web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nishani: Kryeministri gjyq publik ndaj Presidentit

2 Shtator 2014, 16:14, Aktualitet CNA

Intervistë e Presidentit Nishani dhënë për Televizionin ABC News

GazetarjaZoti President, përshëndetje! Ju falemnderit që pranuat ftesën për këtë intervistë! Është fillimi i sesionit të ri parlamentar dhe në fakt nisi pa opozitën në Kuvend, ashtu siç u mbyll sesioni i shkuar parlamentar. Nuk patëm një mesazh nga ana e Presidentit të Republikës me rastin e nisjes së këtij sesioni. Është në të drejtën tuaj për ta bërë apo jo. Kishte diçka konkrete përse nuk mund të bëhej ky mesazh?

Presidenti Nishani: Nëse do të kisha pasur një ftesë nga mazhoranca, me shumë kënaqësi do të kisha shkuar në Parlament për të drejtuar një mesazh, por gjithsesi këto janë çështje të protokollit, të formalitetit, që mbetet në të drejtën e mazhorancës për të adresuar një ftesë të tillë apo jo. Por unë uroj që Parlamenti të ketë një punë dinamike në përmbushje të gjithë detyrave dhe pritshmërive të qytetarëve shqiptarë!

Gazetarja: Ajo çka ishte paralajmëruar në fakt, ndodhi në seancën plenare: pesë dekretet tuaja për t?i dhënë një mundësi mazhorancës për t?i riparë një sërë ligjesh, një pjesë për drejtësinë, ndarja territoriale, por edhe ligji për Policinë e Shtetit. Dekretet u rrëzuan dhe pati edhe një sulm të drejtpërdrejtë nga elemente të mazhorancës, por edhe nga vetë Kryeministri. Cili është komenti juaj lidhur me këto reagime, të cilat kanë qenë thuajse të përditshme në fakt nga mazhoranca?

Presidenti Nishani: Përsa i takon procesit të votimit të mazhorancës dhe rrëzimit të dekreteve, nuk kam asnjë koment, pasi është tërësisht e drejta legjitime e Kuvendit të Shqipërisë, e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë që të mbajnë qëndrimet e tyre përmes procesit të votimit ndaj dekreteve të Presidentit, të cilat në këtë rast nuk janë veto. Pasi nëse do të kishim një veto të Presidentit të Republikës të parashikuar nga Kushtetuta e vendit, në legjislacion, natyrisht që ato akte nuk do të kalonin.

Ndërsa pjesa që ka të bëjë me artikulimet verbale: për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar ndodh që një Kryeministër e shfrytëzon nisjen e sesionit parlamentar për të bërë një gjyq publik ndaj Presidentit të Republikës. Shqiptarët panë dje se si Kryeministri i vendit të tyre, cili presupozohet që duhet të punojë nga mëngjesi deri në darkë për të zgjidhur hallet dhe problemet e shumta të qytetarëve shqiptarë, e shndërroi foltoren e Kuvendit të Shqipërisë në një llogore personale për të adresuar sharje dhe fyerje ndaj Presidentit të Republikës.

Nuk kam bërë asgjë tjetër edhe në rastin e këtyre dekreteve, përpos ushtrimit të detyrës sime kushtetuese. Dhe në rastin konkret nuk ka asnjë goditje ndaj ndonjë prioriteti apo ndonjë reforme, për arsyen e thjeshtë se nuk kemi ende një reformë, nuk kemi të bëjmë me asnjë projekt konkret të reformave të cilat diskutojmë. Por përmes atyre akteve, Presidenti i Republikës ka denoncuar mosrespektin nga ana e Kryeministrit të vendit ndaj Kushtetutës. Kam denoncuar mosrespektin e Kryeministrit të vendit ndaj gjithë atyre standardeve demokratike që janë arritur me shumë mund e sakrifica gjatë njëzet e pesë viteve të fundit në Shqipëri. Përmes këtyre akteve kam denoncuar mosrespektin e Kryeministrit të vendit ndaj institucioneve kushtetuese. Përkundër nuk kishim asnjë argument në trajtimin e këtyre dekreteve dhe procesin për rrëzimin e tyre nga ana e Kryeministrit, por kishim adresim fyerjesh dhe sharjesh, të cilave natyrisht unë nuk do t?u përgjigjem, sepse ndaj një model krejt tjetër të kulturës politike dhe formimit civil.

Por unë do të konsideroja që nuk është tregues i forcës. Nuk është tregues as i zotësisë të shash e të fyesh Presidentin e Republikës. Në gjykimin tim, tregues i zotësisë është të zgjidhësh hallet dhe problemet e qytetarëve shqiptarë. Në gjykimin tim, tregues i forcës është të ndeshesh me krimin dhe të fitosh betejën. Ndaj unë, këto zotësi, këtë forcë pres ende të shoh dhe pres nga ana e qeverisë dhe e Kryeministrit.

