindi ai, tashmë në vend ishte krijuar një frymë zyrtare se ndalimi i fesë ishte një gjë që do të ndodhte së shpejti. Kështu që nëna e një skulptori i cili po bënte emër, dhe që ishte madje edhe punonjës në sektorin për çështjet kulturore të Komitetit Qendror të Partisë së Punës në pushtet, si Kristaq Rama, nuk mund të guxonte kurrë të shkonte dhe të pagëzonte nipin e saj në kishë, aq më tepër në atë katolike, që shihej nga regjimi si qendra diversioniste e Reaksionit perëndimor kapitalist në Shqipëri.
Në këtë situatë, Kristaq Rama sigurisht që i porosiste vazhdimisht nënën dhe babain e tij që të bënin shumë kujdes me sjelljen e tyre, se ata qenë a priori njerëz të dyshimtë për regjimin komunist. Nëna e Kristaqit kishte qenë kameriere në oborrin e Mbretit Zog dhe babai i Kristaqit kishte qenë shofer i Mbretit Zog. Kristaqi sapo kishte bërë një martesë me leverdi për statusin e tij shoqëror në regjimin komunist, duke u martuar me mbesën e një anëtari të Byrosë Politike, Spiro Kolekës. Nusja kishte sjellë si pajë gjënë më të çmuar emrin e Spiro Kolekës, që mbante postin e dyfishtë të anëtarit të Byrosë Politike dhe të zëvendskryeministrit. Prandaj Kristaqi, duke qenë i vetëdijshëm se vinte nga një familje me të shkuar të papëlqyeshme për regjimin komunist, bënte gjithçka që të tregohej sa më puritan ideologjikisht.
Në vitin 1964, kur lindi Edi Rama, vajtja në kishë apo në xhami e anëtarëve të familjes të njerëzve të rangut të Kristaq Ramës, shihej si faj i vetë këtyre, pasi nuk kishin bërë punën e duhur edukuese brenda familjes. Frekuentimi i kishave dhe xhamive nuk ishte i ndaluar zyrtarisht, por ata që shkonin atje regjistroheshin nga spiunët e regjimit dhe shiheshin si kundërshtarë potencialë të regjimit nga Sigurimi i Shtetit. Pak kohë para se të lindte Edi Rama, në vitin 1963, regjimi komunist nxorri ligje që paralajmëronin ndalimin e fesë në Shqipëri. Kështu, në 10 prill 1963, Presidiumi i Kuvendit Popullor nxorri Dekretin 3660, ?Mbi disa ndryshime në dekretin n. 743, dt. 26. 11. 1949, ?Mbi komunitetet fetare?. Neni 7 i dekretit të vitit 1949 u ndryshua si më poshtë: ?Njohja e Komunitetit Fetar mund të revokohet me vendim të Këshillit të Ministrave, kur me veprimtarinë e tij, Komuniteti Fetar ka shkelur ligjet, rendin juridik dhe zakonet e mira?.
Me këtë ndryshim u krijua instrumenti ligjor për ndalimin e komuniteteve fetare tradicionale në vend, të cilat qenë të vetmit që ishin të njohur me ligj. Pas daljes së këtij dekreti nisi një fushatë e dirigjuar e ankesave popullore kundër klerikëve që shpejt arriti deri në kërkesa të hapura për mbylljen tempujve fetarë. Kjo fushatë u kulmua me mbylljen zyrtare të tempujve fetarë dhe ndalimin e fesë në Shqipëri, në 1967.
Imagjinoni tani që në këtë atmosferë të tillë antifetare në vend, nëna e një punonjësi të aparatit të Komitetit Qendror të partisë komuniste, e cila ishte edhe vjehrra e mbesës së një anëtari të Byrosë Politike, do të guxonte ta dërgonte nipin e saj në një kishë katolike për ta pagëzuar! Aq më tepër që pagëzimi nuk do të ishte një akt i fshehtë verbal, se ceremonia e pagëzimit nuk kishte vlerë nëse nuk bëhej sipas ritualit, duke u shënuar emri i të pagëzuarit, kumbari (padrinjo) i tij, si dhe duke u lëshuar më pas çertifikata e pagëzimit.
Prifti që do të bënte pagëzimin kishte detyrim që të pyeste për prindërit e fëmijës që do të pagëzonte, dhe se përse ata nuk ishin të pranishëm, dhe nëse e jepnin pëlqimin për pagëzimin e fëmijës së tyre. Aq më tepër në atë kohë duhej ta bënte këtë gjë. Se të nesërmen mund të ndodhte që prindërit e fëmijës ta kallzonin priftin në Sigurimin e Shtetit, duke e akuzuar se e kishte pagëzuar fëmijën e tyre kundër dëshirës së tyre. Në atë kohë arrestimi dhe pushkatimi i priftërinjve katolikë ishte nuk ishte një gjë e rrallë. Prifti duhej t? i kërkonte gjyshes autorizim nga prindërit, dhe pastaj ta bënte pagëzimin. Një pagëzim i një fëmije, pa vullnetin e prindërve, në atë kohë ishte një gjë e dënueshme me ligj jo vetëm në Shqipërinë komuniste, por edhe në shumë vende perëndimore të lira dhe laike. Aq më tepër kur fëmijën ia kishte sjellë priftit katolik për ta pagëzuar një grua që nuk ishte katolike, por ortodokse!
