web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Elvis Sina: Tirana duhet të kopjojë Skënderbeun në Champions League

6 Korrik 2022, 10:04, Sport CNA

Elvis Sina është një nga futbollistët me karrierë të gjatë dhe të mbushur me rekorde në futbollin shqiptar. Gjatë 18 vite karrierë si futbollist profesionist mbrojtësi kryeqytetas ka edhe rekordin e trofeve të fituar, plot 21. Ish-mbrojtësi i Tiranës ishte në dijeni të këtij rekordi të trofeve, por ai nuk e dinte se mban edhe një tjetër rekord në vend, si lojtari me më shumë ndeshje të luajtura me klubet shqiptare në Champions apo Liga e Kampioneve siç quhej dikur. Janë statistikat e UEFA-s për këtë kompeticion që tregojnë rekordin e Sinës, i cili kur u pyet nga “Panorama Sport” pohoi se nuk e kishte idenë se kush e mbante rekordin. Madje, u habit kur e mori vesh se ishte ai vetë. Në rrëfimin për gazetën, Sina tregon emocionet më të bukura që ka përjetuar në Champions, ndërsa drejtimin e Tiranës si trajner e shikon të largët, pasi është i angazhuar me bizneset familjare. Ish-kapiteni dhe rekordmeni në Champions ka një këshillë për Tiranën, e cila sot luan me Dundelanzhin. Sipas Sinës, ka ardhur koha që Tirana të mendojë për të kaluar ture dhe marrë pjesë në grupet e Europës. Ndaj, që nga ky sezon ai e këshillon Tiranën që të përsërisë modelin e Skënderbeut në Europë.

Sina, intervistën do ta nisim me një kuic. A e dini se cili është futbollisti shqiptar që ka zhvilluar më shumë ndeshje në Champions apo Kupa e kampioneve, siç quhej dikur, me klubet tona?

Të them të vërtetën, nuk e di.

Po ju, e konfirmuar nga vetë faqja zyrtare e UEFA-s dhe kryesoni me 17 ndeshje, keni një më shumë se Shehi dhe Radasi me Skënderbeun…

(Qesh)… Realisht nuk e dija dhe as që më kishte shkuar ndërmend apo llogaritur ndonjëherë se këtë rekord e paskam unë në Shqipëri. E di që jam lojtari me më shumë trofe të fituar në Shqipëri, si dhe futbollisti me më shumë ndeshje me fanellën e Tiranës, më duket se 435 takime. Dua t’iu falënderoj për këtë lajm të bukur që më dhatë, pasi që plotëson akoma më shumë karrierën time.

Ju jeni lojtari me më shumë ndeshje në Champions, ndërsa Devi Muka golashënuesi më i mirë me 5 gola, po aq sa Hamdi Salihi…

Për Devin e dija që ka shënuar disa gola, por se ishte te golashënuesit më të mirë në Champions nga klubet shqiptare, gjithashtu nuk e kisha informacionin e saktë.

Duke parë këto dy rekorde që mbahen nga ish-lojtarë bardheblu. Mos ndoshta edhe Tirana duhet të inspirohet nga ju dhe të vendosë rekorde në Champions apo në Kupat e Europës duke filluar nga ky edicion?

Në Champions nuk ka ekipe të lehta, ndonëse bëhet fjalë për turet e para. Tirana është pjesëmarrëse e rregullt në Europë. Tani ajo nuk e ka për detyrë vetëm të fitojë tituj dhe të sigurojë pjesëmarrje në Europë, por të vazhdojë rrugën që bëri Skënderbeu para disa viteve. Ka ardhur momenti që të mos shikohet ngushtë duke u kënaqur vetëm me pjesëmarrjen dhe arkëtimin e shumave që vijnë nga turet e para.

Pra, ju thoni që momenti ka ardhur dhe Tirana duhet ta nisë ndryshimin në Europë që nga ky sezon?

Tirana është rekordmene trofesh në vendin tonë dhe shumë herë pjesëmarrëse në kompeticonet europiane, por që nuk ka kaluar ture. Tani bardhebluve u del për detyrë që të mendojnë për të kaluar ture. Nuk mund të ngopet thjesht me pjesëmarrjen.

Kjo gjë arrihet me zgjuarsi, futboll të bukur dhe me grintë. Pra, Tirana duhet ta nisë aventurën europiane jo me idenë e pjesëmarrjes, por të kalimit të tureve. Thjesht të bëjë atë rrugëtim që bënë korçarët para disa viteve. Edhe Skënderbeu nuk e kishte eksperiencën e duhur që e bëri atë sukses, por menaxhimi i mirë i situatave me lojtarët dhe afrimi i zgjuar i futbollistëve në merkato. Pra, afrimi i lojtarëve me eksperiencë edhe në arenën ndërkombëtare bëri që Skënderbeu të shkojë aty ku shkoi, plus edhe me përkrahjen e tifozërisë, që është shumë e rëndësishme. Tifozët janë pjesë e pandashme e një ekipi, siç janë te Tirana.





Lajmet e fundit nga