web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pavarësia duhet menaxhuar

17 Shkurt 2015, 14:05, Aktualitet CNA

Që shtatë vjetori i pavarësisë do ta gjente Kosovën “të braktisur” prej shumë qytetareve e qytetarëve këtë pakkush mund ta kishte parashikuar. Largime të qytetarëve në përmasa të tilla Kosova i ka përjetuar edhe para e gjatë luftës. Por shteti më i ri europian ka përjetuar edhe migrimin në kah të kundërt dhe për motive krejt të ndryshme: Ishin me mijëra ata kosovarë, që menjëherë pas luftës 16 vjet më parë dhe pas shpalljes së pavarësisë shtatë vjet më parë i kthyen krahët Perëndimit, duke lënë gjithçka kishin ndërtuar atje për ekzistencën e tyre. Motivi i tyre duhet të kenë qenë pra mjaft i fortë: dëshira për të jetuar në shtetin e tyre, shpresa, se Kosova e pavarur do t’u ofronte atyre atë ?’ka u kish munguar prej dekadash – identifikimin me atdheun -, ëndrra e gjatë për Kosovën e pavarur.

Ndjenja e patriotizmit dominoi kundrejt joshjes së jetës komode në Perëndim. Por zgjimi nga ëndrra e pavarësisë ishte i shpejtë dhe përmallimi për shtetin e mëvetësishëm u kthye në zhgënjim. Kosova është prej shtatë vjetësh e pavarur, por ende jo e njohur plotësisht si i tillë nga shumë vende të botës. Serbia prej nga ajo u shkëput nuk do ta njohë pavarësinë dhe luan një poker të fortë për të ruajtur interesat e saj në Kosovë. Shteti i ri është vendi më i varfër në Europë. Rinia është e papunë dhe has në mungesë perspektive. Kapja e shtetit, ekonomia e tarafeve, korrupsioni u zenë frymën qytetarëve të ndershëm. Këto janë vërtetë arsye të forta, që i nxisin qytetarët e Kosovës tani drejt odisesë së migrimit në Europë. Por ëndrra e tyre për një jetë më të mirë do të kthehet shpejt në zhgjëndërr, sepse vendet europiane do t’i kthejnë gati të gjithë në atdhe.

Europa, që e ka mbështetur fort dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën, e klasifikon atë sot si vend demokratik, ku nuk ka përndjekje, që do të mund të shërbente si argument për azilin në këto vende. Destinacioni i odisesë së migrimit ilegal është Kosova. E pra relacioni Kosovë ? Perëndim – Kosovë është i pashmangshëm. Emigracioni s’është alternativë.

E megjithatë ka arsye që të festohet pavarësia

Po, vërtetë kosovarët kanë sot halle, shumë më tepër se në ?do vend tjetër të konsoliduar europian. Por edhe vetë Europa sot ka mjaft halle dhe përballet prej vitesh me një krizë të fortë ekonomike e financiare si dhe me sfidën e krizave globale. E megjithatë Europa nuk e ka lënë dhe nuk do ta lerë Kosovën në baltë. Ndaj sot kosovarët kanë mjaft arsye për ta festuar përvjetorin e pavarësisë: Së pari sepse Kosova është e pavarur, kjo falë mbështetjes së pakursyer të Europës. Së dyti, sepse Kosova sot është më pranë Europës sa asnjëherë tjetër. Sivjet pritet që Kosova të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është një hap më pranë rrugës drejt statusit të vendit kandidat. Sigurimi i statusit të vendit kandidat do të thotë edhe më shumë mbështetje, por edhe më shumë impenjime për vetë politikën e shoqërinë kosovare për të përmbushur kushtet e nevojshme. Rruga është ende e gjatë e plot pengesa. Por ajo është e pakthyeshme.

Pavarësia duhet menaxhuar

Perëndimi i dha dorën Kosovës, por tani është ajo që duhet ta menaxhojë pavarësinë e saj. Mundësitë janë. Kosova është e varfër, por ajo ka potenciale të mëdha. Kapitali më i ?muar i saj është rinia. Kosova ka popullsinë më të re në Europë me një moshë mesatare 25 vje?. Zëvendësimi i elitave politike sot mungon, por është rinia ajo që e ka në dorë ta përshpejtojë këtë proces. Kosova ka gjithashtu mjaft burime natyrore, që kanë nevojë të menaxhohen e shfrytëzohen me men?uri për t’i dhënë impulse zhvillimit ekonomik. Shtatë vjet shtet janë për individin një kohë e gjatë, por për konsolidimin e një shteti ato nuk janë shumë. Eshtë e vërtetë, që derisa Europa të bëhet realitet për Kosovën do të zgjasë ndoshta edhe më tepër se një dekadë. Përshpejtimi i këtij procesi në radhë të parë varet prej vet qytetareve e qytetarëve të Kosovës dhe prej të zgjedhurve të tyre. E duket se pikërisht këta të fundit janë zhgënjimi më i madh sot për qytetaret e qytetarët e Kosovës.

Luftimi me efikasitet i nepotizmit, i korrupsionit, i abuzimit me pushtetin është në radhë të parë përgjegjësia e politikanëve drejtues. Por po aq bie kjo përgjegjësi edhe tek vet shoqëria civile. Eshtë ajo që duhet ta demaskojë korrupsionin dhe të mos lejojë të bjerë pre e tij. Janë qytetaret dhe qytetarët e Kosovës ata, që gëzojnë të drejtën t’i ndëshkojnë me votë ata politikanë, që abuzojnë me pushtetin. Nëse punët në shtëpi nuk shkojnë si duhet problemi duhet gjetur dhe zgjidhur brenda shtëpisë. Nëse të gjithë pjesëtarët kanë vullnetin asgjë s’është e pamundur. Braktisja e “shtëpisë” kurrësesi nuk mund të jetë alternativë, aq më tepër kur qysh në krye të herës ta kanë bërë të qartë, se dera e fqinjëve ku po troket “si mysafir i paftuar” do të të mbyllet në fytyrë. Ndërkohë që Europa e mban hapur portën e madhe për ta pranuar Kosovën si anëtare të familjes së saj. Kosovarët e kanë vet në dorë që ta kalojnë këtë prag. Politika dhe shoqëria civile në Kosovë duhet t’i kryejnë vetë detyrat e shtëpisë.





Lajmet e fundit nga