Gazetarja: Me pak fjalë, ju duket sikur mazhoranca po merret më tepër me debatet publike, televizive, me sulmet, sesa me hallet e qytetarëve?

Presidenti Nishani: Është evidente që këto lloj retorikash, dhe unë besoj që nuk janë prioritete të jetës së përditshme të qytetarëve shqiptarë. Jeta e përditshme e qytetarit, e shqiptarit ka prioritete të shumta, të cilat lidhen me punësimin e tyre, me përmirësimin e jetës ekonomike, me ndërtimin e rrugëve, të shkollave, me përmirësimin e shërbimit shëndetësor në spitale. Pra, jeta e përditshme e qytetarit, e familjarëve ka halle, ka probleme, ka sfida, të cilat janë prioritete të vërteta. Kështu që, fokusimi tek retorika të tilla të panevojshme nuk përbën një adresim korrekt të energjive, forcës, në fund të fundit të pritshmërie, të angazhimeve për të justifikuar dhe për të zgjidhur këto pritshmëri nga ana e qeverisë. Unë kam qenë dhe mbetem i vendosur të mbështes, të duartrokas, të përshëndes çdo hap real që lidhet me reformat reale, që lidhet me kontribute për të përmirësuar jetën e qytetarëve shqiptarë, për të zgjidhur hallet dhe problemet e tyre nga veriu në jug, nga lindja në perëndim, kudo ku shqiptarët janë vendosur në Shqipëri pasi problemet, hallet dhe shqetësimet e tyre kërkojnë vullnet, kërkojnë angazhim, kërkojnë vizion, kërkojnë qetësi, kërkojnë mençuri dhe kërkojnë plot lodhje dhe punë nga ana e qeveritarëve.

Gazetarja: Zoti President, ju jeni zgjedhur Kryetar Shteti për të qenë mbi palët. Në këndvështrimin tuaj, Partia Demokratik, forca kryesore në opozitë, a po e bën siç duhet punën e saj edhe ndaj këtyre interesave të qytetarëve?

Presidenti Nishani: Si President i Republikës nuk do të ishte e arsyetuar ndërhyrja në vendimet politike të partive politike, kushdo qofshin ato; qoftë e partive politike të mazhorancës dhe qoftë të partive politike të opozitës. Por në aspektin e gjykimit të përgjegjësive, pa diskutim që jam i qartë dhe i prerë që përgjegjësitë janë të mëdha si nga ana e partive politike në mazhorancë, ashtu dhe të atyre në opozitë. Bashkëpunimi dhe gjithëpërfshirja dhe jo përjashtimi; kontributi me akte dhe veprime konkrete për të injektuar mirëbesimin janë elementet e domosdoshme dhe të nevojshme për të jetësuar një proces, i cili shkon i kontrolluar, i udhëhequr nga Kushtetuta, nga ligjet dhe natyrisht, i ndikuar nga interesat kombëtare dhe të qytetarëve shqiptarë.

Gazetarja: Nuk kemi një sfidë të afërt, le të themi në kuadër të integrimit tonë në Bashkimin Evropian. Jemi mësuar të kishim çështjen e liberalizimit të vizave, çështjen e statusit të vendit kandidat, pyetësori para kësaj. Kemi pasur sfida të afërta që gjithnjë kanë detyruar klasën politike të gjejë një lloj rrugëzgjidhjeje. Tashmë kur statusi u mor dhe integrimi i vendit duket disi i largët, mos kjo i mban akoma më të largëta forcat politike ndaj njëra-tjetrës, luftën ndër-institucionale ndoshta akoma më të ndezur duke mos pasur, le të themi, një presion të drejtpërdrejtë nga Bashkimi Evropian pasi kemi kushtet e radhës për të përmbushur. Ndoshta u zgjata në këtë pyetje, pikërisht për të dhënë një panoramë të të gjithë këtij konflikti që po zgjat, po zgjat, qoftë mes forcave politike, por dhe mes institucioneve. Si e gjykoni këtë?

Presidenti Nishani: Nuk ka sfidë më të madhe për një shoqëri, për qeverinë, për institucionet e një vendi sesa jeta e përditshme e qytetarit të vendit të vet. Dhe jeta e përditshme e qytetarit shqiptar është e sfiduar nga një mori problemesh, nga një mori vështirësish, të cilat nuk është se janë të lindura në këtë çast. Prandaj thashë se nuk ka sfidë më të madhe sesa të ulesh, të punosh fort për të gjetur zgjidhjet më të mira të mundshme për këto probleme, për këto sfida që kanë qytetarët shqiptarë.