Se gjyshja e Edi Ramës nuk ishte më katolike në 1964 kur lindi Edi Rama. Kur katolikja Veronika Maria Kolombi bëri martesë religjioze me të krishterin ortodoks Vlash Rama, ajo u pagëzua në fillim si e krishterë ortodokse në Durrës, ku banonte burri dhe pastaj u bë martesa sipas ritit religjioz ortodoks. Në Kishën Ortodokse ashtu si dhe në atë Katolike, nuk mund të bëhet veçse martesa mes dy personave të cilët i përkasin të njëjtit rit fetar. Edi Rama e di këtë prandaj ai ka sajuar historinë se gjyshja e tij i shkroi letër Papës që t? i jepte leje të martohej me një të krishterë ortodoks. Nëse Papa i ka dhënë leje këtë e ka bërë me shkrim, dhe për këtë duhet të ketë dokument, në mos në Shqipëri, së paku në Vatikan. Pse Edi Rama nuk e ka gjetur këtë dokument deri më sot? Këto lloj dokumentesh nuk janë sekret. Apo mos dëshiron të na thotë Edi Rama se këtë lejë Papa e kumtoi me anë të Dom Ndoc Sahatçisë!
Tani mendoni që prifti te i cili shkoi gjyshja jo më katolike e Edi Ramës për të pagëzuar nipin ishte agjenti i Sigurimit të Shtetit Dom Ndoc Sahatçija! Me siguri që ky zotëri që atë mbrëmje do të njoftonte Sigurimin e Shtetit. Nëse do të hynte në kishë nëna e dhëndrrit të vëllait të anëtarit të Byrosë Politike, duke mbajtur në krahë nipin e saj, djalin e mbesës së anëtarit të Byrosë Politikë, për ta pagëzuar atë, ky informacion të nesërmen që në mëngjes do të shkonte në tryezën e Ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiut. E shumta në mesditë informata do të ishte në tryezën e Enver Hoxhës. Sipas praktikës që kishte ky i fundit, dhe që e përdori edhe me rastin e fejesës së djalit të Mehmet Shehut, me një vajzë nga një familje ?reaksionare?, diktatori do të thërriste Spiro Kolekën dhe do t? i kërkonte që ta sqaronte këtë çështje. Politbyroisti Koleka nga ana e tij do të thërriste vëllain e tij, vjehrrin e Kristaqit, si dhe mbesën dhe e shumta në mbrëmjen e asaj dite do të kishte sqaruar gjithçka. Mbesa e Spiro Kolekës, nëna e Edit, do të denonconte menjëherë vjehrrën se kishte kryer një akt armiqësor, dhe do të ftonte organet kompetente (eufemizëm i kohës për Sigurimin e Shtetit) që të merreshin me të. Kristaqi do të detyrohej që të bënte të njëjtën gjë. Pra, Kristaqi dhe Aneta, prindërit e Edit do të detyroheshin që të denonconin nënën, përkatësisht vjehrrën se kishte bërë pagëzimin e djalit të tyre, fshehur tyre. Veprimi ishte edhe ligjërisht i dënueshëm, dhe jo vetëm në atë kohë, por edhe sot, pasi këtë të drejtë e kishin prindërit.
Gjyshja e Edi Ramës i kishte provuar një herë qelitë e Sigurimit të Shtetit kur e kishin mbajtur atje për disa javë në kohën e Koçi Xoxes, dhe e pyesnin për veprimtarinë e saj si kameriere në oborrin mbretëror, prandaj e dinte mirë se me kë kishte të bënte dhe çfarë e priste. Arsyeja kryesore për të cilën gjyshja e Edit nuk do të guxonte ta dërgonte nipin për ta pagëzuar ishte se ajo ishte vetë agjente e Sigurimit të Shtetit. Ajo vendoste aparate përgjimi në kisha për llogari të Sigurimit të Shtetit që ky të mësonte se çfarë bisedonin besimtarët.
Përfundimisht është e qartë se Edi Rama nuk është pagëzuar në një kishë katolike dhe kjo është një shpikje që ai e ka bërë për konvenim politik, ashtu që katolikët ta shohin atë si përfaqësuesin e tyre politik. Me sa duket Edi Rama pret që katolikët të besojnë se ai është kryeministri i parë katolik në historinë e shtetit shqiptar! Që të mos lejohet një spekulim i tillë duhet që Kisha Katolike të shprehet nëse e njeh Edi Ramën si katolik, apo jo. Spekulimi i Edi Ramës është dyfish i paskrupullt, religjioz dhe politik.





Lajmet e fundit nga