web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nikola Tesla, trashëgimia e një gjeniu që ishte shumë përpara kohës së tij

12 Janar 2023, 09:02, Tech CNA

   Nikola Tesla, trashëgimia e një gjeniu që ishte shumë

I nënvlerësuar gjatë jetës së tij, por i vlerësuar shumë pas vdekjes për shpikjet dhe zbulimet e tij, që kanë ndikuar shumë në zhvillimin teknologjik global, Nikola Tesla mishëron padyshim figurën e gjeniut modern.

Shkencëtar, fizikant dhe shpikës, Tesla arriti të marrë 270 patenta në 27 vende të ndryshme, të përqendruara kryesisht në transmetimin e energjisë elektrike. Kanë kaluar 80 vite nga vdekja e tij (në Nju Jork më 7 janar 1943), por imagjinata, krijimtaria dhe inovacioni, protagonist i së cilës ishte ai, e kanë bërë një nga personazhet ikonë të botës së shkencës.

Ëndrra e Nikola Teslës ishte shumë ambicioze: ta çonte energjinë elektrike në të gjithë botën, pa pagesë dhe me valë, duke përdorur ajrin si një mjet transporti. Një eksperiment shumë domethënës për kohën u zhvillua në vitin 1899 në laboratorin e tij në Kolorado.

Tesla arriti të ndezë në të njëjtën kohë 200 llamba të vendosura 40 kilometra larg, pa përdorur asnjë tel përcjellës. Por ndoshta shembulli më përfaqësues i gjithë punës së tij përfaqësohet nga Kulla Tesla (Kulla Wardenclyffe), e përdorur për të demonstruar fizibilitetin e transmetimit, pra transferimin e energjisë nga distanca dhe komunikimin nëpërmjet ajrit.

Në një intervistë të vitit 1926 për revistën “Collier”, Nikola Tesla deklaroi se një ditë do të ishte e mundur të eliminoheshin distancat falë një objekti shumë të vogël, duke komunikuar në çast, pavarësisht se ku jeni dhe ku ndodhet bashkëbiseduesi. A nuk tingëllon diçka e njohur?

Ndërsa Kodi Mors u përhap në të gjithë botën, shkencëtari me origjinë serbe, por që e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij në Shtetet e Bashkuara, u angazhua të gjente një mënyrë për ta bartur rrymën elektrike në atmosferë, ashtu siç kishte arritur ta bënte me valët e radios.

Ai ishte i bindur se një ditë do të mund të transmetoheshin mesazhe, informacione, dokumente dhe shumë gjëra të tjera përmes ajrit, pa përdorur tela. Dhe dihet tashmë se ajo që u hipotezua u bë më pas realitet, sidomos me ardhjen dhe përhapjen e pajisjeve të tilla si telefonat inteligjentë dhe jo vetëm.

Parashikimi i tij mbi wireless nuk ishte vetëm i saktë, por disa dekada më vonë ishte një nga karakteristikat themelore të zhvillimit të teknologjisë së lartë, që e karakterizoi gjysmën e dytë të shekullit XX dhe vitet e para të shekullit XXI.  Por gjenialiteti i Nikola Teslës nuk mbaroi me risitë tekniko-shkencore.

Që gjatë viteve të fundit të shekullit XIX, ai u bë zëdhënësi i mesazheve në lidhje me emancipimin e femrës. Ai thoshte se teknologjitë wireless mund t’i mbështesin gratë për një arsimim më të mirë, për të pasur më shumë të drejta dhe për një punësim të barabartë me burrat.

Sigurisht, për këtë ka ende një rrugë të gjatë për të bërë, dhe nuk mund të argumentohet se gjithçka që ndodhi më vonë është një meritë e Teslës. Por është po aq e vërtetë që gjithnjë e më shumë gra po bëhen lidere në sektorët e dominuar nga teknologjia.

Thuhet që në moshë të re Tesla vuante nga një çrregullim neurologjik (i diagnostikuar jo shumë saktë), që e bënte atë të shihte vazhdimisht rrufe verbuese. Kjo veçori përfaqëson në mënyrë të përsosur, të paktën në një nivel metaforik, interesin e tij për energjinë dhe rrymë elektrike, që gjatë gjithë jetës iu shndërrua në një fiksim.

Mbi një shekull më parë ishte thuajse e pamundur të parashikohej, por sot procesi i elektrifikimit është një nga gurët e themelit mbi të cilin bazohet lufta kundër ndryshimeve klimatike, si dhe kalimi i energjisë drejt modeleve të bazuara te burimet e rinovueshme.

Edhe shpikja e rrymës alternative, ku ai e përqendroi shumicën e studimeve të tij, ishte thelbësore për revolucionin industrial të mëvonshëm, por edhe për proceset që mundësuan energjinë në të gjithë planetin me çmime të përballueshme. Për shembull, termocentralet sot punojnë dhe janë efikasë falë kësaj zgjidhjeje, e cila e lejon energjinë të transportohet në distanca të mëdha pa rreziqe dhe pothuajse pa humbje.

Koha i dha të drejtë Teslës, dhe sot rryma alternative është thelbësore për proceset industriale, për të reduktuar shpenzimet e përgjithshme, për të ulur kostot, për të mbështetur qarqet komplekse dhe mbështetur tranzicionin e gjelbër.

Pavarësisht arritjeve të jashtëzakonshme, Tesla i kaloi vitet e fundit të jetës së tij në vetmi dhe varfëri.

Emblematike e karakterit të tij të vështirë dhe mospërputhjes së tij me shoqërinë e kohës, ishte rasti i çmimit Nobel, të cilin nuk e fitoi kurrë. Në vitin 1909, çmimi iu dha Gulielmo Markoni. Teslau ndje i grabitur nga një çmim që mendonte se e meritonte. Reagimi i tij e pengoi që ta fitonte atë edhe në vitet në vijim, pikërisht për përbuzjen që kishte shprehur hapur ndaj komisionit që përcaktonte fituesin e atij çmimi.

Përkthyer nga CNA.al





Lajmet e fundit nga