Çështjet e integrimit evropian janë të lidhura me një proces dhe është një proces, i cili është i pandalshëm. Është një proces, i cili kërkon dhe ai angazhim të përditshëm. Sfida e radhës është, pa dyshim, hapja e negociatave dhe hapja e negociatave është një sfidë, është një detyrë, është një përgjegjësi, e cila nuk mund të lihet e shkëputur nga jeta e përditshme e qytetarëve shqiptarë, sepse lidhet me dimensionin e lirisë të qytetarëve shqiptarë, lidhet me nivelin e ekonomisë së qytetarëve shqiptarë, lidhet me hapësirën e veprimit dhe angazhimit të qytetarëve shqiptarë në kontribute sipas mundësive të gjithsecilit dhe të detyrave të gjithsecilit. Pra, unë besoj se ka sfida të shumta. Duhet vetëm qasje e thellë, duhet qasje e fortë në kontekstin e respektimit të ligjeve, të respektimit të standardeve dhe të marrjes së përgjegjësive, të cilat drejtpërdrejtë janë ngarkuar nga qytetarët shqiptarë dhe janë në pritshmëri të lartë për t?u parë të jetësuara nga qytetarët shqiptarë.

Gazetarja: Nuk keni folur akoma për Ligjin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare. Keni marrë ndonjë vendim? Keni më afat apo ka kaluar afati? Bëtë një konsultim me përfaqësues të shoqërisë civile për këtë dokument.

Presidenti Nishani: Siç e parasheh dhe Kushtetuta, Presidenti ka të drejtën e dekretimit të ligjeve, ka të drejtën e dekretit për ta kthyer mbrapsht për t?u rishikuar në Parlament, por mund ta kalojë dhe në heshtje nëse nuk konstaton shkelje të Kushtetutës në ligjin përkatës, por që nuk pajtohet me pjesën përmbajtësore të tij, apo nuk përputhet me interesin publik të qytetarëve shqiptarë. Ligji që ka miratuar Strategjinë e Sigurisë Kombëtare nuk ka pasur çështje që binin ndesh me Kushtetutën e vendit, por në gjykimin tim, nuk ka qenë në përputhje të plotë me interesin publik të qytetarëve shqiptarë. Ka pasur një reagim, jashtëzakonisht të vlerësuar nga unë, të shoqërisë civile në studimin dhe në reflektimin e problematikave, por që qëndrimi më konkret, më i detajuar i Presidentit në lidhje me këtë strategji do të bëhet në kohën që vjen.

Gazetarja: Zoti President dhe një pyetje të fundit. Si ju duk Konferenca e Berlinit e organizuar nga Kancelarja Merkel? Cili është roli i Shqipërisë në këtë mes? Cili është pozicioni që duhet të luajë ajo në vazhdimësi? Duket që fokusi është zhvillimi ekonomik i Shqipërisë dhe i vendeve të rajonit. Kjo vihet re edhe nga qasja dhe interesi i BE-së ndaj Shqipërisë.

Presidenti Nishani: Samiti i Berlinit ishte një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për të gjithë vendet e Ballkanit, posaçërisht për Shqipërinë dhe interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Angazhimi, vullneti i Gjermanisë dhe posaçërisht i Kancelares Merkel janë një shans i madh për të gjithë vendet e rajonit tonë, dhe të Shqipërisë. Me këtë rast, unë vlerësoj maksimalisht angazhimin dhe përkushtimin e qeverisë shqiptare për të ofruar kontributin e saj dhe jo vetëm në këtë Samit, por dhe në ndjekjen dhe implementimin e vazhdueshëm të objektivave të shpallura në këtë Samit, i cili, në fakt, ishte vijimi i Samitit të Kryetarëve të Shteteve të organizuar në Dubrovnik po me praninë e Kancelares Merkel. Është një çast, i cili jep shanse të një bashkëpunimi konkret zhvillimi përmes projekteve konkrete të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat më pas i sjellin të gjithë së bashku në përafrimin e një lloj qëndrimi të përbashkët në procesin në tërësi të integrimit të tyre evropian. Pra, është një dritare, një derë, shumë e rëndësishme, e hapur tashmë për të gjitha vendet jo vetëm si konkluzion i vendimeve më të fundit që mori Bashkimi Evropian qoftë me dhënien e statusit të ?vendit kandidat? Shqipërisë, me çeljen e negociatave për Serbinë, puna e madhe që po bëhet për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit për Kosovën dhe kështu me radhë. Pra, të gjitha këto treguan që nuk ka një të ashtuquajtur ?lodhje? për çështjet e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Dhe fakti i angazhimit të drejtpërdrejtë të Gjermanisë dhe personalisht të Kancelares Merkel është garancia më e madhe dhe më e fortë e suksesit, e vijueshmërisë së këtij procesi dhe e inkurajimit që duhet që të gjithë ne, vendet e Ballkanit së bashku, ta vlerësojmë dhe ta  kapim si shans dhe si moment të rëndësishëm.





Lajmet e fundit nga